Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim dhe, kur arritëm te vendi i quajtur Bejda, - ose ka thënë: Dhatu Xhejsh, - m'u këput gjerdani (dhe më humbi). I Dërguari i Allahut ﷺ qëndroi aty për ta kërkuar atë e bashkë me të edhe njerëzit e tjerë. Ata nuk posedonin ujë (për të marrë abdes), andaj disa shkuan tek Ebu Bekri dhe iu ankuan: “A nuk po sheh çfarë na bëri Aishja?” Bëri që i Dërguari i Allahut ﷺ dhe të tjerët të qëndrojnë (në këtë vend, në kërkim të gjerdanit), ndërkohë, këtejpari as ka ujë, as njerëzit kanë me vete. Ebu Bekri erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili po flinte me kokën mbështetur mbi prehrin tim, e më tha: “E pengove të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të gjithë njerëzit, ndërkohë, këtejpari as ka ujë, as njerëzit kanë me vete.” Më qortoi e s'më la gjë pa thënë, pastaj filloi të më shpojë me dorë në ijë, por, unë, duke mos dashur që i Dërguari i Allahut ﷺ ta largojë kokën nga prehri im, nuk lëviza. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u zgjua nga gjumi, nuk kishte ujë. Atëherë Allahu ﷻ e zbriti ajetin e tejemumit, andaj të gjithë morën tejemum. Usejd ibn Hudajri tha: “Kjo nuk është begatia juaj e parë, oj familja e Ebu Bekrit!” Aishja thotë: “Pasi e ngritëm devenë, në të cilën kisha hipur, e gjetëm gjerdanin nën të.”
حَدَّثَنَا عَبْدُ اللَّهِ بْنُ يُوسُفَ قَالَ: أَخْبَرَنَا مَالِكٌ، عَنْ عَبْدِ الرَّحْمَنِ بْنِ الْقَاسِمِ، عَنْ أَبِيهِ، عَنْ عَائِشَةَ، زَوْجِ النَّبِيِّ ﷺ قَالَتْ: خَرَجْنَا مَعَ رَسُولِ اللَّهِ ﷺ فِي بَعْضِ أَسْفَارِهِ، حَتَّى إِذَا كُنَّا بِالْبَيْدَاءِ - أَوْ بِذَاتِ الْجَيْشِ - انْقَطَعَ عِقْدٌ لِي، فَأَقَامَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ عَلَى الْتِمَاسِهِ، وَأَقَامَ النَّاسُ مَعَهُ، وَلَيْسُوا عَلَى مَاءٍ، فَأَتَى النَّاسُ إِلَى أَبِي بَكْرٍ الصِّدِّيقِ فَقَالُوا: أَلاَ تَرَى مَا صَنَعَتْ عَائِشَةُ أَقَامَتْ بِرَسُولِ اللَّهِ ﷺ وَالنَّاسِ، وَلَيْسُوا عَلَى مَاءٍ، وَلَيْسَ مَعَهُمْ مَاءٌ. فَجَاءَ أَبُو بَكْرٍ وَرَسُولُ اللَّهِ ﷺ وَاضِعٌ رَأْسَهُ عَلَى فَخِذِي قَدْ نَامَ فَقَالَ حَبَسْتِ رَسُولَ اللَّهِ ﷺ وَالنَّاسَ، وَلَيْسُوا عَلَى مَاءٍ، وَلَيْسَ مَعَهُمْ مَاءٌ. فَقَالَتْ عَائِشَةُ: فَعَاتَبَنِي أَبُو بَكْرٍ، وَقَالَ مَا شَاءَ اللَّهُ أَنْ يَقُولَ، وَجَعَلَ يَطْعُنُنِي بِيَدِهِ فِي خَاصِرَتِي، فَلاَ يَمْنَعُنِي مِنَ التَّحَرُّكِ إِلاَّ مَكَانُ رَسُولِ اللَّهِ ﷺ عَلَى فَخِذِي، فَقَامَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ حِينَ أَصْبَحَ عَلَى غَيْرِ مَاءٍ، فَأَنْزَلَ اللَّهُ آيَةَ التَّيَمُّمِ فَتَيَمَّمُوا. فَقَالَ أُسَيْدُ بْنُ الْحُضَيْرِ: مَا هِيَ بِأَوَّلِ بَرَكَتِكُمْ يَا آلَ أَبِي بَكْرٍ. قَالَتْ: فَبَعَثْنَا الْبَعِيرَ الَّذِي كُنْتُ عَلَيْهِ، فَأَصَبْنَا الْعِقْدَ تَحْتَهُ.