Ibrahim ibn Tahmani ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën një grumbull mallrash prej Bahrejnit, e në atë rast tha: “Derdhini në xhami!” Kurrë më parë nuk i kanë sjellë të Dërguarit të Allahut ﷺ mall më shumë sesa këtë herë. I Dërguari i Allahut ﷺ doli për namaz, ndërsa pasurisë as që ia lëshoi sytë. Pas namazit, erdhi e u ul pranë. Nuk ndodhte të shihte dikë e të mos i jepte diçka. Abasi erdhi dhe tha: - O i Dërguari i Allahut! Më jep edhe mua, sepse e kam shpaguar veten dhe Akilin (prej robërisë në Luftën e Bedrit). - “Merr!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Abasi e mbushi rrobën e tij, por, ngaqë nuk mund ta bartte, tha: - O i Dërguari i Allahut! A mund të urdhërosh dikë të ma ngarkojë? - “Jo!” - i tha Pejgamberi ﷺ . - Atëherë, a mund të ma ngarkosh ti? - pyeti Abasi. - “Jo!” - iu përgjigj sërish Pejgamberi ﷺ. E zbrazi një sasi të saj, por ende nuk mund ta ngrinte. Iu drejtua Pejgamberit ﷺ: - O i Dërguari i Allahut! A mund të urdhërosh dikë të ma ngarkojë? - “Jo!” - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. - E po, a mund të ma ngarkosh ti? - “Jo!” - i tha Pejgamberi ﷺ. Ai zbrazi edhe një pjesë të saj dhe e ngarkoi në supet e veta e u nis. I Dërguari i Allahut ﷺ e përcolli me sytë e tij derisa ai u largua, i habitur me lakminë e tij. Atë ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit nga aty vetëm atëherë kur nuk kishte mbetur asnjë dërhem.”
وَقَالَ إِبْرَاهِيمُ - يَعْنِي ابْنُ طَهْمَانُ - عَنْ عَبْدِ الْعَزِيزِ بْنِ صُهَيْبٍ، عَنْ أَنَسٍ - رضى الله عنه - قَالَ: أُتِيَ النَّبِيُّ ﷺ بِمَالٍ مِنَ الْبَحْرَيْنِ فَقَالَ: "انْثُرُوهُ فِي الْمَسْجِدِ". وَكَانَ أَكْثَرَ مَالٍ أُتِيَ بِهِ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ، فَخَرَجَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ إِلَى الصَّلاَةِ، وَلَمْ يَلْتَفِتْ إِلَيْهِ، فَلَمَّا قَضَى الصَّلاَةَ جَاءَ فَجَلَسَ إِلَيْهِ، فَمَا كَانَ يَرَى أَحَدًا إِلاَّ أَعْطَاهُ، إِذْ جَاءَهُ الْعَبَّاسُ فَقَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ! أَعْطِنِي فَإِنِّي فَادَيْتُ نَفْسِي وَفَادَيْتُ عَقِيلاً. فَقَالَ لَهُ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: "خُذْ". فَحَثَا فِي ثَوْبِهِ، ثُمَّ ذَهَبَ يُقِلُّهُ فَلَمْ يَسْتَطِعْ. فَقَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ! أُؤْمُرْ بَعْضَهُمْ يَرْفَعُهُ إِلَىَّ. قَالَ: "لاَ". قَالَ: فَارْفَعْهُ أَنْتَ عَلَىَّ. قَالَ: "لاَ". فَنَثَرَ مِنْهُ، ثُمَّ ذَهَبَ يُقِلُّهُ. فَقَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ! أُؤْمُرْ بَعْضَهُمْ يَرْفَعْهُ. قَالَ: "لاَ". قَالَ: فَارْفَعْهُ أَنْتَ عَلَىَّ. قَالَ: "لاَ". فَنَثَرَ مِنْهُ، ثُمَّ احْتَمَلَهُ فَأَلْقَاهُ عَلَى كَاهِلِهِ ثُمَّ انْطَلَقَ، فَمَا زَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ يُتْبِعُهُ بَصَرَهُ حَتَّى خَفِيَ عَلَيْنَا، عَجَبًا مِنْ حِرْصِهِ. فَمَا قَامَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ وَثَمَّ مِنْهَا دِرْهَمٌ.