12. Namazi i frikës

1. Nënkapitulli: Namazi në rast frike

Allahu ﷻ ka thënë: “Kur jeni në udhëtim, nuk është mëkat për ju ta shkurtoni namazin, nëse keni frikë se jobesimtarët ju bëjnë ndonjë dëm. Jobesimtarët, sigurisht, janë armiqtë tuaj të hapur. Kur të jesh në mesin e tyre dhe ua fal namazin, një grup le të falen me ty, duke i bartur armët me vete; kur ta kryejnë sexhden (rekatin), le të largohen mbrapa e le të vijë grupi tjetër, që nuk janë falur, të falen me ty, duke qenë të kujdesshëm (në gatishmëri) duke i bartur armët me vete. Jobesimtarët mezi presin shkujdesin tuaj ndaj armëve dhe mjeteve, e t’ju vërsulen të gjithë përnjëherë (me të gjitha fuqitë). Nëse shiu ju pengon ose jeni të sëmurë, nuk është mëkat t’i lini armët, por kini kujdes! Allahu u ka përgatitur jobesimtarëve vuajtje të turpshme.” (Nisa, 101-102)

942. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky e ka pyetur Zuhriun: A e ka falur Pejgamberi ﷺ namazin e frikës? E ky i ka thënë: Më ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam qenë në një betejë së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ në drejtim të Nexhdit. Kur u përballëm me armikun, u bëmë rresht. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit për të na e falur namazin. Një grup (besimtarësh) iu bashkëngjitën në namaz, kurse grupi tjetër doli përballë armikut. I Dërguari i Allahut ﷺ dhe ata që iu bashkuan, e bënë rukunë dhe sexhdet (një rekat), pastaj grupi (që u fal) u largua për t'i zëvendësuar ata që nuk ishin falur. I Dërguari i Allahut ﷺ e fali edhe një rekat me grupin e dytë dhe dha selam. Pastaj, secili u ngrit dhe e falën nga një rekat vetmas.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 942

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Falja e namazit në rast frike duke udhëtuar këmbas ose me mjet udhëtimi

943. Nga: Abdullah ibn Omeri

Seid ibn Jahja ibn Seid Kureshiu na ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu, ngjashëm me fjalën e Muxhahidit rreth faljes së disave në këmbë e disave hipur, se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse janë më shumë se aq, le të falen (disa) në këmbë e (disa) të hipur mbi mjet udhëtimi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 943

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Ruajtja e njëri-tjetrit gjatë namazit në rast frike

944. Nga: Abdullah ibn Abasi

Hajve ibn Shurejhu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Harbi, e ky nga Zubejdiu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u ngrit për t'u falur, e pas tij edhe besimtarët. Kur bëri tekbirin, bënë tekbirin edhe besimtarët; kur ra në ruku, ranë edhe besimtarët; kur ra në sexhde, edhe besimtarët ranë në sexhde. Pastaj, u ngrit për në rekatin e dytë. Ata që e kishin falur rekatin e parë me të, shkuan të ruanin, e grupi tjetër erdhën dhe e falën rekatin tjetër me të. Të gjithë ishin në namaz, por ruanin njëri-tjetrin.

Referenca: Sahihu i Buhariut 944

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Namazi në rast rrethimi të kështjellave dhe përballjes me armikun

Evzaiu dhe Mekhuli kanë thënë: "Nëse shpresohet fitorja (në luftë) dhe nuk mund ta falin namazin me xhemat, atëherë secili falet vetmas, qoftë dhe vetëm me gjeste. E, nëse nuk munden as kështu, atëherë e vonojnë namazin, derisa të përfundojë beteja ose të strehohen të sigurt, e atëherë i falin dy rekate. E, nëse nuk munden, falin vetëm një rekat dhe dy sexhde. E, nëse nuk munden, atëherë nuk u mjafton vetëm tekbiri, por e vonojnë atë derisa të strehohen të sigurt." Enes ibn Maliku tregon: "Kam marrë pjesë në rrethimin e kështjellës së Tusterit. Gjatë namazit të sabahut, beteja u ashpërsua aq shumë, saqë nuk kishte mundësi të kryhej namazi. Nuk arritëm të faleshim, përveçse pasi u zdrit. Atëkohë, ishim nën udhëheqjen e Ebu Musa Eshariut. Nuk do ta ndërroja atë namaz as me dynjanë dhe ç’ka në të."

945. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Ali ibn Mubareku, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, ditën e Hendekut, Omer ibn Hatabi erdhi pas perëndimit të diellit dhe filloi t'i fyente jobesimtarët kurejshë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Nuk arrita ta fal ikindinë, veçse pak para perëndimit të diellit. Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Allahun se unë ende nuk e kam falur.”

Pastaj shkoi në But'han, mori abdes dhe e fali ikindinë pas perëndimit të diellit, pastaj e fali edhe akshamin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 945

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Namazi i ndjekësit dhe të ndjekurit hipur në mjet udhëtimi dhe me gjeste

Velidi tregon: "Ia përmenda Evzaiut që Shurahbil ibn Simtiu dhe shokët e tij falen mbi mjet udhëtimi." Ai tha: "Kështu veprojmë kur frikësohemi se mund të na ikë armiku." Velidi është argumentuar me fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Askush të mos e falë ikindinë, përveçse te fisi benu kurejdha.”

946. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Muhamed ibn Esma na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi Pejgamberi ﷺ u kthye nga Ahzabi, na tha: “Askush të mos e falë ikindinë, përveçse te fisi benu kurejdha.” Disa, prej atyre që namazi i ikindisë i kishte zënë rrugës, thanë:

- Nuk do ta falim ikindinë pa arritur te fisi benu kurejdha.

- Jo, do të falemi. Pejgamberi ﷺ nuk ka pasur këtë qëllim (ikjen e kohës së namazit), - thanë të tjerët.

Kur ia përmendën këtë gjë Pejgamberit ﷺ, nuk qortoi asnjërin grup.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 946

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Përshpejtimi dhe falja e namazit të sabahut në fillim të kohës, si dhe falja e namazit në rast sulmi a luftimi

947. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Abdulaziz ibn Suhejbi dhe Thabit Bunaniu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin e sabahut në fillim të agimit, pastaj hipi (në kafshën e tij) dhe tha: “Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”

Kur populli dolën nëpër rrugë, filluan të thërrasin: “Muhamedi me ushtri!”

I Dërguari i Allahut ﷺ triumfoi dhe i vrau luftëtarët, kurse të dobëtit (gratë, fëmijët, pleqtë, robërit etj.) i zuri robër.

Në fillim, Safijën e mori Dihje Kelbiu, pastaj e mori i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili u martua me të dhe, për mehër, ia dhuroi lirinë (nga robëria).

Abdulazizi e pyeti Thabitin:

- O Ebu Muhamed, a ti e ke pyetur Enes ibn Malikun se çfarë i kishte dhënë për mehër (dhuratë martesore)?

- Për mehër ia dhuroi lirinë, - tha ai dhe buzëqeshi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 947

Hadithe të ngjashme: Shiko (33)

Fjalë të panjohura?