Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Asim Ahveli, e ky e ka dëgjuar Ebu Othmanin se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se njëra nga bijat e Pejgamberit ﷺ dërgoi dikë për ta thirrur, ndërkohë ai ishte me Usame ibn Zejdin, Sadin dhe Ubejin. Ajo i çoi fjalë: “Djali im është në prag të vdekjes, andaj eja!” Mirëpo, Pejgamberi ﷺ i dërgoi selam dhe i tha: “Allahut i takon ajo që ka marrë e që ka dhënë dhe çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar. Andaj, le të bëjë durim dhe le ta shpresojë shpërblimin.” Herën e dytë ajo i dërgoi dikë duke iu betuar (që të shkonte). Kështu, edhe ne u nisëm me Pejgamberin ﷺ. Posa u ul, ia afruan fëmijën e ai e vendosi në prehër, ndërkohë fëmija po gërhiste. Të Dërguarit të Allahut ﷺ i rrodhën sytë lot, e në atë rast Sadi i tha: “Ç'është kjo, o i Dërguari i Allahut?” Ai ia ktheu: “Kjo është mëshirë që Allahu e vendos në zemrat e atyre që do nga robërit e Tij. Ndër robërit e Tij, Allahu i mëshiron të mëshirshmit.”
حَدَّثَنَا حَفْصُ بْنُ عُمَرَ: حَدَّثَنَا شُعْبَةُ: أَخْبَرَنَا عَاصِمٌ الأَحْوَلُ: سَمِعْتُ أَبَا عُثْمَانَ يُحَدِّثُ عَنْ أُسَامَةَ: أَنَّ ابْنَةً لِرَسُولِ اللَّهِ ﷺ أَرْسَلَتْ إِلَيْهِ - وَمَعَ رَسُولِ اللَّهِ ﷺ أُسَامَةُ [بْنُ زَيْدٍ] وَسَعْدٌ وَأَبِي أَوْ أُبَىٌّ -: أَنَّ ابْنِي قَدِ احْتُضِرَ فَاشْهَدْنَا. فَأَرْسَلَ يَقْرَأُ السَّلاَمَ وَيَقُولُ: "إِنَّ لِلَّهِ مَا أَخَذَ وَمَا أَعْطَى وَكُلُّ شَىْءٍ عِنْدَهُ مُسَمًّى، فَلْتَصْبِرْ وَتَحْتَسِبْ". فَأَرْسَلَتْ إِلَيْهِ تُقْسِمُ عَلَيْهِ، فَقَامَ وَقُمْنَا مَعَهُ، فَلَمَّا قَعَدَ رُفِعَ إِلَيْهِ، فَأَقْعَدَهُ فِي حَجْرِهِ وَنَفْسُ الصَّبِيِّ تَقَعْقَعُ، فَفَاضَتْ عَيْنَا رَسُولِ اللَّهِ ﷺ، فَقَالَ سَعْدٌ: مَا هَذَا يَا رَسُولَ اللَّهِ؟ قَالَ: "هَذِهِ رَحْمَةٌ يَضَعُهَا اللَّهُ فِي قُلُوبِ مَنْ يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ، وَإِنَّمَا يَرْحَمُ اللَّهُ مِنْ عِبَادِهِ الرُّحَمَاءَ".