Sahihu i Buhariut — Hadithi 3798

Virtytet e ensarëve · Transmetuesi: Ebu Hurejra

Shqip

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Davudi, e ky nga Fudajl ibn Gazvani, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ (për të kërkuar ushqim). Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë te gratë e tij (për të pyetur nëse ka ushqim), por ato thanë: “Nuk kemi asgjë, përpos ujit.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush e merr, - ose ka thënë: kush e gostit, - këtë?” - Unë, - tha një ensar, dhe shkoi me mysafirin te gruaja e tij e i tha: “Nderoje mysafirin e të Dërguarit të Allahut ﷺ.” - Nuk kemi asgjë, përpos ushqimit të fëmijëve, - ia ktheu ajo. - Përgatite ushqimin, ndize kandilin dhe, kur fëmijët të kërkojnë darkën, vëri në gjumë, - tha ai. Kështu, ajo e përgatiti ushqimin, e ndezi kandilin dhe fëmijët i vuri në gjumë. (Pasi e shtroi darkën) ajo shkoi te kandili dhe bënte sikur po rregullonte diçka dhe e fiku (qëllimisht). Të dy (bashkëshortët) shtireshin se po hanin ushqim dhe natën e kaluan të uritur. Në mëngjes, kur shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ai i tha: “Allahu qeshi mbrëmë, - ose ka thënë: u çudit, - me veprimin tuaj.” Atëherë, Allahu zbriti ajetin: “... Ata u jepnin përparësi atyre (muhaxhirëve) para vetvetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 9)

Arabisht

حَدَّثَنَا مُسَدَّدٌ: حَدَّثَنَا عَبْدُ اللَّهِ بْنُ دَاوُدَ، عَنْ فُضَيْلِ بْنِ غَزْوَانَ، عَنْ أَبِي حَازِمٍ، عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ - رضى الله عنه -: أَنَّ رَجُلاً، أَتَى النَّبِيَّ ﷺ فَبَعَثَ إِلَى نِسَائِهِ فَقُلْنَ: مَا مَعَنَا إِلاَّ الْمَاءُ. فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: "مَنْ يَضُمُّ، أَوْ يُضِيفُ هَذَا؟" فَقَالَ رَجُلٌ مِنَ الأَنْصَارِ: أَنَا. فَانْطَلَقَ بِهِ إِلَى امْرَأَتِهِ، فَقَالَ: أَكْرِمِي ضَيْفَ رَسُولِ اللَّهِ ﷺ. فَقَالَتْ: مَا عِنْدَنَا إِلاَّ قُوتُ صِبْيَانِي. فَقَالَ: هَيِّئِي طَعَامَكِ، وَأَصْبِحِي سِرَاجَكِ، وَنَوِّمِي صِبْيَانَكِ إِذَا أَرَادُوا عَشَاءً. فَهَيَّأَتْ طَعَامَهَا وَأَصْبَحَتْ سِرَاجَهَا، وَنَوَّمَتْ صِبْيَانَهَا، ثُمَّ قَامَتْ كَأَنَّهَا تُصْلِحُ سِرَاجَهَا فَأَطْفَأَتْهُ، فَجَعَلاَ يُرِيَانِهِ أَنَّهُمَا يَأْكُلاَنِ، فَبَاتَا طَاوِيَيْنِ، فَلَمَّا أَصْبَحَ، غَدَا إِلَى رَسُولِ اللَّهِ ﷺ فَقَالَ: "ضَحِكَ اللَّهُ اللَّيْلَةَ - أَوْ عَجِبَ - مِنْ فَعَالِكُمَا". فَأَنْزَلَ اللَّهُ: ﴿... وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَنْ يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ﴾ [الحشر: ٩]

json · faqja e plotë


Versioni i thjeshtë për indeksim nga AI. Faqja e plotë: https://hadithet.com/buhariu/3798