93. Dispozitat
1. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe bindjuni Pejgamberit, si dhe atyre që drejtojnë punët tuaja!”
7137. Nga: Ebu Hurejra
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që më bindet mua, i është bindur Allahut, e ai që më kundërvihet mua, i është kundërvënë Allahut. Ai që i bindet prijësit tim, më është bindur mua, e ai që i kundërvihet prijësit tim, më është kundërvënë mua.”
7138. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vini re! Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.
Prijësi më i lartë është kujdestar për njerëzit nën pushtetin e tij, andaj do të japë përgjegjësi për ta.
Burri është kujdestar për familjen e vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.
Gruaja është kujdestare për shtëpinë dhe fëmijët e burrit të vet, andaj do të japë përgjegjësi për ta.
Robi është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të japë përgjegjësi për të. Pra, dijeni se secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.”
2. Nënkapitulli: Prijësit do të vazhdojnë të jenë nga radhët e kurejshëve
7139. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Muhamed ibn Xhubejr ibn Mut'imi tregon: “Muaviu, teksa ishim të pranishëm tek ai si pjesë e një delegacioni nga kurejshët, dëgjoi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u tha njerëzve se do të paraqitet një mbret nga fisi kahtan. Kjo e zemëroi Muaviun, andaj u ngrit, e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon dhe tha: “E, më pas... Kam dëgjuar se disa prej jush po tregojnë gjëra që nuk gjenden as në Librin e Allahut e as janë transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Të tillët janë injorantë, andaj kini kujdes nga të ushqyerit me shpresa të kota me të cilat njerëzit devijojnë, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Kjo çështje (hilafeti) do të mbetet në mesin e kurejshëve, për sa kohë që ata i përmbahen fesë. Çdokënd që u bëhet rival atyre (në këtë çështje), Allahu do ta përmbysë me fytyrë në Zjarr.”
Transmetimin e Shuajbit e fuqizon Nuajmi nga Ibn Mubareku, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Muhamed ibn Zubejri.
7140. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Asim ibn Muhamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kjo çështje (hilafeti) do të vazhdojë të mbetet ndër kurejshë për sa kohë që ata janë dy e më shumë.”
3. Nënkapitulli: Shpërblimi i atij që gjykon me urtësi
Allahu i Lartësuar ka thënë: “E, kush nuk gjykon ashtu siç ka shpallur Allahu, ata janë mëkatarë të vërtetë.” (Maide, 47)
7141. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Shihab ibn Abadi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Humejdi, e ky nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet zilia, përveç në dy raste:
1. Ndaj personit që Allahu i ka dhuruar pasuri dhe ai e shpenzon me të drejtë;
2. Dhe ndaj personit që Allahu i ka dhënë urtësi, me të cilën ai gjykon dhe ua mëson të tjerëve.”
4. Nënkapitulli: Dëgjueshmëria dhe bindja ndaj prijësit, përderisa kjo nuk është mëkat
7142. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Ebu Tejahu se Enes ibn Maliku transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jini të dëgjueshëm dhe binduni (ndaj prijësit), edhe nëse mbi ju është vënë në pushtet një rob etiopas, koka e të cilit duket sikurse rrush i tharë.”
7143. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Xhadi, e ky nga Ebu Rexhai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që te prijësi i vet sheh diçka që e urren, le të durojë, sepse ai që largohet prej xhematit, qoftë dhe sa një pëllëmbë e vdes në atë gjendje, vdes si në periudhën paraislame.”
7144. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dëgjueshmëria dhe bindja janë detyrim për muslimanin, në gjërat që i pëlqen e që i urren, për sa kohë që nuk urdhërohet për ndonjë mëkat. Nëse urdhërohet për ndonjë mëkat, nuk ka as dëgjueshmëri, as bindje.”
7145. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahmani se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë, në krye të të cilëve caktoi një burrë ensar dhe i urdhëroi që t'i binden atij. Një ditë ai u zemërua dhe tha: “A nuk ju ka urdhëruar Pejgamberi ﷺ të më bindeni?”
- Ashtu është, - i thanë ata.
- Ju urdhëroj të mblidhni dru, të ndizni një zjarr dhe të futeni në të! - tha ai.
Rrjedhimisht, ata ia mblodhën drutë dhe i ndezën, pastaj, kur disa deshën të hyjnë, filluan të shikonin njëri-tjetrin. Disa prej tyre thanë: “Ne e pasuam Pejgamberin ﷺ për të ikur nga Zjarri, si mund të futemi në këtë zjarr tani?” Vazhduan kështu derisa zjarri u fik, ndërsa atij i kaloi zemërimi. Kur Pejgamberi ﷺ mori vesh për këtë, tha: “Sikur të hynin në të, nuk do të dilnin kurrë prej tij. Nënshtrimi bëhet vetëm në gjëra të lejuara.”
5. Nënkapitulli: Atë që nuk kërkon të jetë prijës, Allahu do ta ndihmojë
7146. Nga: Abdurrahman ibn Semure
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky nga Haseni se Abdurrahman ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më tha: “O Abdurrahman, mos e kërko udhëheqjen se, po t'u dha si shkak i kërkesës sate, do të jesh vetë përgjegjës për të. E, nëse të jepet pa e kërkuar, do të ndihmohesh. Nëse betohesh për diçka, ndërkohë sheh një zgjidhje më të mirë, shpaguaje betimin e bërë dhe vepro më të mirën.”
6. Nënkapitulli: Ai që e kërkon udhëheqjen, do të jetë vetë përgjegjës për të
7147. Nga: Abdurrahman ibn Semure
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Haseni se Abdurrahman ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “O Abdurrahman ibn Semure, mos e kërko udhëheqjen se, po t'u dha si shkak i kërkesës sate, do të jesh vetë përgjegjës për të. E, nëse të jepet pa e kërkuar, do të ndihmohesh. Nëse betohesh për diçka, ndërkohë sheh një zgjidhje më të mirë, punoje më të mirën dhe shpaguaje betimin e bërë.”
7. Nënkapitulli: Çfarë urrehet nga dëshira për të qenë në pushtet?
7148. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vërtet do të lakmoni në pushtet, gjë që në Ditën e Gjykimit do të bëhet keqardhje për ju, sepse s'ka më mirë se gjidhënia, por, në anën tjetër, s'ka më keq se ndërprerja e saj (për të ëmën).”
Muhamed ibn Beshari ka thënë: “Na ka treguar Abdullah ibn Humrani, e këtij i ka treguar Abdulhamid ibn Xhaferi nga Seid Makburiu, e ky nga Omer ibn Hakemi, e ky nga Ebu Hurejra.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7148
Fjalë të panjohura?
7149. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe dy pjesëtarë të fisit tim shkuam te Pejgamberi ﷺ, e në atë rast njëri prej tyre tha: “O i Dërguari i Allahut, na jep ndonjë post udhëheqjeje!” Ashtu tha edhe tjetri pas tij. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Këtë nuk ia japim dot atij që e kërkon e as atij që lakmon në të.”
8. Nënkapitulli: Kur dikujt i besohet udhëheqja e një kopeje (turme), ndërkohë ai nuk është besnik ndaj tyre
7150. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Eshhebi, e ky nga Haseni se Ubejdullah ibn Zijadi e vizitoi Makil ibn Jesarin në sëmundjen e vdekjes. Makili i tha: “Po të tregoj një hadith që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ. E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Çdo rob i Allahut, të cilit Allahu ia ka besuar udhëheqjen e një kopeje (turme), e nuk tregohet besnik ndaj tyre, nuk do ta ndiejë aromën e Xhenetit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7150
Fjalë të panjohura?
7151. Nga: Makil ibn Jesari
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Husejn Xhufiu, e këtij i ka thënë Zaide, e këtij ia ka përmendur Hishami se Haseni tregon: “Teksa ishim për vizitë te Makil ibn Jesari, erdhi Ubejdullahu, të cilit Makili i tha: “Po të tregoj një hadith që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai ka thënë: “Çdo prijësi të cilit i është besuar një turmë muslimanësh, ndërkohë vdekja e gjen atë tradhtar ndaj tyre, Allahu ia bën haram Xhenetin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7151
Fjalë të panjohura?
9. Nënkapitulli: Kush vështirëson, Allahu do t’ia vështirësojë atij
7152. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Is'hak Vasitiu na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e ky nga Xhurejriu se Tarif Ebu Temime thotë: “Isha i pranishëm te Safvani, ku ndodhej edhe Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) me shoqëruesit e tij, të cilët ai i këshillonte. Ata e pyetën: “A ke dëgjuar diçka nga i Dërguari i Allahut ﷺ?” Tha: “E kam dëgjuar duke thënë: “Atë që i shpalos veprat e mira (të bëra në vetmi), Allahu do ta turpërojë në Ditën e Kiametin.” Pastaj tha: “Atë që ndahet nga rruga e besimtarëve, Allahu do ta ndajë nga turma e besimtarëve në Ditën e Kiametit.”
Të pranishmit thanë: “Na këshillo (edhe më)!” Tha: “Me të vërtetë, gjëja e parë që i kalbet njeriut është barku i tij, andaj, kush ka mundësi, le të hajë vetëm hallall, si dhe kush ka mundësi të mos krijojë pengesë mes tij dhe Xhenetit, duke shpëtuar nga përlyerja e duarve me derdhje të pafajshëm gjaku, le ta bëjë!”
E pyeta Ebu Abdullahun: “Kush ka thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ, Xhundubi?” Ai tha: “Po, Xhundubi.”
10. Nënkapitulli: Gjykimi dhe dhënia e fetvasë gjatë rrugës
Jahja ibn Jameri ka gjykuar gjatë rrugës. Shabiu ka gjykuar para derës së shtëpisë.
7153. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Mensuri, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të dalë nga xhamia bashkë me Pejgamberin ﷺ, para xhamisë takuam një njeri i cili tha: “O i Dërguari i Allahut, kur është Kiameti?”
- “Çka ke përgatitur për të?” - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
Pasi mbeti një copë herë i hamendur, tha: “O i Dërguari i Allahut! Nuk kam përgatitur për të shumë agjërim, as shumë namaz e as shumë lëmoshë, përveçse e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ti do të jesh me ata që i do.”
11. Nënkapitulli: Transmetimet që tregojnë se Pejgamberi ﷺ nuk ka pasur portier (pranë derës)
7154. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdusamedi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Thabit Bunaniu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pyeti një familjare të tij: “A e njeh filanen?” Ajo tha: “Po.” Enesi i tha: “Njëherë, Pejgamberi ﷺ pati kaluar pranë saj, ndërkohë ajo qante te një varr, e i pati thënë:
- “Ki frikë Allahun dhe duro!”
- Largohu prej meje, se ty nuk të ka goditur fatkeqësi si kjo imja! - ia pati kthyer ajo.
Pejgamberi ﷺ vazhdoi rrugën dhe u largua prej saj. Pastaj pranë saj kaloi një burrë dhe i tha: “Çfarë të tha i Dërguari i Allahut?”
- Nuk e paskam njohur, - ia ktheu ajo.
- Ai është i Dërguari i Allahut ﷺ, - tha ai.
Sakaq, ajo i vajti te dera, por nuk gjeti aty portier, (andaj hyri brenda) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun se nuk të kam njohur!”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Durimi është në goditjen e parë.”
12. Nënkapitulli: Kur kadiu gjykon me ekzekutim të atij që e meriton, pa e ngritur çështjen te prijësi më i lartë
7155. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Halid Dhuhliu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ensariu, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Thumame se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur) tregon se Kajs ibn Sadi kishte pozitë te Pejgamberi ﷺ sikurse komandanti në raport me prijësin suprem.
Referenca: Sahihu i Buhariut 7155
Fjalë të panjohura?
7156. Nga: Ebu Musa Eshariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Kurra ibn Halidi, e këtij i ka treguar Humejd ibn Hilali, e këtij i ka treguar Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur) tregon se Pejgamberi ﷺ e dërgoi atë në Jemen, e më vonë ia dërgoi edhe Muadhin.
7157. Nga: Ebu Musa Eshariu
Abdullah ibn Sabahu më ka thënë: Na ka treguar Mahbub ibn Haseni, e këtij i ka treguar Halid ibn Humejd ibn Hilali, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur) tregon se një njeri e kishte pranuar Islamin, por më pastaj u bë hebre. Kur Muadhi shkoi tek Ebu Musai, e gjeti atë të pranishëm dhe pyeti:
- Si është puna e këtij?
- E ka pranuar Islamin, por më vonë është bërë hebre, - tha Ebu Musai.
- Nuk do të ulem pa e vrarë këtë njeri! I tillë është gjykimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij ﷺ - tha Muadhi.
13. Nënkapitulli: A bën që kadiu të gjykojë apo të japë fetva teksa është i inatosur?
7158. Nga: Ebu Bekrete
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdulmelik ibn Umejri se Abdurrahman ibn Ebu Bekrete ka thënë: “Njëherë, Ebu Bekrete i shkroi të birit të tij, - gjatë kohës sa ishte në Sixhistan: “Mos gjyko mes dy personave teksa je i inatosur, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Të mos ndodhë që dikush të gjykojë mes dy personave teksa është i inatosur!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7158
Fjalë të panjohura?
7159. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ismail ibn Ebu Halidi, e ky nga Kajs ibn Ebu Hazimi se Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun se unë vonohem (qëllimisht) në namazin e sabahut, për shkak se filani na e zgjat shumë.” Ebu Mesudi tha: “Asnjëherë nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ më të zemëruar sesa atë ditë teksa ligjëronte.” Pastaj tha: “O njerëz! Prej jush ka të atillë që i vrazhdojnë të tjerët (nga xhamia). Nëse dikush u prin njerëzve në namaz, të mos ua zgjasë, sepse në mesin e tyre mund të ketë të shtyrë në moshë, të dobët dhe të atillë që kanë nevoja.”
7160. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Ebu Jakub Kermaniu na ka thënë: Na ka treguar Hasen ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Muhamedi, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “E shkurorëzova gruan time gjatë kohës sa ishte me menstruacione. Kështu, Omeri i tregoi Pejgamberit ﷺ, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ u zemërua dhe tha: “Le ta kthejë dhe ta mbajë atë derisa të pastrohet, të presë derisa t'i vijnë menstruacionet e pastaj të pastrohet (për së dyti), e, nëse pas kësaj mendon se duhet ta lëshojë, le ta lëshojë!”
14. Nënkapitulli: Kur dikush mendon se kadiut i lejohet të gjykojë sipas njohurive që posedon në lidhje me një çështje, nëse nuk frikohet nga paragjykimet dhe akuzat
Sikurse Pejgamberi ﷺ kur i tha thënë Hindit: “Merr (prej pasurisë së burrit) aq sa të mjafton ty dhe fëmijës tënd, pa e tepruar.” Mirëpo, kjo bëhet kur çështja është e njohur.
7161. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hind bint Utbe ibn Rebia erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Allahun se nuk kishte mbi tokë familje që dëshiroja të përçmohen më shumë sesa familja jote, porse sot nuk ka familje mbi tokë që dëshiroj të jetë krenare më shumë sesa familja jote. Pastaj tha: “Ebu Sufjani është dorështrënguar, andaj a kam mëkat nëse e ushqej familjen tonë me pasurinë e tij (pa lejen e tij)?” Ai iu përgjigj: “S'ke mëkat nëse merr aq sa të mjafton për t'i ushqyer ata, pa e tepruar.”
15. Nënkapitulli: Çfarë lejohet nga dëshmia përmes një shkrimi të vulosur dhe çfarë ndalohet, si dhe kur prijësi i shkruan nëpunësit të tij ose kur kadiu i shkruan kadiut.
Disa kanë thënë: "Lejohet që prijësi t’i shkruajë dikujt përderisa kjo nuk ka të bëjë me ndëshkimet e përcaktuara." Pastaj kanë thënë: "Nëse vrasja është e paqëllimshme, atëherë kjo është e lejuar, sepse ndëshkimi në këtë rast ka të bëjë me pasuri, e cila është përcaktuar pasi që është vërtetuar se ka ndodhur vrasja (pa qëllim), edhe pse, në parim, vrasja me qëllim dhe ajo pa qëllim janë të së njëjtës dispozitë. Omeri i ka shkruar nëpunësit të tij për zbatimin e ndëshkimeve të përcaktuara. Po ashtu, Omer ibn Abdulazizi ka dërguar shkresë që të zbatohet dispozita për thyerjen e dhëmbit. Ibrahimi ka thënë: "Shkresa e kadiut një kadiu tjetër është e lejuar nëse e njeh burimin e shkrimit dhe vulës. Shabiu e lejonte që kadiu ta zbatojë atë që ndodhej brenda një shkrese të vulosur. Një gjë e tillë është transmetuar edhe nga Ibn Omeri. Muavi ibn Abdulkerim Thekafiu ka thënë: "I kam parë Abdulmelik Ibn Jalain, kadiun e Basrës, Ijas ibn Muaviun, Hasanin, Thumame ibn Abdullah ibn Enesin, Bilal ibn Ebu Burden, Abdullah ibn Burejde Eslemiun, Amir ibn Ubejden dhe Abad ibn Mensurin se e lejonin zbatimin e shkresave të kadive pa praninë e dëshmitarëve. E, nëse ai për të cilin sillej shkresa pretendonte se ajo ishte false, i thuhej: "Shko kërko ndonjë rrugëdalje për këtë. Sakaq, të parët që kishin kërkuar prova për shkresën e kadiut ishin Ibn Ebu Lejla dhe Sevar ibn Abdullahu. Ebu Nuajmi na ka thënë: "Na ka treguar Ubejdullah ibn Muhrizi: "Kam sjellë një shkresë nga Musa ibn Enesi, kadiu i Basrës, të cilit ia kam treguar provat se filani, i cili ndodhet në Kufe, më ka borxh këtë dhe këtë, e pastaj ia kam dërguar atë Kasim ibn Abdurrahmanit, i cili e miratoi. Ndërkaq, Hasani dhe Ebu Kilabe urrenin që dikush të dëshmonte për një testament para se të kuptonte çfarë kishte brenda tij, ngaqë s’mund të ishte i sigurt se aty nuk kishte ndonjë padrejtësi. Ndërkaq, edhe Pejgamberi ﷺ u pati shkruar banorëve të Hajberit: “Ose do ta paguani gjakun e shokut tuaj, ose do të pajtoheni që t’ju luftojmë!” Zuhriu, kur flet për pranimin e dëshmisë së gruas (nga) mbrapa perdes, thotë: "Nëse e njeh, pranoja dëshminë, e, nëse nuk e njeh, mos ia prano dëshminë."
7162. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ vendosi t'u shkruajë romakëve, dikush i tha: “Ata nuk lexojnë letra të pavulosura.” Kështu, Pejgamberi ﷺ vendosi një unazë të argjendtë, shkëlqimin e së cilës sikur po e shoh tani, ku ishte e gdhendur “Muhamed, Resulullah (Muhamedi, i Dërguari i Allahut).”
16. Nënkapitulli: Kur ka të drejtë dikush që të bëhet kadi
Hasani thotë: "Allahu i Lartësuar ua ka kushtëzuar kadive që të mos e pasojnë hamendjen e tyre, të mos u frikësohen njerëzve dhe që mos t’i shesin ajetet e Allahut për ndonjë vlerë të vogël. Pastaj lexoi: “O Davud, Ne të kemi bërë sundimtar në tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me të drejtë dhe, mos shko pas dëshirave, se të largon nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngase e kanë harruar Ditën e llogarisë.” (Sad, 26) Dhe lexoi: “Ne kemi dërguar Tevratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin. Prandaj, mos kini frikë nga njerëzit, por kini frikë vetëm prej Meje! Dhe mos i ndërroni Fjalët e Mia me ndonjë vlerë të vogël! Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë.” (Maide, 44) Pastaj lexoi: “(Kujtoje) edhe Davudin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat, në të cilat kullotën natën bagëtia (pa barinj), e Ne kemi qenë dëshmitarë të gjykimit të tyre. E, Ne, ia mësuam Sulejmanit gjykimin dhe të dyve u dhamë inspirim e dije. Ne kemi nënshtruar malet dhe shpendët që bashkë me Davudin ta lavdërojnë Allahun, këtë, Ne kemi fuqi ta bëjmë.” (Enbija, 78-79) E lavdëroi Sulejmanin por nuk e fajësoi Davudin, andaj sikur mos të ishte kjo që Allahu e ka përmendur për çështjen e këtyre dyve, do të mendoja se të gjithë kadinjët janë të shkatërruar, porse Allahu e lavdëroi të parin për diturinë e tij dhe e arsyetoi të dytin për përpjekjen që e bëri për ta gjetur të vërtetën. Muzahim ibn Zuferi tregon: "Omer ibn Abdulazizi na ka thënë: "Janë pesë gjëra të cilat, po qe se kadiu bën gabim në ndonjërën prej tyre, do të jetë e metë për të: "Ai duhet të jetë i mprehtë, durimtar, i devotshëm, i paanshëm dhe dijetar i përkushtuar ndaj dijes."
17. Nënkapitulli: Paga e gjykatësve dhe nëpunësve nga arka shtetërore
Kadiu Shurejh merrte pagë për punën që kryente. Aishja ka thënë: "Nëpunësi merr sipas punës që kryen. Edhe Ebu Bekri dhe Omeri kanë konsumuar sipas nevojës."
7163. Nga: Omer ibn Hatabi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Saib ibn Jezidi, djali i vëllait të Nemrit, e këtij i ka treguar Huvejtib ibn Abduluzai se Abdullah ibn Sadiu tregon se njëherë shkoi tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) gjatë kohës kur ishte halife, e në atë rast Omeri i tha: “Më kanë treguar se po urren të paguhesh për detyrat që po të caktohen për shërbim të njerëzve (mbledhjen e zekatit). I thashë: “Ashtu është.” Omeri tha: “Çfarë ke për qëllim me këtë refuzim?” Thashë: “Unë posedoj kuaj, robër dhe jam mirë me pasuri, andaj dua që paga ime të mbetet lëmoshë për muslimanët.” Omeri i tha: “Mos e bëj këtë, sepse edhe unë pata dashur të veproj kështu sikurse ti, por, kur mua më jepte pagë i Dërguari i Allahut ﷺ, unë i thosha: “Jepja dikujt që është më i varfër se unë, - derisa njëherë, pasi më dha një pasuri, unë i thashë: “Jepja dikujt që është më i varfër se unë”, e Pejgamberi ﷺ më tha: “Merre njëherë dhe pronësoje atë, pastaj jep lëmoshë prej saj! Kur dikush të jep një pasuri të tillë, pa e lakmuar dhe pa e lypur, merre, në të kundërtën, mos vrapo pas saj.”
7164. Nga: Abdullah ibn Omeri
Zuhriu na ka thënë: Më ka treguar Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri tregon se e ka dëgjuar Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ më jepte pagë, unë i thosha: “Jepja dikujt që është më i varfër se unë”, - derisa njëherë, pasi më dha një pasuri, unë i thashë: “Jepja dikujt që është më i varfër se unë.” Pejgamberi ﷺ më tha: “Merre njëherë dhe pronësoje atë, pastaj jep lëmoshë prej saj! Kur dikush të jep një pasuri të tillë, pa e lakmuar dhe pa e lypur, merre, në të kundërtën, mos vrapo pas saj.”
18. Nënkapitulli: Kur dikush gjykon ose zbaton mallkimin e ndërsjellë (lianin) brenda xhamisë
Omeri ka gjykuar me lian duke qenë në minberin e Pejgamberit ﷺ. Shurejhu, Shabiu dhe Jahja ibn Jameri kanë gjykuar duke qenë brenda xhamisë. Mervani e ka gjykuar Zejd ibn Thabitin në minber, duke e marrë si dëshmi betimin. Hasani dhe Zurara ibn Eufai kanë gjykuar në pjesën e jashtme rrëzë xhamisë.
7165. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka thënë Zuhriu se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha dëshmitar kur një çift erdhën te Pejgamberi ﷺ për të mallkuar njëri-tjetrin (lian), ndërkohë që unë isha pesëmbëdhjetëvjeçar. Pasi u mallkuan mes vete, Pejgamberi ﷺ i ndau.”
7166. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!), vëlla nga fisi saide, tregon se një ensar erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Nëse dikush e has gruan e vet (duke e tradhtuar) me një burrë të huaj, a ta mbysë? Pastaj ndodhi që vetë ata dy të mallkojnë njëri-tjetrin (lian) brenda xhamisë, ngjarje gjatë së cilës isha i pranishëm.”
19. Nënkapitulli: Kur dikush e kryen gjykimin brenda xhamisë dhe, kur vjen puna tek ekzekutimi i ndëshkimit, urdhëron që të dilet jashtë xhamisë për ta zbatuar atë
Omeri ka thënë: "Nxirreni prej xhamisë, - dhe urdhëroi të rrihet. Një gjë e tillë përmendet edhe nga Aliu."
7167. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Kethiri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në xhami, i vajti një njeri dhe e thirri, duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, kam bërë zina!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ u kthye në anën tjetër. Pas kësaj dëshmoi ndaj vetvetes katër herë.”
- “Mos ke ndonjë sëmundje mendore?” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - i tha ai.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Merreni dhe gurëzojeni.”
7168. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ibn Shihabi transmeton se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), në lidhje me hadithin paraprak, thotë: “Isha në mesin e atyre që e gurëzuan atë te namazgjahu.”
Këtë e ka transmetuar edhe Junusi, Mameri dhe Ibn Xhurejxhi, nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Xhabiri, e ky nga Pejgamberi ﷺ në lidhje me gurëzimin.
20. Nënkapitulli: Këshilla e prijësit drejtuar të akuzuarve
7169. Nga: Umu Seleme
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij, e ky nga Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë jam njeri (si ju, nuk e di të fshehtën) dhe, kur ju kërkoni gjykim nga unë, ka raste kur ndonjëri është më orator në argumentim se tjetri, gjë që më bën të gjykoj në favor të tij, sipas asaj që dëgjoj. Andaj, nëse gjykoj në favor të dikujt, duke ia shkelur të drejtën vëllait të tij, të mos e pranojë, sepse po ia ndaj një copë Zjarri.”
21. Nënkapitulli: Kur ai që është dëshmitar ngarkohet me detyrën e gjykatësit, duhet të dëshmojë ndaj të akuzuarit te një gjykatës tjetër
Kur një person i kërkoi kadiut Shurejh të dëshmojë për të, ky i fundit i tha: "Paraqitu te gjykatësi i lartë, në mënyrë që unë të dëshmoj për ty. Ikrime ka thënë: "Omeri i tha Abdurrahman ibn Aufit: "Çfarë do të veproje sikur të shihje një njeri duke bërë zina ose duke vjedhur, nëse do të ishe ti prijës?" Ai ia ktheu: "Në atë rast, dëshmia jote do të llogaritej e njëjtë me dëshminë e cilitdo prej burrave muslimanë." Ai ia ktheu: "Të vërtetën ke thënë." Omeri ka thënë: "Sikur të mos kisha frikë se njerëzit do të thoshin se Omeri ka shtuar diçka në Librin e Allahut, do ta shkruaja me dorën time ajetin e gurëzimit. Maizi, në prani të Pejgamberit ﷺ, dëshmoi (pohoi) katër herë ndaj vetvetes se ka bërë zina, e në atë rast Pejgamberi ﷺ urdhëroi që të gurëzohej. Askush nuk ka përmendur se Pejgamberi ﷺ ka kërkuar dëshmi prej ndonjërit nga të pranishmit për këtë." Hamadi ka thënë: "Nëse vetëm një herë dëshmon para prijësit (se ka bërë zina), gurëzohet." Hakemi shton: "(Dëshmon) katër herë."
7170. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jahjai, e ky nga Omer ibn Kethiri, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Katades se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se i Dërguari i Allahut ﷺ, ditën e Betejës së Hunejnit, ka thënë: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës).” U ngrita që të kërkoj dëshmi për atë që unë e kisha vrarë, por nuk pashë ndokënd që mund të dëshmonte për mua. Posa u ula, më ra ndërmend që këtë t'ia përmendja të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast një burrë nga të pranishmit tha: “Armët e të vrarit që ky njeri po e përmend janë tek unë, por kompensoja atij me diçka e këto të më mbeten mua.” Ebu Bekër Sidiku tha: “Assesi! Nuk i jepet një të dobëtit të kurejshëve duke braktisur një prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.” Ebu Katadja vazhdon: “I Dërguari i Allahut ﷺ pastaj urdhëroi që ato të më jepeshin mua, pasuri me të cilën bleva një kopsht. Kjo ishte pasuria e parë që e fitova si musliman.”
Banorët e Hixhazit kanë thënë: “Gjykatësi nuk bën të gjykojë me njohuritë personale që ka rreth çështjes, qoftë nëse ato njohuri i ka fituar gjatë periudhës sa ishte në detyrë, qoftë para kësaj. Sipas një pjese të tyre, edhe nëse i akuzuari ia pohon tjetrit të vërtetën gjatë seancës gjyqësore, gjykatësit nuk i lejohet të gjykojë kundër tij para se t'i thërrasë dy dëshmitarë për të qenë të pranishëm gjatë pohimit të tij.”
Disa banorë të Irakut kanë thënë: “Gjykatësi gjykon vetëm me gjërat që ka parë dhe dëgjuar gjatë seancës, kurse me informatat e marra jashtë seancës nuk gjykon, përveçse me dëshminë e dy dëshmitarëve.”
Të tjerë kanë thënë: “I lejohet të gjykojë edhe me informatat e marra jashtë seancës, sepse ai është i besueshëm. Kjo, se qëllimi i dëshmisë është të vërtetojë një pohim, e në këtë rast njohuritë që gjykatësi posedon janë më të forta se dëshmia e kujtdo tjetër.”
Disa kanë thënë: “I lejohet të gjykojë me njohuritë e tij nëse fjala është për pasuri (mallra), por jo në gjëra të tjera.”
Kasimi ka thënë: “Nuk bën që gjykatësi të marrë vendim gjyqësor duke u bazuar në njohuritë e tij personale rreth çështjes, pa i marrë në konsideratë edhe të dhënat e tjera, përkundër faktit se njohuritë që ai posedon ia tejkalojnë dëshmisë së të tjerëve, sepse një gjë e tillë krijon hapësirë që muslimanët të mendojnë keq për të, si dhe mund t'i fusë ata në paragjykime, ndërsa Pejgamberi ﷺ i ka urryer paragjykimet, saqë (në rastin kur pati dalë natën me gruan e tij) pati thënë: “Kjo është Safija.”
7171. Nga: Ali ibn Husejni
Abdulaziz ibn Abdullah Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi se Ali ibn Husejni tregon: “Njëherë, Safije bint Hujeji (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vajti te Pejgamberi ﷺ dhe, kur u kthye, Pejgamberi ﷺ shkoi me të (për ta përcjellë në shtëpi). Aty pranë kaluan dy burra ensarë, të cilët Pejgamberi ﷺ i thirri e u tha:
- “Kjo është Safija.”
- Subhanallah (i lartësuar qoftë Allahu)! - thanë ata.
- “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku”, - ua ktheu Pejgamberi ﷺ.
Këtë e transmetojnë edhe Shuajbi, Ibn Musafiri, Ibn Ebu Atiku dhe Is'hak ibn Jahjai, nga Zuhriu, e ky nga Ali ibn Husejni, e ky nga Safija, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 7171
Fjalë të panjohura?
22. Nënkapitulli: Kur prijësi i nis dy udhëheqës drejt një vendi dhe i urdhëron që të bashkëpunojnë e të mos përçahen
7172. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Akadiu, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Seid ibn Ebu Burde se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ e dërgoi atë bashkë me Muadh ibn Xhebelin (në Jemen), u tha: “Lehtësoni gjërat e mos i vështirësoni, përgëzoni e mos vrazhdësoni, dhe bashkëpunoni.” Ndërkohë, Ebu Musai pyeti: “Në vendin tonë prodhohet musht mjalti?”
- “Çdo gjë që deh është e ndaluar”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Nadri, Ebu Davudi, Jezid ibn Haruni dhe Vekiu, nga Shuëbe, e ky nga Seidi, e ky nga babai i tij, e ky nga gjyshi (i Seidit), e ky nga Pejgamberi ﷺ.
23. Nënkapitulli: Përgjigjja e prijësit ndaj ftesës së dikujt (për dasmë)
Othmani iu përgjigj ftesës së një robi të Mugire ibn Shubes.
7173. Nga: Ebu Musa Eshariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lironi robërit e luftës dhe përgjigjjuni ftesës (për dasmë)!”
24. Nënkapitulli: Dhuratat që marrin nëpunësit
7174. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky e ka dëgjuar Urve se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Pejgamberi ﷺ angazhoi një person nga fisi benu esed, që quhej Ibn Utebije, për të mbledhur zekatin. Pasi mbaroi punën, ai u kthye dhe tha: “Kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua. Pejgamberi ﷺ u ngrit drejt minberit, - ndërsa transmetuesi thotë: “Hipi në minber, - e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Ç'është puna e një punëtori që ne e angazhojmë, ndërsa ai vjen dhe na thotë: “Kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua?!” Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet e të shohë nëse po i dhurohet diçka apo jo?! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ai që merr diçka nga zekati (padrejtësisht), Ditën e Gjykimit do të vijë duke e bartur atë gjë në qafën e vet: nëse është deve, do ta bartë teksa ajo bulurin, nëse është lopë, do ta bartë teksa ajo pëllet, e, nëse është dele, do ta bartë teksa ajo blegëron.” Pastaj i ngriti duart, saqë ia pamë bardhësinë e sqetullave (dhe tha) tri herë: “(O Allah!) A ua kumtova?”
Sufjani ka thënë: “Këtë na e ka treguar Zuhriu, kurse Hishami, duke transmetuar nga babai i tij, e ky nga Ebu Humejdi, shton se ka thënë: “Këtë e kanë dëgjuar veshët e mi dhe e kanë parë sytë e mi, e bashkë me mua këtë hadith e ka dëgjuar edhe Zejd ibn Thabiti, andaj pyeteni edhe atë (nëse doni)!” Vetëm Zuhriu nuk ka thënë: “E kanë dëgjuar veshët e mi.”
25. Nënkapitulli: Ngarkimi me udhëheqësi i robërve që janë liruar, si dhe angazhimi i tyre
7175. Nga: Abdullah ibn Omeri
Othman ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Salimi, i çrobëruari i Ebu Hudhejfes, ua falte namazin muhaxhirëve të parë dhe shokëve të Pejgamberit ﷺ në Xhaminë Kuba. Ndër ta ishin edhe: Ebu Bekri, Omeri, Ebu Seleme, Zejdi dhe Amir ibn Rebia.”
26. Nënkapitulli: Përgjegjësit e njerëzve
7176. Nga: Misver ibn Mahremi
7176, 7177 - Ismail ibn Ebu Uvejsi na ka thënë: Më ka treguar Ismail ibn Ibrahimi nga xhaxhai i tij, Musa ibn Ukbe, e këtij i ka thënë Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Misver ibn Mahremi dhe Mervani (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur muslimanët u pajtuan që robërit e fisit hevazin të liroheshin (t'iu ktheheshin), i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Kështu unë s'mund ta di se kush prej jush po pajtohet e kush jo, andaj kthehuni dhe vendimet tuaja le të na i kumtojnë përgjegjësit tuaj!” Njerëzit u kthyen nëpër çadra dhe biseduan me përgjegjësit e tyre, të cilët pastaj u kthyen tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e njoftuan se njerëzit janë pajtuar që këtë ta bëjnë me dëshirë (t'i lirojnë robërit).
7177. Nga: Misver ibn Mahremi
7176, 7177
27. Nënkapitulli: Cilat lëvdata urrehet që i bëhen prijësit në sy dhe, kurse pas shpinës së tij thotë fjalë të tjera
7178. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Asimi, i biri i Muhamed ibn Zejd ibn Abdullah ibn Omerit, se babai i tij Muhamed ibn Zejd ibn Abdullah ibn Omeri tregon se njëherë disa njerëz e pyetën Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Ka raste kur shkojmë te prijësit tanë dhe u themi atyre fjalë të kundërta me ato që i themi kur dalim nga aty.” Ibn Omeri tha: “Ne këtë e llogarisnim hipokrizi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7178
Fjalë të panjohura?
7179. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jezid ibn Ebu Habibi, e ky nga Iraku se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Njeriu më i keq është ai me dy fytyra: disave u paraqitet me një fytyrë, kurse disa të tjerëve me një tjetër.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7179
Fjalë të panjohura?
28. Nënkapitulli: Gjykimi ndaj dikujt që s'është i pranishëm
7180. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Hinda i tha Pejgamberit ﷺ: “Ebu Sufjani është dorështrënguar, ndërsa unë kam nevojë që nganjëherë të marr prej pasurisë së tij?” Ai iu përgjigj: “Merr për vete dhe fëmijën tënd aq sa ju mjafton, pa e tepruar.”
29. Nënkapitulli: Nëse është gjykuar në favor të dikujt duke ia shkelur të drejtën vëllait të tij, të mos e marrë atë, sepse gjykimi i gjykatësit as e bën haramin hallall e as hallallin haram
7181. Nga: Umu Seleme
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dëgjoi një zënkë në afërsi të derës së shtëpisë, andaj doli dhe u tha: “Unë jam njeri (si ju, nuk e di të fshehtën) dhe ka raste kur njerëzit më vijnë të armiqësuar në mes vete. Dikush mund të jetë më orator në argumentim se tjetri, andaj mund të mendoj se ai ka të drejtë dhe të gjykoj në favor të tij. Por, nëse gjykoj në favor të dikujt, duke i shkelur të drejtën një muslimani tjetër, dijeni se ajo është një copë zjarri, andaj, ose le ta pranojë, ose le ta refuzojë.”
7182. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Utbe ibn Ebu Vekasi e porositi vëllanë e vet, Sad ibn Ebu Vekasin: “Djali i robëreshës së Zemës është imi, andaj ta marrësh.” Kështu, vitin e Çlirimit (të Mekës) Sadi shkoi e mori dhe tha: “Ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.” Por, Abd ibn Zema tha: “Ky është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij (babait tim).” Pastaj, që të dy, u nisën me nxitim tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ku Sadi tha:
- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.
- Është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, i cili ka lindur në shtratin e tij, - tha Abd ibn Zema.
- “Është yti, o Abd ibn Zema! Fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj, Sevdës, bijës së Zemës (gruas së vet) i tha: “Mbulohu prej tij, oj Sevdë!” Kjo, për shkak të ngjashmërisë me Utben që e shihte te fëmija. Ky fëmijë kurrë nuk e parë Sevdën, deri në vdekje.”
30. Nënkapitulli: Gjykimi rreth çështjes së një bunari ose diçkaje të ngjashme
7183. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Mensuri dhe Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që me këmbëngulje betohet rrejshëm (në Allahun), me qëllim që t'i rrëmbejë dikujt pasurinë, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.”
Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
7184. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ndërsa Abdullahu po fliste (vazhdim i hadithit paraprak), Eshath ibn Kajsi erdhi dhe tha: “Ky ajet ka zbritur për mua dhe për një njeri me të cilin jemi grindur për një bunar, e në atë rast Pejgamberi ﷺ më tha: “A ke dëshmitarë?
- Jo, - i thashë unë.
- “Atëherë le të betohet”, - tha.
- E po, ai do të betohet! - i thashë.
Ndërkohë zbriti ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
31. Nënkapitulli: Gjykimi për një pasuri, qoftë e madhe, qoftë e vogël
Ibn Ujejne transmeton nga Ibn Shubrume se ka thënë: "Gjykimi për pasurinë në sasi të vogël ose të madhe bëhet njësoj."
7185. Nga: Umu Seleme
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë Pejgamberi ﷺ dëgjoi një zënkë në afërsi të derës së shtëpisë, andaj doli dhe u tha: “Unë jam njeri (si ju, nuk e di të fshehtën) dhe ka raste kur njerëzit më vijnë të armiqësuar në mes vete. Dikush mund të jetë më orator në argumentim se tjetri, andaj mund të mendoj se ai ka të drejtë dhe të gjykoj në favor të tij. Por, nëse gjykoj në favor të dikujt, duke i shkelur të drejtën një muslimani tjetër, dijeni se ajo është një copë zjarri, andaj, ose le ta pranojë, ose le ta refuzojë.”
32. Nënkapitulli: Kur udhëheqësi shet pasurinë ose pronën e njerëzve
Pejgamberi ﷺ i shiti Nuajm ibn Nehamit një rob (të tjetërkujt) të liruar me kusht.
7186. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ibn Numejri na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Beshari, e këtij i ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Seleme ibn Kuhejli, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëherë, Pejgamberi ﷺ u njoftua se njëri nga shokët e tij liroi një rob, duke ia kushtëzuar lirinë me vdekje të pronarit. Por, meqë ai s'kishte pasuri tjetër pos tij, Pejgamberi ﷺ e shiti robin në fjalë për tetëqind dërhemë dhe vlerën e paguar ia dërgoi pronarit.”
33. Nënkapitulli: Kur dikush nuk ua vë veshin akuzave që vijnë për dikë nga ana e atyre që nuk kanë dituri rreth udhëheqësisë
7187. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ushtri, në krye të së cilës caktoi Usame ibn Zejdin. Disa njerëz folën për udhëheqjen e tij, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Ju tani po flisni për udhëheqjen e tij, ndërkohë edhe më herët keni pasë folur për udhëheqjen e babait të tij. Betohem në Allahun se ai ishte meritor për udhëheqje dhe ishte ndër njerëzit më të dashur për mua. Pas tij, edhe ky është ndër njerëzit më të dashur për mua.”
34. Nënkapitulli: Kundërshtari i përbetuar, i cili kundërshton vazhdimisht
.
7188. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar Ibn Ebu Mulejken se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Njeriu më i urryer tek Allahu është kundërshtari i përbetuar.”
35. Nënkapitulli: Nëse prijësi bën zullum me gjykimin e tij ose gjykon në kundërshtim me dijetarët, refuzohet
7189. Nga: Abdullah ibn Omeri
Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi, e ky nga Ibn Omeri se Pejgamberi ﷺ e dërgoi Halidin...; [t]: Ebu Abdullah Nuajm ibn Hamadi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e dërgoi Halid ibn Velidin te fisi benu xhedhime, për t'i ftuar në Islam, por ata nuk ditën të thonë: “Eslemna (pranuam Islamin)”, mirëpo thoshin: “Sabe'na; sabe'na! (E ndërruam fenë; e ndërruam fenë).” Atëherë, Halidi disa i vrau, disa i zuri robër. Pastaj, çdonjërit prej nesh na dha nga një rob. Më pas, Halidi na urdhëroi që secili prej nesh ta vrasë robin e tij.” Unë i thashë: “Për Allahun, unë nuk e vras robin tim dhe askush prej shokëve të mi nuk do ta vrasë robin e vet. Pastaj, shkuam te Pejgamberi ﷺ dhe i treguam për këtë.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha dy herë: “O Allah! Unë distancohem nga ajo që ka bërë Halidi!”
36. Nënkapitulli: Kur prijësi shkon për t’i pajtuar njerëzit
7190. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi Medeniu se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa pjesëtarë të fisit benu amër kishin një zënkë mes vete dhe, kur Pejgamberi ﷺ mori vesh për këtë, e fali namazin e drekës dhe shkoi për t'i pajtuar. Kur hyri koha e namazit të ikindisë, Bilali e thirri ezanin dhe ikametin, pastaj i tha Ebu Bekrit që t'u prijë. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ erdhi në kohën kur Ebu Bekri tashmë ishte në namaz, andaj vazhdoi përpara duke i çarë rreshtat e njerëzve, derisa mbërriti prapa Ebu Bekrit dhe u vendos në rreshtin pas tij. Në atë rast, njerëzit filluan t'u binin shuplakave. Kur Ebu Bekri futej në namaz, zor se shpërqendrohej derisa të mbaronte, por, kur pa se rrahja e shuplakave s'kishte të ndalur, ai shikoi anash dhe e pa Pejgamberin ﷺ pas tij. Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë që të vazhdonte namazin ashtu si ishte. - Pasi ai i bëri ashtu me dorë, - Ebu Bekri mbeti për një çast në vend, derisa e falënderoi Allahun për atë që Pejgamberi ﷺ e urdhëroi, pastaj eci mbrapa dhe u rreshtua në saf. Me të parë këtë, Pejgamberi ﷺ kaloi përpara dhe ua fali njerëzve namazin. Kur mbaroi, tha: “O Ebu Bekër! Çfarë të pengoi të vazhdoje pasi të bëra me shenjë?” Ai tha: “Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë Pejgamberit ﷺ në namaz.”
Pastaj Pejgamberi ﷺ u tha njerëzve: “Nëse dikush dyshon diçka në namaz (të imamit), burrat le të thonë: “Subhanallah”, kurse gratë le t'u bien shuplakave!”
37. Nënkapitulli: Parapëlqehet që shkruesi (i dispozitave) të jetë besnik dhe i mençur
7191. Nga: Zejd ibn Thabiti
Muhamed ibn Ubejdullah Ebu Thabiti na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejd ibn Sebaku se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pas Betejës së Jemames, Ebu Bekri dërgoi dikë për të më thirrur. I pranishëm ishte edhe Omer ibn Hatabi.” Ebu Bekri më tha: “Omeri më erdhi dhe më tha se gjatë betejës së Jemames janë vrarë shumë hafëzë të Kuranit, andaj kam frikë se, nëse vazhdon kështu edhe nëpër vende të tjera duke u vrarë shumë hafëzë, mund të humbë një pjesë e konsiderueshme e Kuranit, andaj unë mendoj se duhet të urdhërosh që të tubohet tërë Kurani në një vend.” I thashë: “Si, vallë, të bëj diçka që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Omeri më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë punë e mirë!” Kështu, Omeri vazhdoi të këmbëngulte në këtë, derisa Allahu ma mbushi mendjen dhe u binda ashtu siç ishte bindur Omeri.”
Zejdi tregon: “Ebu Bekri më tha: “Ti vërtet që je një djalosh i mençur, për të cilin nuk kemi asnjë vërejtje, si dhe e shkruaje shpalljen për të Dërguarin e Allahut ﷺ. Andaj, gjurmo pjesët e Kuranit dhe tuboji! Betohem në Allahun se, sikur të më ngarkonin të lëvizja një kodër, nuk do të ishte më e vështirë për mua sesa kjo detyrë që ma dha për tubimin e Kuranit.” Thashë: “Si ka mundësi të veproni një punë që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Ebu Bekri më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë një punë e mirë!” Pastaj, vazhdimisht më nxiste, derisa Allahu ma mbushi mendjen të bindem siç ishin bindur ai dhe Omeri. Kështu, fillova t'i kërkoj pjesët e Kuranit (të cilat ishin shkruar) nëpër lëvozhga të drurëve, lëkura, eshtra, si dhe në pjesët që sahabët i kishin mësuar përmendsh dhe t'i tuboj në një vend. Së këndejmi, fundin e sures Teube: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: “Më mjafton Allahu, s'ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!” (Teube, 128-129) e gjeta te Huzejme, - ose ka thënë: tek Ebu Huzejme, - të cilën ia bashkëngjita sures përkatëse. Fletushkat në të cilat u tubua Kurani mbetën tek Ebu Bekri derisa Allahu ia mori shpirtin, pastaj tek Omeri derisa Allahu ia mori shpirtin, e pastaj te Hafsa, e bija e Omerit.”
38. Nënkapitulli: Dërgimi i shkresave të prijësit nëpunësve të tij, si dhe kadiu sekretarëve të tij
7192. Nga: Sehël ibn Ebu Hathme
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Lejla; [t]: Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Lejla ibn Abdullah ibn Abdurrahman ibn Sehli se Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkë me disa pjesëtarë të tjerë nga paria e fisit të tij, tregojnë: “Abdullah ibn Sehli dhe Muhajisa ibn Mesud ibn Zejdi shkuan në Hajber për shkak të skamjes që i kishte goditur. Ndërkohë, Muhajisa u njoftua se Abdullah ibn Sehli ishte vrarë dhe ishte hedhur në një llagëm, - ose ka thënë: në një përrua, - e në atë rast ai shkoi menjëherë te hebrenjtë dhe u tha: “Betohem në Allahun se ju e vratë!” Thanë: “Betohemi në Allahun se ne nuk e kemi vrarë!”
Me të arritur te fisi i tij (në Medinë), i lajmëroi për këtë dhe, bashkë me vëllanë e tij, Huvejisën, - i cili ishte para tij në moshë, - dhe me Abdurrahman ibn Sehlin shkuan për të biseduar me Pejgamberin ﷺ. Muhajisa, - i cili kishte qenë pjesëmarrës në Hajber, - filloi të flasë, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Nga i madhi! Nga i madhi!” - duke pasur për qëllim moshën. Kështu, së pari foli Huvejisa e pas tij foli Muhajisa. Pejgamberi ﷺ u tha: “Ose do ta shpaguajnë gjakun e shokut tuaj, ose do të përballen me luftë!” Pejgamberi ﷺ u dërgoi atyre një letër, ndërsa ata ia kthyen: “Ne nuk e kemi vrarë atë. Në atë rast, Pejgamberi ﷺ u tha Huvejisës, Muhajisës dhe Abdurrahmanit: “A po betoheni, ashtu që ta meritoni shpagimin e shokut tuaj?” Ata i thanë: “Jo.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Atëherë hebrenjtë le të betohen për t'u shfajësuar!” Ata i thanë: “Por ata nuk janë muslimanë?” Atëherë, Pejgamberi ﷺ ua shpagoi vetë (të vrarin) me njëqind deve, të cilat iu dërguan deri në torishtë.
Sehli shton: “Njëra nga devetë më goditi me këmbë.”
39. Nënkapitulli: A i lejohet prijësit të dërgojë një person të vetëm për t’i vëzhguar punët?
7193. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
7193, 7194 - Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhibi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Njëherë, një beduin erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij u ngrit dhe tha: “Mirë tha ai, gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut!” Pastaj beduini tha: “Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim. Andaj, e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një robëreshë. Pastaj i pyeta dijetarët e më thanë: “Biri yt duhet të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe të dëbohet nga vendi për një vit.”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Do të gjykoj mes jush sipas Librit të Allahut. Sa i përket robëreshës dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa biri yt duhet të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe dëbim nga vendi për një vit. Ndërkaq, ti, o Unejs, - iu drejtua një burri, - shko te gruaja e këtij dhe gurëzoje.”
Unejsi shkoi tek ajo dhe e gurëzoi.”
7194. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
7193, 7194
40. Nënkapitulli: Përkthimi për prijësin dhe se a lejohet një përkthyes i vetëm
7195. Nga: Zejd ibn Thabiti
Harixhe ibn Zejd ibn Thabitit transmeton se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më urdhëroi të mësoja shkrimin e hebrenjve, saqë pastaj i shkruaja letrat e Pejgamberit ﷺ (dedikuar atyre) dhe i lexoja letrat e tyre kur ata ia shkruanin atij.”
Njëherë, Omeri, në prani të Aliut, Abdurrahmanit (Ibn Aufit) dhe Othmanit tha: “Çfarë thotë kjo (grua)?” Abdurrahman ibn Hatibi tha: “I thashë: “Po të njofton për shoqëruesin e saj, i cili ia ka shkaktuar këtë (barrën).”
Ebu Hamzai thotë: “Përktheja mes Ibn Abasit dhe ca njerëzve të tjerë.”
Disa kanë thënë: “Prijësi domosdoshmërisht duhet t'i ketë dy përkthyes.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7195
Fjalë të panjohura?
7196. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se e ka dëgjuar Ebu Sufjan ibn Harbin duke thënë se, Herakliu e ftoi atë teksa ishte me një karvan kurejshish, e në atë rast i tha përkthyesit të tij: “Thuaju këtyre se unë do t'i bëj disa pyetje këtij (Ebu Sufjanit) dhe, nëse ai më gënjen, ju përgënjeshtrojeni”, - dhe e përmendi hadithin. Pastaj i tha përkthyesit: “Thuaji: “Nëse kjo që po e thua (për Muhamedin) është e vërtetë, ai do ta pushtojë edhe vendin ku i kam vendosur këto dy këmbët e mia.”