87. Shpagimi i gjaqeve
1. Nënkapitulli: Ajeti: “Kushdo që mbyt një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi...”
6861. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Amër ibn Shurahbili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri pyeti:
- O i Dërguari i Allahut! Cili është mëkati më i madh tek Allahu?
- “T'i bësh ortak Allahut, ndërkohë Ai të ka krijuar”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cili? - pyeti ai.
- “Ta mbytësh fëmijën tënd nga frika se do të ushqehet së bashku me ty.”
- Pastaj cili?
- “Të bëhet imoralitet me gruan e fqinjit.”
Pastaj Allahu i Lartësuar zbriti ajetin miratues të fjalës së Pejgamberit ﷺ: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë zina. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.” (Furkan, 68)
6862. Nga: Abdullah ibn Omeri
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Is'hak ibn Seid ibn Amër ibn Seid ibn Asi, e ky nga babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari vazhdon të jetë në suaza të fesë së tij përderisa nuk ka derdhur gjak të ndaluar (të dikujt).”
6863. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Jakubi më ka thënë: Na ka treguar Is'haku, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ndër gjërat e ndërlikuara, për të cilat s'do të gjejë rrugëdalje ai që e ka futur veten në to është derdhja padrejtësisht e gjakut të ndaluar.”
6864. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjëja e parë që do të gjykohet mes njerëzve (në Ditën e Kiametit) janë gjaqet.”
6865. Nga: Mikdad ibn Amër Kindiu
Abdani na ka thënë: Na ka treguar Abdullahu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ata ibn Jezidi, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Adiu se Mikdad ibn Amër Kindiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), aleat i fisit benu zuhre dhe pjesëmarrës në Bedër me të Dërguarin e Allahut ﷺ, tregon se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, nëse më ndodh të takoj një jobesimtar e të luftoj me të, ndërkohë më bie me shpatë e ma pret dorën dhe pastaj mbrohet nga unë pas një peme dhe thotë: “I jam nënshtruar Allahut!” A ta vras, vallë, pasi ta thotë këtë?”
- “Mos e vrit!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, ai më preu njërën dorë dhe ato fjalë i tha pasi ma preu dorën, e të mos e vras? - përsëriti Mikdadi.
- “Mos e vrit, se, po e vrave, ai do të vijë në pozitën që kishe ti para se ta vrisje, ndërsa ti do të vije në pozitën që kishte ai para se t'i thoshte ato fjalë”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”
6866. Nga: Abdullah ibn Abasi
Habib ibn Ebu Amra transmeton nga Seidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Mikdadit: “Nëse gjendet një besimtar që e fsheh besimin e tij në mesin e një populli jobesimtar, i cili, po qe se do ta shfaqte besimin e tij haptas, ata do ta vrisnin, (dije se) edhe ti kështu e fshihje besimin tënd më parë, sa ke qenë në Mekë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6866
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Ajeti: “... E kush e ngjall atë (shpëton një jetë)...”
Ibn Abasi ka thënë: "Kush pengon një vrasje, përveç kur është me të drejtë, është: “... si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit...” (Maide, 32)
6867. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sa herë që dikush vritet padrejtësisht, i biri i parë i Ademit do të ketë hise (mëkati) në atë gjak.”
6868. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Vakid ibn Abdullahu, e ky nga babai i tij se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos u ktheni pas meje në kufër (mosbesim) e ta vrisni njëri-tjetrin.”
6869. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ali ibn Mudriku, e ky e ka dëgjuar Ebu Zura ibn Amër ibn Xheririn se Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Haxhin Lamtumirës Pejgamberi ﷺ më tha: “Thuaju njerëzve të dëgjojnë! ... Mos u ktheni pas meje në kufër (mosbesim) e ta vrisni njëri-tjetrin.”
Këtë e transmeton edhe Ebu Bekrete dhe Ibn Abasi nga Pejgamberi ﷺ.
6870. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Firasi, e ky nga Shabiu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mëkatet e mëdha janë: t'i bëhet ortak Allahut dhe mosrespektimi i prindërve, - Shuëbe është në mëdyshje nëse ka shtuar edhe: betimi i rrejshëm.”
Muadhi ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe: “Mëkatet e mëdha janë: t'i bëhet ortak Allahut, betimi i rrejshëm dhe mosrespektimi i prindërve, - ose ka shtuar edhe: dhe vrasja e njeriut.”
6871. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Ebu Bekri se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mëkatet e mëdha janë...”
Amri na ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe nga Ibn Ebu Bekri se Enesi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mëkatet më të mëdha janë: të bërët ortak Allahut, vrasja e njeriut, mosrespektimi i prindërve dhe fjala e rrejshme, - ose ka thënë: dhe dëshmia e rrejshme.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6871
Fjalë të panjohura?
6872. Nga: Usame ibn Zejdi
Amër ibn Zurare na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka treguar Husajni, e këtij i ka treguar Ebu Dhabjani se Usame ibn Zejd ibn Harithe (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na dërgoi te familja huraka e fisit xhuhejne, të cilët i sulmuam në agim dhe i mundëm. Unë dhe një ensar iu vumë pas një burri, i cili, kur e zumë, tha: “La ilahe il-lallah.” Rrjedhimisht, ensari u ndal, kurse unë e godita me shtizë dhe e vrava. Kur u kthyem dhe i Dërguari i Allahut ﷺ u informua për këtë, më tha: “O Usame, a e vrave pasi tha: “La ilahe il-lallah?”
- O i Dërguari i Allahut, ai e tha këtë për t'u mbrojtur, - i thashë.
Por, Pejgamberi ﷺ e përsëriti pyetjen e njëjtë: “A e vrave pasi tha: “La ilahe il-lallah?” Usame thotë: “Aq shumë ma përsëriti këtë, saqë do të doja të mos e kisha pranuar Islamin para asaj dite.”
6873. Nga: Ubade ibn Samiti
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jezidi, e ky nga Ebu Hajri, e ky nga Sunabihiu se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kam qenë njëri ndër përfaqësuesit e përzgjedhur që ia dhamë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ (në Marrëveshjen e Akabesë). Ne u betuam se: nuk do t'i bëjmë Allahut ortak asgjë, nuk do të bëjmë zina, nuk do të vjedhim, nuk do ta vrasim atë që e ka ndaluar Allahu, përveç me të drejtën sheriatike, nuk do të grabisim dhe nuk do t'i kundërvihemi. Nëse i përmbahemi kësaj bese, do të shpërblehemi me Xhenet, e, nëse bëjmë diçka prej këtyre (mëkateve), gjykimi për të është tek Allahu.”
6874. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i ngre armët kundër nesh, nuk është prej nesh.”
Këtë e transmeton edhe Ebu Musai nga Pejgamberi ﷺ.
6875. Nga: Ebu Bekrete
Abdurrahman ibn Mubareku na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka treguar Ejubi dhe Junusi, e këta të dy nga Haseni se Ahnef ibn Kajsi tregon: “Teksa po shkoja ta ndihmoja këtë njeri (Aliun), e takova Ebu Bekreten (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili më tha: “Ku po shkon?” I thashë: “Ta ndihmoj këtë njeri.” Më tha: “Kthehu, se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kur dy muslimanë ndeshen me shpatat e tyre, vrasësi dhe i vrari do të jenë në Zjarr.” E pyeta: “O i Dërguari i Allahut, për vrasësin po kuptohet, po çfarë është puna e të vrarit?” Më tha: “Edhe ai ishte i vendosur për ta vrarë vëllanë e vet.”
3. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që besuat, ju është caktuar norma e hakmarrjes në vrasje: "I liri për të lirin, robi për robin dhe femra për femrën. Kurse atij që i falet diçka nga vëllai i vet atëherë ajo le të përcillet (nga familja që e fal gjakun) me mirëkuptim dhe shpagimi (nga dorasi) le të bëhet me të mirë. Kjo është një lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. E kush tejkalon kufijtë pas këtij (pajtimi), ai ka një dënim të dhembshëm.”
4. Nënkapitulli: Marrja në pyetje e vrasësit derisa ta pranojë (fajin) dhe pranimi (i fajit) në gjërat për të cilat ka ndëshkim të përcaktuar
6876. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një hebre i shtypi kokën një robëreshe me dy gurë. E pyetën: “Vallë, kush ta ka bërë këtë? Filani? Filani?” - derisa ia përmendën emrin e hebreut. Kur e sollën (dorasin), Pejgamberi ﷺ vazhdimisht i bëri pyetje, derisa ai e pranoi (fajin). Si pasojë, edhe atij ia shtypën kokën me gurë (siç kishte bërë me robëreshën).
5. Nënkapitulli: Nëse vrasja bëhet me gur ose me shkop
6877. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Idrisi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Hisham ibn Zejd ibn Enesi, e ky nga gjyshi i tij se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një robëreshë doli e stolisur nëpër Medinë, andaj një hebre e goditi me gur. Duke qenë në frymën e fundit, robëreshën e sollën tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili e pyeti: “Filani të vrau?” Ajo e ngriti kokën (duke mohuar). - “Filani të vrau?” - e pyeti sërish (për dikë tjetër). Ajo sërish e ngriti kokën (duke mohuar). Kur e pyeti për së treti: “Filani të vrau?”, ajo tundi kokën (duke pohuar). Si pasojë, i Dërguari i Allahut ﷺ e thirri personin në fjalë dhe e ekzekutoi me dy gurë (ashtu siç e kishte kryer vrasjen ai).”
6. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Ne u caktuam atyre në Teurat: jeta me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plaga me plagë (të njëjtë me të). Por kushdo që fal shpagimin si lëmoshë, ka bërë një vepër që është shlyerje për gjynahet e veta. Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur Allahu, ai është shkelës i vërtetë.”
6878. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet të derdhet gjaku i muslimanit që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, përpos në tri raste:
1. Njeriu (vritet) për njeriun,
2. I martuari zinaqar dhe
3. Ai që e braktis fenë duke e lënë xhematin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6878
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Ekzekutimi me gur për shpagim të gjakut
6879. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hisham ibn Zejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një hebre vrau një robëreshë me gur, për t'ia marrë stolitë. Duke qenë në frymën e fundit, robëreshën e sollën te Pejgamberi ﷺ, i cili e pyeti: “Filani të vrau?” Por, ajo mohoi me kokë. E pyeti sërish (për dikë tjetër), por ajo sërish mohoi me kokë. Kur e pyeti për së treti, ajo pohoi me kokë.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ e ekzekutoi vrasësin me dy gurë (ashtu siç e kishte vrarë ai robëreshën).
8. Nënkapitulli: Atij që i vritet i afërmi, ka dy zgjedhje (shpagimin e gjakut ose ekzekutimin e vrasësit)
6880. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Ebu Hurejra se fisi huzaë kishin vrarë një njeri ... [t]: Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Harb ibn Jahjai, e këtij i ka treguar Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në vitin e Çlirimit të Mekës disa pjesëtarë të fisit benu huzaë vranë një pjesëtar të fisit benu lejth, si hakmarrje për një të vrarë të tyre të periudhës paraislame. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe tha: “Allahu e ka penguar elefantin (e Ebrehesë) të hynte në Mekë dhe mekasit i ka vënë nën pushtetin e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe besimtarëve. Vini re! Lufta në të nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës, porse tani më është ndaluar edhe mua. Në të nuk lejohet as shkulja e gjembave e as dëmtimi i pemëve, si dhe nuk merret gjëja e humbur, përveç nëse lajmërohet. Familja e të vrarit ka dy zgjedhje: o shpaguhet gjaku i të vrarit, o merret hak për të (ekzekutohet vrasësi).”
Një burrë nga Jemeni, që quhej Ebu Shah, tha: “Ma shkruaj këtë, o i Dërguari i Allahut!”
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Shënojani këto gjëra Ebu Shahut.”
Pas kësaj, dikush nga kurejshët u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, përveç idhhirit, sepse me të i mbulojmë shtëpitë dhe varret tona.”
- “Përveç idhhirit”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Transmetimin e Ebu Nuajmit e fuqizon Ubejdullahu nga Shejbani, përkitazi me shprehjen "el-fil" (elefanti), për të cilën shprehje disa të tjerë kanë transmetuar nga Ebu Nuajmi se ka thënë: "el-katl" (vrasja). (Këto dy fjalë, nëse u ndërrohen vendet shenjave të pikësimit, mund të marrin kuptimin e njëra-tjetrës). Ndërkaq, Ubejdullahu ka thënë: "O merret hak për të nga familja e të vrarit.”
6881. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Muxhahidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Te benu israilët ka pasur vetëm kisas, pa shpagim. Allahu i Lartësuar i është drejtuar këtij umeti (të Muhamedit ﷺ): “Është caktuar për ju kisasi për vrasje: i liri për të lirin, robi për robin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit...” (Bekare, 178)
Këtu, falje nënkupton kur farefisi i të vrarit pranon shpagim për vrasje të qëllimshme, kurse pjesa e ajetit: “... duhet të sillet njerëzishëm...” do të thotë: “Shpagimi të kërkohet me mirëkuptim dhe të jepet me mirësjellje.”
9. Nënkapitulli: Ai që padrejtësisht kërkon hakun e gjakut të të afërmit
6882. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Husejni, e këtij i ka treguar Nafi ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njerëzit më të urryer tek Allahu janë tre:
1. Ai që bën padrejtësi në Harem,
2. Ai që në Islam kërkon të gjykohet me rregullat paraislame dhe
3. Ai që këmbëngul padrejtësisht në gjakun e dikujt, vetëm për të derdhur gjakun e të akuzuarit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6882
Fjalë të panjohura?
10. Nënkapitulli: Falja e gjakut të të vrarit gabimisht
6883. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ferve na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij, e ky nga Aishja: Pasi që idhujtarët u mposhtën ditën e Uhudit... [t]: Muhamed ibn Harbi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Mervan Jahja ibn Ebu Zekerija, e ky nga Hishami, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Uhudit, Iblisi klithi ndër njerëz: “O robër të Allahut! Mbrapa jush!” Kështu, ata që ishin përpara, u kthyen mbrapa dhe vranë Jemanin (gabimisht). Rrjedhimisht, Hudhejfe thirri: “Babai im! Babai im!” Por, ata tanimë e kishin vrarë. Më pas, Hudhejfe tha: “Allahu ju faltë!”
Njëri nga transmetuesit thotë: “Disa prej tyre u shpartalluan, saqë ikën në Taif.”
11. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: "Nuk bën që besimtari të vrasë besimtarin, përveçse gabimisht. Kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një besimtar të robëruar dhe t’u paguajë gjakun trashëgimtarëve të të vrarit, përpos rastit kur familja e të vrarit ia fal gjakun. Nëse i vrari është nga një popull që e keni armik e njëkohësisht është besimtar, duhet të lirohet një besimtar i robëruar. Nëse i vrari është nga një popull me të cilin ju keni lidhur marrëveshje, i duhet paguar gjaku familjes së tij, duke liruar edhe një besimtar të robëruar. Ai që s’mund të gjejë rob, duhet të agjërojë dy muaj rresht. (Kjo është bërë) në shenjë pendimi para Allahut. Se Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë."
12. Nënkapitulli: Dorasi ekzekutohet nëse pranon vrasjen qoftë vetëm një herë
6884. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Habani, e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon për një hebre, i cili ia kishte shtypur kokën një robëreshe mes dy gurësh. Atëherë, e pyetën robëreshën: “Kush ta bëri këtë? Filani? Filani?” Sapo përmendën emrin e hebreut, ajo pohoi me kokë. Kështu, e morën hebreun dhe, nuk kaloi shumë kohë, ai pranoi (që e kishte kryer krimin). Kështu, Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i shtypej koka me gurë (edhe këtij).”
Hemami ka thënë: “... me dy gurë.”
13. Nënkapitulli: Ekzekutimi i mashkullit për vrasjen e femrës
6885. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ekzekutoi një hebre për një robëreshë, të cilën hebreu e kishte vrarë për shkak të disa stolive të saj.
14. Nënkapitulli: Kisasi për plagët që mashkulli i shkakton femrës dhe anasjelltas
Dijetarët kanë thënë: "Mashkulli ekzekutohet për femrën." Tregohet se Omeri ka thënë: "Femra ekzekutohet për mashkullin, në çdo vrasje të qëllimshme që rezulton me humbje jete ose shkaktim plagësh." Këtë mendim e kishte edhe Omer ibn Abdulazizi, Ibrahimi dhe Ebu Zinadi. Motra e Rebias i shkaktoi plagë një njeriu, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Të zbatohet kisasi.”
6886. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ebu Aishe, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ lëngonte në sëmundjen e vdekjes, i dhamë ilaç me imponim (në qoshe të gojës). Ai na thoshte: “Mos më jepni ilaç!” Ne thoshim: “Është reagimi i të sëmurit nga antipatia prej ilaçit.” Por, kur u kthjell, na tha: “Askush prej jush të mos mbetet pa marrë ilaç në këtë formë, përveç Abasit, se ai nuk ishte i pranishëm!”
15. Nënkapitulli: Ai që e merr hakun e vet ose e zbaton dënimin e njëjtë pa lejen e prijësit
6887. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e këtij i ka treguar Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ne jemi të fundit (si umet) dhe të parët në Ditën e Gjykimit.”
6888. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse dikush shikon fshehurazi në shtëpinë tënde, pa i dhënë leje, dhe ti e gjuan me guralecë e ia qorron syrin, nuk ke mëkat.”
6889. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai se Humejdi tregon: “Një njeri po shikonte në njërën nga shtëpitë e Pejgamberit ﷺ, e në atë rast Pejgamberi ﷺ ia drejtoi majën e shigjetës.”
Jahjai e pyeti Humejdin: “Kush të ka treguar për këtë?” Ai iu përgjigj: “Enes ibn Maliku.”
16. Nënkapitulli: Nëse vdes ose vritet nga turma
6890. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Is'hak ibn Mensuri më ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Usame, e këtij i ka rrëfyer Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Uhudit, kur idhujtarët u mposhtën, Iblisi thirri: “O robër të Allahut! Mbrapa jush!” Kështu, ata që ishin përpara, u kthyen mbrapa dhe u përballën me të fundit. Hudhejfe shikoi dhe e pa babanë e vet, Jemanin, dhe thirri: “O robër të Allahut! Babai im! Babai im!” Por, për Allahun, ata nuk u ndalën, derisa e vranë. Pastaj Hudhejfe tha: “Allahu ju faltë!”
Urve tregon: “Hudhejfe vazhdonte të bënte lutje dhe të kërkonte falje për atë që ia vrau babanë gabimisht, deri në vdekje.”
17. Nënkapitulli: Nëse e vret veten gabimisht, nuk ka shpagim gjaku për të
6891. Nga: Seleme ibn Ekvai
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë rrugës me Pejgamberin ﷺ për në Hajber, dikush tha: “O Amir, a po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Kështu, ai filloi të recitojë poezi. Pejgamberi ﷺ pyeti: “Kush është ky ngasës?”
- Amiri, - i thanë.
- “Allahu e mëshiroftë!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Dikush tha: “O Pejgamber i Allahut, sikur të kënaqeshim edhe pak me të?”
Amiri u vra në mëngjesin e asaj nate. Disa thanë: “Amirit i janë shkatërruar veprat, se e vrau veten!”
Kështu, unë i lashë ata duke thënë se Amirit i janë shkatërruar veprat, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “O Pejgamber i Allahut, kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Ata po pretendojnë se Amirit i janë shkatërruar veprat!”
- “Ka gënjyer kush thotë ashtu. Në të vërtetë, ai ka dy shpërblime: ka qenë i zellshëm dhe luftëtar. E kush nga të vrarët mund t'ia kalojë atij?! - tha Pejgamberi ﷺ.”
18. Nënkapitulli: Kur e kafshon tjetrin dhe i bien dhëmbët (kafshuesit)
6892. Nga: Imran ibn Husajni
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Katadja, e ky e ka dëgjuar Zurare ibn Eufain se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë ia kishte kafshuar dorën një tjetri dhe, me të tërhequr ai dorën, të parit i kishin rënë dhëmbët e përparmë. Kur shkuan të gjykohen te Pejgamberi ﷺ, ai u tha: “A e kafshon dikush vëllanë e vet siç kafshon deveja?! Jo, nuk ka shpagim (për dhëmbët e rënë).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6892
Fjalë të panjohura?
6893. Nga: Jala ibn Umeje
Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai, e ky nga Safvan ibn Jala se Jala ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam marrë pjesë në një ekspeditë luftarake, ku një njeri kafshoi një tjetër dhe, si pasojë, iu shkul dhëmbi i përparmë. Por, Pejgamberi ﷺ nuk vendosi shpagim (për dhëmbin e rënë).”
19. Nënkapitulli: “... Dhëmbi për dhëmbin...”
6894. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ensariu na ka thënë: Na ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E bija e Nadrit goditi me shuplakë një vajzë dhe ia theu dhëmbin. Kur shkuan te Pejgamberi ﷺ (për t'u gjykuar), ai vendosi që të merret hak.”
20. Nënkapitulli: Shpagimi i gishtave
6895. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ky dhe ky janë të barabartë (në shpagim).” Pra, gishti i vogël me të madhin.
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: “Na ka treguar Ibn Ebu Adiu nga Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë...” dhe përmendi fjalë të ngjashme.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6895
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Nëse një grup qëllon një person, a duhet të dënohen të gjithë?
Mutarrifi transmeton se Shabiu ka treguar: "Dy persona dëshmuan për një tjetër se kishte vjedhur, andaj Aliu ia këputi dorën. Pastaj, ata dy sollën një tjetër dhe thanë se kemi gabuar (me të parin)." Kështu, Aliu e anuloi dëshminë e tyre dhe ua kërkoi shpagimin për dorën e të parit, pastaj tha: "Sikur ta dija se këtë e keni bërë me qëllim, juve do t'jua këpusja duart."
6896. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëherë, një djalosh u vra fshehurazi, e në atë rast Omeri tha: “Sikur të kishin marrë pjesë tërë banorët e Sanasë (në vrasjen e tij), do t'i ekzekutoja të gjithë!”
Mugire, i biri i Hakimit, transmeton se babai i tij ka thënë: “Katër persona kishin vrarë një fëmijë, e në atë rast Omeri ka thënë...” njëjtë sikurse fjalët e mësipërme.
Ebu Bekri, Ibn Zubejri, Aliu dhe Suvejd ibn Mukarrini kanë gjykuar me hakmarrje edhe për një shuplakë.
Omeri ka gjykuar me hakmarrje për goditjen me shkop.
Aliu ka gjykuar me hakmarrje në rast të tri goditjeve me shkop.
Shurejhu ka marrë hak për goditje me kamxhik dhe gërvishtje.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6896
Fjalë të panjohura?
6897. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ebu Aishe, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut ﷺ lëngonte në sëmundjen e vdekjes, i dhamë ilaç me imponim (në qoshe të gojës). Ai na bënte me shenjë: “Mos më jepni ilaç!” Ne thoshim: “Është reagimi i të sëmurit nga antipatia prej ilaçit.” Por, kur u kthjell, na tha: “A nuk ju ndaloja të më jepnit ilaç?!” Ne i thamë: “Mendonim se ishte reagim i të sëmurit nga antipatia për ilaçet.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Askush në shtëpi të mos mbesë pa marrë ilaç, - para syve të mi, - përveç Abasit, se ai nuk ishte i pranishëm!”
22. Nënkapitulli: Betimi kolektiv
Eshath ibn Kajsi tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ose bjeri dy dëshmitarë, ose ai do të betohet.” Ibn Ebu Mulejke ka thënë: "Muaviu nuk ka gjykuar me hakmarrje në rast të betimit kolektiv." Omer ibn Abdulazizi i shkroi Adij ibn Ertahut, të cilin e kishte caktuar prijës në Basra, për një të vrarë i cili ishte gjetur në njërën nga shtëpitë e shitësve të vajit, ku i tha: "Nëse shokët e tij gjejnë ndonjë argument (merr hak për të), përndryshe mos u bëj padrejtësi njerëzve, se për të (padrejtësinë) nuk gjykohet deri në Ditën e Kiametit."
6898. Nga: Sehël ibn Ebu Hathme
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Seid ibn Ubejdi, e ky nga Bushejr ibn Jesari se një burrë prej ensarëve, gjegjësisht Sehël ibn Ebu Hathme tregon: “Një grup njerëzish prej fisit tim shkuan në Hajber dhe aty u shpërndanë. Më pas, njërin prej tyre e gjetën të vdekur. Pronarëve, te të cilët u gjet i vdekuri, u thanë: “Ju e vratë shokun tonë.”
- Nuk e kemi vrarë e as e dimë kush e ka vrarë, - thanë ata.
Kështu, shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne shkuam në Hajber, ku gjetëm një shok tonin të vrarë.” Pejgamberi ﷺ tha: “(Le të flasë) më i vjetri, më i vjetri!” Pastaj u tha: “Duhet të më sillni argument për vrasësin.”
- Por, ne nuk kemi argument, - i thanë ata.
- “Atëherë, ata (hebrenjtë) do të betohen”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Nuk pajtohemi me betimin e hebrenjve, - thanë ata.
I Dërguari i Allahut ﷺ nuk dëshironte që gjaku i tij të shkonte huq, andaj e shpagoi me njëqind deve të sadakasë.”
6899. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bishr Ismail ibn Ibrahim Esediu, e këtij i ka treguar Haxhaxh ibn Ebu Othmani, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai, prej familjes së Ebu Kilabes, se Ebu Kilabe tregon: “Një ditë, Omer ibn Abdulazizi i hapi dyert për njerëzit dhe u dha leje për të hyrë. Ndërkohë, ai i pyeti: “Çfarë thoni për betimin kolektiv?”
- Betimi kolektiv është hakmarrje dhe është legjitim, sepse me të kanë gjykuar halifët e drejtë, - i thanë ata.
Pastaj mua më tha: “Ç'thua ti, o Ebu Kilabe?” - dhe më vendosi para njerëzve. Unë thashë: “O prijës i besimtarëve, ti i ke udhëheqësit e ushtrive dhe prijësit e arabëve, çka mendon po qe se pesëdhjetë prej tyre të dëshmojnë për një person të martuar në Damask se ka bërë zina, porse nuk e kanë parë, a do ta gurëzoje?”
- Jo, - tha ai.
- Çka mendon po qe se pesëdhjetë prej tyre të dëshmojnë për një person në Homs se ka vjedhur, pa e parë, a do t'ia prisje dorën? - e pyeta.
- Jo, - tha ai.
- Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka vrarë ndokënd përveç për këto tri arsye:
1. Një person që ka vrarë dikë (padrejtësisht), atëherë është ekzekutuar,
2. Një të martuar që ka bërë zina dhe
3. Një person që e lufton Allahun e të Dërguarin e Tij dhe bëhet renegat nga Islami, - i thashë unë.
Disa të pranishëm thanë: “A nuk na ka treguar Enes ibn Maliku se i Dërguari i Allahut ﷺ ka këputur dorë për shkak të vjedhjes dhe ua ka damkosur sytë disa kriminelëve, të cilët më pas i pati lënë në diell?” Unë u thashë: “Do t'jua tregoj unë rrëfimin e Enesit: Enesi më ka treguar se një grup prej tetë personash nga Ukli shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia dhanë besën për Islam. Meqë nuk iu përshtat klima e vendit, ata u sëmurën, andaj u ankuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili u tha: “Përse nuk shkoni me bariun tonë te devetë e tij e të pini prej qumështit dhe urinës së deveve?”
- Posi, - thanë ata.
Kështu, ata shkuan, pinë qumësht e urinë të deveve dhe u shëruan. Por, më pas e mbytën bariun e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i morën devetë. Posa i Dërguari i Allahut ﷺ u informua për këtë, dërgoi dikë pas tyre, derisa i kapën dhe ia sollën pranë. Pejgamberi ﷺ urdhëroi që t'u priten duart dhe këmbët, t'u nxirren sytë e pastaj i la në diell derisa vdiqën.
Unë thashë: “A ka diçka më të rëndë sesa ajo që kanë vepruar ata? Janë bërë renegatë nga Islami, vranë dhe vodhën?”
Anbese ibn Seidi tha: “Betohem në Allahun se kurrë nuk i kam dëgjuar këto gjëra!”
- Vallë, po ma refuzon transmetimin, o Anbese? - iu drejtova.
- Jo. Ti e rrëfeve ngjarjen ashtu si është. Betohem në Allahun se kjo ushtri do të jetë në mirësi përderisa ky plak është në mesin e tyre, - tha Anbese.
Unë thashë: “Rreth kësaj, ka një ndodhi me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Njëherë, një grup ensarësh shkuan te Pejgamberi ﷺ dhe ndenjën duke biseduar. Kur njëri prej tyre doli jashtë, dikush e vrau. Shokët e tij i shkuan pas për ta gjetur të zhytur në gjak.” Rrjedhimisht, u kthyen tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, shoku ynë që rrinte me ne, doli më herët, por e gjetëm të zhytur në gjak. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Për kë mendoni se e ka vrarë?
- Mendojmë se hebrenjtë e kanë vrarë, - i thamë.
Kështu, ai i thirri hebrenjtë dhe u tha: “A ju e keni vrarë këtë?”
- Jo, - i thanë ata.
- “A pajtoheni që pesëdhjetë hebrenj të betohen se nuk e kanë vrarë?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ ensarët.
Ensarët thanë: “Ata edhe sikur të na vrisnin të gjithëve, nuk brengosen të betohen (rrejshëm).”
Pejgamberi ﷺ tha: “A doni të merrni shpagim duke u betuar pesëdhjetë prej jush?”
- Ne nuk betohemi, - thanë ata.
Kështu, Pejgamberi ﷺ vetë e shpagoi gjakun e tij.
Ebu Kilabe vazhdon: “Fisi hudhejl pati braktisur një person të tyre në periudhën paraislame, i cili, një natë, sulmoi një familje jemenase në Bat'ha. Një pjesëtar i familjes e hetoi dhe e gjuajti me shpatë duke e lënë të vdekur. Fisi hudhejl, gjatë sezonit të haxhit, erdhën, e morën jemenasin dhe e dërguan tek Omeri e i thanë: “Ky e ka vrarë shokun tonë.”
- Por këta e kanë braktisur atë, - tha jemenasi.
Omeri tha: “Le të betohen pesëdhjetë persona të fisit hudhejl se nuk e kanë braktisur atë.” Kështu, dyzet e nëntë prej tyre u betuan. Pastaj erdhi edhe një nga Shami, të cilit i kërkuan të betohet. Por ai e shpagoi betimin e tij me një mijë dërhemë, që të mos betohet. Kështu, në vend të tij futën dikë tjetër dhe e dorëzuan te vëllai i të vrarit, i cili e lidhi për dore të vet. Këta dy dhe të tjerët që u betuan morën rrugë derisa arritën te vendi i quajtur Nahle (afër Mekës). Aty filloi të bjerë shi, andaj ata u futën në një shpellë në kodër. Si pasojë, shpella u shemb mbi të gjithë të pesëdhjetët që u betuan (rrejshëm) dhe të gjithë vdiqën. Dy personat që ishin lidhur mes vete zunë të ikin, porse një gur u rrokullis pas tyre dhe ia theu këmbën vëllait të të vrarit, i cili jetoi një vit dhe vdiq.
Ebu Kilabe sërish vazhdoi: “Abdulmelik ibn Mervani mori hakun e një personi me betim kolektiv, pastaj u pendua për këtë vepër dhe urdhëroi që ata pesëdhjetë persona që ishin betuar të fshihen nga regjistri i shtetit dhe i dëboi në Sham.”
23. Nënkapitulli: Për atë që shikon në shtëpinë e dikujt dhe pronari ia qorron syrin, nuk ka shpagim
6900. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, një njeri zuri të shikonte (përmes një vrime) në njërën nga shtëpitë e Pejgamberit ﷺ, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u drejtua nga ai me një majë shigjete, - ose ka thënë: me disa maja shigjetash, - duke i shkuar fshehurazi për ta goditur (në sy).”
6901. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri zuri të shikonte në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut ﷺ përmes një vrime, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po e krihte kokën me krehër. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Sikur ta dija se po më shikoje, do të ta qorroja syrin me këtë. Kërkimi i lejes është vendosur për shkak të shikimit.”
6902. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Ebu Kasimi ﷺ ka thënë: “Nëse dikush shikon fshehurazi në shtëpinë tënde, pa i dhënë leje, dhe ti e gjuan me guralecë e ia qorron syrin, nuk ke mëkat.”
24. Nënkapitulli: Farefisi i dorasit (që obligohen të shpaguajnë gjakun)
.
6903. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Sadaka ibn Fadli na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e këtij i ka treguar Mutarrifi, e ky e ka dëgjuar Shabiun se Ebu Xhuhajfe tregon se e ka pyetur Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A posedoni diçka të shkruar (prej Pejgamberit ﷺ) krahas Librit të Allahut?” E tjetër herë ka thënë: “Diçka që nuk e kanë njerëzit?”
Ai iu përgjigj: “Betohem në Atë që e bën farën të mbijë dhe që ka krijuar njerëzimin se nuk kemi diçka tjetër përveç asaj që është në Kuran, ose të kuptuarit e Kuranit që i jepet ndokujt, si dhe përmbajtjes së kësaj fletushke.”
- Po çfarë ka në këtë fletushkë? - e pyeta.
- Rregullat se kur farefisi i dorasit obligohen të shpaguajnë gjakun, lirimi i robit dhe norma se muslimani nuk mbytet për jobesimtarin, - m'u përgjigj Aliu.”
25. Nënkapitulli: Fëmija në barkun e gruas
6904. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku; [t]: Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dy gra të fisit hudhejl u grindën mes vete dhe njëra e goditi tjetrën (me gur), gjë që kësaj të fundit i shkaktoi abort. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ gjykoi që shpagimi për këtë të jetë sa vlera e një robi a robëreshe të re në moshë.”
6905. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se si Omeri u konsultua me ata në lidhje me gruan që e lind foshnjën të vdekur (si pasojë e goditjes). Mugire i tha se Pejgamberi ﷺ ka gjykuar që shpagimi për këtë të jetë sa vlera e një robi a robëreshe të re në moshë.
6906. Nga: Omer ibn Hatabi
Si vazhdim i hadithit paraprak, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu drejtua Mugirës: “Sill dikë të dëshmojë për ty.” Atëherë, Muhamed ibn Mesleme dëshmoi se e ka parë Pejgamberin ﷺ të ketë gjykuar ashtu.
6907. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Hishami se babai i tij Urve tregon: “Omeri i pyeti njerëzit nëse dikush e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë gjykuar për foshnjën e abortuar (si pasojë e goditjes), e në atë rast Mugire ibn Shuëbe tha: “Unë e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë gjykuar që shpagimi të jetë sa vlera e një robi a robëreshe të re në moshë.”
6908. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Në vazhdim të hadithit paraprak, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu drejtua Mugirës: “Sill dikë të dëshmojë për ty!” Atëherë Muhamed ibn Mesleme tha: “Unë dëshmoj se Pejgamberi ﷺ ka gjykuar kështu.”
6908. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri i kishte konsultuar ata në lidhje me një grua e cila e lind foshnjën e vdekur (pasi është goditur)...
26. Nënkapitulli: Fëmija në barkun e gruas dhe fakti se shpagimi është obligim i babait dhe familjes së tij, e jo i fëmijës
6909. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ, për fëmijën që një pjesëtare e fisit lehjan e kishte lindur të vdekur (si pasojë e goditjes nga një grua tjetër), pati gjykuar që shpagimi i gjakut të jetë sa vlera e një robi a robëreshe të re në moshë. Më pas, gruaja që kreu vrasjen, e cila duhej të jepte një të dhjetën e vlerës së robit a robëreshës, vdiq. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ gjykoi që trashëgimia e saj t'u takojë fëmijëve dhe burrit, ndërsa shpagimin e gjakut ta paguajnë familjarët nga ana e babait.
6910. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dy gra të fisit hudhejl u përleshën dhe njëra e goditi tjetrën me gur (në bark), si pasojë e së cilës e mbyti nënën dhe fëmijën e saj në bark. Ata e ngritën çështjen te Pejgamberi ﷺ, i cili gjykoi se shpagimi i gjakut për foshnjën në bark të jetë sa vlera e një robi a robëreshe të re në moshë, si dhe gjykoi që shpagimin e gjakut për gruan ta bëjnë familjarët e vrasëses (nga ana e babait).”
27. Nënkapitulli: Ai që kërkon ndihmën e një robi a fëmije (dhe i vdes gjatë punës)
Përmendet nga Umu Seleme se ajo dërgoi dikë te mësuesi i fëmijëve: "Më dërgo disa robër që të shprishin lesh, e mos më dërgo njeri të lirë."
6911. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Zurare më ka thënë: Na ka rrëfyer Ismail ibn Ibrahimi, e ky nga Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, Ebu Talhai më mori për dore, më çoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Enesi është djalosh i mençur, andaj le të të shërbejë ty.” Kështu, i shërbeja të Dërguarit të Allahut ﷺ në shtëpi dhe në rrugëtim. Betohem në Allahun se asnjëherë nuk më ka thënë për diçka që e kam vepruar: “Pse këtë e bëre kështu?” Dhe as për diçka që nuk e kam vepruar: “Pse atë nuk e bëre ashtu?”
28. Nënkapitulli: Nuk ka shpagim (të gjakut), për atë që vdes duke punuar në minierë, as për atë që vdes duke hapur bunarin
6912. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për atë që e mbyt kafsha, nuk ka shpagim (të gjakut), as për atë që vdes duke hapur bunarin, as për atë që vdes duke punuar në minierë. Për thesarin e lashtë jepet një e pesta.”
29. Nënkapitulli: Për atë që e mbyt kafsha, nuk ka shpagim (të gjakut)
Ibn Sirini ka thënë: "Dijetarët nuk e garantonin dëmin e shkelmit të kafshës, porse e garantonin dëmin e frenit të gojës." Hamadi ka thënë: "Dëmi i shkelmit të kafshës nuk garantohet, përveç nëse një njeri e godet kafshën (dhe ajo mbyt një tjetër). Shurejhu ka thënë: "Nuk garantohet (dëmi i saj) nëse kafsha e kthen shkelmin menjëherë pasi ajo të goditet." Hakemi dhe Hamadi kanë thënë: "Nëse ngasësi i gomarit nget një gomar mbi të cilin është një grua e cila në atë rast rrëzohet, atëherë atij nuk i kërkohet gjë." Shabiu ka thënë: "Nëse tërheq një kafshë dhe e mundon atë, atëherë ai e garanton nëse i ndodh diçka, e, nëse është pas saj dhe e nget ngadalë, ai nuk garanton gjë."
6913. Nga: Ebu Hurejra
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Për atë që e mbyt kafsha, nuk ka shpagim (të gjakut), as për atë që vdes duke hapur bunarin, as për atë që vdes duke punuar në minierë. Për thesarin e lashtë jepet një e pesta.”
30. Nënkapitulli: Mëkati i atij që e vret dhimiun padrejtësisht
6914. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Kajs ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Haseni, e këtij i ka treguar Muxhahidi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush vret një person që është në besën e një muslimani, nuk do ta ndiejë aromën e Xhenetit, ndonëse aroma e tij ndihet dyzet vjet larg.”
31. Nënkapitulli: Muslimani nuk vritet për jomuslimanin
6915. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Mutarrifi, e ky e ka dëgjuar Shabiun se Ebu Xhuhajfe tregon se e ka pyetur Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A posedoni diçka të shkruar (prej Pejgamberit ﷺ) krahas Librit të Allahut?” E tjetër herë Ibn Ujejne ka thënë: “Diçka që nuk e kanë njerëzit?”
Ai tha: “Betohem në Atë që e bën farën të mbijë dhe që ka krijuar njerëzimin se nuk kemi diçka tjetër përveç asaj që është në Kuran ose të kuptuarit e Kuranit që i jepet ndokujt dhe përmbajtjes së kësaj fletushke.”
- Po çfarë ka në këtë fletushkë? - e pyeta.
- Rregullat se kur farefisi i dorasit obligohen të shpaguajnë gjakun, lirimi i robit dhe se muslimani nuk mbytet për jomuslimanin, - m'u përgjigj Aliu.”
32. Nënkapitulli: Nëse muslimani, teksa është i zemëruar, godet me shuplakë një hebre
Këtë e transmeton edhe Ebu Hurejra nga Pejgamberi ﷺ.
6916. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amër ibn Jahjai, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos i mbivlerësoni pejgamberët kundrejt njëri-tjetrit.”
6917. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amër ibn Jahja Maziniu, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një hebre, të cilit i ishte rënë shuplakë fytyrës, erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha: “O Muhamed, njëri nga shokët e tu ensarë më ra shuplakë fytyrës.”
- “Thirrmani këtu!” - tha Pejgamberi ﷺ. Me të ardhur, e pyeti: “Përse i ke rënë shuplakë?”
- O i Dërguari i Allahut, po kaloja pranë hebrenjve dhe e dëgjova këtë duke thënë: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain kundrejt gjithë njerëzimit.” I thashë: “A edhe kundrejt Muhamedit ﷺ?!” Atëherë më kaploi mllefi dhe i rashë shuplakë, - tha ensariu.
- “Mos më mbivlerësoni kundrejt pejgamberëve të tjerë se, kur njerëzve do t'u bjerë të fikët Ditën e Kiametit, unë do të jem i pari që do të këndellem. Atëherë do ta shoh Musain të kapur për një shtyllë të Arshit. Nuk di nëse është këndellur para meje apo është mjaftuar me herën e parë që i kishte rënë të fikët te kodra Tur”, - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.”