16. Eklipsi

1. Nënkapitulli: Namazi në rast të eklipsit të Diellit

1040. Nga: Ebu Bekrete

Amër ibn Avniu na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e ky nga Junusi, e ky nga Haseni se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u bë eklipsi i Diellit, ishim tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e në atë rast u ngrit me vrull duke e tërhequr ridanë e tij zvarrë dhe shkoi drejt e në xhami. Ne shkuam pas tij. Na i fali dy rekate, derisa Dielli u shfaq sërish (pas eklipsit). Ai tha: “Eklipsi i Diellit dhe Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes së ndokujt. Nëse i shihni, faluni dhe lutuni derisa të largohen (eklipset).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1040

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

1041. Nga: Ebu Mesud Bedriu

Shihab ibn Abadi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Humejdi, e ky nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Eklipsi i Diellit dhe Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes së ndonjë njeriu, mirëpo ato janë argumente të Allahut. Andaj, kur t'i shihni, çohuni dhe faluni.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1041

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1042. Nga: Abdullah ibn Omeri

Esbegu na ka thënë: Më ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Kasimi nga babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Eklipsi i Diellit dhe Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndonjë njeriu, mirëpo ato janë argumente të Allahut. Andaj, kur t'i shihni (eklipset), faluni.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1042

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

1043. Nga: Mugire ibn Shuëbe

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hashim ibn Kasimi, e këtij i ka treguar Shejban Ebu Muaviu, e ky nga Zijad ibn Ilaka se Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ditën kur vdiq Ibrahimi (djali i tij ﷺ), ndodhi eklipsi i Diellit, e në atë rast njerëzit thanë:

- Eklipsi i Diellit ndodhi si pasojë e vdekjes së Ibrahimit.

- “Eklipsi i Diellit dhe Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Andaj, kur t'i shihni, faluni dhe luteni Allahun!” - u tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1043

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Dhënia e sadakasë në rast të eklipsit

1044. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ u bë eklipsi i Diellit, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit për t'ua falur njerëzve namazin. Qëndroi gjatë në këmbë, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të. Sërish u ngrit dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë. Sërish ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të, por më shkurt se herën e parë. Pastaj ra në sexhde dhe e zgjati sexhden. Në rekatin e dytë veproi njëjtë sikurse në të parin. Me ta kryer, Dielli ishte shfaqur tërësisht, e në atë rast u ngrit për të ligjëruar. Pasi e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, tha: “Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut, andaj eklipsi i tyre nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, përmendeni Allahun, bëni tekbire, faluni dhe jepni sadaka.” Pastaj tha: “O umeti i Muhamedit! Nuk ka më xheloz sesa Allahu kur ndonjë rob apo robëreshë e Tij bën zina. O umeti i Muhamedit! Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1044

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Thirrja me fjalët: "Tubohuni për namaz!", në rast të eklipsit

1045. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Is'haku na ka thënë: Na ka lajmëruar Jahja ibn Salihu, e këtij i ka treguar Muaviu ibn Selam ibn Ebu Selam Habeshi Dimeshku, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahman ibn Auf Zuhriu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ u bë eklipsi i Diellit, u thirr: “Tubohuni për namaz!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1045

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Hutbeja e imamit me rastin e eklipsit

Aishja dhe Esma tregojnë se Pejgamberi ﷺ mbajti hutbe.

1046. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi. [t]: Ahmed ibn Salihu më ka thënë: Më ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Sa ishte gjallë Pejgamberi ﷺ, u eklipsua Dielli, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ doli në xhami, kurse sahabët u rreshtuan nëpër safa mbrapa tij. Bëri tekbirin dhe lexoi gjatë në kijam, pastaj bëri tekbirin dhe ra në ruku, ku qëndroi gjatë. Pastaj tha: “Semiallahu limen hamideh” (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi) e u ngrit, por nuk ra në sexhde. Sërish lexoi gjatë, por më shkurt sesa herën paraprake. Bëri tekbirin dhe ra në ruku, qëndroi gjatë, por më shkurt sesa rukunë e parë. Pastaj tha: “Semiallahu limen hamideh. Rabena ve lekel hamd” (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi, Zoti ynë, Ty të takon falënderimi) dhe ra në sexhde. Edhe në rekatin e dytë veproi njëjtë (sikurse në të parin). I bëri katër ruku me katër sexhde. Para se ta përfundonte namazin, Dielli ishte shfaqur. Pastaj u ngrit, e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon Atij dhe tha: “Ato (Dielli dhe Hëna) janë argumente të Allahut. Eklipsi i tyre nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, shpejtoni për në namaz.”

Zuhriu thotë: “Të njëjtin hadith, për eklipsin e Diellit, e transmeton edhe Kethir ibn Abasi prej Abdullah ibn Abasit (nga Pejgamberi ﷺ), andaj iu drejtova Urvës (transmetuesit të hadithit të mësipërm nga Aishja):

- Vëllai yt (Abdullah ibn Zuberi, kur ndodhi eklipsi) në Medinë i fali dy rekate, sikurse namazin e sabahut dhe nuk shtoi asgjë me shumë (ka për qëllim qëndrimin në këmbë dhe rukunë e dytë).

- Ashtu, sepse ai nuk e ka qëlluar Sunetin, - ia ktheu Urve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1046

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: A përdoret (në arabisht) fjala ‘kesefe’ apo ‘hasefe’ për eklipsin e diellit?

Allahu ﷻ ka thënë: “Dhe kur të zihet (hasefe) hëna.” (Kijame, 8)

1047. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Seid ibn Ufejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u fal ditën kur u eklipsua Dielli. Ai u ngrit, bëri tekbirin dhe lexoi gjatë në kijam. Pastaj ra në ruku, ku qëndroi gjatë. Pastaj e ngriti kokën dhe tha: “Semiallahu limen hamideh” (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi) e u ngrit siç ishte më parë dhe sërish lexoi gjatë, por më shkurt sesa herën e parë. Sërish ra në ruku, qëndroi gjatë, por më shkurt sesa rukunë e parë. Pastaj ra në sexhde dhe qëndroi gjatë. Edhe në rekatin e dytë veproi njëjtë (sikurse të parin). Kur dha selam, Dielli veçse ishte shfaqur. Pastaj u ligjëroi njerëzve rreth eklipsit të Diellit dhe Hënës, duke u thënë: “Ato (Dielli dhe Hëna) janë argumente të Allahut, andaj eklipsi i tyre1 nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, shpejtoni për në namaz.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1047

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Allahu i frikëson robërit e tij me eklips.”

Të cilin e transmeton Ebu Musa nga Pejgamberi ﷺ.

1048. Nga: Ebu Bekrete

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Junusi, e ky nga Haseni se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut, andaj eklipsi i tyre nuk ndodh si pasojë e vdekjes së ndokujt, por me to Allahu i frikëson robërit e Tij.”

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: Abdulvarithi, Shuëbe, Halid ibn Abdullahu dhe Hamad ibn Seleme në transmetimet e tyre (të këtij hadithi) nga Junusi nuk e kanë përmendur (fjalinë): “Me to Allahu i frikëson robërit e Tij.” (Mirëpo, transmetimin e Hamad ibn Zejdit nga Junusi) e ka fuqizuar edhe (transmetimi i) Musait nga Mubareku, e ky nga Haseni, i cili ka thënë: “Më ka lajmëruar Ebu Bekrete se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Me to Allahu i frikëson robërit e Tij.” (Po ashtu, transmetimin e Hamad ibn Zejdit nga Junusi, e ky nga Haseni) e ka fuqizuar edhe (transmetimi i) Eshathit nga Haseni.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1048

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Kërkimi i mbrojtjes prej dënimit të varrit në rast eklipsi

1049. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se një hebreje i vajti për të kërkuar lëmoshë e i tha:

- Allahu të ruajttë prej dënimit të varrit!

Atëherë, Aishja e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ:

- A dënohen njerëzit në varret e tyre?

- “Allahu më ruajttë prej tij (dënimit në varr)!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1049

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1050. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon (duke e vazhduar hadithin paraprak): “Pastaj, në mëngjes, i Dërguari i Allahut ﷺ i hipi kafshës së udhëtimit (për ta varrosur djalin e tij, Ibrahimin) dhe, ndërkohë, ndodhi eklipsi diellor. Pejgamberi ﷺ u kthye menjëherë (pas varrimit), në kohën e paradites (duhasë). Kaloi nëpër shtëpitë e grave të tij (për t'i lajmëruar për eklipsin), pastaj shkoi për t'u falur, e njerëzit iu bashkëngjitën mbrapa tij. Qëndroi gjatë në këmbë, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të. Kur u ngrit nga rukuja, qëndroi gjatë në këmbë, por më shkurt sesa herën e parë, pastaj ra sërish në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë. Pastaj, pasi u ngrit nga rukuja, ra në sexhde. Pas kësaj, u ngrit (për rekatin e dytë) dhe qëndroi gjatë në këmbë, por më shkurt se në atë paraprake. Ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se në atë paraprake. Pastaj u ngrit dhe ra në sexhde. Pastaj u ngrit dhe qëndroi gjatë në këmbë, por më shkurt se në atë paraprake. Ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se në atë para saj. Pastaj u ngrit e ra në sexhde dhe e kreu namazin. (Në ligjërim) tha atë që kishte për të thënë, pastaj i urdhëroi njerëzit të kërkojnë mbrojtje prej dënimit të varrit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1050

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Zgjatja e qëndrimit në sexhde gjatë namazit të eklipsit

1051. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ ndodhi eklipsi diellor, u bë thirrje: “Tubohuni për namaz.”

Pejgamberi ﷺ i bëri dy ruku në një rekat, pastaj u ngrit dhe i bëri edhe dy ruku të tjera në një rekat. Pastaj qëndroi ulur (në fund të namazit), ndërkohë Dielli u shfaq tërësisht.

Aishja tregon: “Asnjëherë nuk kam qëndruar në sexhde më gjatë sesa këtë herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1051

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Falja e namazit të eklipsit me xhemat

Ibn Abasi ua fali (namazin e eklipsit) nën strehën e Zemzemit (një vend diku në afërsi të Qabesë). Ali ibn Abdullah ibn Abasi i tuboi njerëzit. Ibn Omeri ua fali namazin (e eklipsit).

1052. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ ndodhi eklipsi diellor, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin (e eklipsit). Qëndroi gjatë në kijam, përafërsisht, aq sa të lexohet surja Bekare, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë. U ngrit dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë, ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën para saj, pastaj ra në sexhde.

U ngrit sërish në kijam dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit. U ngrit sërish dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit. Pastaj ra në sexhde.

Me ta kryer, Dielli ishte shfaqur tërësisht, e në atë rast tha:

- “Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut. Eklipsi i tyre nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, përmendeni Allahun.”

- O i Dërguari i Allahut! Të pamë duke marrë diçka sa qe në namaz, pastaj të pamë duke u tërhequr mbrapa (çfarë ndodhi)? - e pyetën sahabët.

- “E pashë Xhenetin dhe u zgjata të kap një kalavesh (rrushi). Sikur ta merrja, do të kishit ngrënë prej tij derisa të ekzistojë kjo botë. E pashë edhe Zjarrin. Nuk kam parë ndonjëherë pamje më të tmerrshme sesa sot. Po ashtu pashë se banorët më të shumtë të tij (Zjarrit) janë gratë”, - u tha Pejgamberi ﷺ.

- Për ç'arsye, o i Dërguari i Allahut? - e pyetën.

- “Për shkak të mohimit të tyre”, - u tha.

- E mohojnë Allahun?! - e pyetën shokët e tij.

- “E mohojnë përkujdesjen e burrit dhe e mohojnë mirësinë. Edhe nëse je vazhdimisht i mirë me të, po qe se vëren diçka që nuk i pëlqen te ti, thotë: “Kurrë nuk kam parë asnjë të mirë prej teje”, - u tregoi Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1052

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Gratë falin namazin e eklipsit së bashku me burrat

1053. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga bashkëshortja e tij Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Shkova tek Aishja, gruaja e Pejgamberit ﷺ, kur u bë eklipsi i Diellit, e në atë rast pashë se njerëzit ishin ngritur për t'u falur. Edhe ajo ishte ngritur për t'u falur, andaj e pyeta:

- Çfarë kanë njerëzit?

Ajo bëri me dorë nga qielli (se Dielli ishte zënë) dhe tha:

- Subhanallah!

- Diçka e jashtëzakonshme? - e pyeta.

Ajo pohoi (me kokë). Pas kësaj, fillova të falem, derisa gati më ra të fikët, andaj e laga fytyrën me ujë. Pas namazit, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe, pasi e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun ﷻ, tha:

- “Çdo gjë që s'kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë më parë, më është shfaqur tani, në këtë vend, madje edhe Xheneti dhe Zjarri. Më është shpallur se ju të gjithë do të sprovoheni në varret tuaja me sprova, të përafërta, - ose ka thënë: sikurse, - sprova e mesihut Dexhall, - jam në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma. - Secilit prej jush do t'i thuhet: “Çfarë di për këtë njeri (Pejgamberin ﷺ)?” Besimtari, - ose ka thënë: i binduri, - jam në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - do të thotë: “Ai është Muhamedi, i Dërguari i Allahut, na ka ardhur me argumente të qarta dhe udhëzim, e ne i jemi përgjigjur, kemi besuar dhe e kemi pasuar.” I thuhet: “Fli i qetë, e dimë mirë se ke qenë i bindur në këtë.” Ndërkaq, hipokriti, - ose ka thënë: dyshuesi, - jam në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Nuk di, i dëgjoja njerëzit tek thoshin diçka, andaj edhe unë thosha ashtu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1053

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Ata që pëlqejnë lirimin e robërve në rast të eklipsit të Diellit

1054. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Rebi ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Hishami, e ky nga Fatimja se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka urdhëruar lirimin e robërve në rast të eklipsit të Diellit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1054

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Falja e namazit të eklipsit në xhami

1055. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një hebreje i vajti për të kërkuar lëmoshë e i tha: “Allahu të ruajttë prej dënimit të varrit! Pastaj, Aishja e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: “A dënohen njerëzit në varret e tyre?” I Dërguari i Allahut ﷺ kërkoi mbrojtjen e Allahut kundrejt tij (dënimit të varrit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1055

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1056. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon (duke e vazhduar hadithin paraprak): “Pastaj, në mëngjes, i Dërguari i Allahut ﷺ i hipi kafshës së udhëtimit (për ta varrosur djalin e tij, Ibrahimin), pastaj ndodhi eklipsi i Diellit dhe ai u kthye (prej varrimit) në kohën e paradites. Kaloi nëpër shtëpitë e grave të tij (për t'i lajmëruar për eklipsin), pastaj shkoi për t'u falur, e njerëzit iu bashkëngjitën mbrapa tij. Qëndroi gjatë në këmbë, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të. U ngrit në këmbë dhe qëndroi gjatë, por më shkurt sesa herën e parë, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë. Pastaj u ngrit dhe ra në sexhde, ku qëndroi gjatë. Pas kësaj, u ngrit (për rekatin e dytë) dhe qëndroi gjatë në këmbë, por më shkurt se në atë para saj. Ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se në atë para saj. U ngrit sërish dhe qëndroi gjatë në këmbë, por më shkurt se herën paraprake. Ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën paraprake. Pastaj ra në sexhde dhe qëndroi më shkurt se herën e parë. Kështu e kreu namazin. (Në ligjërim) tha atë që kishte për të thënë, pastaj i urdhëroi njerëzit të kërkojnë mbrojtje prej dënimit të varrit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1056

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Eklipsi i Diellit nuk ndodh si pasojë e vdekjes apo lindjes së ndokujt

Këtë e transmetojnë Ebu Bekre, Mugire, Ebu Musa, Ibn Abasi dhe ibn Omeri.

1057. Nga: Ebu Mesud Bedriu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Eklipsi i Diellit dhe Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt, por ato janë argumente të Allahut. Kur t'i shihni, falni namaz.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1057

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1058. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu dhe Hisham ibn Urve, e këta nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ u bë eklipsi diellor, andaj Pejgamberi ﷺ u ngrit për t'ua falur njerëzve namazin (e eklipsit). E zgjati leximin, pastaj ra në ruku, ku qëndroi gjatë. Pastaj u ngrit (nga rukuja) dhe sërish e zgjati leximin, por më shkurt se herën e parë. Më pas, ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë. Pasi u ngrit (nga rukuja), vazhdoi me dy sexhde dhe u ngrit në rekatin e dytë, ku veproi njëjtë si në të parin. Pastaj u ngrit dhe u ligjëroi të pranishmëve duke thënë: “Eklipsi i Dellit dhe Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt, mirëpo ato janë argumente të Allahut, të cilat ua shfaq robërve të Vet. Andaj, kur t'i shihni, shpejtoni drejt namazit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1058

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Dhikri me rastin e eklipsit

Këtë e transmeton Ibn Abasi (nga Pejgamberi ﷺ).

1059. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U eklipsua Dielli, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u ngrit i tmerruar nga frika se mos ishte duke ndodhur Kiameti. Erdhi në xhami dhe u fal duke e zgjatur kijamin, rukunë dhe sexhden si asnjëherë më parë. Pastaj tha: “Këto shenja, që i dërgon Allahu, nuk janë si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt, por që t'i frikësojë robërit e Vet. Kur të shihni diçka të këtillë, shpejtoni drejt përmendjes së Allahut, luteni dhe kërkojini falje Atij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1059

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Duaja në rast të eklipsit

Këtë e transmeton Ebu Musa dhe Aishja nga Pejgamberi ﷺ.

1060. Nga: Mugire ibn Shuëbe

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e këtij i ka treguar Zijad ibn Ilaka se Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën kur vdiq Ibrahimi (djali i Pejgamberit ﷺ), u bë eklipsi i Diellit, e në atë rast njerëzit thanë:

- Dielli u eklipsua si pasojë e vdekjes së Ibrahimit.

- “Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut. Ato nuk eklipsohen si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Andaj, kur t'i shihni, luteni Allahun dhe faluni derisa të largohen (eklipset e tyre)”, - u tha i Dërguari i Allahut ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1060

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Thënia e imamit gjatë hutbes së eklipsit: "Ema badu (e, pas kësaj...)"

1061. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Ebu Usame ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Fatime bint Mundhiri se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e kreu namazin, Dielli u shfaq. Pastaj e mbajti hutben, e falënderoi Allahun ashtu siç i takon Atij dhe tha: “Ema badu (e, më pas).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1061

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Falja e namazit me rastin e eklipsit të Hënës

1062. Nga: Ebu Bekrete

Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Seid ibn Amiri, e ky nga Shuëbe, e ky nga Junusi, e ky nga Haseni se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ u eklipsua Dielli, andaj Pejgamberi ﷺ i fali dy rekate.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1062

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

1063. Nga: Ebu Bekrete

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Haseni se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ u eklipsua Dielli, e në atë rast Pejgamberi ﷺ doli duke e tërhequr xhyben zhvarrë (nga nxitimi), derisa shkoi në xhami. Njerëzit vërshuan mbrapa tij. Ua fali dy rekate, derisa Dielli u shfaq sërish (pas eklipsit). Ai tha: “Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut. Ato nuk eklipsohen si pasojë e vdekjes së ndokujt. Kur të ndodhë kjo, faluni dhe lutuni derisa të largohet (eklipsi).” Kjo, se Pejgamberit ﷺ i kishte vdekur një djalë i quajtur Ibrahim. Njerëzit thoshin se eklipsi ndodhi për shkak të kësaj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1063

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Rekati i parë në namazin e eklipsit zgjatet më shumë

1064. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahmedi, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Jahjai, e ky nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, me rastin e eklipsit të Diellit, Pejgamberi ﷺ ua fali dy rekate me katër ruku. Secila pjesë e namazit ishte më e shkurtër sesa ajo para saj.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1064

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Këndimi i Kuranit zëshëm në namazin e eklipsit

1065. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Mihrani na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Nemiri, e ky e ka dëgjuar Ibn Shihabin, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, gjatë namazit të eklipsit, lexonte Kuranin zëshëm. Kur e kreu leximin, bëri tekbirin dhe ra në ruku. Me t'u ngritur nga rukuja, thoshte: “Semiallahu limen hamideh. Rabena ve lekel hamd” (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi, Zoti ynë, Ty të takon falënderimi), pastaj i kthehej sërish leximit. Namazin e eklipsit e fali dy rekate me katër ruku e katër sexhde.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1065

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

1066. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Evzaiu dhe disa të tjerë kanë thënë: E kemi dëgjuar Zuhriun, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur u eklipsua Dielli, dërgoi dikë për të thirrur: “Tubohuni për namaz! Pastaj doli dhe ua fali dy rekate me katër ruku e katër sexhde.”

Velidi (në senedin paraprak) ka thënë: “Na ka lajmëruar Abdurrahman ibn Nemiri se e ka dëgjuar Ibn Shihabin duke e thënë të njëjtën (shprehje, sikurse në hadithin paraprak).” Zuhriu tregon se e ka pyetur Urven:

- Çfarë ka vepruar vëllai yt, Abdullah ibn Zubejri?! Ai e fali (namazin e eklipsit) në Medinë, i fali vetëm dy rekate, sikurse të namazit të sabahut.

- Ashtu? Nuk ia ka qëlluar Sunetit, - iu përgjigj Urve.

Transmetimin e Abdurrahman ibn Nemirit e kanë fuqizuar Sufjan ibn Husejni dhe Sulejman ibn Kethiri nga Zuhriu në (çështjen) e këndimit (të Kuranit) zëshëm (në namazin e eklipsit).

Referenca: Sahihu i Buhariut 1066

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?