49. Lirimi i robërve
1. Nënkapitulli: Vlera e lirimit të robërve
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ajo (rruga e vështirë) është të lirosh një rob, ose të ushqesh në një ditë zie jetimin e afërm.” (Beled, 13-15)
2517. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Asim ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Vakid ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Seid ibn Merxhane, shok i Ali ibn Husejnit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdonjërin që liron një rob musliman, Allahu do ta shpëtojë nga Zjarri, gjymtyrë për gjymtyrë.”
Seid ibn Merxhane thotë: “Këtë hadith vajta e ia tregova Ali ibn Husejnit, i cili menjëherë shkoi dhe liroi një rob, për të cilin Abdullah ibn Xhaferi i kishte ofruar dhjetë mijë dërhemë, - ose ka thënë: një mijë dinarë.”
2. Nënkapitulli: Cili lloj robërish është më me vlerë për t'u liruar?
2518. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Muravihu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ:
- Cila është puna më me vlerë?
- “Ta besosh Allahun dhe të luftosh në rrugën e Tij”, - tha ai.
- Cili lloj robërish është më me vlerë për t'u liruar?
- “Ai që është më i shtrenjti dhe më i çmuari për pronarët.”
- Po nëse nuk mund ta bëj këtë?
- “Atëherë ndihmo një zejtar ose një të pazanat.”
- Po nëse nuk mund ta bëj as këtë?
- “I kursen njerëzit nga sherri yt, sepse kjo është sadaka që e bën për veten”, - më tha Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2518
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Pëlqehet lirimi i robërve gjatë eklipsit ose fenomeneve të jashtëzakonshme natyrore
2519. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Musa ibn Mesudi na ka thënë: Na ka treguar Zaide ibn Kudame, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ porositi lirimin e robërve gjatë eklipsit të Diellit.”
Transmetimin e Zaide ibn Kudames e fuqizon Aliu nga Deraverdiu, e ky nga Hishami.
2520. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Athami, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Porositeshim që të lironim robër gjatë ndodhisë së eklipsit.”
4. Nënkapitulli: Nëse liron një rob a robëreshë që është në posedim të dy a më shumë ortakëve
2521. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Salimi se babai i tij Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse i kamuri liron një rob që është në posedim të disa ortakëve, atëherë i kërkohet ta paguajë hisen e ortakëve (mbi robin), në mënyrë që ta lirojë atë tërësisht.”
2522. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që e liron hisen e vet në një rob të përbashkët, ndërkohë posedon pasuri sa vlera e mbetur e robit, i kërkohet t'ua paguajë hisen ortakëve, që robi të lirohet, përndryshe robi konsiderohet pjesërisht i liruar.”
2523. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen e vet në një rob të përbashkët, ndërkohë posedon pasuri të mjaftueshme, porositet që ta lirojë robin tërësisht, e, nëse nuk posedon pasuri, atëherë llogaritet vlera e hises së pronarit që e ka liruar dhe robi konsiderohet pjesërisht i liruar.”
Musededi na ka thënë: “Na ka treguar Bishri nga Ubejdullahu, shkurtimisht.”
2524. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e liron pjesën që posedon te një i robëruar, - ose ka thënë: hisen e vet që i takon te një rob, - ndërkohë posedon pasuri sa vlera e mbetur e robit, robi lirohet.”
Nafiu ka thënë: “Përndryshe (nëse nuk ka pasuri për ta paguar lirimin tërësisht), robi konsiderohet pjesërisht i liruar.”
Ejubi ka thënë: “Nuk di nëse fjalinë e fundit e ka thënë vetë Nafiu apo është pjesë e hadithit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2524
Fjalë të panjohura?
2525. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Mikdami na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe se Nafiu tregon se, kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pyetej rreth robit a robëreshës që ishte në pronësi të disa ortakëve dhe ndodhte që njëri prej tyre ta lironte hisen që i takonte te robi, përgjigjej: “Prej tij kërkohet që ta lirojë robin tërësisht, për sa kohë që posedon pasuri të mjaftueshme për t'ua paguar ortakëve hiset e tyre, pastaj robi lihet i lirë.” Këtë përgjigje Ibn Omeri e transmetonte prej Pejgamberit ﷺ.
Këtë e transmetojnë Lejthiu, Ibn Ebu Dhibi, Ibn Is'haku, Xhuvejriu, Jahja ibn Seidi dhe Ismail ibn Umeje nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky nga Pejgamberi ﷺ, shkurtimisht.
5. Nënkapitulli: Nëse e dhuron hisen që i takon te robi, ndërkohë nuk posedon pasuri të mjaftueshme për ta liruar tërësisht, robit i kërkohet të punojë, pa e munduar tej mase, në mënyrë që ta lirojë veten me pagesë
2526. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Ebu Rexhai më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, e këtij i ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky e ka dëgjuar Kataden, e këtij i ka treguar Nadër ibn Enes ibn Maliku, e ky nga Beshir ibn Nehiku se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen që i takon te një rob...”
2527. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja, e ky nga Nadër ibn Enesi, e ky nga Beshir ibn Nehiku se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen, - ose ka thënë: pjesën, - që i takon te një rob, duhet ta lirojë tërësisht, për sa kohë që posedon pasuri të mjaftueshme, përndryshe robi konsiderohet i liruar pjesërisht, andaj prej tij kërkohet që të punojë, pa e munduar tej mase (në mënyrë që ta lirojë veten plotësisht).”
(Këtë transmetim nga) Seidi e ka fuqizuar Haxhaxh ibn Haxhaxhi, Ebani dhe Musa ibn Halefi nga Katadja, ndërsa Shuëbe e ka transmetuar shkurtimisht.
6. Nënkapitulli: Gabimi dhe harresa në lirimin e robërve e shkurorëzim a gjëra të këtilla, si dhe lirimi i robërve bëhet vetëm për hir të Allahut
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Secili do të shpërblehet sipas asaj që ka bërë nijet”, ndërsa ai që harron dhe ai që gabon, nuk kanë nijet (për atë punë që e veprojnë).
2528. Nga: Ebu Hurejra
Humejdi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Misari, e ky nga Katadja, e ky nga Zurare ibn Eufai se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu umetit tim ia ka falur mendimet e këqija që i kanë në zemër, për sa kohë që nuk i punojnë ose nuk i shqiptojnë.”
2529. Nga: Omer ibn Hatabi
Muhamed ibn Kethiri na ka treguar nga Sufjani, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim Tejmiu, e ky nga Alkame ibn Vekas Lejthiu se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe njeriut i takon ajo që e ka bërë nijet. Andaj, atij që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i vlerësohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.”
7. Nënkapitulli: Nëse dikush, për robin e vet, thotë: "Po e lë për hir të Allahut", ndërkohë ka për nijet lirimin e tij, si dhe prania e dëshmitarëve me rastin e lirimit të robit
2530. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Abdullah ibn Numejri na ka treguar nga Muhamed ibn Bishri, e ky nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur erdhi në Medinë me qëllim që ta pranojë Islamin, me vete kishte një rob, me të cilin gjatë rrugës ishin ndarë nga njëri-tjetri. Më vonë, teksa Ebu Hurejra po rrinte me Pejgamberin ﷺ, ai (robi) arriti në Medinë, andaj Pejgamberi ﷺ i tha:
- “O Ebu Hurejre, ja, erdhi robi yt!”
- Sa më përket mua, të kam ty dëshmitar se po e liroj, - ia ktheu Ebu Hurejra.
Atëherë Ebu Hurejra thoshte:
"Ah, sa natë e gjatë dhe e mundimshme,
Por më shpëtoi nga vendi i mosbesimit.”
2531. Nga: Ebu Hurejra
Ubejdullah ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Ismaili, e ky nga Kajsi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Teksa shkoja te Pejgamberi ﷺ në Medinë, gjatë rrugës thosha:
"Ah, sa natë e gjatë dhe e mundimshme!
Por, më shpëtoi nga vendi i mosbesimit.”
Gjatë rrugës më iku robi, por, kur shkova në Medinë dhe iu besatova Pejgamberit ﷺ, në ndejë e sipër me të, u paraqit robi. I Dërguari i Allahut ﷺ më tha:
- “O Ebu Hurejre, ja robi yt.”
- Është i lirë për hir të Allahut, - i thashë.
Dhe kështu e liroi atë.
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Në transmetimin e tij nga Ebu Usame, Ebu Kurejbi nuk ka thënë: “i lirë.”
2532. Nga: Ebu Hurejra
Shihab ibn Abadi më ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Humejdi, e ky nga Ismaili se Kajsi tregon: “Kur Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) erdhi në Medinë, në kërkim të Islamit, ndërkohë me vete kishte një rob, në rrugë e sipër u ndanë nga njëri-tjetri. Më pas i tha Pejgamberit ﷺ: “Sa më përket mua, ty të kam dëshmitar se po e lë për hir të Allahut.”
8. Nënkapitulli: Kur robëresha është nënë e fëmijës së pronarit
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndër shenjat e Kiametit është se robëresha do të lindë zotërinë e saj.”
2533. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Utbe ibn Ebu Vekasi e porositi vëllanë e vet, Sad ibn Ebu Vekasin, për ta marrë djalin e robëreshës së Zemës duke i thënë: “Ai është biri im.”
Kështu, Vitin e Çlirimit, kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Mekë, Sadi e mori të birin e robëreshës së Zemës dhe shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e pas tij edhe Abd ibn Zema. Sadi tha:
- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka treguar se është i biri i tij.
- O i Dërguari i Allahut, është vëllai im, i biri i Zemës. Ka lindur në shtratin e tij, - tha Abd ibn Zema.
I Dërguari i Allahut ﷺ e shikoi të birin e robëreshës së Zemës dhe pa se ishte shumë i ngjashëm me Utben. Pastaj tha:
- “Është yti, o Abd ibn Zema”, - se ka lindur në shtratin e babait të tij.
Pastaj i tha Sevdë bint Zemës: “Mbulohu prej tij, oj Sevdë bint Zema!”, për shkak të ngjashmërisë me Utben që e shihte te fëmija. Sevda ka qenë gruaja e Pejgamberit ﷺ.
9. Nënkapitulli: Shitja e robit të cilit i është kushtëzuar liria me vdekjen e pronarit
2534. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një person, nga mesi ynë, liroi një rob, duke ia kushtëzuar lirinë me vdekjen e pronarit. Por, Pejgamberi ﷺ e thirri dhe e shiti. Robi në fjalë vdiq në vitin vijues.”
10. Nënkapitulli: Shitja dhe dhurimi i meritës së çrobërimit të robit
2535. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shitjen dhe dhurimin e meritës së çrobërimit të një robi.”
2536. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E bleva Berirën, por pronarët ma kushtëzuan meritën e çrobërimit të saj. Kur këtë ia përmenda Pejgamberit ﷺ, më tha: “Liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që i jep paratë.” Prandaj, e lirova.
Pejgamberi ﷺ e thirri dhe i tha të zgjidhte nëse donte apo s'donte të qëndronte edhe më tej me burrin e saj. Ajo iu përgjigj: “Edhe sikur të ma jepte këtë e atë, nuk do të qëndroja tek ai.” Kështu, zgjodhi të ndahej prej tij.
11. Nënkapitulli: Nëse vëllai a xhaxhai i dikujt zihet rob, ndërkohë është idhujtar, a kërkohet shpagim për lirimin e tij?
Enesi tregon: Abasi i tha Pejgamberit ﷺ: "E shpagova veten dhe Akilin. Në këtë plaçkë të fituar prej këtij shpagimi kishte hise edhe Aliu, përkatësisht në shpagimin e vëllait të vet, Akilit, dhe xhaxhait, Abasit."
2537. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahim ibn Ukbe, e ky nga Musai, e ky nga Ibn Shihabi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa burra ensarë i kërkuan leje të Dërguarit të Allahut ﷺ duke i thënë: “Na lejo të heqim dorë prej shpagimit të të birit të motrës sonë, Abasit!”
- “Nuk do të hiqni dorë as për një dërhem!”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
12. Nënkapitulli: Lirimi i robit idhujtar
2538. Nga: Hakim ibn Hizami
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në periudhën paraislame kishte liruar njëqind robër dhe, me shpenzimet e tij, i kishte dërguar në haxh njëqind persona. Kur e pranoi Islamin, sërish i dërgoi njëqind persona në haxh dhe i liroi njëqind robër. Pastaj e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, si është puna e veprave të mira që i punoja në periudhën e injorancës (paraislame)?
- “Në Islam ke hyrë bashkë me veprat e mira të së kaluarës”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
13. Nënkapitulli: Posedimi i robërve arabë dhe dhurimi, shitja e marrëdhëniet intime me robëreshat, si dhe shpagimi e zënia robër lufte e pasardhësve të tyre
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu sjell shembullin e robit, që s’ka mundësi për asgjë dhe që është pronë e të zotit me atë që Ne i kemi dhënë plot begati, prej të cilave jep fshehtazi dhe haptazi. A janë njëlloj? Lavdi i qoftë Allahut! Shumica e tyre nuk dinë.” (Nahl, 75)
2539. Nga: Mervan ibn Hakemi - Misver ibn Mahremi
2540 - Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Më ka rrëfyer Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve, se Mervani dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur erdhi delegacioni i fisit hevazin, Pejgamberi ﷺ u ngrit në këmbë e ata i kërkuan t'ua kthejë pasuritë dhe robërit e zënë në luftë. Ai u tha: “Ju po shihni kë kam me vete. Unë i dua fjalët e sinqerta, andaj zgjidhni njërën prej këtyre të dyjave: ose pasurinë, ose robërit e luftës. Unë kam pritur se do të vini për ta.”
Pejgamberi ﷺ, pasi ishte larguar prej Taifit, priti dhjetë net e më shumë. Kur atyre iu bë e qartë se Pejgamberi ﷺ nuk do t'ua kthejë të dyja, thanë: “Po i zgjedhim robërit e luftës.”
Pejgamberi ﷺ u ngrit në mesin e njerëzve, e lavdëroi Allahun, ashtu siç i takon Atij, dhe tha: “E, më pas; Vërtet, vëllezërit tuaj na kanë ardhur të penduar, prandaj unë mendoj t'ua kthej robërit e luftës. Andaj, kush dëshiron që vullnetarisht t'ua kthejë, le ta bëjë, e, kush dëshiron që ta mbajë pjesën e vet (robin e luftës) derisa ta paguajmë prej plaçkës së parë që Allahu do të na dhurojë, le të presë.”
Njerëzit thanë: “Do ta bëjmë këtë, për ty (o i Dërguari i Allahut)!”
- “Ne nuk e dimë kush po i jep vullnetarisht e kush jo, andaj kthehuni te prijësit tuaj (të flitni me ta), që ata të na tregojnë për secilin prej jush”.
Njerëzit u kthyen dhe biseduan me përfaqësuesit e tyre, të cilët shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i treguan se të gjithë po i kthejnë vullnetarisht. Këto gjëra na janë transmetuar rreth pjesëtareve të fisit hevazin të zënë robër lufte.
Enesi ka thënë: “Abasi i tha Pejgamberit ﷺ: “E shpagova veten dhe Akilin.”
2540. Nga: Misver ibn Mahremi
2539, 2540
2541. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu se Ibn Avniu tregon se i kishte shkruar Nafiut, i cili po ashtu me shkrim ia ktheu: “Pejgamberi ﷺ sulmoi papritmas fisin benu mustalik, ndërkohë ata ishin të hutuar dhe bagëtitë e tyre po pinin ujë. Ai, i vrau luftëtarët dhe i robëroi gratë e fëmijët. Atë ditë e mori edhe Xhuvejrijën. Këtë ma ka treguar Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili personalisht ka marrë pjesë në atë ushtri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2541
Fjalë të panjohura?
2542. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Hibani, e ky nga Ibn Muhajrizi se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ dolëm në betejë kundër fisit benu mustalik, ku zumë arabë si robër lufte. Atëkohë kishim nevojë për gra, sepse kishim kaluar kohë të gjatë në beqari, por nuk dëshironim që të mbeteshin shtatzënë, andaj e pyetëm të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth ejakulimit jashtë organit intim, e ai na tha: “Nuk prish punë, edhe nëse veproni ashtu, sepse çdo krijesë që Allahu ka përcaktuar se do të ekzistojë deri në Kiamet, medoemos do të lindë.”
2543. Nga: Ebu Hurejra
Zuhejr ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Umare ibn Kaëkai, e ky nga Ebu Zura, e ky nga Ebu Hurejra se ka thënë: Do të vazhdoj t'i dua benu temimët. [t]: Ibn Selami më ka thënë: Na ka rrëfyer Xherir ibn Abdulhamidi, e ky nga Mugire, e ky nga Harithi, e ky nga nga Ebu Zura, e ky nga Ebu Hurejra; Po ashtu nga Umare, e ky nga Ebu Zura; se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Vazhdoj ta dua fisin benu temim, që kur e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke i thënë tri gjëra për ta: “E kam dëgjuar të thotë: “Ata do të jenë më të rreptët e umetit tim ndaj Dexhallit.” Kështu, kur erdhën lëmoshat e tyre, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Këto janë lëmoshat e popullit tonë”, e, kur një pjesëtare e tyre u robërua dhe iu dhurua Aishes, Pejgamberi ﷺ tha: “Liroje, sepse ajo është pasardhëse e Ismailit ﷺ.”
14. Nënkapitulli: Vlera e edukimit dhe mësimit të robëreshës
2544. Nga: Ebu Musa Eshariu
Is'hak ibn Ibrahimi na ka treguar se e ka dëgjuar Muhamed ibn Fudajlin, e ky nga Mutarrifi, e ky nga Shabiu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që posedon një robëreshë, të cilën e mëson dhe sillet mirë me të, pastaj e liron e martohet me të, i fiton dy shpërblime.”
15. Nënkapitulli: Hadithi: “Robërit janë vëllezërit tuaj, andaj ushqejini me çka të ushqeheni vetë.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të ngratët, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” (Nisa, 36)
2545. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Vasil Ahdebi se Marur ibn Suvejdi thotë: E pashë Ebu Dherr Gifariun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të veshur me një palë rroba të bukura bashkë me shërbëtorin e tij, i cili po ashtu ishte veshur bukur. E pyetëm rreth kësaj, e ai na tha: “Njëherë fyeva një person, i cili u ankua te Pejgamberi ﷺ. Atëherë Pejgamberi ﷺ më tha: “A ia nënçmove të ëmën?” Dhe vijoi: “Shërbëtorët tuaj janë vëllezërit tuaj dhe Allahu i ka lënë nën sundimin tuaj. Andaj, nëse dikush prej jush e ka vëllanë e vet nën sundim, le ta ushqejë sikurse vetveten dhe le ta veshë sikurse vetveten. Mos i ngarkoni me më tepër seç mund të bartin, e, nëse ndodh t'i ngarkoni, atëherë ndihmojuni.”
16. Nënkapitulli: Kur robi është i kujdesshëm në adhurime dhe është i sinqertë me pronarin e vet
2546. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse robi është besnik me pronarin e vet dhe i kujdesshëm në adhurimin ndaj Allahut, shpërblimin e fiton dy herë.”
2547. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Salihu, e ky nga Shabiu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që posedon një robëreshë, të cilën e mëson dhe e edukon mirë, pastaj e liron dhe martohet me të, i fiton dy shpërblime. Çdo rob që i kryen obligimet edhe ndaj Allahut, edhe ndaj pronarëve të vet, i fiton dy shpërblime.”
2548. Nga: Ebu Hurejra
Bishr ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Musejebin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Robi vepërmirë i fiton dy shpërblime.”
Pastaj Ebu Hurejra tha: “Betohem në Atë, që e posedon shpirtin tim, se, sikur të mos ishte xhihadi në rrugën e Allahut, haxhi dhe mirësia ndaj nënës sime, do të dëshiroja të vdisja si rob.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2548
Fjalë të panjohura?
2549. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga nga Ameshi, e këtij i ka treguar Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lum për atë rob që është i kujdesshëm në adhurimin ndaj Allahut dhe tregohet i sinqertë me pronarin e vet!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2549
Fjalë të panjohura?
17. Nënkapitulli: Është e urryer fyerja e robit, si dhe dispozita e fjalës: Robi im apo robëresha ime
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... si dhe robërit dhe robëreshat tuaja që janë besimtarë të ndershëm...” (Nur, 32) “... shembullin e robit...” (Nahl, 75) “Te dera, e hasën zotërinë e saj...” (Jusuf, 25) “... një nga robëreshat tuaja besimtare...” (Nisa, 25) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ngrihuni për zotërinë tuaj!” Allahu Fuqiplotë ka thënë (duke përcjellë fjalën e Jusufit ﷺ): “Përmendmë te pronari yt...” (Jusuf, 42) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush është zotëria juaj?”
2550. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse robi është besnik me pronarin e vet dhe i kujdesshëm në adhurimin ndaj Allahut, shpërblimin e fiton dy herë.”
2551. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi që tregohet i kujdesshëm në adhurimin ndaj Allahut dhe i kryen obligimet ndaj pronarit të tij duke qenë i sinqertë dhe i dëgjueshëm, i fiton dy shpërblime.”
2552. Nga: Ebu Hurejra
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos thoni: “Dërgoja ushqimin zotit tënd!; “Ndihmoji zotit tënd për të marrë abdes!” e as: “Jepi ujë zotit tënd!”; por thoni: “Zotëria dhe pronari im.” Po ashtu, mos thoni: “Robi im" e as “Robëresha ime!”, por thoni: “Shërbëtori im" ose “Shërbëtorja ime!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2552
Fjalë të panjohura?
2553. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen që i takon te një rob, ndërkohë posedon pasuri të mjaftueshme për ta paguar pjesën tjetër të vlerës së tij, duhet ta paguajë (edhe atë), në mënyrë që ta lirojë robin tërësisht. Në të kundërtën, robi konsiderohet i liruar pjesërisht.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2553
Fjalë të panjohura?
2554. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.
Udhëheqësi është kujdestar për njerëzit nën pushtetin e tij, andaj do të jetë përgjegjës për ta.
Burri është kujdestar për familjen e tij, andaj do të jetë përgjegjës për të.
Gruaja është kujdestare për shtëpinë dhe fëmijët e burrit të vet, andaj do të jetë përgjegjëse për ta.
Robi është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të jetë përgjegjës për të. Pra, secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.”
2555. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
2555, 2556 - Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ubejdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse robëresha bën zina, ndëshkojeni me kamxhik. Nëse e përsëdyt, përsëritjani ndëshkimin me kamxhik. Nëse bën sërish, përsëritjani ndëshkimin me kamxhik.” Në herën e tretë ose të katërt ka thënë: “... dhe shiteni, qoftë dhe për një litar.”
2556. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
2555, 2556 -
18. Nënkapitulli: Kur shërbëtori ia sjell dikujt ushqimin
2557. Nga: Ebu Hurejra
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur shërbëtori ia sjell dikujt ushqimin, nëse nuk e ul (për të ngrënë) së bashku, të paktën le t'ia japë dy-tri kafshata, - ose ka thënë: dy-tri ngrënie, - sepse ai ka dhënë mund gjatë përgatitjes së atij ushqimi.”
19. Nënkapitulli: Robi është bari për pasurinë e zotërisë së vet
Pasurinë Pejgamberi ﷺ ia ka atribuuar zotërisë.
2558. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.
Udhëheqësi është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e tij.
Burri është kujdestar për familjen e tij, andaj do të jetë përgjegjës për të.
Gruaja është kujdestare për shtëpinë e burrit të vet, andaj do të jetë përgjegjëse për të.
Shërbëtori është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të jetë përgjegjës për të.”
Këto i kam dëgjuar personalisht prej Pejgamberit ﷺ. Mirëpo, mendoj se Pejgamberi ﷺ ka thënë edhe: “Burri është kujdestar për pasurinë e babait të vet, andaj do të japë përgjegjësi për të. Pra, secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.”
20. Nënkapitulli: Nëse pronari e rreh robin, të mos e godasë në fytyrë!
2559. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Ubejdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Malik ibn Enesi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Fulani, e ky nga Seid Makburi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejra se transmeton nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush grindet, le të ketë kujdes nga goditja në fytyrë!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2559
Fjalë të panjohura?