Hadithet e ngjashme me hadithin 3773

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

336. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Zekerija ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Numejri, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se huazoi një gjerdan prej Esmës, mirëpo i kishte humbur, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një person për ta kërkuar. Gjerdanin e gjeti, por i zuri namazi e nuk kishin ujë (për abdes), kështu që u falën (pa abdes). Iu ankuan të Dërguarit të Allahut ﷺ për këtë, pastaj Allahu e zbriti ajetin e tejemumit.

Usejd ibn Hudajri i tha Aishes: “Allahu të shpërbleftë, sepse, betohem në Allahun se, sa herë që të ka ndodhur diçka e padëshiruar, përherë Allahu e ka shndërruar në mirësi për ty e për të gjithë muslimanët!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 336

Fjalë të panjohura?

334. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim dhe, kur arritëm te vendi i quajtur Bejda, - ose ka thënë: Dhatu Xhejsh, - m'u këput gjerdani (dhe më humbi). I Dërguari i Allahut ﷺ qëndroi aty për ta kërkuar atë e bashkë me të edhe njerëzit e tjerë. Ata nuk posedonin ujë (për të marrë abdes), andaj disa shkuan tek Ebu Bekri dhe iu ankuan: “A nuk po sheh çfarë na bëri Aishja?” Bëri që i Dërguari i Allahut ﷺ dhe të tjerët të qëndrojnë (në këtë vend, në kërkim të gjerdanit), ndërkohë, këtejpari as ka ujë, as njerëzit kanë me vete.

Ebu Bekri erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili po flinte me kokën mbështetur mbi prehrin tim, e më tha: “E pengove të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të gjithë njerëzit, ndërkohë, këtejpari as ka ujë, as njerëzit kanë me vete.” Më qortoi e s'më la gjë pa thënë, pastaj filloi të më shpojë me dorë në ijë, por, unë, duke mos dashur që i Dërguari i Allahut ﷺ ta largojë kokën nga prehri im, nuk lëviza. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u zgjua nga gjumi, nuk kishte ujë. Atëherë Allahu ﷻ e zbriti ajetin e tejemumit, andaj të gjithë morën tejemum. Usejd ibn Hudajri tha: “Kjo nuk është begatia juaj e parë, oj familja e Ebu Bekrit!”

Aishja thotë: “Pasi e ngritëm devenë, në të cilën kisha hipur, e gjetëm gjerdanin nën të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 334

Fjalë të panjohura?