Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdurrahman ibn Aufi erdhi në Medinë, Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rebi Ensariun.” Sadi ishte pasanik, andaj i tha Abdurrahmanit: - Po ta ndaj gjysmën e pasurisë sime dhe po të martoj (me njërën prej grave të mia). - Allahu të begatoftë në familjen dhe në pasurinë tënde, por vetëm më drejtoni te tregu! - i tha Abdurrahmani. Kur u kthye prej tregut, Abdurrahmani veçse kishte fituar ca djathë dhe gjalpë, të cilën ia solli familjes së vet. Pas një kohe të shkurtë - ose ka thënë: aq sa deshi Allahu -, kur erdhi, Abdurrahmanit i vëreheshin gjurmë të verdha parfumi. Pejgamberi ﷺ e pyeti: - “Ç'është kjo?” - Jam martuar me një ensare, o i Dërguari i Allahut! - “Çfarë i dhe për mehër?” - Ar sa bërthama e hurmës - ose ka thënë: sa sasia e një bërthame të hurmës -. - “Bëj një gosti, qoftë dhe me një dele.”
حَدَّثَنَا أَحْمَدُ بْنُ يُونُسَ: حَدَّثَنَا زُهَيْرٌ: حَدَّثَنَا حُمَيْدٌ، عَنْ أَنَسٍ - رضى الله عنه - قَالَ: قَدِمَ عَبْدُ الرَّحْمَنِ بْنُ عَوْفٍ الْمَدِينَةَ فَآخَى النَّبِيُّ ﷺ بَيْنَهُ وَبَيْنَ سَعْدِ بْنِ الرَّبِيعِ الأَنْصَارِيِّ، وَكَانَ سَعْدٌ ذَا غِنًى، فَقَالَ لِعَبْدِ الرَّحْمَنِ: أُقَاسِمُكَ مَالِي نِصْفَيْنِ، وَأُزَوِّجُكَ. قَالَ: بَارَكَ اللَّهُ لَكَ فِي أَهْلِكَ وَمَالِكَ، دُلُّونِي عَلَى السُّوقِ. فَمَا رَجَعَ حَتَّى اسْتَفْضَلَ أَقِطًا وَسَمْنًا، فَأَتَى بِهِ أَهْلَ مَنْزِلِهِ، فَمَكَثْنَا يَسِيرًا - أَوْ مَا شَاءَ اللَّهُ - فَجَاءَ وَعَلَيْهِ وَضَرٌ مِنْ صُفْرَةٍ، فَقَالَ لَهُ النَّبِيُّ ﷺ: "مَهْيَمْ؟" قَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، تَزَوَّجْتُ امْرَأَةً مِنَ الأَنْصَارِ. قَالَ: "مَا سُقْتَ إِلَيْهَا؟" قَالَ: نَوَاةً مِنْ ذَهَبٍ، أَوْ وَزْنَ نَوَاةٍ مِنْ ذَهَبٍ. قَالَ: "أَوْلِمْ وَلَوْ بِشَاةٍ".