31. Namazi i taravisë

1. Nënkapitulli: Vlera e atij që falet natën gjatë Ramazanit

2008. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë për Ramazanin: “Atij që falet natën gjatë Ramazanit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2008

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2009. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që falet natën gjatë Ramazanit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”

Ibn Shihabi ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka vdekur duke mos u falur namazi i natës me xhemat. Kështu është vazhduar edhe në hilafetin e Ebu Bekrit dhe në fillim të hilafetit të Omerit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2009

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2010. Nga: Omer ibn Hatabi

Ibn Shihabi na ka thënë: Na ka treguar Urve ibn Zubejri se Abdurrahman ibn Abdi tregon: “Një natë Ramazani dola me Omer ibn Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në xhami, kur ja, xhemati ishin shpërndarë në grupe. Dikush falej vetëm, dikush falej bashkë me të tjerë, andaj Omeri tha: “Sikur t'i bashkoja këta në një imam të përbashkët, do të kishte qenë më mirë.” Pastaj vendosi dhe i bashkoi pas Ubej ibn Kabit. Një natë tjetër, kur sërish dola me të, teksa njerëzit faleshin me imamin e tyre, Omeri tha: “Sa risi e mirë është kjo! Megjithatë, koha në të cilën flenë është më e vlefshme se kjo”, - aludonte në pjesën e fundit të natës, sepse xhemati faleshin në pjesën e parë të saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2010

Fjalë të panjohura?

2011. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u fal (disa net së bashku me një grup sahabësh) në Ramazan.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2011

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2012. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një mesnatë i Dërguari i Allahut ﷺ doli për t'u falur në xhami, e me të u falën edhe disa burra. Në mëngjes njerëzit filluan të flasin rreth kësaj. Kështu (natën tjetër), u tubuan më shumë njerëz, të cilët u falën sërish me të. Prapë, në mëngjes, filluan të flasin rreth kësaj. Natën e tretë u shtua edhe më shumë numri i xhematit. I Dërguari i Allahut doli dhe u fal, e pas tij edhe të tjerët. Natën e katërt aq shumë u tubuan, saqë nuk i zinte xhamia. Pejgamberi ﷺ doli për namazin e sabahut dhe, pasi u fal, u kthye nga njerëzit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun dhe tha: “E, më pas; jo që nuk ju kam parë, mirëpo jam frikësuar se po ju obligohet (namazi i natës), e nuk do ta përballonit.”

I Dërguari i Allahut ﷺ vdiq, e praktika vazhdoi (secili falej vetëm).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2012

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2013. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Seid Makburi se Ebu Seleme ibn Abdurrahmani tregon: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rreth namazit të të Dërguarit të Allahut ﷺ në Ramazan, e në atë rast më tha: “Ai nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate, as në Ramazan, as jashtë tij. I falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj i falte edhe katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, e më pas i falte tri.

Njëherë e pyeta:

- O i Dërguari i Allahut, a po fle para vitrit?

- “Oj Aishe, sytë më flenë, por jo zemra”, - u përgjigj ai.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2013

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?