72. Therja dhe gjahu
1. Nënkapitulli: Thënia ‘bismilah’ gjatë gjahut
Allahu i Madhëruar ka thënë: "Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat - përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah. Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje!..." (Maide, 3) Allahu i Madhëruar ka thënë: "O besimtarë! Allahu do t’ju provojë me ndalim nga një gjueti që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja, që Allahu ta njohë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh. E, kushdo që ta kalojë kufirin, për të ka dënim pikëllues." (Maide, 94) “O besimtarë! Plotësoni obligimet (marrëveshjet)! U lejua për ju ngrënia e shtazëve, përveç atyre që do t’ju lexohen juve; përderisa të gjendeni në haxhillëk, nuk u lejohet gjuetia. Me të vërtetë, Allahu, vendos për atë që dëshiron.” (Maide, 1) Ndërkaq, atë që e gjeni të gjallë, duke lëvizur bishtin ose syrin, thereni dhe hajeni.
5475. Nga: Adij ibn Hatimi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija nga Amiri se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ për gjuetinë me hu, e ai më tha: “Atë gjah që e ke goditur me majën e tij, haje, kurse ai, të cilin e ke goditur me trungun e hurit, llogaritet ngordhësirë.” Pastaj e pyeta për gjuetinë me qen e ai më tha: “Atë që e ka kapur për ty, haje, sepse gjuetia e qenit llogaritet therje (e gjahut), e, nëse bashkë me qenin tënd a qentë e tu gjen një qen tjetër dhe ke frikë se edhe ai ka marrë pjesë në gjueti, e në atë rast e ka mbytur, mos ha nga ajo pre, sepse ti ke thënë “bismilah" për qenin tënd, e jo për qenin tjetër.”
2. Nënkapitulli: Gjuetia me hu
Ibn Omeri ka thënë: "Ajo që mbytet me hobe, është ngordhësirë. Ndërkaq, të tjerët (më vonë), si: Salimi, Kasimi, Muxhahidi, Ibrahimi, Atau dhe Hasan Basriu e konsideronin të urryer. E, sa i përket Hasanit, ai e urrente gjuajtjen me të në fshatra dhe qytete, ndërsa jashtë këtyre nuk shihte ndonjë të keqe."
5476. Nga: Adij ibn Hatimi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Abdullah ibn Ebu Seferi, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ për gjahun e goditur me hu, e në atë rast ai më tha:
- “Atë gjah që e ke goditur me majën e tij, haje, kurse ai, të cilin e ke goditur me trupin e hurit, llogaritet ngordhësirë, andaj mos e ha!”
- Po kur ta lëshoj qenin tim?
- “Kur ta kesh lëshuar qenin dhe të kesh thënë “bismilah”, atëherë haje!”
- Po nëse ai ka ngrënë nga preja? - e pyeta.
- “Mos e ha, sepse ai nuk ka gjuajtur për ty, por ka gjuajtur për vete.”
- Po nëse e lëshoj qenin tim e bashkë me të gjej një qen tjetër?
- “Mos ha, sepse ti ke thënë “bismilah" për qenin tënd, e jo për ndonjë tjetër”, - m'u përgjigj Pejgamberi ﷺ.
3. Nënkapitulli: Gjahu i goditur me pjesën anësore të hurit
5477. Nga: Adij ibn Hatimi
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Hemam ibn Harithi se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut! A është e lejuar të gjuajmë me qen të stërvitur?
- “Haje atë që e kanë gjuajtur për ty!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Edhe nëse e kanë mbytur gjahun?
- “Edhe nëse e kanë mbytur.”
- Ne gjuajmë edhe me hu?
- “Haje atë gjah që e ka depërtuar (therur), kurse atë që është goditur me pjesën anësore, mos e ha!”
4. Nënkapitulli: Gjuetia me hark
Hasan Basriu dhe Ibrahim Nehaiu kanë thënë: "Kur goditet gjahu dhe këputet prej tij një krah ose një këmbë, mos e ha atë që është këputur, ndërsa pjesën tjetër haje." Ibrahimi ka thënë: "Nëse e ke goditur në qafë ose në mes, haje. Ameshi transmeton se Zejdi ka thënë: "Një zebër u plagos nga një burrë i familjes së Abdullahut, e në atë rast ai i urdhëroi ta godisnin aty ku kishin mundësi, e pastaj ato copa që këputen, të lihen, ndërsa pjesa tjetër të hahet."
5478. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Abdullah ibn Jezidi na ka thënë: Na ka treguar Hajve, e këtij i ka rrëfyer Rebia ibn Jezid Dimeshkiu nga Ebu Idrisi se Ebu Thaleb Husheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, ne jetojmë në tokën e ithtarëve të Librit, andaj a na lejohet të hamë në enët e tyre? Gjithashtu, ne ndodhemi në troje gjuetie, ku gjuaj me hark dhe me qenin tim të pastërvitur e të stërvitur. Çfarë më lejohet prej këtyre?” Pejgamberi ﷺ tha: “Sa i përket asaj që e përmende për ithtarët e Librit, nëse gjeni enë të tjera, mos hani në enët e tyre, e, nëse nuk gjeni të tjera, atëherë pastroni ato dhe përdorini për ngrënie. Pastaj, atë që e ke gjuajtur me shigjetën tënde duke thënë “bismilah”, haje! Atë që e ke gjuajtur me qenin e stërvitur duke thënë “bismilah”, haje. Ndërkaq, atë që e ke gjuajtur me qenin tënd të pastërvitur, nëse arrin ta therësh, haje.”
5. Nënkapitulli: Gjuajtja me gurë dhe me hobe
5479. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Jusuf ibn Rashidi na ka thënë: Na ka treguar Vekiu dhe Jezid ibn Haruni - versioni tekstual është i Jezidit - nga Kehmes ibn Haseni, e ky nga Abdullah ibn Burejde se Abdullah ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se pa një burrë duke gjuajtur me gurë dhe i tha: “Mos gjuaj, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar gjuajtjen me gurë, - ose ka thënë: e ka urryer gjuajtjen me gurë, - dhe ka thënë: “Me të as gjuhet gjahu, as mbytet armiku, por vetëm mund t'ia thyesh ndokujt dhëmbin, ose t'ia qorrosh syrin.” Pas një kohe e pa përsëri duke gjuajtur me gurë dhe i tha: “Unë po të tregoj se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar gjuajtjen me gurë, - ose ka thënë: e ka urryer atë, - ndërsa ti vazhdon të gjuash?! Nuk do të të flas për kaq kohë.”
6. Nënkapitulli: Kur dikush mban qen që, s'është as për gjueti, as për bagëti
5480. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që mban qen që nuk i shërben as për bagëti e as është i stërvitur për gjueti, për çdo ditë i pakësohen dy kiratë nga veprat e tij.”
5481. Nga: Abdullah ibn Omeri
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Handhale ibn Ebu Sufjani, e ky e ka dëgjuar Salimin se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Atij që mban qen, me përjashtim të qenit të stërvitur për gjueti dhe qenit të bagëtisë, për çdo ditë i pakësohen dy kiratë nga shpërblimi i tij.”
5482. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që mban qen, me përjashtim të qenit të kopesë ose qenit të stërvitur (për gjueti), për çdo ditë i pakësohen dy kiratë nga veprat e tij.”
7. Nënkapitulli: Nëse qeni ha nga preja që ka gjahtuar
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Të pyesin ty ç’është e lejueshme që të hanë. Thuaju (o Muhamed): “Ju lejohet juve çdo gjë që është e dëlirë dhe atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni në gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu. Pra, hani atë që jua sjellin, e përmendni emrin e Allahut! Frikësojuni Allahut! Allahu është i shpejtë në llogari.” (Maide, 4) Ibn Abasi thotë: "Nëse qeni ha prej saj (presë), e ka prishur, sepse ai e ka gjuajtur për vete, ndërsa Allahu ka thënë: “... atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni në gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu...” Pra, ato duhet të rrihen dhe të stërviten ashtu që të mos hanë prej presë. Ibn Omeri një gjë të tillë e ka cilësuar të urryer. Atau thotë: "Nëse ka pirë gjak, por nuk e ka ngrënë, hajeni."
5483. Nga: Adij ibn Hatimi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli nga Bejani, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, të Dërguarit të Allahut ﷺ i thashë: “Ne i përdorim këta qen për gjueti?” Ai tha: “Nëse i ke lëshuar qentë e stërvitur dhe ke thënë “bismilah”, atëherë ha nga preja që kanë gjahtuar, edhe nëse e mbysin atë, përveç nëse qeni ka ngrënë nga preja, sepse kam frikë se e ka gjuajtur për vete. E, nëse bashkë me të janë përzier edhe qenë të tjerë, atëherë mos e ha.”
8. Nënkapitulli: Kur preja nuk mund të gjendet dy-tri ditë
5484. Nga: Adij ibn Hatimi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Thabit ibn Jezidi, e këtij i ka treguar Asimi nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse e ke ndërsyer qenin tënd dhe ke thënë “bismilah”, pastaj ai e ka kapur prenë ose e ka mbytur, atëherë ha prej saj! Por, nëse qeni ka ngrënë, mos ha prej saj, sepse e ka gjuajtur për vete. Nëse qentë janë përzier, ndërkohë ti nuk ke thënë “bismilah" për qentë e tjerë, pastaj ata e kanë kapur prenë dhe e kanë mbytur, atëherë mos ha prej saj, sepse nuk mund ta dish cili e ka mbytur! E, në qoftë se e ke goditur prenë dhe e ke gjetur pas një a dy ditësh, duke mos parë në të gjurmë tjetër pos plagës së shkaktuar nga shigjeta jote, atëherë haje. E, nëse ka rënë (është mbytur) në ujë, mos e ha!”
5485. Nga: Adij ibn Hatimi
Abdulala transmeton nga Davudi, e ky nga Amiri se Adiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, të Dërguarit të Allahut ﷺ i thashë: “Nëse dikush e godet gjahun dhe nuk mund ta gjejë dy-tri ditë, pastaj e gjen të ngordhur me shigjetën e tij në të, si të veprojmë?” Ai iu përgjigj: “Mund të hajë prej saj, nëse dëshiron.”
9. Nënkapitulli: Kur dikush gjen një qen tjetër te gjahu i tij
5486. Nga: Adij ibn Hatimi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Abdullah ibn Ebu Seferi, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë e ndërsej qenin tim duke thënë “bismilah”. Pejgamberi ﷺ tha: “Kur ta lëshosh qenin tënd dhe të thuash “bismilah”, pastaj ai e kap, e mbyt dhe fillon ta hajë, mos e ha, sepse ai e ka gjuajtur për vete!” Thashë: “Po kur e ndërsej qenin tim dhe me të gjej një qen tjetër, ndërkohë nuk mund ta kuptoj se cili prej tyre e ka gjuajtur?” Tha: “Mos e ha, sepse ti ke thënë “bismilah" vetëm për qenin tënd, e jo për të tjerët!” Pastaj e pyeta për gjuetinë me hu, e në atë rast më tha: “Haje atë që e ke goditur me majën e tij, e, nëse e ke goditur me trupin e hurit dhe ka ngordhur, ajo është ngordhësirë, andaj mos e ha!”
10. Nënkapitulli: Gjuetia për përfitim
5487. Nga: Adij ibn Hatimi
Muhamedi më ka thënë: Më ka rrëfyer Ibn Fudajli nga Bejani, e ky nga Amiri se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “E kam pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ duke i thënë: “Ne i përdorim këta qenë për gjueti.” Tha: “Nëse i ke lëshuar qentë e stërvitur dhe ke thënë “bismilah”, atëherë ha prej asaj që kanë gjuajtur, përveç nëse qeni ka ngrënë (nga preja), atëherë mos ha, sepse kam frikë se e ka gjuajtur për vete. E, nëse janë përzier edhe qen të tjerë në atë pre, atëherë mos ha!”
5488. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Ebu Asimi transmeton nga Hajve. [t]: Ahmed ibn Ebu Rexhai më ka thënë: Na ka treguar Seleme ibn Sulejmani nga Ibn Mubareku, e ky nga Hajve ibn Shurejhu, e ky e ka dëgjuar Rebia ibn Jezid Dimeshkiun, e këtij i ka rrëfyer Ebu Idris Ajdhullahu se Ebu Thaleb Husheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë shkoi te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ne jetojmë në tokën e ithtarëve të Librit, a na lejohet të hamë në enët e tyre? Gjithashtu, në tokën e gjuetisë në të cilën gjuaj unë, me harkun tim ose me qenin tim të stërvitur, si dhe me qenin tim të pastërvitur, më trego cilat prej këtyre më lejohen?” Pejgamberi ﷺ tha: “Sa i përket asaj që përmende, se ndodheni në tokën e ithtarëve të Librit, a të hani prej enëve të tyre, ju them: “Nëse gjeni diçka tjetër pos enëve të tyre, atëherë mos hani në to. Por, nëse nuk gjeni të tjera, atëherë pastrojini dhe hani në to. E, për atë që përmende, se je në tokën në të cilën gjuani, them: “Atë që e ke gjuajtur me harkun tënd duke thënë “bismilah”, haje. Atë që e ke gjuajtur përmes qenit të stërvitur duke thënë “bismilah”, haje, kurse atë që e ke gjuajtur përmes qenit tënd të pastërvitur, nëse arrin ta therësh, haje.”
5489. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Hisham ibn Zejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në vendin Merr Dhahran trembëm një lepur dhe iu vumë pas derisa e zumë. Unë e mora dhe ia dërgova Ebu Talhait, i cili (e theri dhe) ijën bashkë me dy kofshët e tij ia dërgoi Pejgamberit ﷺ e ai i pranoi.”
5490. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ebu Nadri, i çrobëruari i Omer ibn Ubejdullahut, e ky nga Nafiu, i çrobëruari i Ebu Katades, se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim me të Dërguarin e Allahut ﷺ diku përgjatë rrugës për në Mekë, unë bashkë me disa sahabë ngelëm mbrapa të tjerëve. Të gjithë ishin në ihram, pos meje. Ndërkohë, pashë një zebër, andaj menjëherë i hipa kalit dhe u thashë shokëve të mi që të ma afronin kamxhikun, por ata refuzuan. Pastaj ua kërkova shtizën, por prapë refuzuan. I mora vetë ato, pastaj e ndoqa zebrën derisa e gjuajta dhe e mbyta. Disa prej shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ hëngrën, kurse disa të tjerë refuzuan. Kur shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e pyetën për këtë, e ai u tha: “Ky ka qenë ushqim me të cilën ju ka furnizuar Allahu.”
5491. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Zejd ibn Eslemi se Ata ibn Jesari, duke cituar nga Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) hadithin paraprak, shton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ju ka mbetur diçka prej mishit të saj?”
11. Nënkapitulli: Gjuetia nëpër kodra
5492. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Ebu Nadri nga Nafiu, i çrobëruari i Ebu Katades, dhe Ebu Salihu, i çrobëruari i Teumes, se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha me të Dërguarin e Allahut ﷺ në një rrugëtim diku midis Mekës dhe Medinës. Të gjithë ishin në ihram, pos meje. Qëndroja mbi kalin tim dhe e kisha zakon që të ngjitesha andej-këndej nëpër kodra. Duke qenë në atë gjendje, pashë se njerëzit shikonin diçka me vëmendje, andaj shkova për të parë çfarë ishte ajo, kur ja, një zebër. U thashë: “Çfarë është ajo?” Thanë: “Nuk e dimë.” Thashë: “Qenka një zebër!” Thanë: “Është mu ajo që e pe.” Unë e kisha harruar kamxhikun, andaj u thashë: “Ma jepni kamxhikun.” Më thanë: “Nuk të ndihmojmë.” Zbrita dhe e mora vetë, pastaj u lëshova pas gjurmëve të zebrës dhe vazhdova derisa e plagosa. Pastaj u ktheva tek ata dhe u thashë: “Çohuni dhe barteni atë!” Thanë: “Nuk do ta prekim.” E barta atë i vetëm dhe e solla pranë tyre. Disa prej tyre refuzuan e disa hëngrën. U thashë: “Do ta pyes Pejgamberin ﷺ se çfarë duhet të veproni ju!” Mbërrita tek ai ﷺ dhe ia tregova ngjarjen, e në atë rast ai më tha: “Ju ka mbetur diçka prej mishit të saj?” Thashë: “Po.” Ai tha: “Hani, sepse, ky ka qenë ushqim me të cilin ju ka furnizuar Allahu.”
12. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim nga deti është për t’u kënaqur ju...”
Omeri ka thënë: "Me gjahun e detit është për qëllim ajo që është gjuajtur në të, ndërsa me ushqim është për qëllim ajo që deti nxjerr sipër." Ebu Bekri ka thënë: "Çdo gjallesë deti, që deti e nxjerr sipër, është hallall." Ibn Abasi ka thënë: "Me fjalën ushqim, përmendur në ajet, është për qëllim ngordhësira e detit, përveç nëse neveritesh prej saj. E, sa i përket peshkut mustak, atë nuk e hanë çifutët, kurse ne e hamë. Shurejhu, shoku i Pejgamberit ﷺ, ka thënë: "Çdo gjë në det konsiderohet e therur." Atau ka thënë: "Shpendët e detit duhet të theren." Ibn Xhurejxhi tregon se e ka pyetur Ataun: "A konsiderohet gjah deti gjahu i lumenjve dhe i përronjve?" Ai tha: "Po. Pastaj lexoi: “... njëri është i ëmbël dhe i këndshëm, e që uji i pihet lehtë, kurse tjetri është i njelmët dhe i hidhët. E prej secilit ju ushqeheni me mish të njomë.” (Fatir, 12) Hasani kishte hipur mbi shalë të bërë prej lëkurës së lundrës." Shabiu thotë: "Sikur ta dija që familja ime do ta hanin mishin e bretkosës, do t’ua çoja për ushqim. Hasani nuk e konsideronte të ndaluar ngrënien e breshkës." Ibn Abasi thoshte: H"a prej gjahut të detit, edhe nëse e ka gjahtuar atë një i krishterë, çifut ose zjarrputist. Ebu Derdai, teksa flet për një lloj gjalpi, në mes tjerash, përmend: "Peshku dhe dielli janë për alkoolin ashtu siç është therja për kafshët."
5493. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Amri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton: “Në betejën e Ushtrisë së Gjetheve të Pemës, udhëheqës yni ishte Ebu Ubejde. Gjatë rrugës na kaploi një uri shumë e madhe, por nuk shkoi gjatë dhe deti na hodhi një balenë të ngordhur. Asnjëherë nuk kemi parë si ajo (në madhësi). E quanin balena kokëmadhe. Hëngrëm prej saj gjysmë muaji. Pastaj Ebu Ubejde mori një brinjë të saj dhe një kalorës kaloi nën të (nën harkun e saj).”
5494. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani nga Amri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë me rreth treqind burra, me në krye Ebu Ubejden, në drejtim të bregdetit për të vëzhguar një karvan kurejshish: (Ai rrëfen:) “Na kaploi një uri aq e madhe, saqë u detyruam të hanim gjethe pemësh, gjë për të cilën u quajtëm Ushtria e Gjetheve të Pemës. Ndërkohë, deti na nxori një balenë të ngordhur, e cila quhej balena kokëmadhe. Hëngrëm prej saj gjysmë muaji dhe u lyem me yndyrën e saj, derisa lëkurat tona na u përmirësuan. Pastaj, Ebu Ubejde mori një brinjë të saj dhe e ngriti në këmbë, saqë një kalorës kaloi nën të (nën harkun e saj). Më vonë, kur na kaploi prapë uri e madhe, një burrë nga mesi ynë theri tri deve, pastaj tri të tjera, derisa Ebu Ubejde ia ndaloi.”
13. Nënkapitulli: Ngrënia e karkalecave
5495. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Ebu Jafuri se Ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ kemi marrë pjesë në gjashtë-shtatë beteja, në të cilat kemi ngrënë karkaleca.”
Sufjani, Ebu Avane dhe Israili transmetojnë nga Ebu Jafuri, e ky nga Ibn Ebu Eufai: “... në shtatë beteja.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5495
Fjalë të panjohura?
14. Nënkapitulli: Enët e zjarrputistëve dhe ngordhësirat
5496. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Ebu Asimi transmeton nga Hajve ibn Shurejhu, e këtij i ka treguar Rebia ibn Jezid Dimeshkiu, e këtij i ka treguar Ebu Idris Havlaniu se Ebu Thaleb Husheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Ne jetojmë në tokën e ithtarëve të Librit, andaj a na lejohet të hamë në enët e tyre? Gjithashtu, në tokën e gjuetisë në të cilën është gjuajtur me harkun tim dhe me qenin tim të stërvitur, por edhe me qenin tim të pastërvitur?” Pejgamberi ﷺ tha: “Sa i përket asaj që përmende, se ndodhesh në tokën e ithtarëve të Librit, mos hani nga enët e tyre, përveç nëse nuk keni zgjidhje tjetër. E, nëse nuk keni zgjidhje tjetër, atëherë pastroni ato dhe hani në to. Ndërkaq, sa i përket asaj që përmende, se ndodhesh në tokën e gjuetisë, atë që e ke gjuajtur me harkun tënd, thuaj “bismilah" dhe haje. Atë që e ke gjuajtur përmes qenit tënd të stërvitur, thuaj “bismilah" dhe haje, kurse atë që e ke gjuajtur përmes qenit tënd të pastërvitur, nëse arrin ta therësh, haje.”
5497. Nga: Seleme ibn Ekvai
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Më ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ditën kur e çliruan Hajberin, me t'u ngrysur, ndezën disa zjarre. Pejgamberi ﷺ u tha: “Përse i keni ndezur këto zjarre?”
- Për të zier mishin e gomarëve, - i thanë.
- “Derdhni çfarë ka në to dhe thyeni tenxheret!” - tha ai.
- A mund të derdhim çfarë ka në to dhe t'i pastrojmë? - pyeti një burrë.
- “Bën edhe ashtu”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
15. Nënkapitulli: Të thënët ‘bismilah’ gjatë therjes dhe dispozita për atë që e lë qëllimisht
Ibn Abasi ka thënë: "S’ka dert për atë që harron. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos e hani atë që, kur është therur, nuk është përmendur emri i Allahut; ajo me të vërtetë, është mëkat!” (Enam, 121) Por, harrestari nuk quhet mëkatar. Fjala e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, shejtanët i nxisin miqtë e vet që të polemizojnë me ju. E, nëse ju u përuleni atyre, atëherë edhe ju, me të vërtetë, jeni idhujtarë.” (Enam, 121)
5498. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Musa ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Seid ibn Mesruku, e ky nga Abaje ibn Rifae ibn Rafiu, e ky nga gjyshi i tij se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Kur ishim në Dhul Hulejfe me Pejgamberin ﷺ, njerëzit i kaploi uria, por, me të fituar prenë e luftës, fituan shumë deve e dele. Ata u ngutën për t'i përgatitur kusitë (për t'i zier) derisa Pejgamberi ﷺ ishte nga fundi i karvanit. Kur arriti (dhe i pa), Pejgamberi ﷺ urdhëroi të derdheshin kusitë, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve.
Papritmas, atyre u iku një deve, ndërkohë që në mesin e njerëzve atëherë kishte pak kuaj. Njerëzit iu vunë pas, por ajo i lodhi. Njëri prej burrave iu vërsul dhe e gjuajti me një shtizë, e Allahu ua nënshtroi.”
Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. Andaj, nëse ndodh t'ju ikin kështu, veproni me to në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë).”
Rafiu i tha Pejgamberit ﷺ: “Kemi frikë se armiku do të na sulmojë nesër, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë). Vallë, a të therim me kallam?”
- “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes, hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”
16. Nënkapitulli: Ajo që theret për hir të putave dhe idhujve
5499. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muhtari, e këtij i ka rrëfyer Musa ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Para se të Dërguarit të Allahut ﷺ t'i zbriste shpallja, e kishte takuar Zejd ibn Amër ibn Neufelin poshtë luginës Beldeh. I Dërguari i Allahut ﷺ i ofroi atij strajcën me mish, por ai refuzoi të hante prej saj.” Pastaj Zejdi tha: “Unë nuk ha atë që ju (kurejshët) e therni për putat tuaj, por vetëm atë që është therur në emër të Allahut.”
17. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Le të therë në emër të Allahut!”
5500. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Esved ibn Kajsi se Xhundub ibn Sufjan Bexheliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, therëm disa kurbane bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ, por disa persona i kishin prerë kurbanet e tyre para namazit (të Bajramit). Kur Pejgamberi ﷺ u kthye tek ata, pa se i kishin therur kurbanet e tyre para namazit, andaj u tha: “Ai që e ka bërë therjen para namazit, le të therë edhe një tjetër në vend të tij (pas faljes). Ndërkaq, ai që nuk e ka bërë therjen derisa e kemi mbaruar namazin, le ta therë tani me “bismilah!”
18. Nënkapitulli: Çfarëdo që e derdh gjakun, si: kallami, rrasa a metali
5501. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një robëreshë e tyre ruante bagëtitë në kodrën Selë (në Medinë). Njëherë, ajo hetoi se një dele gati për të ngordhur, andaj theu një rrasë guri dhe e theri delen me të. Atëherë Kabi tha: “Mos e hani, derisa të shkoj te Pejgamberi ﷺ dhe ta pyes, ose të dërgoj dikë që ta pyesë.” Pasi shkuan te Pejgamberi ﷺ, ose pasi dërguan dikë, Pejgamberi ﷺ urdhëroi që ta hanë atë.
5502. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Nafiu, e ky nga një burrë prej fisit benu seleme se Abdullahu tregon se një robëreshë e Kab ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ruante bagëtitë e tij në kodrinën e quajtur Selë, përskaj tregut. Ndërkohë, një dele u rrëzua dhe u plagos, sakaq ajo theu një rrasë guri dhe e theri delen me të. Kur e njoftuan Pejgamberin ﷺ, urdhëroi që ta hanin.
5503. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Abdani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im nga Shuëbe, e ky nga Seid ibn Mesruku, e ky nga Abaje ibn Rafiu se gjyshi i tij Rafiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! S'kemi thika.” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut (gjatë therjes), hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me thua ose dhëmb. Sa i përket thoit, ajo është thikë për etiopasit, ndërsa dhëmbi është asht.” Papritmas një deve na iku, por e ndaluam. Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë edhe këto deve egërsohen sikurse kafshët e egra, andaj, nëse ndodh që t'ju ikin, atëherë veproni me to në këtë mënyrë.”
19. Nënkapitulli: Therja e bërë nga gruaja ose robëresha
5504. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Sadaka na ka thënë: Na ka rrëfyer Abde, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu, e ky nga Kab ibn Maliku se babai i tij Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua theri një dele me një rrasë guri dhe, kur Pejgamberi ﷺ u pyet për këtë, urdhëroi që të hahet.
Nafiu, përmes një transmetimi tjetër, transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një shërbëtore e Kabit.”
5505. Nga: Sad ibn Muadhi
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Nafiu, e ky nga një burrë prej ensarëve, e ky nga Muadh ibn Sadi se Sad ibn Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një robëreshë e Kab ibn Malikut i ruante bagëtitë në Selë. Njëherë, një dele u rrëzua dhe u plagos, e në atë rast ajo e mori dhe e theri me një rrasë guri. Kur e pyetën Pejgamberin ﷺ, tha: “Hajeni.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5505
Fjalë të panjohura?
20. Nënkapitulli: Ndalohet therja me dhëmb, asht dhe thua
5506. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga babai i tij, e ky nga Abaje ibn Rifae se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ha prej kafshës së therur me mjet që derdh gjakun, përveç nëse theret me dhëmb ose thua.”
21. Nënkapitulli: Therja e bërë nga një jabanxhi a dikush i ngjashëm
5507. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Ubejdullahu na ka thënë: Na ka treguar Usame ibn Hafs Medeniu nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa persona e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ duke i thënë: “Ndodh që ndokush të na sjellë mish për të cilin nuk dihet nëse është përmendur emri i Allahut gjatë therjes apo jo.” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Thoni ju “bismilah" dhe hajeni!” Aishja shton: “Ata kishin hyrë rishtazi në Islam.”
Transmetimin e fuqizon Aliu nga Deraverdiu. Po ashtu, atë e fuqizojnë edhe Ebu Halidi dhe Tufaviu.
22. Nënkapitulli: Kafshët që therin ithtarët e Librit dhe dhjami që nxirret nga ato, përfshirë ata që janë në luftë me ne dhe të tjerët
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata...” (Maide, 5) Zuhriu thotë: "Nuk prish punë të hahet mishi i therur nga të krishterët arabë. Por, nëse e dëgjon therësin duke përmendur diçka tjetër pos emrit të Allahut gjatë therjes, atëherë mos ha. E, nëse nuk e dëgjon, atëherë dije se Allahu e ka bërë të lejuar atë mish duke qenë në dijeni për mosbesimin e tyre. Ngjashëm me këtë transmetohet të ketë thënë edhe Aliu. Ndërkaq, Haseni dhe Ibrahimi kanë thënë: "Nuk prish punë të hahet mishi i therur nga ata që nuk bëhen synet. Ibn Abasi thotë: "Me fjalën “ushqimet” (tek ajeti i sipërpërmendur) janë për qëllim të therurat."
5508. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Humejd ibn Hilali se Abdullah ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë rrethimit të kështjellës së Hajberit, dikush gjuajti me një enë lëkure, ku kishte pak dhjamë. Unë zbrita me nxitim për ta marrë, por aty pranë e pashë Pejgamberin ﷺ, andaj më erdhi turp (ta marr).”
23. Nënkapitulli: Bagëtia që ikën, merr dispozitën e kafshës së egër
Ndërkaq, Ibn Mesudi e konsideron të lejuar. Ibn Abasi thotë: "Ajo që s’mund ta zësh më prej bagëtive që të kanë ikur, është sikurse gjahu, kurse devenë që ka rënë në ndonjë pus, there prej ngado që mundesh. Të njëjtin mendim mbanin edhe Aliu, Ibn Omeri dhe Aishja."
5509. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sufjani nga babai i tij, e ky nga Abaje ibn Rifae ibn Rafi ibn Hadixhi se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Nesër do ta takojmë armikun, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë).” Ai tha: “Atëherë shpejtoni, - ose ka thënë: lehtësojeni (dorën), - me çfarëdo mjeti që derdh gjak, duke e përmendur emrin e Allahut gjatë therjes dhe hani, përveç nëse është dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, kurse thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. Pastaj zumë një tufë devesh e dhensh, e papritmas një deve na iku, e në atë rast një person e gjuajti me shtizë dhe e ndaloi. Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ndonjëherë edhe këto deve egërsohen sikurse kafshët e egra, andaj, nëse ndodh që t'ju ikin kështu, veproni me to në këtë mënyrë.”
24. Nënkapitulli: Dy llojet e therjes (dhebhi dhe nahri)
Ibn Xhurejxhi transmeton nga Atau se ka thënë: "Të dyja llojet e therjes bëhen në dy pjesë: prerja në mes të fytit (dhebhi) dhe ngulja e thikës mes fytit dhe gjoksit (nahri)1." Unë i thashë: "A lejohet të theret me nahr ajo që duhet të theret me dhebh?" Ai tha: "Po, sepse Allahu e ka përmendur therjen e lopës me dhebh, por, edhe nëse ther me nahr diçka që në parim duhet të theret me dhebh, lejohet. Mirëpo, unë e preferoj nahrin. Në anën tjetër, dhebhi nënkupton prerjen e dy damarëve të fytit." Thashë: "Pasi t'i presim damarët, a ta presim edhe palcën e kurrizit?" Ai tha: "Nuk mendoj ashtu." Ibn Omeri ka ndaluar që të pritet palca dhe ka thënë: "Pritet ajo që ndodhet para ashtit dhe lihet ashtu derisa të ngordhë." Fjala e Allahut të Lartësuar: “E, kur Musai i tha kombit të vet: "Allahu, me të vërrtetë ju urdhëron të therrni një lopë, - ata thanë: "A don të tallesh me ne?" – Zoti më ruajtë! tha Musai të bëhem unë me grupin e injorantëve (me ata që ia mveshin Allahut atë që s’e ka thënë). Ata thanë: "Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë qysh është ajo (lopë)." Musai tha: "Ajo është një lopë as plakë as e re, por e mesme; pra bëi atë që u është urdhëruar!" Ata thanë: "Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë ngjyre ka ajo!" Musai tha: "Me të vërtetë Ai, (Allahu) thotë se ajo është lopë ngjyra e së cilës është tejet e verdhë, të cilën e pëlqejnë shikuesit." Ata (përsëri) thanë: "Lutju Zotit tënd, që të na shpjegoje çfarë është ajo, sepse, lopët po i gjasojnë (njëra-tjetrës) e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë (si jemi urdhëruar)." Ai (Musai) tha: "Me të vërtetë Ai (Allahu) thotë se ajo lopë nuk është e lodhur nga lavra, as nga ujitja e tokës; s’ka të metë dhe kurrfarë shenjë në të." Ata thanë: "Tani na the të vërtetën. E prenë lopën; por për një fije nuk dashtën ta bënin këtë.” (Bekare, 67-71) Ibn Abasi ka thënë: "Prerja bëhet midis fytit dhe hapësirës rrëzë gjoksit." Ibn Omeri, Ibn Abasi dhe Enesi kanë thënë: "Edhe nëse ia këput kokën krejt, s’ka problem."
(1) Dhebhi është therja që bëhet te lopët, delet dhe kafshët e tjera, kurse nahri, në parim, bëhet te devetë.
5510. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Hisham ibn Urve, e këtij i ka rrëfyer gruaja e tij Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ therëm (nahr) një kalë dhe e hëngrëm.”
5511. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Is'haku na ka treguar se e ka dëgjuar Abden nga Hishami, e ky nga Fatimja se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, teksa ishim në Medinë, premë (dhebh) një kalë dhe e hëngrëm.”
5512. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Hishami, e ky nga Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ therëm (nahr) një kalë dhe e hëngrëm.”
Transmetimin e Xheririt e kanë fuqizuar Vekiu dhe Ibn Ujejne nga Hishami, përkitazi me therjen (nahrin).
25. Nënkapitulli: Ndalohet gjymtimi i kafshëve, mbytja në kafaz dhe marrja si nishan derisa të ngordhin
5513. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Hisham ibn Zejdi tregon: “Hymë me Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) te Hakem ibn Ejubi dhe pamë disa djelmosha të cilët kishin vënë në shënjestër një pulë dhe e gjuanin atë.” Enesi u tha: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar ngujimin e kafshëve për t'i goditur deri në ngordhje.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5513
Fjalë të panjohura?
5514. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Jakubi na ka thënë: Na ka rrëfyer Is'hak ibn Seid ibn Amri, e ky e ka dëgjuar babain e tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se shkoi te Jahja ibn Seidi, ku pa një djalosh të familjes së Jahjait tek kishte lidhur një pulë dhe po e gjuante. Ibn Omeri shkoi e zgjidhi pulën dhe e mori së bashku me djaloshin e u tha (familjarëve): “Qortojeni djalin tuaj të mos e lidhë këtë shpend për ta mbytur, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ndalojë ngujimin e kafshëve shtëpiake e të ndonjë kafshe tjetër për ta goditur deri në ngordhje.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5514
Fjalë të panjohura?
5515. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Ebu Bishri se Seid ibn Xhubejri rrëfen: “Kam qenë me Ibn Omerin kur kaluam pranë disa djelmoshave që kishin ngujuar një pulë dhe e merrnin në shenjë. Me të parë Ibn Omerin, u shpërndanë dhe e lanë pulën. Ibn Omeri pyeti: “Kush e ka bërë këtë?” I Dërguari i Allahut ﷺ e ka mallkuar atë që vepron kështu.”
Transmetimin e fuqizon Sulejmani nga Shuëbe, i cili thotë: “Na ka treguar Minhali nga Seidi se Ibn Omeri ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka mallkuar atë që i gjymton kafshët.”
Këtë e transmeton edhe Adiu nga Seidi, e ky nga Ibn Abasi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 5515
Fjalë të panjohura?
5516. Nga: Abdullah ibn Jezid Ensariu
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Adij ibn Thabiti se Abdullah ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar grabitjen dhe gjymtimin.
26. Nënkapitulli: Mishi i pulës
5517. Nga: Ebu Musa Eshariu
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu nga Sufjani, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe, e ky nga Zehdem Xhermiu se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam parë Pejgamberin ﷺ duke ngrënë pulë.”
5518. Nga: Ebu Musa Eshariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejub ibn Ebu Temime, e ky nga Kasimi se Zehdemi tregon: “Teksa po rrinim tek Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërkohë që mes nesh dhe kësaj lagjeje të fisit xherm kishte vëllazëri, sollën ushqim, ndër të tjera, edhe mish pule. Aty ishte edhe një burrë i racës së kuqe1, i cili nuk iu afrua fare ushqimit.” Ebu Musai i tha: “Afrohu, sepse e kam parë Pejgamberin ﷺ duke e ngrënë atë!” Ai tha: “Por, unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.”
Atëherë Ebu Musai i tha: “Eja të të tregoj diçka (për betimin tënd). Njëherë, patëm shkuar te Pejgamberi ﷺ bashkë me një grup të fisit eshari, por kisha pasë qëlluar aty mu në kohën kur ai ishte i zemëruar gjatë ndarjes së disa deveve për të pranishmit, nga devetë e dhuruara për lëmoshë. Kështu, i kërkuam të na marrë me vete (për në Luftën e Tebukut), por ai u betua se nuk do të na marrë, duke thënë: “Nuk kam me se t'ju bart.” Mirëpo, pas pak, Pejgamberit ﷺ i erdhi një tufë devesh (nga plaçka e luftës) dhe tha: “Ku janë esharinjtë? Ku janë esharinjtë...?” Pastaj na dha pesë tufa devesh gungëbardha (të majme). Nuk shkuam shumë larg dhe u thashë shokëve të mi: “Pejgamberi ﷺ e harroi betimin! Betohem në Allahun se kurrë nuk do të shpëtojmë nëse ne jemi bërë shkaktarë që i Dërguari i Allahut ﷺ ta harrojë betimin.” Kështu, u kthyem te Pejgamberi ﷺ dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut, ne të patëm kërkuar që të na bartësh edhe ne, ndërsa ti u betove se nuk do të na marrësh me vete, andaj menduam se e ke harruar betimin.” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë, me lejen e Allahut shoh se një zgjidhje tjetër është më e mirë, atëherë e veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”
27. Nënkapitulli: Mishi i kalit
5519. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Hishami, e ky nga Fatimja se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ therëm një kalë dhe e hëngrëm.”
5520. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Amër ibn Dinari, e ky nga Muhamed ibn Aliu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Ditën e Hajberit, Pejgamberi ﷺ na e ka ndaluar mishin e gomarit dhe na e ka lejuar mishin e kalit.”
28. Nënkapitulli: Mishi i gomarëve
Këtë e ka transmetuar edhe Seleme nga Pejgamberi ﷺ.
5521. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sadaka na ka thënë: Na ka rrëfyer Abde nga Ubejdullahu, e ky nga Salimi dhe Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Ditën e Hajberit, Pejgamberi ﷺ na e ka ndaluar mishin e gomarëve.”
5522. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Pejgamberi ﷺ na e ka ndaluar mishin e gomarëve.”
Transmetimin e Jahjait e fuqizon Ibn Mubareku nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu. Ndërkaq Ebu Usame e transmeton nga Ubejdullahu, e ky nga Salimi.
5523. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdullahu dhe Haseni, të dy bijtë e Muhamed ibn Aliut, se babai i tyre Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hajberit, i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar kurorëzimin e llojit mut'a dhe ngrënien e mishit të gomarit.”
5524. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi nga Amri, e ky nga Muhamed ibn Aliu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Ditën e Hajberit, Pejgamberi ﷺ na e ka ndaluar mishin e gomarit dhe na e ka lejuar mishin e kalit.”
5525. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai - Bera ibn Azibi
5525, 5526 - Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Adiu se Berai dhe Ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kanë thënë: “Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar mishin e gomarëve.”
5526. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai - Bera ibn Azibi
5525, 5526
5527. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ebu Idrisi se Ebu Thalebe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar mishin e gomarëve.”
Transmetimin e Salihut e fuqizojnë Zubejdiu dhe Ukajli nga Ibn Shihabi. Ndërsa Maliku, Mameri, Maxhishuni, Junusi dhe Ibn Is'haku transmetojnë se Zuhriu ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar çdo kafshë të egër që ka dhëmbë shqyes.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5527
Fjalë të panjohura?
5528. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehab Thekafiu nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, të Dërguarit të Allahut ﷺ i vajti një burrë e i tha: “U hëngrën të gjithë gomarët!” Më pas vajti një tjetër e i tha: “U hëngrën të gjithë gomarët!” Pastaj vajti edhe një tjetër e i tha: “U zhdukën gomarët!” Fill pas kësaj, Pejgamberi ﷺ urdhëroi një thirrës që të lajmërojë njerëzit: “Vini re! Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ kanë ndaluar mishin e gomarëve, ai është i ndyrë!” Sakaq, të gjithë kazanët, të cilët vlonin përplot me mish, u derdhën.”
5529. Nga: Hakem ibn Amër Gifariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Amri tregon se i ka thënë Xhabir ibn Zejdit: “Disa po pretendojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar mishin e gomarëve.” Ai ia ktheu: “Kështu thoshte Hakem ibn Amër Gifariu te ne, në Basra, por këtë e refuzonte deti i diturisë, Ibn Abasi, i cili (si argument) e lexonte ajetin: “Thuaj: “Unë nuk shoh në këtë që më shpallet mua se dikujt i ndalon të hajë diçka...” (Enam, 145)
Referenca: Sahihu i Buhariut 5529
Fjalë të panjohura?
29. Nënkapitulli: Ngrënia e çfarëdo lloj kafshe të egër që ka dhëmbë shqyes
5530. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Idris Havlaniu se Ebu Thalebe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar ngrënien e mishit të kafshëve të egra që kanë dhëmbë shqyes.
Transmetimin e Malikut e fuqizojnë Junusi, Mameri, Ibn Ujejne dhe Maxhishuni nga Zuhriu.
30. Nënkapitulli: Lëkura e ngordhësirës
5531. Nga: Abdullah ibn Abasi
Zuhejr ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij nga Salihu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një deleje të ngordhur dhe tha: “Sikur të përfitonit nga lëkura e saj?”
- Ajo është e ngordhur, - i thanë.
- "Vetëm ngrënia e saj është e ndaluar”, - tha ai.
5532. Nga: Abdullah ibn Abasi
Hatab ibn Othmani na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Himjeri nga Thabit ibn Axhlani, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Njëherë, Pejgamberi ﷺ kaloi pranë një dhie të ngordhur dhe tha: “Sikur pronarët e saj të kishin përfituar nga lëkura e saj, s'do të kishte asnjë të keqe.”
31. Nënkapitulli: Myshku (misku)
5533. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Umare ibn Kaëkai nga Ebu Zura ibn Amër ibn Xheriri se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo i plagosur në rrugën e Allahut do të vijë Ditën e Gjykimit me plagën e tij, që do t'i gufojë gjak, ngjyra e të cilit do të jetë ngjyrë gjaku, ndërsa era, erë myshku.”
5534. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shoku i mirë dhe ai i keq i shëmbëllejnë shitësit të myshkut dhe farkëtarit: prej shitësit të myshkut ke vetëm dobi, sepse, ose ta ofron pak, ose ia blen, ose ndien aromë të këndshme prej tij; kurse farkëtari, ose ta djeg rrobën, ose ndien erë të keqe prej tij.”
32. Nënkapitulli: Lepuri
5535. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Hisham ibn Zejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në vendin Merr Dhahran trembëm një lepur. Kështu, njerëzit iu vunë pas dhe u lodhën derisa e zunë. Unë e mora dhe ia dërgova Ebu Talhait, i cili e theri dhe këllqet, - ose ka thënë: kofshët, - ia dërgoi Pejgamberit ﷺ, e ai i pranoi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5535
Fjalë të panjohura?
33. Nënkapitulli: Hardhuca Dab (uromastyx)
5536. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dabin as e ha, as e bëj të ndaluar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5536
Fjalë të panjohura?
5537. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar se Maliku transmeton nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Umame ibn Sehli se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Halid ibn Velidi i ka treguar se ai bashkë me Pejgamberin ﷺ kishin hyrë në shtëpinë e Mejmunes, ku i sollën një dab të pjekur. Pejgamberi ﷺ zgjati dorën drejt dabit, por njëra prej grave të pranishme tha: “Tregojini të Dërguarit të Allahut ﷺ se çfarë gjëje do të hajë!” I thanë: “Është dab, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ e tërhoqi dorën mbrapa. Halid ibn Velidi tha: “A është haram, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Jo, por ne nuk e kemi përdorur asnjëherë në viset tona (në fisin tim), andaj neveritem prej tij.”
Halidi thotë: “Unë pastaj e copëtova dhe e hëngra, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ﷺ më shikonte.”
34. Nënkapitulli: Rënia e miut në gjalpë të ngrirë ose të shkrirë
5538. Nga: Mejmune bint Harithi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe, e ky e ka dëgjuar Ibn Abasin se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ u pyet rreth miut që ka rënë në gjalpë dhe ka ngordhur, tha: “Hidheni miun dhe gjalpin përreth tij, e hajeni pjesën e mbetur.”
Dikush i tha Sufjanit: “Mameri po e tregon këtë hadith nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi, e ky nga Ebu Hurejra?!” Tha: “Zuhriun e kam dëgjuar duke e transmetuar vetëm nga Ubejdullahu, e ky nga Ibn Abasi, e ky nga Mejmunia, e kjo nga Pejgamberi ﷺ; ndërkohë këtë e kam dëgjuar disa herë.”
5539. Nga: Zuhriu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu nga Junusi se Zuhriu, kur tregon rreth gjallesës që ka ngordhur në vaj ose në gjalpë, të mpiksur ose të lëngshëm, qoftë mi, qoftë diçka tjetër, thotë: “Na është transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ se, kur është pyetur për miun që ka rënë në gjalpë, ka urdhëruar që miu dhe gjalpi përreth tij të hiqen, ndërsa pjesa e mbetur të hahet.”
Kjo është transmetuar në hadithin e Ubejdullah ibn Abdullahut.
5540. Nga: Mejmune bint Harithi
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ është pyetur rreth miut që ka rënë në gjalpë, ka thënë: “Hidheni miun dhe gjalpin përreth tij, e hajeni pjesën e mbetur.”
35. Nënkapitulli: Damkosja dhe shënjimi i fytyrës (së gjallesave)
5541. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Handhale se Salimi tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) urrente që të shënjohej fytyra.
Ibn Omeri ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar goditjen (në fytyrë).”
Transmetimin e ka fuqizuar Kutejbe, i cili thotë: “Na ka treguar Ankaziu nga Handhale se ka thënë: “... goditjen në fytyrë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5541
Fjalë të panjohura?
5542. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Hisham ibn Zejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në një torishtë (dhensh), u futëm tek ai bashkë me një vëlla timin (të porsalindur) për t'ia njomur gojën (me hurma të përtypura), e në atë rast e pashë atë duke damkosur një dele.” Shuëbe thotë: “Mendoj se ka thënë: “... në veshët e saj.”
36. Nënkapitulli: Kur njerëzit fitojnë një plaçkë lufte, e pastaj dikush prej tyre therë një dele apo deve, pa miratimin e shokëve të tij, nuk lejohet të hahet, bazuar në hadithin e Rafiut nga Pejgamberi ﷺ.
Ndërsa Tavusi dhe Ikrime për kafshën e therur nga hajduti thonë: "Hidheni atë (mos e hani)."
5543. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e këtij i ka treguar Seid ibn Mesruku nga Abaje ibn Rifae, e ky nga babai i tij, se gjyshi i tij Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Nesër do ta takojmë armikun, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë)?”
- “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes së saj, ju lejohet ta hani, përveç nëse është (derdhur gjaku me) dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
Kështu, ata që ishin në krye të karvanit u ngutën, i therën bagëtitë, ndërkohë që Pejgamberi ﷺ ishte nga fundi i karvanit. Pasi ata i kishin vënë kazanët (për t'i zier), Pejgamberi ﷺ urdhëroi të derdheshin, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve. Papritmas, atyre u iku një deve, ndërkohë që në mesin e njerëzve atëkohë kishte pak kuaj. Një burrë iu vërsul dhe e gjuajti me shtizë, e Allahu ia nënshtroi.
Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. Andaj, nëse ndodh që t'ju ikin kështu, veproni me to në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë).”
37. Nënkapitulli: Kur një deve ikën nga një grup njerëzish, e pastaj dikush e gjuan me shtizë dhe e vret, duke pasur për qëllim dobinë e të gjithëve, kjo (pre) është e lejuar, bazuar në hadithin e Rafiut nga Pejgamberi ﷺ.
5544. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Omer ibn Ubejd Tanafisiu nga Seid ibn Mesruku, e ky nga Abaje ibn Rifae se gjyshi i tij Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim me Pejgamberin ﷺ në një udhëtim dhe na iku një deve. Një burrë e gjuajti me shtizë dhe e zuri. Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. Andaj, nëse ndodh që t'ju ikin kësisoj, atëherë veproni me to në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë).” I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Nganjëherë ne ndodhemi nëpër beteja ose udhëtime dhe nuk kemi thika me vete?” Tha: “Shiko! Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes së saj, ju lejohet ta hani, përveç nëse është (derdhur gjaku me) dhëmb ose thua. Sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës.”
38. Nënkapitulli: Ngrënia e atij që është i detyruar të hajë (nga të ndaluarat)
Fjala e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet...” (Bekare, 172-173) Si dhe ka thënë: “Por kushdo që është i shtrënguar nga uria (dhe ha çfarë është e ndaluar), pa pasur qëllim të bëjë gjynah, do ta shohë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Maide, 3) Fjala e Tij: “Hani vetëm atë mish, gjatë therjes së të cilit është përmendur emri i Allahut, nëse vërtet besoni në shpalljet e Tij. E përse të mos e hani atë që është therur me emrin e Allahut, kur Ai tashmë jua ka shpjeguar ç’është e ndaluar, përveçse kur jeni në shtrëngesë?! Shumë njerëz i largojnë të tjerët nga rruga e drejtë nga padija dhe nga dëshirat e tyre të kota. Në të vërtetë, Zoti yt i njeh më së miri ata që e kanë kaluar kufirin.” (Enam, 118-119) Pastaj Fjala e të Lavdishmit: “Thuaj: “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua asgjë që e ndalon njeriun të hajë çfarë të dojë, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur, mishit të derrit – se këto janë të ndyta – dhe mishit që është therur në emër të dikujt tjetër në vend të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë." (Enam, 145) Fjala e Allahut: “Ushqehuni me gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka dhënë Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet e adhuroni Atë.” (Nahl, 114)