37. Mëditjet dhe qiraja
1. Nënkapitulli: Punësimi i njeriut të mirë
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët që mund t’i marrësh në shërbim.” (Kasas, 26)
Punëtori i depos është besnik dhe mos dhënia e postit atij që e kërkon
2260. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Burde, e këtij i ka rrëfyer gjyshi i tij Ebu Burde, se babai i tij Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Punëtori i depos, që është besnik dhe jep me korrektësi atë që është urdhëruar, konsiderohet njëri prej lëmoshëdhënësve.”
2261. Nga: Ebu Musa Eshariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Kurra ibn Halidi, e këtij i ka treguar Humejd ibn Hilali, e këtij i ka treguar Ebu Burde se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ së bashku me dy pjesëtarë të fisit eshari dhe (pasi ata kërkuan pozitë) i thashë: “Nuk e dija se këta synonin punësimin (në një post të caktuar).” Pejgamberi ﷺ tha: “Ne nuk i japim post atij që e synon postin.”
2. Nënkapitulli: Ruajtja e deleve me pagesë
2262. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Muhamed Mekiu na ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Jahjai, e ky nga gjyshi i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo pejgamber që ka dërguar Allahu ka kullotur dhentë.”
- Po ti? - e pyetën shokët e vet.
- “Po, edhe unë i kullotja me pagesë dhentë e banorëve të Mekës.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2262
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Punësimi i idhujtarëve në rast domosdoshmërie ose në rast mungese të muslimanëve
Pejgamberi ﷺ i mori argatë hebrenjtë e Hajberit.
2263. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Musai më ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dhe Ebu Bekri punësuan një burrë të familjes së Abd ibn Adijit nga fisi benu dil si udhërrëfyes, i cili ishte në fenë e jobesimtarëve kurejshë dhe ishte besatuar me familjen e As ibn Vailit, andaj i besuan. Ia dhanë devetë e tyre dhe lanë takimin në shpellën Theur, pas tri netësh. Në mëngjesin e natës së tretë ua solli devetë dhe u nisën për rrugë së bashku me Amir ibn Fuhejrën dhe udhërrëfyesin nga fisi dil. Ai i dërgoi nga poshtë Mekës, rrugës së bregdetit.
4. Nënkapitulli: Lejohet të punësosh dikë për të kryer një punë pas tri ditësh, një muaji apo pas një viti dhe, kur të vijë koha e caktuar, ata u qëndrojnë besnikë kushteve që i kanë vënë mes vete
2264. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri punësuan një burrë të fisit benu dil si udhërrëfyes, edhe pse ishte në fenë e jobesimtarëve kurejshë. Kështu, ia dorëzuan devetë e tyre dhe lanë takim në shpellën Theur, pas tri netësh. Në mëngjesin e natës së tretë ai erdhi së bashku me devetë e tyre.”
5. Nënkapitulli: I punësuari gjatë betejës
2265. Nga: Jala ibn Umeje
Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Uleje, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai, e ky nga Safvan ibn Jalai se Jala ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ isha në betejën kundër ushtrisë në Tebuk, gjë të cilën e konsideroj si veprën time më të mirë. Me vete kisha një argat, i cili u grind me një njeri dhe kështu njëri i kafshoi gishtin tjetrit. Ky i dyti e tërhoqi gishtin me rrëmbim dhe ia nxori dhëmbin prerës të parit. Ai shkoi te Pejgamberi ﷺ (për t'iu ankuar), por Pejgamberi ﷺ nuk caktoi shpagim për dhëmbin e rënë dhe tha: “Vallë, a ta vendos dikush qëllimisht gishtin në gojë që t'ia kafshosh, - mendoj se ka thënë: siç kafshon mashkulli i devesë -?”
2266. Nga: Abdullah ibn Zuhejri
Ibn Xhurejxhi na ka thënë: Më ka treguar Abdullah ibn Ebu Mulejke se gjyshi i tij Abdullah ibn Zuhejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se një burrë i kafshoi dorën një tjetri dhe në atë rast i theu dhëmbin, por Ebu Bekri nuk caktoi shpagim për dhëmbin e tij.
Referenca: Sahihu i Buhariut 2266
Fjalë të panjohura?
6. Nënkapitulli: Punësimi i dikujt duke ia bërë të qartë vetëm afatin e punës, pa e qartësuar natyrën e saj
Allahu i Madhërishëm ka thënë (duke i përmendur fjalët e Shuajbit ﷺ): “Dua të të martoj me njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë. Musai tha: “Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.” (Kasas, 27-28)
7. Nënkapitulli: Lejohet punësimi i dikujt për riparimin e një muri që është afër shembjes
2267. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Ibrahim ibn Musai më ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Jala ibn Muslimi dhe Amër ibn Dinari, e këta dy nga Seid ibn Xhubejri - duke e plotësuar njëri-tjetrin, - dhe të tjerë pos tyre, e ky e ka dëgjuar Seidin, e këtij i ka treguar Ibn Abasi se Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ lexoi: “Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t'u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty gjetën një mur që veç sa s'ishte rrëzuar, por ai e rindërtoi...” (Kehf, 77)
Seid ibn Xhubejri, duke komentuar këtë ajet, e ngriti dorën dhe tha: “E shtyu me dorë dhe e drejtoi (murin).”
Ebu Seidi, në komentimin e ajetit: “... Sikur të doje, mund të kërkoje shpërblim për këtë”, (Kehf, 77) ka thënë: “Ndonjë shpërblim, që të ushqehemi.”
8. Nënkapitulli: Punësimi deri në mesditë
2268. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli juaj dhe popujve të tjerë para jush është sikurse shembulli i dikujt që merr argat një grup njerëzish dhe thotë: “Kush punon për mua prej mëngjesit deri në mesditë për një kirat?” U paraqitën hebrenjtë dhe punuan. Pastaj thotë: “Kush punon për mua prej mesditës deri në kohën e namazit të ikindisë për një kirat?” U paraqitën të krishterët dhe punuan. Pastaj thotë: “Kush punon për mua prej ikindisë deri në perëndimin e diellit për dy kiratë?” Ja pra, ju jeni këta. Hebrenjtë dhe të krishterët u hidhëruan dhe thanë:
- Si ka mundësi që ne të punojmë më shumë e të shpërblehemi më pak?
- A mos vallë ju kam lënë mangët diçka prej shpërblimit tuaj? - u thotë Allahu Fuqiplotë.
- Jo, - thonë ata.
- E po, kjo është mirësia Ime, ia jap kujt të dua, - u thotë Allahu.”
9. Nënkapitulli: Punësimi deri në namaz të ikindisë
2269. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismail ibn Ebu Uvejsi na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari, i çrobëruari i Abdullah ibn Omerit se Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ju, hebrenjtë dhe të krishterët, i shëmbëlleni dikujt që merr argat ca punëtorë dhe thotë: “Kush punon për mua prej mëngjesit deri në mesditë për nga një kirat për secilin?” Kështu, u paraqitën hebrenjtë dhe punuan për nga një kirat. Pastaj punuan të krishterët për nga një kirat. Ndërkaq, ju punoni prej namazit të ikindisë deri në perëndimin e diellit për nga dy kiratë. Hebrenjtë dhe të krishterët u hidhëruan dhe thanë:
- Ne punuam më shumë e u shpërblyem më pak!
- A mos vallë ju kam lënë mangët diçka prej shpërblimit tuaj? - iu thotë Allahu Fuqiplotë.
- Jo, - thonë ata.
- E po, kjo është mirësia Ime, ia jap kujt të dua, - thotë Allahu.”
10. Nënkapitulli: Mëkati i atij që nuk e paguan punëtorin
2270. Nga: Ebu Hurejra
Jusuf ibn Muhamedi na ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Sulejmi, e ky nga Ismail ibn Umeje, e ky nga Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ditën e Kiametit Unë jam armik i tri llojeve të njerëzve:
1. I atij që betohet në Mua pastaj tradhton,
2. I atij që shet një njeri të lirë e i konsumon paratë e fituara,
3. I atij që punëson dikë me pagesë e, pasi t'ia përfundojë punën, nuk ia paguan mëditjen.”
11. Nënkapitulli: Punësimi prej ikindisë deri në mbrëmje
2271. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli i muslimanëve dhe hebrenjve e të krishterëve është sikurse shembulli i një personi që merr ca argatë për t'i kryer një punë brenda një dite, deri në mbrëmje, kundrejt një pagese të caktuar. Kështu, ata punojnë deri në mesditë dhe thonë:
- Nuk kemi nevojë për pagesën që na ke premtuar, andaj po e asgjësojmë punën që kemi bërë.
- Mos veproni kështu! Kryejeni punën deri në fund dhe merreni shpërblimin të plotë, - iu thotë ai.
Por, ata refuzojnë dhe e braktisin.
Pas tyre punëson ca të tjerë dhe u thotë: “Kryejeni punën deri në fund dhe do t'ju paguaj siç u kam premtuar atyre.” Ata punojnë deri në namazin e ikindisë dhe thonë:
- Punën që kemi bërë po e asgjësojmë, andaj, shpërblimin që na ke premtuar, mbaje për vete.
- Kryejeni punën deri në fund, se dita nuk ka edhe shumë, - u thotë ai.
Por, ata refuzojnë.
Pastaj, i punësoi ca të tjerë për ta çuar punën deri në fund. Kështu, këta punojnë deri në perëndimin e diellit dhe e kompletojnë punën e dy grupeve të mëparshme.
Ja, ky është shembulli i tyre dhe hises që kanë përfituar nga kjo dritë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2271
Fjalë të panjohura?
12. Nënkapitulli: Nëse punëtori me pagesë e lë pagën, porse punëdhënësi e investon më tutje dhe shtohet, ose ai që e investon pasurinë e tjetrit e cila rritet më pas
2272. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Tre burra të popujve të kaluar u nisën për rrugë derisa i zuri nata te një shpellë, andaj hynë brenda. Por, papritmas, një gur u rrotullua nga kodra dhe ua mbylli hyrjen e shpellës. Atëherë i thanë njëri tjetrit: “Nga ky shkëmb nuk do të na shpëtojë asgjë, përveç nëse e lusim Allahun me veprat tona të mira.”
Kështu, njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të shtyrë në moshë dhe, në mbrëmje, asnjëherë nuk i kam dhënë qumësht dikujt para tyre. Një ditë u vonova duke kërkuar diçka dhe, kur u ktheva, ata tashmë kishin fjetur. Kur i mola delet dhe ua çova qumështin, i gjeta duke fjetur. Nuk kisha dëshirë t'i jepja për të pirë dikujt tjetër para tyre, andaj qëndrova me enë në dorë, duke i pritur që të zgjoheshin, derisa agoi mëngjesi. Atëherë u zgjuan dhe e pinë qumështin. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë.
Tjetri tha: “O Allah! Kisha një vajzë axhe, të cilën e doja më shumë se këdo tjetër, andaj tentova t'i afrohesha pa dëshirën e saj. Ajo më refuzonte, derisa e kaploi një varfëri e rëndë. Kështu, erdhi tek unë dhe ia dhashë njëqind e njëzet dinarë, me kusht që të më lejonte t'i afrohesha (sikurse burri gruas), e ajo pranoi. Por, kur u shtriva mbi të, më tha: “Nuk të fal nëse ma prish virgjërinë pa kurorë martesore.” U ndjeva në siklet, andaj u largova, edhe pse e doja më së shumti nga të gjitha, sakaq arin ia lashë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!”
Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë nga shpella.
I treti tha: “O Allah! Kam pasur disa punëtorë dhe të gjithëve ua kam dhënë pagat, përveç njërit, i cili u largua dhe e la pagën e vet tek unë. Kështu, pagën e tij e investova, saqë u rrit dhe iu shtua pasuria. Pas një kohe, erdhi dhe më tha:
- O rob i Allahut, ma jep pagën që më takon!
- Të gjitha këto që po i sheh janë prej pagës sate: devetë, lopët, delet dhe shërbëtorët, - i thashë.
- O rob i Allahut, mos u tall me mua, - ma ktheu.
- Nuk po tallem aspak, - i thashë.
Kështu, e mori tërë pasurinë dhe nuk la asgjë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!
Shkëmbi lëvizi dhe iu hap rruga, kështu që ata dolën dhe vazhduan rrugën.”
13. Nënkapitulli: Ai që punon si hamall me pagesë e pastaj jep sadaka prej rrogës, si dhe pagesa e hamallit
2273. Nga: Ebu Musa Eshariu
Seid ibn Jahja ibn Seidi më ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Shekiku se Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëronte të jepnim sadaka, kishte raste kur ndokush shkonte në treg për të punuar si hamall dhe fitonte dy grushte ushqim (për t'i dhuruar sadaka). Ndërkaq, sot, disa prej tyre posedojnë njëqind mijë dinarë.
Shekiku thotë: “E dinim mirë se e kishte fjalën për vetveten.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2273
Fjalë të panjohura?
14. Nënkapitulli: Pagesa e komisionarit
Ibn Sirini, Atai, Ibrahimi dhe Haseni nuk e konsideronin problematike pagesën e komisionarit. Ibn Abasi ka thënë: "Nuk prish punë nëse dikush i thotë komisionarit: "Shite këtë rrobë dhe, çfarë të fitosh më shumë se kaq, merre për vete." Ibn Sirini ka thënë: "Nuk prish punë nëse thotë: "Shite këtë produkt me këtë çmim. Nëse fiton më shumë, merre për vete, ose e ndajmë bashkë." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muslimanët u qëndrojnë besnikë kushteve që vënë mes vete.”
2274. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar të blihen mallrat prej karvanëve para se të arrijnë në treg dhe që vendasi të shesë për jabanxhiun (i cili nuk e njeh tregun vendas).
Tavusi thotë: “E pyeta Ibn Abasin: “Ç'do të thotë: “Vendasi të mos shesë për jabanxhiun”? Ai tha: “Të mos i bëhet komisionar.”
15. Nënkapitulli: A lejohet që muslimani të punësohet tek idhujtari në tokën e armikut?
2275. Nga: Habab ibn Ereti
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Muslimi, e ky nga Mesruku se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Para Islamit kam qenë farkëtar tek As ibn Vaili. Kështu, shkova t'ia kërkoja paratë që m'i kishte borxh për punën e bërë. Ai më tha:
- Nuk t'i jap derisa ta mohosh Muhamedin.
- Betohem në Allahun se nuk e bëj derisa të vdesësh e të ngjallesh sërish, - ia ktheva.
- Të vdes dhe të ringjallem?
- Po, - i thashë.
- E po mirë, mbase atëherë do të kem pasuri e djem, kështu që ta kthej borxhin, - tha As ibn Vaili.
Atëherë zbriti ajeti: “Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në argumentet Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët?!” (Merjem, 77)
Referenca: Sahihu i Buhariut 2275
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Pagesa që bëhet në krahinat arabe për rukje me suren Fatiha
Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka pagesë më të denjë sesa pagesa që merret për Librin e Allahut.” Shabiu ka thënë: "Mësuesi i Kuranit nuk kërkon pagesë, përveç nëse dikush ia jep vullnetarisht, le ta pranojë." Hakemi ka thënë: "Nuk di që dikush e ka ndaluar pagesën e mësuesit të Kuranit. Haseni ia ka dhënë dhjetë dërhemë mësuesit të Kuranit. Ibn Sirini nuk e konsideronte problematike pagesën e llogaritarit dhe ka thënë: "Pasuri e ndaluar është ryshfeti në gjykim, ndërsa sahabët e paguanin llogaritarin për llogaritjen e hurmave."
2276. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Ebu Mutevekili se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup i shokëve të Pejgamberit ﷺ u nisën për në udhëtim dhe u ndalën te një fis arab, prej të cilëve kërkuan konak, por ata refuzuan.
Kështu, prijësin e fisit në fjalë e thumboi një akrep. Pjesëtarët e fisit bënë çmos për ta ndihmuar, por asgjë nuk i bënte dobi. Dikush tha: “Sikur të shkonit te grupi që u ndalën më herët, ndoshta posedojnë diç që i ndihmon.”
Kësisoj, vajtën te sahabët dhe u thanë: “O ju njerëz, prijësin tonë e ka thumbuar një akrep. E mjekuam me çka mundëm, por asgjë nuk po i bën dobi. Mos vallë ndokush prej jush posedon diç (që i bën dobi)?”
- Po, unë di të bëj rukje. Mirëpo, ne ju kërkuam konak, por ju na refuzuat, andaj nuk do t'ju ofrojmë ndihmë pa na paguar, - tha njëri prej sahabëve.
Kështu, ranë në ujdi për një tufë delesh. Sahabiu shkoi dhe i fryu duke lexuar suren Fatiha. Prijësi u shërua dhe u ngrit e ecte sikurse të mos i kishte ndodhur asgjë. Më pas ua bënë pagesën për të cilën kishin rënë në ujdi. Disa sahabë thoshin: “Ta ndajmë!” Ndërkaq, ai që i kishte bërë rukje, tha: “Jo, të presim derisa të shkojmë te Pejgamberi ﷺ dhe t'i tregojmë. Të shohim çfarë po na urdhëron ai.”
Kur arritën dhe i treguan të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth ndodhisë, tha: “E si e dije që ajo (surja Fatiha) është rukje?” Pastaj tha: “Ia keni qëlluar. Ndajeni mes vete dhe lërmëni edhe mua një pjesë” - dhe qeshi.
Ebu Abdullahu (Buhariu) transmeton nga Shuëbe se ka thënë: “Na ka treguar Ebu Bishri, e ky e ka dëgjuar këtë nga Ebu Mutevekili.”
17. Nënkapitulli: Taksat e robërve dhe kujdesi në taksat e robëreshave
2277. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ebu Tajba i bëri hixhame të Dërguarit të Allahut ﷺ, kështu që Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i jepej një ose dy saë hurma dhe e porositi familjen e Ebu Tajbës që t'ia lehtësonin atij taksat ditore (sepse ishte rob dhe shërbëtor).
18. Nënkapitulli: Pagesa e atij që bën hixhame
2278. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë hixhame dhe e ka paguar atë që i ka bërë hixhame.
2279. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë hixhame dhe e ka paguar atë që i ka bërë hixhame. Nëse kjo do të ishte e urryer, nuk do ta kishte bërë.
2280. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Misari, e ky nga Amër ibn Amiri se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ bënte hixhame dhe asnjëherë nuk i bënte dikujt padrejtësi në pagesë.”
19. Nënkapitulli: Të porositurit zotërinë e robit për t'ia pakëuar robit taksat ditore
2281. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ thirri një rob, që bënte hixhame, për t'i bërë një hixhame dhe urdhëroi ta paguanin me një ose dy saë hurma, - ose ka thënë: një ose dy mude hurma, - si dhe bisedoi me familjarët e tij për t'ia pakësuar taksat ditore.
20. Nënkapitulli: Të ardhurat e lavires dhe robëreshës
Ibrahim Nehaiu e ndalonte pagesën e vajtueses dhe këngëtares. Allahu i Madhërishëm thotë: “Mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë kurvëri, që të arrini ju dobi të përkohshme të kësaj bote, nëse ato dëshirojnë jetë të ndershme. Nëse ndokush i detyron ato, Allahu do të jetë Falës dhe Mëshirëplotë për to.” (Nur, 33)
2282. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami se Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar tregtimin e qenit, pagesën e lavires dhe pagimin e falltarit.
2283. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Xhuhade, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar fitimin nga robëreshat (që fitojnë nga zinaja).
21. Nënkapitulli: Ndalimi i pagesës për shfrytëzimin e kafshës mashkull për mbarsim
2284. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi dhe Ismail ibn Ibrahimi, e këta nga Ali ibn Hakemi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar pagesën për shfrytëzimin e kafshës mashkull për mbarsim.
Referenca: Sahihu i Buhariut 2284
Fjalë të panjohura?
22. Nënkapitulli: Nëse toka jepet me qira, ndërkohë vdes qiradhënësi apo qiramarrësi
Ibn Sirini ka thënë: "Nuk i lejohet familjes së qiradhënësit ta largojnë qiramarrësin pa përfunduar kontrata e qirasë. Hakemi, Haseni dhe Ijas ibn Muaviu kanë thënë: "Qiraja vazhdohet deri në përfundim të afatit të kontraktuar." Ibn Omeri ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e ka dhënë Hajberin me qira. Kështu ka qëndruar në kohën e Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekrit dhe në fillim të hilafetit të Omerit. Nuk përmendet se Ebu Bekri e ka rinovuar kontratën e qirasë pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ."
2285. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri ibn Esma, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ua ka dhënë hebrenjve Hajberin për ta punuar dhe për ta mbjellë, me kusht që ta mbajnë një pjesë të produkteve. Po ashtu Ibn Omeri i ka treguar Nafiut se në atë kohë arat jepeshin me qira në shkëmbim të një përqindjeje që Nafiu e ka përmendur, por unë nuk e mbaj në mend.
2286. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar dhënien e arës me qira.
Ubejdullahu transmeton nga Nafiu se Ibn Omeri thotë: “Derisa Omeri i pati dëbuar (hebrenjtë nga Hajberi).”