63. Virtytet e ensarëve
1. Nënkapitulli: Virtytet e ensarëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Allahu Fuqiplotë ka thënë: - “... dhe ata që u dhanë strehim e i ndihmuan...” (Enfal, 72 dhe 74) “Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan ata që kanë bërë hixhret tek ta (në Medinë) dhe në zemrat e tyre nuk ndiejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre...” (Hashr, 9)
3776. Nga: Gajlan ibn Xheriri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Mehdi ibn Mejmuni se Gajlan ibn Xheriri tregon se e pyeti Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A edhe më parë jeni quajtur me emrin ensarë, apo Allahu ju ka emërtuar i pari me të?”
- Allahu na ka quajtur me atë emër, - u përgjigj Enesi.
Gajlani shton: “Shkonim tek Enesi (në Basra), e ai na fliste për virtytet dhe betejat e ensarëve. Nganjëherë kthehej nga unë ose nga njëri prej fisit ezd dhe thoshte: “Në këtë ditë fisi yt ka bërë kështu e ashtu.”
3777. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Dita e Buathit ishte një ditë që Allahu e përgatiti për të Dërguarin e Tij. I Dërguari i Allahut ﷺ shkoi në Medinë, ndërkaq populli ishte përçarë dhe udhëheqësit e tyre ishin vrarë ose plagosur. Allahu ia përgatiti këtë gjendje të Dërguarit të Tij, që ata të hyjnë në Islam.”
3778. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Çlirimit të Mekës, Pejgamberi ﷺ u dha kurejshëve shumë plaçkë.” Ensarët thanë: “Betohemi në Allahun se kjo është e çuditshme. Shpatat tona ende pikojnë gjak kurejshish, ndërkohë atyre u jepen plaçkat tona.” Pejgamberi ﷺ dëgjoi për këtë dhe i thirri ensarët, pastaj u tha: “Ç'është kjo që dëgjova prej jush?” Ata nuk gënjenin dhe u përgjigjën: “Është ashtu siç ke dëgjuar.” Pejgamberi ﷺ tha: “A nuk jeni të kënaqur që njerëzit të kthehen me plaçka në shtëpitë e tyre, ndërsa ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e Allahut ﷺ? Sikur ensarët të ndiqnin një luginë ose një grykë, do ta ndiqja luginën ose grykën e tyre.”
2. Nënkapitulli: Hadithi: "Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha pjesëtar ensarësh."
Këtë e ka transmetuar edhe Abdullah ibn Zejdi nga Pejgamberi ﷺ.
3779. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, - ose ka thënë: Ebul Kasimi ﷺ, - ka thënë: "Sikur ensarët të ndiqnin një luginë ose një grykë, do ta ndiqja luginën e tyre. Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha një prej ensarëve.”
Ebu Hurejra shtoi: “Pejgamberi ﷺ nuk bëri padrejtësi, kurban iu bëfsha me babë e nënë! Ata e strehuan dhe e ndihmuan.” Ose tha diçka të ngjashme.
3. Nënkapitulli: Vëllazërimi që Pejgamberi ﷺ bëri mes muhaxhirëve dhe ensarëve
3780. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij se Abdurrahman ibn Aufi tregon: “Kur muhaxhirët erdhën në Medinë, i Dërguari i Allahut ﷺ e vëllazëroi Abdurrahman ibn Aufin me Sad ibn Rabiun, i cili i tha Abdurrahmanit:
- Unë jam më i pasuri i ensarëve, andaj po e ndaj gjysmën e pasurisë. I kam dy gra, shiko cila prej tyre të pëlqen dhe më trego, unë do ta lëshoj e, pasi të përfundojë koha e pritjes, martohu me të.
- Allahu të begatoftë në familjen dhe pasurinë tënde! Më trego ku është tregu, - i tha Abdurrahmani.
Kështu, ata e drejtuan për te tregu i fisit benu kajnuka. Kur u kthye nga tregu, kishte pak gjizë e gjalpë dhe kështu vazhdoi së frekuentuari tregun. Një ditë erdhi dhe kishte gjurmë të verdha parfumi. Pejgamberi ﷺ e pyeti:
- “Çfarë ka ndodhur?”
- Jam martuar, - tha Abdurrahmani.
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa bërthama e hurmës. - Ose ka thënë: - Sa pesha e një bërthame të hurmës, - Ibrahimi është në mëdyshje (se cilën fjalë e ka thënë.)
3781. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdurrahman ibn Aufi erdhi (në Medinë), Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rabiun, i cili ishte shumë i pasur.” Sadi i tha: “Ensarët e dinë se unë jam më i pasuri i tyre, andaj po ta ndaj gjysmën e pasurisë sime. Po ashtu, i kam dy gra, shiko cila prej tyre të pëlqen, unë do ta lëshoj e, pasi të lirohet (nga koha e pritjes), martohu me të.”
- Allahu të begatoftë në familjen tënde! - i tha Abdurrahmani.
(Pasi shkoi në treg) atë ditë u kthye me pak gjalpë e gjizë. Pas pak ditësh, kur erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ, Abdurrahmani kishte gjurmë të verdha parfumi. I Dërguari i Allahut ﷺ e pyeti:
- “Ç'është kjo?”
- Jam martuar me një ensare, - tha Abdurrahmani.
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa peshon një bërthamë e hurmës, - ose ka thënë: - Ar sa një bërthamë hurmeje.
- “Bëj një gosti, të paktën me një dele”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
3782. Nga: Ebu Hurejra
Salt ibn Muhamed Ebu Hemami na ka thënë: E kam dëgjuar Mugire ibn Abdurrahmanin, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ensarët i thanë Pejgamberit ﷺ: “Ndaji hurmat mes nesh dhe muhaxhirëve.”
- “Jo, por ata le t'i punojnë arat, e hurmat i ndajnë së bashku me ne”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Dëgjuam dhe ashtu do t'ia bëjmë! - thanë ensarët.”
4. Nënkapitulli: Dashuria ndaj ensarëve është prej imanit
3783. Nga: Bera ibn Azibi
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Adij ibn Thabiti se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ, - ose ka thënë: - Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ensarët i do vetëm besimtari e i urren vetëm hipokriti. Allahu e do atë që i do ensarët dhe e urren atë që i urren ensarët.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3783
Fjalë të panjohura?
3784. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdullah ibn Abdullah ibn Xhebri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shenjë e imanit është dashuria e ensarëve, kurse shenjë e hipokrizisë është urrejtja ndaj ensarëve.”
5. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ drejtuar ensarëve: “Ju jeni njerëzit më të dashur tek unë.”
3785. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ pa disa gra e fëmijë duke u kthyer, - Abdulazizi thotë: - Kujtoj se ka thënë: - prej një dasme dhe u ngrit në këmbë e u tha tri herë: “Për Allahun, ju (ensarët) jeni njerëzit më të dashur tek unë.”
3786. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jakub ibn Ibrahim ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Behz ibn Esedi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Zejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua ensare vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ duke bartur një fëmijë me vete. I Dërguari i Allahut ﷺ i foli asaj dhe i tha dy herë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ju (ensarët) jeni njerëzit më të dashur tek unë.”
6. Nënkapitulli: Pasuesit e ensarëve
3787. Nga: Zejd ibn Erkami
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Amri, e ky e ka dëgjuar Ebu Hamzain se Zejd ibn Erkami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ensarët thanë: “O i Dërguari i Allahut, çdo pejgamber ka pasues, ndërkohë ne të kemi pasuar ty. Prandaj, lute Allahun që edhe pasuesit tanë të jenë nga mesi ynë. Kështu, Pejgamberi ﷺ bëri dua për këtë.”
ِAmri thotë: “Ia paraqita këtë Ibn Ebu Lejlës e ai më tha: “Kështu ka pohuar Zejdi.”
3788. Nga: Zejd ibn Erkami
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Amër ibn Murra se Ebu Hamzai, një burrë ensar (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ensarët thanë: “O i Dërguari i Allahut, çdo popull ka pasues, ndërkohë ne të kemi pasuar ty. Prandaj, lute Allahun që edhe pasuesit tanë të jenë nga mesi ynë.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, bëji pasuesit e tyre nga mesi i tyre!”
Amri ka thënë: “Ia përmenda këtë Ibn Ebu Lejlës e ai më tha: “Kështu ka pohuar Zejdi.” Shuëbe ka thënë: “Kujtoj se është për qëllim Zejd ibn Erkami.”
7. Nënkapitulli: Vlera e familjeve ensare
3789. Nga: Ebu Usejd Malik Saidiu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden, e ky nga Enes ibn Maliku se Ebu Usejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Familjet më të mira ensare janë: familja e benu nexharit, pastaj familja e benu abduleshhelit, pastaj ajo e benu Harith ibn Hazrexhit dhe më pas familja e benu saides, ndonëse në të gjitha familjet ensare ka mirësi.”
Atëherë Sad ibn Ubade tha: “Mendoj se Pejgamberi ﷺ i vlerësoi ata kundrejt nesh.” Dikush i tha: “Ai ju vlerësoi ju më shumë se shumë fise të tjera.”
Abdusamedi ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Katade, e ky e ka dëgjuar Enesin. Kështu transmeton edhe Ebu Usejdi nga Pejgamberi ﷺ, dhe thotë: “Sad ibn Ubade.”
3790. Nga: Ebu Usejd Malik Saidiu
Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Usejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë thënë: “Ensarët më të mirë, - ose ka thënë: familjet më të mira ensare, - janë familja e benu nexharit, pastaj familja e benu abduleshhelit, pastaj e benu harithit, pastaj ajo e benu saides.”
3791. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e këtij i ka treguar Amër ibn Jahjai, e ky nga Abas ibn Sehli se Ebu Humejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Familja më e mirë ensare është familja e benu nexharit, pastaj ajo e benu abduleshhelit, pastaj familja e benu harithit, pastaj ajo e benu saides, ndonëse në çdo familje ensare ka mirësi.”
Sad ibn Ubade shkoi dhe tha: “O Ebu Usejd, a nuk e vërejte se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ i vlerësoi ensarët, ne na renditi të fundit?” Më pas Sadi shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, kur u vlerësuan familjet ensare, ne u renditëm të fundit.” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “A nuk ju mjafton të jeni në mesin e të zgjedhurve?”
8. Nënkapitulli: Porosia e Pejgamberit ﷺ drejtuar ensarëve: “Bëni durim, derisa të më takoni te Hauzi.”
Këtë e transmeton edhe Abdullah ibn Zejdi nga Pejgamberi ﷺ.
3792. Nga: Usejd ibn Hudajri
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden, e ky nga Enes ibn Maliku se Usejd ibn Hudajri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë ensar tha: “O i Dërguari i Allahut, a nuk më cakton prijës edhe mua, siç e ke caktuar filanin?” Pejgamberi ﷺ tha: “Pas meje do të hasni anashkalim të të drejtave tuaja (nga prijësit), andaj bëni durim, derisa të më takoni te Hauzi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3792
Fjalë të panjohura?
3793. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hishami se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u ka thënë ensarëve: “Pas meje do të hasni në anashkalim të të drejtave tuaja (nga prijësit), por bëni durim, derisa të më takoni, e takimi do të jetë te Hauzi.”
3794. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Jahja ibn Seidi, teksa po shkonte te Velidi me Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se e dëgjoi Enesin duke thënë: “Pejgamberi ﷺ i thirri ensarët që t'u jepte tokë në Bahrejn, por ata thanë: “Jo, vetëm nëse u jep edhe vëllezërve tanë muhaxhirë aq sa na jep neve.” Pejgamberi ﷺ u tha: “E, nëse jo, atëherë bëni durim, derisa të më takoni (te Hauzi), sepse pas meje do të hasni në anashkalim të të drejtave tuaja (nga prijësit).”
9. Nënkapitulli: Lutja e Pejgamberit ﷺ: “(O Allah,) bëji të dobishëm ensarët dhe muhaxhirët!”
3795. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Ijasi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“(O Allah) jeta e vërtetë është ajo në ahiret,
Bëji të dobishëm ensarët dhe muhaxhirët!”
Katadja transmeton njëjtë nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “... fali ensarët...!”
3796. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në ditën e Hendekut ensarët thoshin:
"Ne jemi ata që Muhamedit (ﷺ) i jemi besatuar,
Për xhihad, sa të jemi gjallë e sa të kemi për të jetuar.”
Pejgamberi ﷺ u përgjigjej:
“O Allah, jeta e vërtetë është ajo në ahiret,
Andaj, ensarët dhe muhaxhirët nderoji krejt!”
3797. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Muhamed ibn Ubejdullahu më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa ishim duke hapur hendekun dhe bartnim dheun me shpatullat tona, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi dhe tha:
“O Allah, jeta e vërtetë është ajo në ahiret,
Andaj, ensarët dhe muhaxhirët fali krejt!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3797
Fjalë të panjohura?
10. Nënkapitulli: Ajeti: “... por ata u jepnin përparësi atyre (muhaxhirëve) para vetvetes, edhe pse vetë janë nevojtarë.”
3798. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Davudi, e ky nga Fudajl ibn Gazvani, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ (për të kërkuar ushqim). Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë te gratë e tij (për të pyetur nëse ka ushqim), por ato thanë: “Nuk kemi asgjë, përpos ujit.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush e merr, - ose ka thënë: kush e gostit, - këtë?”
- Unë, - tha një ensar, dhe shkoi me mysafirin te gruaja e tij e i tha: “Nderoje mysafirin e të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
- Nuk kemi asgjë, përpos ushqimit të fëmijëve, - ia ktheu ajo.
- Përgatite ushqimin, ndize kandilin dhe, kur fëmijët të kërkojnë darkën, vëri në gjumë, - tha ai.
Kështu, ajo e përgatiti ushqimin, e ndezi kandilin dhe fëmijët i vuri në gjumë. (Pasi e shtroi darkën) ajo shkoi te kandili dhe bënte sikur po rregullonte diçka dhe e fiku (qëllimisht). Të dy (bashkëshortët) shtireshin se po hanin ushqim dhe natën e kaluan të uritur. Në mëngjes, kur shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ai i tha: “Allahu qeshi mbrëmë, - ose ka thënë: u çudit, - me veprimin tuaj.” Atëherë, Allahu zbriti ajetin: “... Ata u jepnin përparësi atyre (muhaxhirëve) para vetvetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 9)
11. Nënkapitulli: Hadithi: “Pranoni prej bamirësve (mirësitë e tyre) dhe anashkaloni keqbërësit (gabimet e tyre).”
3799. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Jahja Ebu Aliu më ka thënë: Na ka treguar Shadhani, vëllai i Abdanit, e këtij i ka treguar babai i tij, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe ibn Haxhaxhi, e ky nga Hisham ibn Zejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri dhe Abasi kaluan pranë një ndeje të ensarëve, të cilit po qanin. Njëri i pyeti: “Pse po qani?” Ata thanë: “Na u kujtua ndeja me Pejgamberin ﷺ.” Atëherë ai shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi për këtë. Pejgamberi ﷺ doli, me kokë të lidhur me një copë rrobe, hipi në minber, për herë të fundit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Ju porosis të silleni mirë me ensarët, sepse ata janë miqtë dhe të veçantët e mi (e ruajnë sekretin dhe amanetin tim). Ata e kanë kryer obligimin që e kishin dhe u ka mbetur ajo që u takon (hyrja në Xhenet). Pranoni (mirësitë) prej bamirësit të tyre dhe faljani (gabimet) keqbërësit të tyre.”
3800. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ahmed ibn Jakubi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Gasili, e ky e ka dëgjuar Ikrimen se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ doli (nga shtëpia për në xhami) me një çarçaf të hedhur krahëve dhe një çallmë të zezë (në kokë). U ul në minber, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas; O ju njerëz! Njerëzit e tjerë po shtohen, kurse ensarët po pakohen, derisa të mbesin si kripa në ushqim. Cilido nga ju (o muhaxhirë) që merr ndonjë post, me të cilin dëmton dikë ose i bën mirë (le të kujdeset për ensarët), le të pranojë prej bamirësit të tyre (mirësitë) dhe le t'ia falë keqbërësit (gabimet).”
3801. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ensarët janë miqtë dhe të veçantët e mi (e ruajnë sekretin dhe amanetin tim). Njerëzit do të shtohen, kurse ata (ensarët) do të pakohen. Andaj, pranoni (mirësitë) prej bamirësit të tyre dhe faljani (gabimet) keqbërësit të tyre.”
12. Nënkapitulli: Virtytet e Sad ibn Muadhit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3802. Nga: Bera ibn Azibi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i dhuruan një xhybe prej mëndafshi. Njerëzit filluan ta preknin dhe të mahniteshin me butësinë e saj. Por, Pejgamberi ﷺ u tha: “Po mahniteni nga butësia e saj? Mindilët (shamitë e dorës) e Sad ibn Muadhit (në Xhenet) janë më të mira, - ose ka thënë: më të buta - se kjo.”
Katadja dhe Zuhriu e kanë dëgjuar Enesin duke e transmetuar këtë nga Pejgamberi ﷺ.
3803. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Fadël ibn Museviri, dhëndri i Ebu Avanes, e këtij i ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Sufjani se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Arshi është dridhur për vdekjen e Sad ibn Muadhit.”
Ameshi na ka thënë: “Njëjtë na ka treguar edhe Ebu Salihu nga Xhabiri, e ky nga Pejgamberi ﷺ.” Ndërkaq një person i pati thënë Xhabirit: “Berai po thotë: “Është dridhur shtrati.” Ai ia ktheu: Mes këtyre dy mëhallëve ka pasur inate, porse unë e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Arshi i të Gjithëmëshirshmit është dridhur për vdekjen e Sad ibn Muadhit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3803
Fjalë të panjohura?
3804. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Umame ibn Sehël ibn Hunejfi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa njerëz kërkuan të gjykohen nga Sad ibn Muadhi, prandaj Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë për ta thirrur. Kështu, Sadi erdhi hipur në një gomar. Kur iu afrua xhamisë, Pejgamberi ﷺ tha: “Ngrihuni në këmbë për më të mirin tuaj, - ose ka thënë: për zotërinë tuaj.” Pastaj shtoi: “O Sad, këta kërkuan që t'i gjykosh ti.” Ai iu përgjigj: “Unë gjykoj që, luftëtarët të vriten, kurse gratë e fëmijët të robërohen.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Gjykove sipas gjykimit të Allahut, - ose ka thënë: sipas gjykimit të Mbretit (Allahut).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3804
Fjalë të panjohura?
13. Nënkapitulli: Virtytet e Usejd ibn Hudajrit dhe Abad ibn Bishrit, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
3805. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Habani, e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka rrëfyer Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, gjatë një nate të errët dy njerëz dolën prej shtëpisë së Pejgamberit ﷺ dhe një dritë u paraqit pranë tyre, e cila vazhdoi t'i përcjellë derisa u ndanë, e në atë rast drita u nda në dysh.
Mameri transmeton nga Thabiti se Enesi ka thënë: “(Ata ishin) Usejd ibn Hudajri dhe një burrë ensar.”
Hamadi ka thënë: “Na ka treguar Thabiti se Enesi ka thënë: “Usejd ibn Hudajri dhe Abad ibn Bishri ishin te Pejgamberi ﷺ.”
14. Nënkapitulli: Virtytet e Muadh ibn Xhebelit, Allahu qoftë i kënaqur me të
3806. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Amri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Mesruku se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mësojeni Kuranin prej katër personave:
1. Ibn Mesudit,
2. Salimit, të çrobëruarit të Ebu Hudhejfes,
3. Ubej (ibn Kabit) dhe
4. Muadh ibn Xhebelit.”
15. Nënkapitulli: Virtytet e Sad ibn Ubades, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Aishja ka thënë: "Para kësaj ishte burrë i mirë."
3807. Nga: Ebu Usejd Malik Saidiu
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Katadja, e ky e ka dëgjuar Enes ibn Malikun se Ebu Usejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Familja më e mirë ensare është ajo e benu nexharit, pastaj e benu abduleshhelit, pastaj e benu Harith ibn Hazrexhit dhe pastaj familja e benu saides, ndonëse në çdo familje ensare ka mirësi.”
Atëherë Sad ibn Ubade, - i cili ishte i hershëm në Islam, - tha: “Mendoj se i Dërguari i Allahut ﷺ i vlerësoi ata kundrejt nesh.” Dikush i tha: “Ai ju vlerësoi ju mbi shumë njerëz të tjerë.”
16. Nënkapitulli: Virtytet e Ubej ibn Kabit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3808. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Amër ibn Murra, e ky nga Ibrahimi se Mesruku tregon: “Abdullah ibn Mesudi u përmend në prani të Abdullah ibn Amrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tha: “Këtë njeri e dua që kur e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Mësojeni Kuranin prej katër personave:
1. Abdullah ibn Mesudit, - pra, filloi me emrin e tij, -
2. Salimit, të çrobëruarit të Ebu Hudhejfes,
3. Muadh ibn Xhebelit dhe
4. Ubej ibn Kabit.”
3809. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e ky e ka dëgjuar Shuëben, e ky e ka dëgjuar Kataden se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Ubejit: “Allahu më urdhëroi të t'i lexoj këto ajete: “Ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, nuk do të largoheshin (nga mosbesimi i tyre), derisa t'u vinte dëshmia e qartë.” (Bejineh, 1) Ai pyeti: “Më përmendi me emër, vallë?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Po.” Atëherë Ubeji qau.”
17. Nënkapitulli: Virtytet e Zejd ibn Thabitit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3810. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Shuëbe se Katadja tregon se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ katër persona e kishin mësuar Kuranin komplet prej Pejgamberit ﷺ, që të gjithë ishin ensarë:
1. Ubeji,
2. Muadh ibn Xhebeli,
3. Ebu Zejdi dhe
4. Zejd ibn Thabiti.
Katadja ka thënë: “E pyeta Enesin: “Kush është Ebu Zejdi?” Ai u përgjigj: “Një xhaxha imi.”
18. Nënkapitulli: Virtytet e Ebu Talhait, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3811. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në ditën e Uhudit, njerëzit u shpartalluan (dhe hoqën dorë) prej mbrojtjes së Pejgamberit ﷺ. Ebu Talhai qëndronte para Pejgamberit ﷺ duke e mbrojtur me mburojën e tij, i cili ishte shenjëtar i fortë me hark. Atë ditë theu dy-tri harqe, e, kur kalonte ndonjëri që kishte trastë me shigjeta, Pejgamberi ﷺ thoshte: “Jepja Ebu Talhait.” Pejgamberi ﷺ ngrihej t'i shikonte njerëzit, kurse Ebu Talhai i thoshte: “O i Dërguari i Allahut, kurban t'u bëfsha me babë e nënë, mos u ngrij, se po të godet ndonjë shigjetë e armikut. Gjoksi im e mbron gjoksin tënd.” Atë ditë, i pashë të përvjela Aishe bint Ebu Bekrin dhe Umu Sulejmin, saqë ua dalloja byzylykët e këmbëve, duke shpejtuar me enët e ujit në shpinë. Ato u jepnin ujë ushtarëve për të pirë, pastaj ktheheshin, i mbushnin dhe sërish u jepnin ushtarëve për të pirë. (Atë ditë) Ebu Talhait i ra shpata nga dora, dy-tri herë.”
19. Nënkapitulli: Virtytet e Abdullah ibn Selamit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3812. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e këtij i ka treguar Ebu Nadri, i çrobëruari i Omer ibn Ubejdullah ibn Amir ibn Sad ibn Ebu Vekasit, e ky nga babai i tij se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë për dikë që ecën në Tokë se është banor i Xhenetit, përveç për Abdullah ibn Selamin. Në lidhje me të ka zbritur ajeti: “Thuaj: “Më tregoni mua se, nëse ai (Kurani) është prej Allahut, e ju e mohuat (si do të jetë puna juaj), ndërsa një dëshmitar nga benu israilët e dëshmoi si të tillë (të zbritur prej Allahut) dhe i besoi, kurse ju bëtë kryelartësi (a nuk jeni zulllumqarë)? E, s'ka dyshim se Allahu një popull që është mizor, nuk e udhëzon në rrugën e shpëtimit.” (Ahkaf, 10)
Referenca: Sahihu i Buhariut 3812
Fjalë të panjohura?
3813. Nga: Abdullah ibn Selami
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ez'her Semani, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi se Kajs ibn Ubadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha ulur në Xhaminë e Medinës, hyri një njeri, i cili në fytyrë kishte shenja përuljeje. Disa thanë: “Ky njeri është banor i Xhenetit.” Kështu, ai i fali dy rekate të shkurtra, pastaj doli. Shkova pas tij dhe i thashë: “Kur hyre në xhami, thanë: “Ky njeri është banor i Xhenetit.”
- Betohem në Allahun se nuk i takon askujt të flasë për diçka që nuk di. Megjithatë, po të tregoj përse kanë thënë kështu: Në kohën e Pejgamberit ﷺ pashë një ëndërr, të cilën ia tregova Pejgamberit ﷺ: pashë sikur isha në një kopsht, - pastaj përmendi gjerësinë dhe gjelbërimin e tij. - Në mes kishte një shtyllë prej hekuri: fillimin e kishte në tokë, kurse fundin në qiell, dhe në fund kishte një nyjë. Më thanë: “Ngjitu!”, por unë thashë: “Nuk mundem.” Atëherë erdhi një shërbëtor, i cili e ngriti rrobën time nga mbrapa dhe u ngjita derisa arrita te fundi. Aty e kapa nyjën dhe më thanë: “Kape fort!” E mbaja në dorë, derisa u zgjova. Këtë ia rrëfeva Pejgamberit ﷺ, i cili më tha: “Ai kopsht është Islami, shtylla (e përmendur) është shtylla e Islamit, ndërsa nyja është nyja e fortë (Islami). Ti do të jesh në Islam deri në vdekje” - tha ky burrë, i cili ishte Abdullah ibn Selami.
Halife më ka thënë: “Na ka treguar Muadhi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi, e këtij i ka treguar Kajs ibn Ubade, e ky nga Ibn Selami se për fjalën “shërbëtor" ka përdor fjalën “vesif" në vend të “minsaf”.
3814. Nga: Ebu Burde ibn Ebu Musa
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Seidi i biri i Ebu Burdes, se babai i tij Ebu Burde tregon: “Shkova në Medinë, ku takova Abdullah ibn Selamin, i cili më tha: “Pse nuk vjen (tek unë) të të gostit me pak bukë dhe hurma e të hysh në shtëpi (në të cilën ka hyrë Pejgamberi ﷺ)?” Pastaj më tha: “Ti je në një vend ku është përhapur kamata, prandaj, nëse dikush të ka borxh dhe të dhuron një barrë byk ose një barrë elb a një barrë kashtë, mos e merr, sepse kjo është kamatë.”
Nadri, Ebu Davudi dhe Vehbiu nuk e kanë përmendur nga Shuëbe (shprehjen): “në shtëpi”.
20. Nënkapitulli: Martesa e Pejgamberit ﷺ me Hadixhen dhe vlera e saj, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3815. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abde, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Xhaferin, e ky e ka dëgjuar Aliun, e ky e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ. [t]: Sadaka më ka thënë: “Na ka rrëfyer Abde ibn Hishami, e ky nga babai i tij, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Xhaferin se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gruaja më e mirë e atyre (benu israilëve) ka qenë Merjemja, kurse gruaja më e mirë e këtyre (arabëve) është Hadixhja.”
3816. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka shkruar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në asnjë grua të Pejgamberit ﷺ nuk kam xhelozuar asnjë grua sikurse Hadixhen, sepse e dëgjoja tek e përmendte shumë shpesh. Ajo vdiq para se Pejgamberi ﷺ të martohej me mua. Allahu e pati urdhëruar (Pejgamberin ﷺ) që ta përgëzojë atë me një shtëpi prej margaritari (në Xhenet). Ai therte dele dhe u dhuronte shoqeve të saj mish aq sa kishin nevojë.”
3817. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Humejd ibn Abdurrahmani, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk kam xhelozuar asnjë grua sikurse Hadixhen, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ e përmendte shumë shpesh. Me mua u martua tre vjet pas (vdekjes së) saj. Allahu i Madhëruar, - ose ka thënë: Xhibrili ﷺ, - e urdhëroi që ta përgëzojë me një shtëpi prej margaritari në Xhenet.”
3818. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Omer ibn Muhamed ibn Haseni më ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Hafsi nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Nuk kam xhelozuar asnjë grua të Pejgamberit ﷺ sikurse Hadixhen, edhe pse kurrë nuk e kam parë atë. Pejgamberi ﷺ e përmendte shumë shpesh. Nganjëherë ai therte dele, pastaj e copëtonte dhe ua dërgonte shoqeve të Hadixhes. Ndonjëherë i thosha: “Thua se nuk ka asnjë grua tjetër në botë pos Hadixhes!” Ai thoshte: “Ajo ka qenë kështu e ashtu dhe me të kam pasur fëmijë.”
3819. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai se Ismail ibn Ebu Halidi tregon: “E pyeta Abdullah ibn Ebu Eufain (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A e ka përgëzuar Pejgamberi ﷺ Hadixhen me diçka?”
Ai iu përgjigj: “Po, me një shtëpi prej margaritari (në Xhenet), në të cilën nuk ka as zhurmë, as lodhje.”
3820. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli, e ky nga Umare, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një ditë, kur Xhibrili erdhi te Pejgamberi ﷺ, i tha: “O i Dërguari i Allahut, ja, po vjen Hadixhja me një enë me ngjëratë, - ose ka thënë: ushqim, ose ka thënë: pije. - Kur të mbërrijë, jepi selam prej Zotit të saj dhe prej meje, si dhe përgëzoje me një shtëpi prej margaritari në Xhenet, në të cilën nuk ka as zhurmë, as lodhje.”
3821. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismail ibn Halili na ka thënë: Na ka rrëfyer Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Hala bint Huvejlidi, motra e Hadixhes, kërkoi leje (për të hyrë) prej të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai e njohu zërin e saj, i cili i ngjante Hadixhes, andaj brofi në këmbë dhe tha: “O Allah, qoftë Halah!”
Aishja tha: “Unë xhelozova, andaj thashë: “Ajo që po përmend është një prej plakave të kurejshëve që nuk kanë dhëmbë, e cila ka vdekur qëmoti, ndërkohë Allahu ta ka zëvendësuar me një më të mirë se atë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3821
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Përmendja e Xherir ibn Abdullah Bexheliut, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3822. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Is'hak Vasitiu na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e ky nga Bejani, e ky e ka dëgjuar Kajsin se Xherir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Që kur jam bërë musliman, i Dërguari i Allahut ﷺ asnjëherë nuk më ka refuzuar që të hyj në shtëpinë e tij dhe, sa herë që më ka parë, ka buzëqeshur.”
3823. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Kajsi transmeton se Xherir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e injorancës ka qenë një shtëpi që quhej Dhu Halasa, së cilës i thoshin Qabeja Jemenase ose Qabeja e Shamit. I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “A nuk ma heq qafe Dhul Halasën?” Kështu, u nisa drejt saj me njëqind e pesëdhjetë kalorës nga fisi ahmes. E rrënuam atë e i vramë ata që ishin aty. Pastaj u kthyem dhe i treguam Pejgamberit ﷺ, i cili u lut për ne dhe për fisin ahmes.”
22. Nënkapitulli: Përmendja e Hudhejfe ibn Jeman Abesiut, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3824. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismail ibn Halili më ka thënë: Na ka rrëfyer Seleme ibn Rexhai, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Uhudit, kur idhujtarët u mposhtën, Iblisi pati thirrur: “O robër të Allahut! Mbrapa jush!” Kështu, ata që ishin përpara, u kthyen mbrapa dhe u përballën me të fundit. Hudhejfe shikoi dhe e pa babanë e vet, e në atë rast thirri: “O robër të Allahut, (ai është) babai im, babai im!” Por, ata nuk u ndalën, derisa e vranë. Pastaj Hudhejfe tha: “Allahu ju faltë!”
Urve tregon: “Hudhejfe vazhdonte të bënte lutje dhe të kërkonte falje për atë që ia vrau babanë gabimisht, deri në vdekje.”
23. Nënkapitulli: Përmendja e Hind bint Utbe ibn Rebias, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3825. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hind bint Utbe erdhi te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, mbi tokë nuk kishte familje që dëshiroja të përçmohen më shumë sesa familja jote, porse sot nuk ka familje mbi tokë që dëshiroj të jetë krenare më shumë sesa familja jote.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se edhe unë ashtu (për familjen tënde).” Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut, Ebu Sufjani është dorështrënguar, andaj a kam mëkat nëse e ushqej familjen tonë me pasurinë e tij (pa lejen e tij)?” Ai iu përgjigj: “Jo (mos merr), përveç (sa ju mjafton) pa e tepruar.”
24. Nënkapitulli: Tregimi i Zejd ibn Amër ibn Nufejlit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3826. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Ebu Bekri më ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musai, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Para se Pejgamberit ﷺ t'i zbriste shpallja, e takoi Zejd ibn Amër ibn Nufejlin poshtë luginës Beldeh. Aty Pejgamberit ﷺ i shtruan një sofër, por ai refuzoi të hante prej saj. Pastaj Zejdi tha: “Unë nuk ha atë që ju e therni për idhujt tuaj, por vetëm atë që është therur në emër të Allahut.” Zejd ibn Amri i qortonte kurejshët për therjen që bënin dhe u thoshte: “Delen e ka krijuar Allahu, ia zbret ujin prej qiellit dhe bimët i nxjerr prej tokës, pastaj ju e therni atë jo në emër të Allahut?!” Pra, i kundërshtonte ata dhe e madhëronte Allahun.”
3827. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musai na ka thënë: Më ka treguar Salim ibn Abdullahu, të cilit jam i bindur se i është thënë se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Zejd ibn Amër ibn Nufejli vajti në Sham, për ta kërkuar dhe për ta pasuar fenë e vërtetë. Atje takoi një dijetar hebre, të cilin e pyeti për fenë e tyre, e ai i tha:
- Tregomë për fenë tuaj, që unë ta pasoj atë.
- Nuk mund të hysh në fenë tonë, pa marrë një pjesë të hidhërimit të Allahut, - iu përgjigj ai.
- Unë prej hidhërimit të Allahut jam duke ikur. Aspak nuk mund të përballoj hidhërimin e Tij, ndërkohë unë mund ta evitoj atë. A më drejton në diçka tjetër? - pyeti Zejdi.
- Nuk di diçka tjetër, përpos fesë së natyrshmërisë, - tha hebreu.
- Ç'është feja e natyrshmërisë? - pyeti Zejdi.
- Feja e Ibrahimit, i cili nuk ka qenë as hebre, as i krishterë dhe nuk adhuronte askënd përpos Allahut, - tha ai.
Kështu, Zejdi vazhdoi rrugëtimin derisa takoi një dijetar të krishterë dhe e pyeti për të njëjtat gjëra.
- Nuk mund të hysh në fenë tonë, pa marrë një pjesë të mallkimit të Allahut, - iu përgjigj i krishteri.
- Unë prej mallkimit të Allahut jam duke ikur. Aspak nuk mund të përballoj mallkimin e as hidhërimin e Tij, ndërkohë unë mund ta evitoj atë! A më drejton në diçka tjetër? - tha Zejdi.
- Nuk di diçka tjetër, përpos fesë së natyrshmërisë, - tha ai.
- Ç'është feja e natyrshmërisë?, - pyeti Zejdi.
- Feja e Ibrahimit, i cili nuk ka qenë as hebre, as i krishterë dhe nuk adhuronte askënd përpos Allahut, - tha ai.
Kur Zejdi i dëgjoi fjalët e tyre për Ibrahimin ﷺ, u largua dhe, pasi u vetmua, i ngriti duart dhe u lut: “O Allah, të kam dëshmitar se unë jam në fenë e Ibrahimit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3827
Fjalë të panjohura?
3828. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Lejthiu na ka thënë: Më ka shkruar Hishami, e ky nga babai i tij se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) thotë: “E kam parë Zejd ibn Amër ibn Nufejlin tek qëndronte në këmbë, i mbështetur me shpinë në Qabe duke thënë: “O ju kurejshë, betohem në Allahun se asnjë prej jush nuk është në fenë e Ibrahimit, përpos meje.”
Ai i shpëtonte vajzat e varrosura (për së gjalli). Kur dikush donte ta vriste vajzën e vet, ai i thoshte: “Mos e mbyt, se unë kujdesem për shpenzimet e saj”, - dhe e merrte vajzën nën përkujdesje. Kur ajo rritej, i thoshte babait të saj: “Po deshe, po ta kthej, përndryshe, unë mund të vazhdoj të kujdesem për shpenzimet e saj.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3828
Fjalë të panjohura?
25. Nënkapitulli: Ndërtimi i Qabesë
3829. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Mahmudi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Dinari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur u ndërtua Qabeja, Pejgamberi ﷺ dhe Abasi bartnin gurë. Abasi i tha Pejgamberit ﷺ: “Vendose izarin në qafë, që të të mos dëmtojnë gurët.” Por (me të vepruar kësisoj), ai ra përtokë dhe sytë i mbetën drejt qiellit. Pastaj, kur iu rikthye vetëdija, tha: “Ma jepni izarin, ma jepni izarin”, e në atë rast e lidhi fort në trup.”
3830. Nga: Ubejdullah ibn Ebu Jezidi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi se Amër ibn Dinari dhe Ubejdullah ibn Ebu Jezidi kanë thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ njerëzit faleshin rreth Qabesë, e cila nuk ishte e rrethuar me mur, derisa erdhi Omeri dhe ndërtoi një mur rreth saj.” Ubejdullahu shton: “Murin që e ndërtoi Omeri ishte i shkurtër, por Ibn Zubejri e ngriti atë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3830
Fjalë të panjohura?
26. Nënkapitulli: Periudha paraislame
3831. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në periudhën paraislame kurejshët e agjëronin ditën e Ashures, e edhe Pejgamberi ﷺ e agjëronte. Edhe kur erdhi në Medinë, vazhdoi ta agjërojë atë ditë dhe urdhëroi të agjërohet. Por, me t'u obliguar agjërimi i Ramazanit, kush donte, e agjëronte edhe Ashuren, e, kush donte, nuk e agjëronte atë.”
3832. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njerëzit (e periudhës paraislame) kanë pasur bindjen se umra në muajt e haxhit është mëkati më i madh në tokë, ndërsa muajin safer e numëronin për muaj të shenjtë.” Thoshin: “Pasi t'i shërohet shpina (devesë) e të largohen gjurmët, lejohet umra për atë që dëshiron.
I Dërguari i Allahut ﷺ me shokët e tij erdhën në ditën e katërt (të dhul hixhes) të hyrë në ihram për haxh. Pejgamberi ﷺ urdhëroi ta shndërrojnë në umre (e të lirohen prej ihramëve).” Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë lirimi prej ihramëve?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Lirim të tërësishëm.”
3833. Nga: Hazen ibn Ebu Vehbi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka thënë Amri, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi, e ky nga babai i tij se Hazen ibn Ebu Vehbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në periudhën paraislame ndodhi një vërshim që përmbyti çdo gjë mes dy maleve (luginën e Qabesë).”
Sufjani ka thënë: “Amri ka thënë: “Ky vërtet është një hadith me histori të gjatë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3833
Fjalë të panjohura?
3834. Nga: Kajs ibn Ebu Hazimi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Bejan Ebu Bishri se Kajs ibn Ebu Hazimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ebu Bekri shkoi te një grua e fisit ahmes, që quhej Zejnebe, dhe vuri re se ajo nuk fliste, andaj pyeti: “Çfarë ka kjo, që nuk flet?”
- Ajo kryen haxhin pa folur asgjë, - iu përgjigjën të pranishmit.
- Fol, se kjo nuk është e lejuar. Kjo është vepër e injorancës, - i tha Ebu Bekri.
Ajo filloi të flasë dhe pyeti: “Kush je ti?”
- Një muhaxhir, - ia ktheu Ebu Bekri.
- Prej cilit fis të muhaxhirëve?
- Prej kurejshëve.
- Prej cilës familje të kurejshëve?
- Ti pyetke shumë. Unë jam Ebu Bekri, - iu përgjigj ai.
- Sa do të qëndrojmë me këtë mirësi, të cilën Allahu e ka sjellë pas injorancës? - pyeti ajo.
- Do të qëndroni me të për aq sa prijësit tuaj do të jenë të drejtë, - iu përgjigj ai.
- Cilët janë prijësit? - pyeti ajo.
- A nuk kishte në popullin tënd kryetarë dhe udhëheqës, të cilët i urdhëronin njerëzit, kurse ata i respektonin?
- Po, - tha ajo.
- Këta janë prijësit e njerëzve, - tha Ebu Bekri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3834
Fjalë të panjohura?
3835. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ferve ibn Ebu Magrai më ka thënë: Na ka rrëfyer Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një robëreshë zezake e disa arabëve e pranoi Islamin. Ajo kishte një shtëpi të vogël brenda xhamisë dhe, nganjëherë, vinte e bisedonte me mua. Mirëpo, sa herë që mbaronte bisedën, i recitonte këto vargje:
"Ditën e shallit, Zoti ynë më mrekulloi,
Kur nga vendi i mosbesimit Ai më shpëtoi.”
Meqë e recitonte shpesh, Aishja e pyeti: “Ç'është dita e shallit?” Kështu, ajo i rrëfeu: “Një ditë, një vajzë e vogël e familjes së pronarëve të mi, doli e veshur me një shall lëkure, i cili i ra papritmas. Një gjeraqinë, duke menduar se ishte copë mishi, u ul dhe e rrëmbeu. (Familjarët dolën për ta kërkuar, por nuk e gjetën.) Kështu, më akuzuan mua për të dhe më munduan aq shumë, saqë më kontrolluan edhe në organin gjenital. Teksa qëndronin pranë meje dhe unë kisha hallin tim, gjeraqina erdhi sërish, u afrua në kokat tona dhe e hodhi shallin. Kështu, ata e morën shallin. Unë u thashë: “Ja ku është ajo për të cilën më akuzonit, ndërkohë unë isha e pafajshme.”
3836. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që dëshiron të betohet, të mos betohet (në asgjë), përveçse në Allahun.” Ndërkohë, kurejshët betoheshin në baballarët e tyre, andaj Pejgamberi ﷺ u tha: “Mos u betoni në baballarët tuaj!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3836
Fjalë të panjohura?
3837. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri se Abdurrahman ibn Kasimi tregon: “Kur Kasimi e përcillte xhenazen, ecte para saj, e (kur xhenazja kalonte pranë tij) nuk ngrihej në këmbë për të. Ai tregonte se Aishja ka thënë: “Njerëzit në periudhën paraislame ngriheshin në këmbë për xhenazen dhe, kur e shihnin atë, thoshin dy herë: “Si ke qenë në familje, ashtu gjetsh!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3837
Fjalë të panjohura?
3838. Nga: Omer ibn Hatabi
Amër ibn Abasi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Idhujtarët nuk largoheshin prej Muzdelifes derisa dielli të lindte mbi kodrën Thebir. Por, Pejgamberi ﷺ e ka kundërshtuar (veprimin e tyre) duke u larguar (prej Muzdelifes) para lindjes së diellit.”
3839. Nga: Ikrime, i çrobëruari i Ibn Abasit
Is'hak ibn Ibrahimi më ka treguar: I kam thënë Ebu Usames: Ju ka treguar Jahja ibn Muhelebi, e këtij i ka treguar Husajni se Ikrime, në lidhje me ajetin: “Dhe gota të mbushura (dihaka)”, (Nebe, 34) ka thënë: “(Me shprehjen “dihaka" është për qëllim) Të mbushura në vazhdimësi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3839
Fjalë të panjohura?
3840. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në periudhën paraislame e kam dëgjuar babanë tim duke thënë: “Na i mbush gotat plot në vazhdimësi (dihaka).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3840
Fjalë të panjohura?
3841. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdulmeliku, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fjalët më të vërteta, që një poet i ka thënë ndonjëherë, janë fjalët e Lebidit:
"Përveç Allahut, çdo gjë tjetër është e kotë.”
Ndërkaq, Umeje ibn Ebu Salti (një poet tjetër) gati sa nuk qe bërë musliman (me poezitë e veta).”
3842. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ebu Bekri kishte një rob që ia sillte fitimin ditor, fitim ky prej të cilit Ebu Bekri ushqehej. Një ditë, ai i solli diçka dhe, pasi Ebu Bekri e hëngri, robi i tha: “Vallë, e di çfarë ishte kjo?”
- Çfarë ishte? - pyeti Ebu Bekri.
- Në periudhën paraislame i pata bërë fall një njeriu, edhe pse nuk kisha fare njohuri në lidhje me të, mirëpo e mashtrova. Ai person më takoi dhe më pagoi për shërbimin që ia pata bërë. Ti hëngre prej kësaj pagese, - tha ai.
Atëherë, Ebu Bekri i futi gishtat (në gojë) dhe e volli gjithë atë që e kishte në bark.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3842
Fjalë të panjohura?
3843. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njerëzit e periudhës paraislame shisnin mishin e pjellës së pjellës së devesë.”
Pjella e pjellës nënkupton: të pjellë deveja, pastaj, ajo që lind të pjellë të voglin e vet. Tërë këtë (shitblerje) e ka ndaluar Pejgamberi ﷺ.
3844. Nga: Gajlan ibn Xheriri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Mehdiu se Gajlan ibn Xheriri tregon: “Kur shkonim tek Enes ibn Maliku, na fliste për ensarët. Nganjëherë më thoshte mua: “Në këtë ditë fisi yt ka bërë kështu e ashtu dhe në këtë ditë fisi yt ka bërë kështu e ashtu.”
27. Nënkapitulli: Betimi i të akuzuarve për shfajësim në periudhën paraislame
3845. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Katan Ebu Hejthemi, e këtij i ka treguar Ebu Jezid Medeniu, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Rasti i parë i betimit për shfajësim, në periudhën paraislame, ka ndodhur te ne, në familjen benu hashim. Kështu, një person (punëdhënës) prej një familjeje kurejshe mori një punëtor prej familjes benu hashim dhe morën rrugën së bashku me devetë e tij. Pranë tyre kaloi një person prej familjes benu hashim, të cilit i ishte këputur lidhësja e calikut dhe tha: “Më huazo një litar, që të lidh grykat e calikëve e të mos më ikin devetë.” Ai i dha një litar, me të cilin i lidhi grykat e calikëve.
Pastaj, kur (punëdhënësi dhe punëtori) u ndalën për të pushuar, i lidhën të gjitha devetë, përpos njërës. Atëherë punëdhënësi i tha: “Pse kjo deve nuk është lidhur sikurse të tjerat?”
- Nuk ka lidhëse, - iu përgjigj punëtori.
- Ku është lidhësja e saj? - pyeti punëdhënësi.
Sakaq e gjuajti me shkop, prej të cilit, më pas, punëtori vdiq.
Aty pranë kaloi një burrë jemenas, të cilin punëtori (në çastet e fundit të jetës) e pyeti: “Vallë, në haxh po shkon?”
- Nuk e kam ndërmend të shkoj, ndoshta edhe shkoj, - iu përgjigj ai.
- Kurdo që të shkosh, a mund të përcjellësh një amanet timin? - e pyeti punëtori.
- Po, - i tha jemenasi.
Atëherë punëtori i shkroi një letër: “Kur të shkosh në haxh, thirr: “O kurejshë!” Nëse të përgjigjen, thirr: “O benu hashimë!” Nëse të përgjigjen, kërkoje Ebu Talibin dhe tregoji se filani më ka mbytur për një litar.” Pastaj punëtori vdiq.
Me të ardhur punëdhënësi në Mekë, Ebu Talibi shkoi dhe e pyeti:
- Çfarë ndodhi me njeriun tonë?
- U sëmur, ndërkohë unë u kujdesa mirë për të, pastaj edhe e varrosa, - tha punëdhënësi.
- Kjo pritej prej teje, - tha Ebu Talibi.
Pas njëfarë kohe, personi jemenas, të cilin punëtori e kishte porositur që t'ia përcjellë amanetin, vajti në haxh dhe thirri:
- O kurejshë!
- Këta janë kurejshët, - iu përgjigjën.
- O benu hashimë! - thirri sërish.
- Këta janë benu hashimët, - i thanë.
- Ku është Ebu Talibi? - pyeti jemenasi.
- Ja, ky është Ebu Talibi, - i thanë.
- Filani më ka porositur t'jua përcjell këtë amanet: “Filani (punëdhënësi) më ka vrarë për një litar”, - tha jemenasi.
Atëherë Ebu Talibi vajti te punëdhënësi dhe i tha: “Zgjidh njërën prej tri gjërave: ti ke vrarë njeriun tonë, andaj, nëse do, jepi njëqind deve, e, nëse jo, le të betohen pesëdhjetë persona nga fisi yt se ti nuk e ke vrarë. E, nëse refuzon, atëherë ne të vrasim ty si hakmarrje për të.” Ai vajti te fisi i vet, të cilët (pasi u tregoi) thanë: “Po, do të betohemi.” Një grua e familjes benu hashim, e cila ishte e martuar tek ata (që do të betoheshin), që njëherazi kishte një djalë, vajti tek Ebu Talibi dhe i tha: “O Ebu Talib, dua që ta lejosh djalin tim që të mos betohet, ashtu që të mos jetë prej të pesëdhjetëve dhe të mos e obligosh të betohet aty ku obligohen betimet.” Ai e pranoi këtë. Pastaj, një tjetër shkoi dhe i tha: “O Ebu Talib, kërkove pesëdhjetë persona që të betohen kundrejt njëqind deveve, (që i i bie) për çdo njeri dy deve. Ja këto dy deve, pranoji prej meje dhe mos më obligo të betohem aty ku obligohen betimet.” Ai i pranoi devetë dhe kështu dyzet e tetë të tjerët erdhën dhe u betuan.
Ibn Abasi tregon: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se dyzet e tetë të tjerët vdiqën pa u mbushur një vit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3845
Fjalë të panjohura?
3846. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Dita e Buathit ishte një ditë që Allahu ia përgatiti të Dërguarit të Tij ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ shkoi në Medinë, ndërkaq populli ishte përçarë dhe udhëheqësit e tyre ishin vrarë ose ishin plagosur. Allahu ia përgatiti këtë gjendje të Dërguarit të Tij ﷺ, që ata (populli i Medinës) të hyjnë në Islam.”
3847. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Vehbiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Amri, e ky nga Bukejr ibn Eshexhi, e këtij i ka treguar Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Vrapimi në luginën mes Safasë dhe Mervës nuk është sunet. Këtë vrapim e bënin njerëzit e periudhës paraislame. Ata thoshin: “Luginën e kalojmë vetëm duke vrapuar shpejt.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3847
Fjalë të panjohura?
3848. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Muhamed Xhufiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka rrëfyer Mutarrifi, e ky e ka dëgjuar Ebu Seferin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “O ju njerëz, më dëgjoni çfarë po ju them, pastaj thoni ç'keni për të thënë. (Dëgjoni mirë e) mos thoni: “Ibn Abasi ka thënë..., Ibn Abasi ka thënë...” Pastaj vazhdoi: “Ai që bën tavaf rreth Qabesë, le të sillet jashtë Hixhrit dhe mos e quani atë Hatim (emër i Hixhrit në periudhën paraislame), sepse në periudhën paraislame, kur dikush betohej, e hidhte shkopin a nallanet ose harkun e vet (në Hixhër).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3848
Fjalë të panjohura?
3849. Nga: Amër ibn Mejmuni
Nuajm ibn Hamadi na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e ky nga Husajni se Amër ibn Mejmuni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në periudhën paraislame pata parë disa majmunë mbledhur rreth një majmuneje, e cila kishte bërë imoralitet, dhe e gurëzonin. Rrjedhimisht, edhe unë e gurëzova bashkë me ta.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3849
Fjalë të panjohura?
3850. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ubejdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ndër veset e periudhës paraislame janë: fyerja e prejardhjeve, vajtimi... Ndërkaq, të tretën, transmetuesi e ka harruar.”
Sufjani shton: “Disa thonë se ajo është: kërkimi i shiut nga yjet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3850
Fjalë të panjohura?
28. Nënkapitulli: Shpallja e Muhamedit ﷺ për pejgamber
Muhamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdulmutalibit, i biri i Hashimit, i biri i Abdumenafit, i biri i Kusijit, i biri i Kilabit, i biri i Murras, i biri i Kabit, i biri i Luejit, i biri i Galibit, i biri i Fihrit, i biri i Malikut, i biri i Nadrit, i biri i Kinanes, i biri i Huzejmes, i biri i Mudrikes, i biri i Iljasit, i biri i Mudarrit, i biri i Nezarit, i biri i Meadit, i biri i Adnanit.
3851. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ahmed ibn Ebu Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Nadri, e ky nga Hishami, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i zbriti shpallja duke qenë në moshën dyzetvjeçare. Në Mekë qëndroi trembëdhjetë vjet, pastaj u urdhërua të bëjë hixhret për në Medinë, ku qëndroi dhjetë vjet dhe vdiq.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3851
Fjalë të panjohura?
29. Nënkapitulli: Vuajtjet që Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij i përjetuan prej idhujtarëve në Mekë
3852. Nga: Habab ibn Ereti
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Bejani dhe Ismaili, e këta të dy e kanë dëgjuar Kajsin se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shova te Pejgamberi ﷺ, i cili ishte shtrirë mbi një xhybe nën hijen e Qabesë, ndërkaq ne po vuanim shumë prej idhujtarëve, andaj i thashë: “O i Dërguari i Allahut, pse nuk po e lut Allahun për ne?” Ai u ul dhe, ndërsa fytyra iu skuq, tha: “Në popujt para jush kishte raste kur ndokush torturohej me krehër hekuri duke ia çjerrë mishin e trupit thellë deri në eshtra dhe palcë, por kjo nuk e lëkundte aspak nga feja e vet. Pastaj ia vendosnin sharrën në kokë dhe e ndanin përgjysmë, por kjo gjë nuk e lëkundte aspak nga feja e vet. Allahu do ta kompletojë këtë fe, saqë njeriu do të udhëtojë prej Sanasë deri në Hadramevt pa iu frikësuar askujt përveç Allahut.”
Bejani shton: “Ose ujkut për delet e veta.”
3853. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Esvedi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e lexoi suren Nexhm dhe ra në sexhde. Asnjë i pranishëm nuk mbeti pa rënë në sexhde, përveç një burri, i cili mori një grusht me guralecë, e ngriti në ballë dhe (duke ironizuar) bëri sexhde në to, pastaj tha: “Më mjafton kjo.” Më vonë, pashë se i njëjti person qe vrarë si jobesimtar.
3854. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte në sexhde (në Qabe), pranë tij ndodheshin disa idhujtarë kurejshë. Ukbe ibn Ebu Muajti mori ca zorrë deveje dhe ia hodhi Pejgamberit ﷺ në shpinë. Pejgamberi ﷺ nuk e ngriti kokën, derisa Fatimja vajti t'ia largojë pengesën nga shpina dhe u lut kundër atyre që bënë këtë gjë. (Pasi e ngriti kokën) Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, shkatërroji këta kurejshë! O Allah, shkatërroje Ebu Xhehël ibn Hishamin, Utbe ibn Rabian, Shejbe ibn Rabian dhe Umeje ibn Halefin, - ose ka thënë: Ubej ibn Halefin!” - Shuëbe është në mëdyshje. - Të gjithë këta, të cilëve Pejgamberi ﷺ ua përmendi emrat, i kam parë të vriten ditën e Bedrit e të hidhen në pus, përveç Umeje ibn Halefit, - ose ka thënë: Ubejit, - të cilit (meqë ka qenë burrë i madh e i shëndoshë) iu këputën gjymtyrët dhe nuk e hodhën në pus.”
3855. Nga: Abdullah ibn Abasi
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e këtij i ka treguar Seid ibn Xhubejri, - ose ka thënë: Më ka treguar Hakemi, - se Seid ibn Xhubejri tregon: “Abdurrahman ibn Ebzai më urdhëroi që ta pyes Ibn Abasin si qëndron puna e këtyre dy ajeteve: “Dhe mos mbytni njeriun që Allahu ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). (Isra, 33) dhe: “Kush mbyt një besimtar me qëllim...”, (Nisa, 93) e në atë rast Ibn Abasi tha: “Kur pati zbritur ajeti i sures Furkan, idhujtarët e Mekës patën thënë: “Ne kemi mbytur njerëz padrejtësisht, gjë që Allahu na ka ndaluar, krahas Allahut kemi lutur zota të tjerë, si dhe kemi bërë imoralitet. Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqiat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, andaj Ai fal shumë.” (Furkan, 70) Ky ajet është për ata (jobesimtarët). E, sa i përket ajetit të sures Nisa, kur njeriu e njeh Islamin dhe rregullat e tij, pastaj vret dikë, dënimi i tij do të jetë Xhehenemi, ku do të qëndrojë përgjithmonë.
Seid ibn Xhubejri thotë: “Këtë ia përmenda Muxhahidit, i cili tha: “Përveç atij që pendohet.”
3856. Nga: Urve ibn Zubejri
Ajash ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim Tejmiu se Urve ibn Zubejri tregon: “E pyeta Ibn Amër ibn Asin për gjënë më të rëndë që idhujtarët ia kishin bërë Pejgamberit ﷺ. Ai tha: “E kam parë Ukbe ibn Ebu Muajtin duke shkuar te Pejgamberi ﷺ, teksa po falej në hixhër të Qabesë. Kështu, ia vendosi rrobën në fyt e ia shtrëngoi shumë fort. Mirëpo, vajti Ebu Bekri, e kapi për supi dhe e largoi duke cituar: “... Vallë, do të vrisni një njeri vetëm pse thotë: “Zoti im është Allahu?!...“ (Gafir, 28)
Transmetimin e Evzaiut e fuqizon Ibn Is'haku, i cili thotë: “Më ka treguar Jahja ibn Urve nga Urve: “I thashë Abdullah ibn Amrit; Abde transmeton nga Hishami, e ky nga babai i tij: “I është thënë Amër ibn Asit. Muhamed ibn Amri transmeton nga Ebu Seleme: “Më ka treguar Amër ibn Asi.”
30. Nënkapitulli: Pranimi i Islamit nga Ebu Bekër Sidiku, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3857. Nga: Amar ibn Jasiri
Abdullah ibn Hamad Amuliu më ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Maini, e këtij i ka treguar Ismail ibn Muxhalidi, e ky nga Bejani, e ky nga Veberai, e ky nga Hemam ibn Harithi se Amar ibn Jasiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ për herë të parë, nuk kishte besimtarë të tjerë, përveç pesë robërve, dy grave dhe Ebu Bekrit.”
31. Nënkapitulli: Pranimi i Islamit nga Sad ibn Ebu Vekasi, Allahu qoftë i kënaqur me të
3858. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hashimi, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Musejebin, e ky e ka dëgjuar Ebu Is'hakun se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Askush nuk e ka pranuar Islamin para ditës që e kam pranuar unë. Për shtatë ditë unë kam qenë një e treta e Islamit.”
32. Nënkapitulli: Transmetimet rreth xhinëve
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Thuaj (o Muhamed): "Mua më është shpallur se disa prej xhinëve kanë dëgjuar (Kuranin)...” (Xhin, 1)
3859. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ubejdullah ibn Seidi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Misari, e ky nga Mean ibn Abdurrahmani se Abdurrahman ibn Abdullah ibn Mesudi tregon: “E pyeta Mesrukun: “Kush i ka treguar Pejgamberit ﷺ për xhinët natën që e dëgjuan me vëmendje Kuranin?”
- Babai yt, - kishte për qëllim Abdullahun, - më ka thënë se një pemë ishte ajo që i ka treguar Pejgamberit ﷺ për ta, - tha Mesruku.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3859
Fjalë të panjohura?
3860. Nga: Ebu Hurejra
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer gjyshi i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se bartte një enë për Pejgamberin ﷺ, të cilën e shfrytëzonte për abdes dhe pastrim në rast të nevojës fiziologjike. Një ditë, teksa ai po i shkonte pas Pejgamberit ﷺ duke bartur enën në fjalë, Pejgamberi ﷺ pyeti: “Kush është?”
- Ebu Hurejra, - thashë.
- “Më sill disa gurë, që të pastrohem me ta, por mos më sill eshtra e as bajga”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, ia solla gurët, të cilët po i bartja me rrobën time dhe ia lashë pranë, pastaj u largova. Pasi e kreu nevojën, shkova dhe i thashë: “Ç'është puna e eshtrave dhe bajgave?” Më tha: “Ato janë ushqime të xhinëve. Një delegacion xhinësh të Nasibinës, të cilët ishin shumë të sjellshëm, patën ardhur dhe më patën kërkuar ushqim. Kështu, unë e pata lutur Allahun për ta që, sa herë të kalojnë pranë eshtrave a bajgave, të gjejnë ushqim në to.”
33. Nënkapitulli: Pranimi i Islamit nga Ebu Dherr Gifariu, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3861. Nga: Abdullah ibn Abasi
Amër ibn Abasi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Mehdiu, e këtij i ka treguar Muthenai, e ky nga Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Ebu Dherri dëgjoi për paraqitjen e Pejgamberit ﷺ, iu drejtua vëllait të vet: “Nisu drejt kësaj lugine dhe më sill nga dituria e këtij burri, që po pretendon se është pejgamber dhe se i vjen shpallja nga qielli. Dëgjo ç'po thotë dhe kthehu.” Kështu, vëllai i tij shkoi dhe dëgjoi fjalët e Pejgamberit ﷺ, pastaj u kthye tek Ebu Dherri dhe i tha: “Pashë se thërriste në moral të lartë dhe thoshte fjalë që nuk ishin poezi.” Ai i tha: “Nuk ma solle atë që duhej.” Kështu, mori ca rezerva ushqimore dhe një trastë me ujë e u nis drejt Mekës. Me të arritur në Xhami (të Qabesë), filloi ta kërkojë Pejgamberin ﷺ, por nuk e njihte, njëherazi nuk dëshironte të pyeste askënd për të. Në mbrëmje, Aliu e pa dhe kuptoi se ishte i huaj (andaj e ftoi). Kështu, ky e pasoi (për në shtëpi). Asnjëri nuk e pyeti tjetrin asgjë deri në mëngjes. Të nesërmen, ai e mori trastën e ujit dhe rezervat ushqimore e shkoi në xhami. Aty qëndroi tërë ditën, por nuk e pa Pejgamberin ﷺ. Në mbrëmje u kthye te vendi ku ulej për të kaluar natën, por Aliu sërish kaloi aty pranë dhe tha: “A nuk ka ardhur koha që ky burrë ta gjejë shtëpinë e vet?” Kështu, ia dha dorën për t'u ngritur dhe shkuan së bashku në shtëpi. Asnjëri nuk e pyeti tjetrin asgjë deri në ditën e tretë, kur Aliu, sërish, teksa po kthehej, e thirri dhe e pyeti: “Vallë, a nuk më tregon çfarë të solli këndej?” Ai i tha: “Nëse më garanton dhe më premton se do të më drejtosh (për atë që po kërkoj), do të të tregoj.” Aliu i premtoi e ai ia rrëfeu ngjarjen. Atëherë Aliu i tha: “Ai është i vërtetë dhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Andaj, në mëngjes, më ndiq dhe, nëse shoh diçka me rrezik për ty, do të ngrihem sikur dëshiroj të derdh ujë (të urinoj), e, nëse largohem, eja pas meje atje ku shkoj unë.” Ashtu vepruan. Ebu Dherri e ndoqi pas derisa shkuan te Pejgamberi ﷺ . Hynë brenda, i dëgjoi fjalët e tij dhe prej aty ai e pranoi Islamin. Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko te populli yt dhe thirri në Islam, derisa të të vijë ndonjë urdhër (tjetër) prej meje.” Ebu Dherri u përgjigj: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të bërtas haptazi mes tyre (mekasve), sa të kem fuqi, për t'ua shfaqur këtë (se jam konvertuar).” Ai shkoi te Qabeja dhe filloi të thërrasë me sa zë kishte: “Eshhedu en la ilahe il-lallah, ve eshhedu ene Muhameden resulullah (dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut)!” Njerëzit u ngritën dhe e rrahën, derisa e shtrinë përtokë. Ai rrëfen: “Abasi erdhi dhe filloi të më mbrojë fizikisht, pastaj tha: “Mjerë ju! A nuk e dini që ky është nga fisi gifar, nëpër të cilët kaloni gjatë rrugës për tregti në Sham?” Kështu, e shpëtoi prej tyre. Të nesërmen, ai sërish doli dhe e përsëriti veprimin e djeshëm. Populli iu vërsulën dhe e rrahën, por Abasi e mbrojti sërish.”
34. Nënkapitulli: Pranimi i Islamit nga Seid ibn Zejdi, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3862. Nga: Seid ibn Zejdi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ismaili se Kajs ibn Ebu Hazimi tregon: “E kam dëgjuar Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Nufejlin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në Xhaminë e Kufes duke thënë: “Betohem në Allahun, se Omeri, para se të bëhej musliman, më lidhte pse e kisha pranuar Islamin. Por, sikur Uhudi të copëtohej për shkak të asaj që ju ia bëtë Othmanit, do të ishte e drejtë të copëtohej.”
35. Nënkapitulli: Pranimi i Islamit nga Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3863. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Kethiri më ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ismail ibn Ebu Halidi, e ky nga Kajs ibn Ebu Hazimi se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Që kur Omeri është bërë musliman, krenarinë e kemi shfaqur haptas.”
3864. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Omer ibn Muhamedi, e këtij i ka rrëfyer gjyshi i tij, Zejdi, i biri i Abdullah ibn Omerit, se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa Omeri qëndronte i frikësuar në shtëpi, i vajti Ebu Amër As ibn Vail Sehmiu, që kishte të veshur një petk të zbukuruar dhe një këmishë me vija mëndafshi, i cili ishte pjesëtar i fisit benu sehm, të cilët ishin aleatët tanë në periudhën paraislame. Ai e pyeti Omerin:
- Ç'është puna jote?
- Populli yt pretendon se do të më vrasë, nëse unë e pranoj Islamin, - tha Omeri.
- Nuk mund të arrijnë te ti, - tha Asi dhe, me ta thënë këtë, Omeri u qetësua. - Kështu, Asi doli dhe, gjatë rrugës, takoi një luginë përplot njerëz, të cilët i pyeti:
- Ku po shkoni?
- Po kërkojmë atë farë Ibn Hatabin (ta vrasim), që e ka ndërruar fenë, - thanë ata.
- Nuk mund të arrini tek ai, - u tha Asi. Kështu, ata u kthyen.”
3865. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur Omeri e pranoi Islamin, idhujtarët u mblodhën në shtëpinë e tij dhe thoshin: “Omeri e ka ndërruar fenë!” Unë isha i ri dhe qëndroja mbi çatinë e shtëpisë. Atëherë erdhi një njeri i veshur me petk mëndafshi dhe tha: “E çfarë problemi ka nëse Omeri e ka ndërruar fenë? Ndërkohë unë jam mbrojtësi i tij.”
Abdullahu shton: “I pashë njerëzit të largohen prej tij, pastaj pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “As ibn Vaili.”
3866. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Omeri, e këtij i ka treguar Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Sa herë që për ndonjë çështje Omeri thoshte: “Mendoj se është kështu”, vërtet ndodhte ashtu siç mendonte. Njëherë, teksa Omeri qëndronte ulur, pranë tij kaloi një njeri i bukur, për të cilin Omeri tha: “Unë mund të jem gabim, por ky, ose është në idhujtari, ose ka qenë falltar i tyre. Ma thirrni atë!” Kur e thirrën, Omeri ia tha të njëjtat fjalë. Njeriu në fjalë iu drejtua: “Nuk di që ndonjëherë ndonjë musliman të jetë pritur kështu.” Omeri i tha: “Unë këmbëngul të më tregosh.”
- Kam qenë falltar i tyre në periudhën paraislame, - tha ai.
- Cili ishte lajmi më i çuditshëm që ta ka sjellë shejtani yt? - pyeti Omeri.
- Një ditë, teksa isha në treg, shejtani më erdhi i frikësuar dhe më tha: “A nuk po i sheh xhinët të demoralizuar e të dëshpëruar pasi ishin penguar dhe u kanë hipur deveve të shaluara (të nisur drejt Mekës)?” - tha ai.
- E the të vërtetën, - tha Omeri dhe vazhdoi: - Një ditë, teksa po flija pranë idhujve të tyre, një njeri solli një viç dhe e theri. Pastaj u dëgjua një zë i fortë, - kurrë më parë nuk kisha dëgjuar klithje të atillë, - dhe tha: “O Xhelih (armik), një çështje do të triumfojë, një burrë orator që thotë: “S'ka të adhuruar të denjë përveç Teje.” Atëherë njerëzit brofën (dhe u larguan). Unë thashë se nuk do të largohem pa kuptuar çka fshihet pas kësaj. Pastaj përsëri thirri: “O Xhelih (armik), një çështje do të triumfojë, një burrë orator që thotë: “S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut"; atëherë u largova edhe unë. Nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzit filluan të flisnin se ishte paraqitur një pejgamber.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3866
Fjalë të panjohura?
3867. Nga: Seid ibn Zejdi
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Seid ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u thoshte disave: “Ah, sikur të më shihje para se Omeri të bëhej musliman, si më lidhte për shkak të Islamit, mua dhe motrën e vet! Por, sikur Uhudi të copëtohej për atë që ju ia bëtë Othmanit, do të kishte të drejtë të copëtohej.”
36. Nënkapitulli: Çarja e Hënës
3868. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Abdulvehabi më ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Urve, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Banorët e Mekës i kërkuan të Dërguarit të Allahut ﷺ që t'u shfaqë një mrekulli. Atëherë ai ua shfaqi Hënën të çarë në dy pjesë, saqë kodrën Hira e panë në mes dy pjesëve (të Hënës).”
3869. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdani transmeton nga Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Ebu Mameri se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa ishim në Mina me Pejgamberin ﷺ, Hëna u ça, e në atë rast ai tha: “Jini dëshmitarë!”, saqë njëra pjesë e saj doli pas kodrës.”
Ebu Duha, duke transmetuar nga Mesruku, e ky nga Abdullahu, tha: “Hëna u ça (teksa ishim) në Mekë.”
Transmetimin e Ibrahimit e fuqizon Muhamed ibn Muslimi nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Ebu Mameri, e ky nga Abdullahu.
3870. Nga: Abdullah ibn Abasi
Othman ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Bekër ibn Mudarri, e këtij i ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Irak ibn Maliku, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ Hëna u nda në dysh.
3871. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi, e ky nga Ebu Mameri se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Hëna është ndarë në dysh.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3871
Fjalë të panjohura?
37. Nënkapitulli: Hixhreti në Abisini
Aishja tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më është shfaqur (në ëndërr) vendi i hixhretit tuaj: një vend me hurma mes dy pllajave.” Pra, bëri kush bëri hixhret në Medinë dhe shumica e atyre që kishin bërë hixhret në Abasini, u kthyen në Medinë. Këtë e kanë transmetuar edhe Ebu Musa dhe Esma nga Pejgamberi ﷺ.
3872. Nga: Misver ibn Mahremi
Abdullah ibn Muhamed Xhufiu na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e ky nga Ubejdullah ibn Adij ibn Hijari se Misver ibn Mahremi dhe Abdurrahman ibn Esved ibn Abdujeguthi i thanë (Ubejdullah ibn Adij ibn Hijarit): “Çfarë të pengon t'i flasësh dajës tënd, Othmanit, për vëllanë e tij (nga nëna), Velid ibn Ukben, sepse njerëzit po flasin shumë për të?” Kur Othmani doli për namaz, unë (Ubejdullahu) shkova dhe i thashë: “Kam një kërkesë për ty, që, njëherazi, është këshillë. Ai ma ktheu: “O njeri, i kërkoj Allahut mbrojtje kundrejt teje!” Kështu, u ktheva. Pasi e fala namazin, u ula te Misveri dhe Ibn Abdujeguthi e u tregova çfarë i thashë Othmanit dhe si ma ktheu ai. Ata thanë: “Ti e kreve detyrën tënde.” Teksa po qëndroja me ta, erdhi i deleguari i Othmanit, e ata më thanë: “Allahu do të të sprovojë.” Kështu, shkova tek Othmani, i cili më tha: “Cila ishte këshilla jote, që e përmende më herët? Pasi e lavdërova Allahun, i thashë: “Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin ﷺ dhe ia zbriti Librin, ndërsa ti ishe nga ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, i besove atij, bëre dy hixhretet e para, e shoqërove të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe e ke përjetuar udhëzimin e tij, kurse tani njerëzit po flasin shumë për çështjen e Velid ibn Ukbes. E ke për obligim ta ndëshkosh atë.”
Othmani më pyeti: “O biri i motrës sime, a e ke takuar të Dërguarin e Allahut ﷺ?”
I thashë: “Jo, por dituria e tij ka arritur tek unë, siç ka arritur edhe te beqaret në shtëpitë e tyre.”
Othmani, pasi e lavdëroi Allahun, tha: “Allahu e dërgoi Muhamedin ﷺ me të vërtetën, ia zbriti atij Librin, e unë isha nga ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, i besova shpalljes me të cilën u dërgua Muhamedi ﷺ, i bëra dy hixhretet e para, ashtu siç the ti. E shoqërova të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe ia dhashë besën. Betohem në Allahun se as e kundërshtova, as e mashtrova, derisa Allahu ia mori shpirtin. Pastaj, Allahu e bëri Ebu Bekrin halif. Betohem në Allahun se as e kundërshtova, as e mashtrova. Pastaj, halif u zgjodh Omeri. Betohem në Allahun se as e kundërshtova, as e mashtrova. Pas tij, më zgjodhën mua për halif. A nuk kam edhe unë të drejta siç kishin ata?”
I thashë: “Po.”
Othmani tha: “E çka janë këto muhabete, që më vijnë prej jush?! Sa i përket çështjes së Velid ibn Ukbes, do ta gjykojmë atë me drejtësi, inshallah (në dashtë Allahu).”
Kështu, Othmani e dënoi Velidin me dyzet shkopinj dhe e urdhëroi Aliun që t'ia zbatojë dënimin, madje edhe vetë ai e goditi.
Junusi dhe i biri i vëllait të Zuhriut transmetojnë nga Zuhriu se ka thënë: “Vallë, a nuk kam edhe unë të drejta ndaj jush sikurse kishte ai ndaj tyre?!”
Ebu Abdullahu (Imam Buhariu) ka thënë: Ajeti ”... sprovë nga Zoti juaj...” (Bekare, 49) nënkupton vështirësitë me të cilat jeni sprovuar.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3872
Fjalë të panjohura?
3873. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umu Habibe dhe Umu Seleme përmendën një kishë që e kishin parë në Abisini, ku kishte ikona në mure. Këtë ia përmendën Pejgamberit ﷺ, i cili tha: “Nëse në mesin e tyre (hebrenjve dhe të krishterëve) gjendej ndonjë burrë i devotshëm dhe (i tilli) vdiste, atëherë mbi varrin e tij ndërtonin faltore dhe i bënin ato piktura. Të tillët, Ditën e Kiametit, do të jenë krijesat më të këqija tek Allahu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3873
Fjalë të panjohura?
3874. Nga: Umu Halid bint Halid ibn Saidi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Seid Saidiu, e ky nga babai i tij se Umu Halid bint Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë pata ardhur nga Abisinia si vajzë e vogël. I Dërguari i Allahut ﷺ më veshi me një rrobë me larime, të cilat i prekte me dorë dhe thoshte: “Senah, senah!”
Humejdiu ka thënë: “Domethënë: bukur, bukur!” (në gjuhën etiopase).
3875. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Jahja ibn Hamadi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, kur i jepnim selam Pejgamberit ﷺ, teksa ishte në namaz, na e kthente. Por, pasi u kthyem prej Nexhashiut dhe i dhamë selam, nuk na e ktheu, prandaj e pyetëm: “O i Dërguari i Allahut, (më parë) ne të jepnim selam e ti na e ktheje atë?”
- “Namazi është angazhim më vete”, - u përgjigj ai.
Sulejmani thotë: “E pyeta Ibrahimin: “Po ti, si vepron?” Tha: “E kthej në vetvete.”
3876. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Jezid ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur na arriti lajmi i paraqitjes së Pejgamberit ﷺ (si pejgamber), ne qemë në Jemen. Kështu, i hipëm anijes dhe shkuam te Nexhashiu në Abisini. Aty e takuam Xhafer ibn Ebu Talibin, me të cilin qëndruam derisa u kthyem (në Medinë) dhe e arritëm Pejgamberin ﷺ pas çlirimit të Hajberit.” Pejgamberi ﷺ na tha: “Ju, udhëtarët me anije, e keni shpërblimin e dy hixhreteve.”
38. Nënkapitulli: Vdekja e Naxhashiut
3877. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se, ditën kur vdiq Nexhashiu, Pejgamberi ﷺ tha: “Sot ka vdekur një njeri i mirë. Ejani dhe faljani (namazin e xhenazes) vëllait tuaj, As'hames.”
3878. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdulala ibn Hamadi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullah Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se, kur Pejgamberi ﷺ ia fali Nexhashiut namazin e xhenazes, ne na rreshtoi mbrapa. Unë isha në safin e dytë ose në të tretin.
3879. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdullah ibn Ebu Shejbe më ka thënë: Na ka treguar Jezidi, e ky nga Selim ibn Hajani, e këtij i ka treguar Seid ibn Minai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes As'hame Nexhashiut, e në atë rast bëri katër tekbire.
(Këtë transmetim nga) Jezidi e fuqizon Abdusamedi.
3880. Nga: Ebu Hurejra
Zuhejr ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani dhe Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën kur vdiq mbreti i Abisinisë, Nexhashiu, i Dërguari i Allahut ﷺ njoftoi për vdekjen e tij dhe tha: “Kërkoni falje për vëllanë tuaj.”
3881. Nga: Ebu Hurejra
Salihu na ka treguar nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i rreshtoi sahabët në namazgjah për t'ia falur Nexhashiut namazin e xhenazes, e në atë rast bëri katër tekbire.
39. Nënkapitulli: Përbetimi i idhujtarëve kundër Pejgamberit ﷺ
3882. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ deshi të vente në Hunejn, tha: “Nesër, në dashtë Allahu i Lartësuar, do të vendosemi në Luginëne Benu Kinanëve, aty ku (paganët) janë përbetuar për mosbesim.”
40. Nënkapitulli: Tregimi për Ebu Talibin
3883. Nga: Abas ibn Abdulmutalibi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Abdulmeliku, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Harithi se Abas ibn Abdulmutalibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Me çfarë e ke ndihmuar xhaxhain tënd, meqë ai është përkujdesur dhe është hidhëruar për ty?”
- “Ai do të jetë në një cekëtinë me zjarr. E, po të mos isha unë, ai do të ishte në shtresën më të thellë të Zjarrit”, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.
3884. Nga: Musejeb ibn Hazeni
Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ibn Musejebi se babai i tij Musejeb ibn Hazeni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Kur Ebu Talibit iu afrua vdekja, Pejgamberi ﷺ shkoi tek ai, ku e hasi edhe Ebu Xhehlin. Ai iu drejtua Ebu Talibit: “O axha im, thuaj “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën mund të dëshmoj për ty tek Allahu.” Ebu Xhehli dhe Abdullah ibn Ebu Umeje i thanë: “O Ebu Talib, do ta braktisësh fenë e Abdulmutalibit?” Kështu, ata të dy ia përsërisnin fjalët e njëjta, derisa fjala e fundit që Ebu Talibi e tha ishte se ai është në fenë e Abdulmutalibit. Pejgamberi ﷺ tha: “Do të kërkoj falje për ty, derisa të më ndalohet.” Atëherë Allahu i Madhëruar shpalli: “Nuk i takon të Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë të afërt të tyre, pasi që ta kenë të qartë se me të vërtetë ata (idhujtarët) janë banues të Xhehenemit.” (Teube, 113) Dhe zbriti ajeti: “Vërtet ti nuk mund ta udhëzosh atë që ti do...” (Kasas, 56)
3885. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Hadi, e ky nga Abdullah ibn Hababi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një ditë ia përmendën Pejgamberit ﷺ xhaxhain e tij, e në atë rast ai tha: “Me gjasë do t'i bëjë dobi ndërmjetësimi im Ditën e Kiametit. Ai do të jetë në një cekëtinë të Zjarrit, që arrin vetëm deri në nyja (të këmbëve), prej të cilit i vlon truri.”
Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: “Të njëjtën na ka treguar Ibn Ebu Hazimi dhe Deraverdiu nga Jezidi, i cili ka thënë: ”... prej të cilit i vlon gjithë truri.”