33. Itikafi

1. Nënkapitulli: Itikafi në dhjetëshen e fundit

Itikafi kryhet në të gjitha xhamitë.

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “E, kur të jeni në itikaf në xhami, mos iu afroni atyre (grave, për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Kështu, pra, Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta, që ata të ruhen (nga mëkatet).” (Bekare, 187)

2025. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2025

Fjalë të panjohura?

2026. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “Pejgamberi ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, derisa vdiq. Pastaj gratë e tij vazhduan të hyjnë në itikaf.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2026

Fjalë të panjohura?

2027. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Jezid ibn Abdullah ibn Hadi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim ibn Harith Tejmiu, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e mesme të Ramazanit. Një vit ndenji në itikaf derisa u bë nata e njëzetenjëtë, në mëngjesin e së cilës zakonisht dilte nga itikafi, atëherë tha: “Ai që ka hyrë në itikaf me mua, le ta vazhdojë itikafin edhe në dhjetëshen e fundit. Në ëndërr më është shfaqur kjo natë (Nata e Kadrit), por pastaj m'u largua dituria rreth saj. Kam parë në ëndërr se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë në mëngjesin e saj, andaj kërkojeni atë në dhjetëshen e fundit gjatë netëve tek.”

Atë natë filloi të binte shi, ndërsa xhamia ishte e mbuluar me degë të palmës, kështu që uji rridhte brenda. I pashë me sytë e mi gjurmët e ujit dhe baltës në ballin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, mu në mëngjesin e natës së njëzetenjëtë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2027

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Gruaja me menstruacione ia kreh flokët atij që është në itikaf

2028. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në itikaf në xhami, ma afronte kokën e unë ia krihja, edhe pse isha me menstruacione.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2028

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Ai që është në itikaf, nuk hyn në shtëpi, përveç të ndonjë nevoje

2029. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve dhe Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në xhami (në itikaf), e fuste kokën në dhomën time dhe unë ia krihja. Gjatë kohës sa ishte në itikaf nuk hynte në shtëpi, përveç për ndonjë nevojë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2029

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Larja e atij që është në itikaf

2030. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më ledhatonte, ndërkohë unë isha me menstruacione.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2030

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2031. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, duke qenë në itikaf, e fuste kokën në dhomën time, që t'ia laja, ndërkohë unë isha me menstruacione.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2031

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Itikafi gjatë natës

2032. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri tregon se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e pyeti Pejgamberin ﷺ duke i thënë: “Në kohën e injorancës jam zotuar se do të bëj itikaf një natë në Xhaminë e Shenjtë (Qabenë).” Ai u përgjigj: “E po, përmbushe zotimin tënd.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2032

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Itikafi i grave

2033. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, ndërkohë unë ia ngrija tendën. Ai e falte sabahun e pastaj futej në të. Amra tregon: “Njëherë Hafsa i kërkoi leje Aishes për të ngritur një tendë, gjë të cilën ia lejoi, sakaq Hafsa e ngriti tendën. Kur Zejnebe bint Xhahshi e pa, ngriti një tendë tjetër. Me t'u gdhirë Pejgamberi ﷺ, i pa tendat dhe pyeti: “Ç'janë këto?!” Pasi i treguan, Pejgamberi ﷺ tha: “A mendoni se me to po kryeni vepër të mirë?!” Kështu, për atë muaj e braktisi itikafin, për të hyrë në itikaf në dhjetë ditë të shevalit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2033

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Tendat në xhami

2034. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dëshironte të hynte në itikaf. Kështu, kur shkoi te tenda ku qëndronte, pa disa tenda të tjera: tendën e Aishes, Hafsës dhe Zejnebes, e në atë rast tha: “A mendoni se me to po kryeni vepër të mirë?!” Pastaj u largua dhe nuk bëri itikaf, për ta bërë kështu në dhjetëditëshin e shevalit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2034

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Ai që është në itikaf, a del për nevojat e veta deri te dera e xhamisë?

2035. Nga: Safije bint Hujeji

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Ali ibn Husejni transmeton se Safija (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, i ka rrëfyer se shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ që ta vizitonte në itikaf në xhami, në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Aty biseduan për një kohë, pastaj ajo u ngrit për të shkuar, e edhe Pejgamberi ﷺ u ngrit bashkë me të për ta përcjellë. Kur arritën te dera e xhamisë, që gjendej në afërsi të derës së Umu Selemes, kaluan dy burra ensarë, të cilët i dhanë selam të Dërguarit të Allahut ﷺ (dhe u larguan me nxitim). Pejgamberi ﷺ u tha: “Mos u ngutni, kjo është Safije bint Hujeji.” Ata i thanë: “Subhanallah, o i Dërguari i Allahut!” - duke u ardhur rëndë. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku, andaj u frikësova mos po fut diç (mendim të keq) në zemrat tuaja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2035

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Itikafi dhe dalja e Pejgamberit ﷺ në mëngjesin e ditës së njëzetë

2036. Nga: Ebu Seid Hudriu

Abdullah ibn Muniri transmeton se e ka dëgjuar Harun ibn Ismailin, e këtij i ka treguar Ali ibn Mubareku, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri se Ebu Seleme ibn Abdurrahmani tregon se e ka pyetur Ebu Seid Hudriun (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të përmendë Natën e Kadrit?” Ai iu përgjigj: “Po, njëherë hymë në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ në dhjetëditëshin e mesëm të Ramazanit dhe dolëm në mëngjesin e ditës së njëzetë. I Dërguari i Allahut ﷺ na ligjëroi në mëngjesin e asaj dite duke thënë: “Më është shfaqur Nata e Kadrit në ëndërr, por pastaj m'u largua dituria rreth saj. Andaj, kërkojeni në netët tek të dhjetëditëshit të fundit. Në ëndërr kam parë se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë. Ai që ka hyrë në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ, le të kthehet (për të vazhduar itikafin në dhjetëditëshin e fundit).”

Njerëzit u kthyen në xhami, e në qiell nuk shihnim asnjë re. Pastaj u shfaq një re dhe filloi të binte shi. U thirr ikameti për namaz dhe i Dërguari i Allahut ﷺ bëri sexhde mbi baltë e ujë, saqë ia pashë shenjat e baltës në majë të hundës dhe në ballë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2036

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Itikafi i femrës me gjakrrjedhje të çrregullt

2037. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njëra nga gratë e të Dërguarit të Allahut ﷺ, duke qenë me gjakrrjedhje të çrregullt, hyri në itikaf me të. Ajo pa t'i dilte gjak me ngjyrë të kuqe e (sekrecione) të verdha, andaj kishte raste që i vendosnim një enë nën këmbët e saj (për të mos e ndotur xhaminë) teksa ajo falej.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2037

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Vizita e gruas burrin e saj në itikaf

2038. Nga: Safije bint Hujeji

Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Halidi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejni se Safija, gruaja e Pejgamberit ﷺ i ka treguar; [t]: Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri nga Zuhriu se Ali ibn Husejni tregon: “Pejgamberi ﷺ ishte në xhami (në itikaf) kur i patën vajtur gratë e tij (për vizitë). Kur u ngritën për të shkuar, ai i tha Safije bint Hujejit: “Mos u ngut, se po vij me ty.” Shtëpia e saj gjendej në vendbanimin e Usamës. Kur Pejgamberi ﷺ doli me të, e takuan dy burra ensarë, e shikuan Pejgamberin ﷺ dhe u larguan. Atëherë Pejgamberi ﷺ u tha: “Ejani (mos u largoni), kjo është Safije bint Hujeji.” Ata thanë: “Subhanallah, o i Dërguari i Allahut!” Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku, andaj u frikësova mos po fut diç (ndonjë dyshim) te ju.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2038

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: A e mbron veten personi që është në itikaf?

2039. Nga: Safije bint Hujeji

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muhamed ibn Ebu Atiku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejni se Safija i ka rrëfyer; [t]: Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Zuhriun se Ali ibn Husejni tregon: “Safija vajti te Pejgamberi ﷺ teksa ai ishte në itikaf. Dhe, kur u kthye, Pejgamberi ﷺ shkoi me të (për ta përcjellë në shtëpi). Një burrë ensar i pa dhe, kur Pejgamberi ﷺ e vërejti, e thirri e i tha: “Eja! Ajo është Safija, - ose, Sufjani mund të ketë thënë: - "Kjo është Safija. Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku.”

Sufjani u pyet: “Ajo pati shkuar natën?” Ai iu përgjigj: “Natën, e kur tjetër?”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2039

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Ai që del prej itikafit në mëngjes

2040. Nga: Ebu Seid Hudriu

Abdurrahmani na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Sulejman Ahveli, daja i Ibn Nexhihut, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Ebu Seidi. [t]: Sufjani na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Amri, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Ebu Seidi, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Lebidi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njëherë hymë në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ në dhjetëditëshin e mesit. Kur u bë mëngjesi i ditës së njëzetë, i bartëm plaçkat tona (nga xhamia). I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi dhe na tha: “Ai që ka hyrë në itikaf, le të kthehet sërish në itikaf, sepse më është shfaqur në ëndërr kjo natë (Nata e Kadrit) dhe kam parë se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë.”

Kur u kthye në itikaf, qielli u trazua dhe ra shi. Betohem në Atë, i Cili e ka dërguar me të vërtetën, se qielli u trazua në fund të asaj dite, ndërsa xhamia ishte e mbuluar me degë palme. Unë i shihja gjurmët e ujit dhe baltës, mbi hundë dhe në majë të hundës së tij.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2040

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Itikafi në sheval

2041. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Fudajl ibn Gazvani, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në çdo Ramazan dhe, pasi e falte sabahun, hynte në tendën ku bënte itikaf.”

Amra tregon: “Aishja i kërkoi leje që edhe ajo të hynte në itikaf. Pasi e lejoi, ajo ngriti një tendë. Kur dëgjoi Hafsa, edhe ajo ngriti një tendë. Kështu veproi edhe Zejnebja. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e fali sabahun, i pa katër tenda, andaj pyeti: “Ç'janë këto?!” Pasi i treguan, Pejgamberi ﷺ tha: “Çfarë i shtyu ta veprojnë këtë? Mirësia?! Largojini tendat, të mos i shoh më.”

Kështu, tendat u hoqën, e ai në atë Ramazan nuk bëri itikaf, por bëri itikaf në dhjetëditëshin e fundit të shevalit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2041

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Ai që e lejon itikafin pa agjërim

2042. Nga: Omer ibn Hatabi

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: E ky nga vëllai tij, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri tregon se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tha: “O i Dërguari i Allahut, në kohën e injorancës jam zotuar se do të bëj itikaf një natë në Xhaminë e Shenjtë (Qabenë).” Pejgamberi ﷺ i tha: “E po, përmbushe zotimin tënd.” Kështu, ai hyri një natë në itikaf.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2042

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Nëse është zotuar në kohën e injorancës se do të hyjë në itikaf e pastaj është bërë musliman

2043. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ubejdullah ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri tregon se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u zotua në kohën e injorancës se do të hyjë në itikaf në Xhaminë e Shenjtë (Qabenë). - Më duket se ka thënë: “Një natë.” - Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “E po, përmbushe zotimin tënd.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2043

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Itikafi në dhjetëditëshin e mesëm të Ramazanit

2044. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekri, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në çdo Ramazan Pejgamberi ﷺ hynte në itikaf nga dhjetë ditë, porse në vitin që ka vdekur ka qëndruar në itikaf njëzet ditë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2044

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Ai që dëshiron të hyjë në itikaf, por më pas vendos të dalë

2045. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Hasen Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e këtij i ka thënë Jahja ibn Seidi se Amra bint Abdurrahmani rrëfen se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me to!) i ka treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ përmendi se do të hynte në itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Kështu, Aishja i kërkoi leje (për itikaf), e ai e lejoi. Hafsa kërkoi nga Aishja që ta pyeste Pejgamberin ﷺ edhe për të. Sakaq, ajo ashtu bëri. Kur Zejnebja e pa këtë, urdhëroi të ngrihej një tendë për të, gjë të cilën e bënë.

Aishja tregon: “Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e fali sabahun, shkoi te tenda e vet dhe, kur i pa tendat tona, tha: “Ç'janë këto?!” Ata i thanë: “Tenda e Aishes, Hafsës dhe Zejnebes.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “A mirësinë po e synojnë me këtë gjë?! Unë nuk do të hyj në itikaf.”

Kështu, ai u kthye dhe, kur mbaroi Ramazani, bëri itikafin në dhjetë ditë të shevalit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2045

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Personi në itikaf e fut kokën në shtëpi për ta larë

2046. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ ishte në itikaf në xhami, ajo ia krihte flokët, edhe pse ishte me menstruacione. Këtë e bënte nga dhoma e saj, ndërsa Pejgamberi ﷺ e afronte kokën.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2046

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?