36. Përparësia në blerje

1. Nënkapitulli: Përparësia në blerje vlen vetëm për pasuritë e pandara, ndërkaq, kur vendosen kufijtë, nuk ka përparësi blerjeje

2257. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka dhënë përparësi blerjeje ortakut në çdo pasuri të përbashkët (të pandarë), ndërkaq, kur vendosen kufijtë dhe ndahen rrugët, për ortakun nuk ka përparësi blerjeje.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2257

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Paraqitja e ofertës ortakut para shitjes së pasurisë apo produktit

Hakemi ka thënë: "Nëse ortaku i jep leje para shitjes, atëherë nuk ka më përparësi blerjeje." Shabiu ka thënë: "Ai që është pjesëmarrës kur ortaku i tij e shet pjesën e vet dhe nuk reagon asgjë (për ta shfrytëzuar përparësinë e tij në blerje), e humb të drejtën e përparësisë në blerje."

2258. Nga: Ebu Rafiu

Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibrahim ibn Mejsera se Amër ibn Sheridi tregon: “Shkova te Sad ibn Ebu Vekasi, ku erdhi edhe Misver ibn Mahremi, i cili ma vendosi dorën mbi njërin sup. Pastaj erdhi edhe Ebu Rafiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i çrobëruari i Pejgamberit ﷺ, dhe tha:
- O Sad, bliji dy shtëpitë e mia që ndodhen në oborrin tënd.
- Betohem në Allahun se nuk mund t'i blej, - i tha Sadi.
- Betohem në Allahun se do t'i blesh, - ndërhyri Misveri.
- Betohem në Allahun se nuk mund të të jap më shumë se katër mijë (mithkalë1) me këste, - iu përgjigj Sadi.
- Për këto shtëpi m'i kanë ofruar pesëqind dinarë, ama, sikur të mos e kisha dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Fqinji ka përparësi (blerjeje) në truallin përreth tij”, nuk do të ta kisha dhënë me katër mijë (mithkalë), për sa kohë që dikush tjetër m'i ka ofruar pesëqind dinarë, - i tha Ebu Rafiu dhe ia shiti.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2258

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Cili fqinj konsiderohet më i afërt?

2259. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe. [t]: Ali ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Shebabe, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Imrani, e ky e ka dëgjuar Talha ibn Abdullahun se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, i kam dy fqinjë, por cilit prej tyre t'i dërgoj dhuratë?”
- “Atij, derën e të cilit e ke më afër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2259

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?