Sahihu i Buhariut — Hadithi 6936

Kërkimi i pendimit nga felëshuesit dhe refuzuesit, si dhe lufta kundër tyre · Transmetuesi: Omer ibn Hatabi

Shqip

Ebu Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Misver ibn Mehrame dhe Abdurrahman ibn Abdulkaëri se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova Hisham ibn Hakimin duke e lexuar suren Furkan, gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ende gjallë dhe i kushtova vëmendje leximit të tij. Kuptova se ai po e lexonte atë në shumë dialekte, të cilat mua nuk m'i kishte lexuar ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, andaj veç sa nuk iu vërsula teksa ishte duke u falur. E prita derisa dha selam, pastaj e shtrëngova (për fyti) me rrobën e sipërme të tij ose timen dhe i thashë: “Kush ta ka lexuar këtë sure?” Ai tha: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” I thashë: “Po gënjen, për Allahun, i Dërguari i Allahut ﷺ ma ka lexuar mua këtë sure (ndryshe nga ajo që e lexove ti), të cilën të dëgjova duke e lexuar.” Kështu, e mora me vete dhe u nisëm për tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i thashë: “O i Dërguari i Allahut, e dëgjova këtë duke e lexuar suren Furkan në një dialekt që ti nuk ma ke lexuar, ndërkaq ti vetë më ke lexuar suren Furkan.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Lëshoje, o Omer! Lexo, o Hisham!” Ai lexoi ashtu siç e dëgjova më parë. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur.” Pastaj tha: “Lexo, o Omer!” Unë lexova. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Kështu ka zbritur. Në të vërtetë, ky Kuran ka zbritur në shtatë dialekte, andaj lexojeni atë në cilindo dialekt që ju vjen më lehtë!”

Arabisht

قَالَ أَبُو عَبْدِ اللَّهِ: وَقَالَ اللَّيْثُ: حَدَّثَنِي يُونُسُ، عَنِ ابْنِ شِهَابٍ قَالَ: أَخْبَرَنِي عُرْوَةُ بْنُ الزُّبَيْرِ: أَنَّ الْمِسْوَرَ بْنَ مَخْرَمَةَ، وَعَبْدَ الرَّحْمَنِ بْنَ عَبْدٍ الْقَارِيَّ: أَخْبَرَاهُ: أَنَّهُمَا، سَمِعَا عُمَرَ بْنَ الْخَطَّابِ، يَقُولُ: سَمِعْتُ هِشَامَ بْنَ حَكِيمٍ، يَقْرَأُ سُورَةَ الْفُرْقَانِ فِي حَيَاةِ رَسُولِ اللَّهِ ﷺ فَاسْتَمَعْتُ لِقِرَاءَتِهِ، فَإِذَا هُوَ يَقْرَؤُهَا عَلَى حُرُوفٍ كَثِيرَةٍ لَمْ يُقْرِئْنِيهَا رَسُولُ اللَّهِ ﷺ كَذَلِكَ، فَكِدْتُ أُسَاوِرُهُ فِي الصَّلاَةِ فَانْتَظَرْتُهُ حَتَّى سَلَّمَ، ثُمَّ لَبَّبْتُهُ بِرِدَائِهِ أَوْ بِرِدَائِي فَقُلْتُ: مَنْ أَقْرَأَكَ هَذِهِ السُّورَةَ؟ قَالَ: أَقْرَأَنِيهَا رَسُولُ اللَّهِ ﷺ قُلْتُ لَهُ: كَذَبْتَ فَوَاللَّهِ إِنَّ رَسُولَ اللَّهِ ﷺ أَقْرَأَنِي هَذِهِ السُّورَةَ الَّتِي سَمِعْتُكَ تَقْرَؤُهَا. فَانْطَلَقْتُ أَقُودُهُ إِلَى رَسُولِ اللَّهِ ﷺ فَقُلْتُ لَهُ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، إِنِّي سَمِعْتُ هَذَا يَقْرَأُ بِسُورَةِ الْفُرْقَانِ عَلَى حُرُوفٍ لَمْ تُقْرِئْنِيهَا، وَأَنْتَ أَقْرَأْتَنِي سُورَةَ الْفُرْقَانِ. فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: "أَرْسِلْهُ يَا عُمَرُ، اقْرَأْ يَا هِشَامُ". فَقَرَأَ عَلَيْهِ الْقِرَاءَةَ الَّتِي سَمِعْتُهُ يَقْرَؤُهَا. قَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: "هَكَذَا أُنْزِلَتْ". ثُمَّ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: "اقْرَأْ يَا عُمَرُ". فَقَرَأْتُ فَقَالَ: "هَكَذَا أُنْزِلَتْ". ثُمَّ قَالَ: "إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ أُنْزِلَ عَلَى سَبْعَةِ أَحْرُفٍ فَاقْرَءُوا مَا تَيَسَّرَ مِنْهُ".

json · faqja e plotë


Versioni i thjeshtë për indeksim nga AI. Faqja e plotë: https://hadithet.com/buhariu/6936