Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejub ibn Ebu Temime, e ky nga Kasimi se Zehdemi tregon: “Teksa po rrinim tek Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërkohë që mes nesh dhe kësaj lagjeje të fisit xherm kishte vëllazëri, sollën ushqim, ndër të tjera, edhe mish pule. Aty ishte edhe një burrë i racës së kuqe 1 , i cili nuk iu afrua fare ushqimit.” Ebu Musai i tha: “Afrohu, sepse e kam parë Pejgamberin ﷺ duke e ngrënë atë!” Ai tha: “Por, unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.” Atëherë Ebu Musai i tha: “Eja të të tregoj diçka (për betimin tënd). Njëherë, patëm shkuar te Pejgamberi ﷺ bashkë me një grup të fisit eshari, por kisha pasë qëlluar aty mu në kohën kur ai ishte i zemëruar gjatë ndarjes së disa deveve për të pranishmit, nga devetë e dhuruara për lëmoshë. Kështu, i kërkuam të na marrë me vete (për në Luftën e Tebukut), por ai u betua se nuk do të na marrë, duke thënë: “Nuk kam me se t'ju bart.” Mirëpo, pas pak, Pejgamberit ﷺ i erdhi një tufë devesh (nga plaçka e luftës) dhe tha: “Ku janë esharinjtë? Ku janë esharinjtë...?” Pastaj na dha pesë tufa devesh gungëbardha (të majme). Nuk shkuam shumë larg dhe u thashë shokëve të mi: “Pejgamberi ﷺ e harroi betimin! Betohem në Allahun se kurrë nuk do të shpëtojmë nëse ne jemi bërë shkaktarë që i Dërguari i Allahut ﷺ ta harrojë betimin.” Kështu, u kthyem te Pejgamberi ﷺ dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut, ne të patëm kërkuar që të na bartësh edhe ne, ndërsa ti u betove se nuk do të na marrësh me vete, andaj menduam se e ke harruar betimin.” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë, me lejen e Allahut shoh se një zgjidhje tjetër është më e mirë, atëherë e veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”
حَدَّثَنَا أَبُو مَعْمَرٍ: حَدَّثَنَا عَبْدُ الْوَارِثِ: حَدَّثَنَا أَيُّوبُ بْنُ أَبِي تَمِيمَةَ، عَنِ الْقَاسِمِ، عَنْ زَهْدَمٍ قَالَ: كُنَّا عِنْدَ أَبِي مُوسَى الأَشْعَرِيِّ، وَكَانَ بَيْنَنَا وَبَيْنَ هَذَا الْحَىِّ مِنْ جَرْمٍ إِخَاءٌ، فَأُتِيَ بِطَعَامٍ فِيهِ لَحْمُ دَجَاجٍ، وَفِي الْقَوْمِ رَجُلٌ جَالِسٌ أَحْمَرُ فَلَمْ يَدْنُ مِنْ طَعَامِهِ فَقَالَ: ادْنُ فَقَدْ رَأَيْتُ رَسُولَ اللَّهِ ﷺ يَأْكُلُ مِنْهُ. قَالَ: إِنِّي رَأَيْتُهُ أَكَلَ شَيْئًا فَقَذِرْتُهُ، فَحَلَفْتُ أَنْ لاَ آكُلَهُ. فَقَالَ: ادْنُ أُخْبِرْكَ - أَوْ أُحَدِّثْكَ - إِنِّي أَتَيْتُ النَّبِيَّ ﷺ فِي نَفَرٍ مِنَ الأَشْعَرِيِّينَ، فَوَافَقْتُهُ وَهُوَ غَضْبَانُ، وَهُوَ يَقْسِمُ نَعَمًا مِنْ نَعَمِ الصَّدَقَةِ فَاسْتَحْمَلْنَاهُ فَحَلَفَ أَنْ لاَ يَحْمِلَنَا قَالَ: "مَا عِنْدِي مَا أَحْمِلُكُمْ عَلَيْهِ". ثُمَّ أُتِيَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ بِنَهْبٍ مِنْ إِبِلٍ فَقَالَ: "أَيْنَ الأَشْعَرِيُّونَ؟ أَيْنَ الأَشْعَرِيُّونَ؟" قَالَ: فَأَعْطَانَا خَمْسَ ذَوْدٍ غُرِّ الذُّرَى، فَلَبِثْنَا غَيْرَ بَعِيدٍ، فَقُلْتُ لأَصْحَابِي: نَسِيَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ يَمِينَهُ، فَوَاللَّهِ لَئِنْ تَغَفَّلْنَا رَسُولَ اللَّهِ ﷺ يَمِينَهُ لاَ نُفْلِحُ أَبَدًا. فَرَجَعْنَا إِلَى النَّبِيِّ ﷺ فَقُلْنَا: يَا رَسُولَ اللَّهِ، إِنَّا اسْتَحْمَلْنَاكَ، فَحَلَفْتَ أَنْ لاَ تَحْمِلَنَا فَظَنَنَّا أَنَّكَ نَسِيتَ يَمِينَكَ. فَقَالَ: "إِنَّ اللَّهَ هُوَ حَمَلَكُمْ، إِنِّي وَاللَّهِ إِنْ شَاءَ اللَّهُ لاَ أَحْلِفُ عَلَى يَمِينٍ فَأَرَى غَيْرَهَا خَيْرًا مِنْهَا إِلاَّ أَتَيْتُ الَّذِي هُوَ خَيْرٌ، وَتَحَلَّلْتُهَا".