27. Haxhiu që pengohet nga mbarimi i haxhit

Ajeti: "... Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend!..." (Bekare, 196).

1. Nënkapitulli: Nëse pengohet umrexhiu

1806. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku se Nafiu tregon se, kur Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u nis për në Mekë që ta kryente umrën, në kohën e fitnes (në kohën e Ibn Zubejrit), tha: “Nëse pengohem prej (vizitës së) Qabesë, do të veproj ashtu siç kemi vepruar me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Kështu, hyri në ihram për umre, sepse vitin e Hudejbijes kështu pati hyrë i Dërguari i Allahut ﷺ në ihram për umre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1806

Fjalë të panjohura?

1807. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Muhamed ibn Esma na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri se Nafiu tregon se, në netët kur ushtria e luftonte Ibn Zubejrin (në Mekë), Ubejdullahu dhe Salimi, të bijtë e Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i thanë Abdullah ibn Omerit: “Nuk prish punë nëse këtë vit nuk e kryen haxhin. Kemi frikë se do të të ndalin prej Qabesë.” Ai tha: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ patëm shkuar (në Mekë), e jobesimtarët kurejshë na patën ndalur prej Qabesë. Pejgamberi ﷺ e theri kurbanin dhe e rroi kokën. Jini dëshmitarë se unë po nisem për umre. Do të nisem, me lejen e Allahut. Nëse më lejojnë, do të bëj tavaf, e, nëse më ndalin, do të veproj ashtu siç ka vepruar Pejgamberi ﷺ gjatë kohës që kam qenë me të.” Më pas, nga Dhul Hulejfja, hyri në ihram për umre, eci një copë herë dhe tha: “Çështja e tyre (haxhit dhe umrës) është e njëjtë. Jini dëshmitarë se po e bashkoj umrën me haxhin.” Kështu, nuk u lirua prej ihramit deri në ditën e therjes së kurbaneve (më dhjetë dhul hixhe), kur dhe e theri kurbanin.” Ai thoshte: “Nuk lirohet prej ihramit, derisa të bëjë një tavaf rreth Qabesë, atë ditë kur të hyjë në Mekë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1807

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

1808. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri se Nafiu tregon se njëri prej djemve të Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha atij: “Sikur të mos shkoje këtë herë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1808

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

1809. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Salihu, e këtij i ka treguar Muaviu ibn Selami, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u pengua (për të kryer umrën), andaj e rroi kokën, fjeti me gratë e tij dhe theri kurban. Ndërkaq, umrën e kreu vitin e ardhshëm.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1809

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Pengimi në haxh

1810. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ahmed ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “A nuk ju mjafton Suneti i të Dërguarit të Allahut ﷺ? Nëse ndokujt i pengohet haxhi (por arrin në Mekë), le të bëjë tavaf rreth Qabesë, të ecë mes Safasë e Mervës, e pastaj le të lirohet prej ihramëve. Ndërkaq, vitin e ardhshëm kryen haxhin, e ther kurbanin ose agjëron, nëse nuk mund të sigurojë kurbanin.”

Abdullahu ka thënë: “Na ka rrëfyer Mameri se Zuhriu ka thënë: “Më ka treguar Salimi nga Ibn Omeri, ngjashëm.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1810

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Nëse haxhiu pengohet, therja e kurbanit bëhet para rruajtjes së kokës

1811. Nga: Misver ibn Mahremi

Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Misveri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka therur kurbanin para rruajtjes së kokës. Kështu i ka urdhëruar edhe shokët e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1811

Fjalë të panjohura?

1812. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Bedër Shuxhaë ibn Velidi, e ky nga Omer ibn Muhamed Umeriu se Nafiu tregon se Abdullahu dhe Salimi i folën Abdullah ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), për të mos shkuar në haxh. Ai u tha: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ patëm shkuar për umre, ndërsa jobesimtarët kurejshë na patën penguar prej (vizitës së) Qabesë, kështu që i Dërguari i Allahut ﷺ e theri kurbanin dhe e rroi kokën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1812

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Ai që thotë: Ai që pengohet, nuk ka obligim ta përsërisë (haxhin ose umrën)

Ibn Abasi ka thënë: "Përsëritja (e haxhit ose umrës) është obligim për atë që e prish haxhin me kënaqësi (marrëdhënie intime). Ndërkaq, ai që pengohet për ndonjë arsye të caktuar, lirohet prej ihramëve dhe nuk kthehet. Nëse pengohet dhe ka me vete kurbanin, por nuk mund ta dërgojë (në Mekë), e ther. Nëse ka mundësi ta dërgojë (në Mekë), nuk lirohet prej ihramëve, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet." Maliku dhe të tjerët kanë thënë: "E ther kurbanin dhe e rruan kokën, kudo që të jetë, dhe s'ka nevojë ta përsëritë (haxhin), sepse Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij i kanë therur kurbanet, i kanë rruar kokat dhe janë liruar prej ihramit, pa e kryer tavafin dhe para se kurbani të ketë mbërritur në Qabe. Pastaj, nuk është cekur se Pejgamberi ﷺ ka urdhëruar dikë që ta kompensojë me diçka, e as ta përsëritë haxhin, ndërkohë Hudejbija është jashtë kufijve të Haremit."

1813. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku se Nafiu tregon se, kur Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u nis drejt Mekës për ta bërë umrën, në kohën e fitnes (në kohën e Ibn Zubejrit), tha: “Nëse pengohem prej (vizitës së) Qabesë, do të veproj ashtu siç kemi vepruar me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Kështu, hyri në ihram për umre, sepse edhe i Dërguari i Allahut ﷺ, vitin e Hudejbijes, pati hyrë në ihram për umre.” Pastaj, Abdullah ibn Omeri e shqyrtoi rastin e vet dhe tha: “Çështja e tyre (umrës dhe haxhit) është e njëjtë. Jini dëshmitarë se po e bashkoj haxhin me umrën. Kështu, bëri një tavaf për të dyja, duke konsideruar se kjo mjafton dhe e theri kurbanin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1813

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Ajeti: “E kush prej jush është i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe), kompensimi është: agjërimi, lëmosha ose kurbani...” Pra, personi është i lirë të zgjedhë njërën prej tyre, ndërkohë agjërimi bëhet tri ditë

1814. Nga: Kab ibn Uxhrai

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Humejd ibn Kajsi, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Lejla se Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: I Dërguari i Allahut ﷺ më tha:

- “Ndoshta po të mundojnë morrat?”

- Po, o i Dërguari i Allahut, - ia ktheva.

Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Rruaje kokën dhe: agjëro tri ditë, ose ushqeji gjashtë të varfër, ose ther një dele.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1814

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Ajeti: “... apo lëmoshë...” Lëmosha e përmendur në ajet nënkupton të ushqyerit e gjashtë të varfërve.

1815. Nga: Kab ibn Uxhrai

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sejfi, e këtij i ka treguar Muxhahidi, e ky e ka dëgjuar Abdurrahman ibn Ebu Lejlën se Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më qëndroi afër në Hudejbije, ndërsa morrat më binin nga koka, e në atë rast më tha:

- “Vallë, po të mundojnë morrat?”

- Po, - ia ktheva.

- “Rruaje kokën!” - më tha.

Kështu, ky ajet ka zbritur për mua: “Cilido prej jush që është i sëmurë ose që ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, rruan kokën para kohe), le ta zëvendësojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për ata që nuk janë banorë të Mekës. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër.” (Bekare, 196)

Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Ose agjëro tri ditë, ose dhuro ushqim për gjashtë persona, ose ther çka të vjen më lehtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1815

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Në rast shpagimi, jepet ushqim gjysmë saë (për person)

1816. Nga: Kab ibn Uxhrai

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdurrahman ibn Asbehani se Abdullah ibn Makili ka thënë: “U ula te Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe e pyeta rreth shpagimit.” Ai m'u përgjigj: “Ka zbritur posaçërisht për mua, por vlen për të gjithë ju.” Më patën dërguar tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa morrat më binin në fytyrë, andaj më tha:

“Nuk kam menduar se sëmundja të paska arritur deri në këtë masë, - ose ka thënë: Nuk kam menduar se mundimi të paska arritur deri në këtë masë -. A ke një dele?”

- Jo, - i thashë.

- “E po, agjëro tri ditë, ose ushqeji gjashtë nevojtarë, secilin nga gjysmë saë”, - tha ai.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1816

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Shpagimi me një dele

1817. Nga: Kab ibn Uxhrai

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Revhu, e këtij i ka treguar Shibli, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Ebu Lejla se Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e pa duke i rënë morrat nëpër fytyrë, andaj e pyeti:

- “Vallë, po të mundojnë morrat?”

- Po, - ia ktheu Kabi.

Atëherë, Pejgamberi ﷺ urdhëroi që ta rruajë kokën duke qenë në Hudejbije. Nuk ishte e qartë nëse do të liroheshin prej ihramëve sa ishin në Hudejbije, por ata kishin shpresë se do të hynin në Mekë. Atëherë Allahu e zbriti ajetin e shpagimit. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi që ai ose t'i ushqejë gjashtë persona, ose të therë një dele, ose të agjërojë tri ditë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1817

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

1818. Nga: Kab ibn Uxhrai

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Verkai, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Ebu Lejla se Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e pa duke i rënë morrat nëpër fytyrë... Njëjtë me hadithin paraprak.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1818

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Ajeti: “... nuk duhet të ketë marrëdhënie me gruan...”

1819. Nga: Ebu Hurejra

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që e kryen haxhin në Qabe, duke u larguar nga çdo veprim intim bashkëshortor dhe pa mëkatuar, kthehet siç e ka lindur nëna.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1819

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Ajeti: “... dhe nuk duhet të bëjë mëkate e as grindje në haxh...”

1820. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e kryen haxhin në Qabe, duke u larguar nga çdo veprim intim bashkëshortor dhe pa mëkatuar, kthehet sikurse ditën që e ka lindur nëna.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1820

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?