11. Gjidhënia
333. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, për të bijën e Hamzait, ka thënë: “Nuk më lejohet martesa me të, sepse lidhjet nëpërmjet gjidhënies i ndalojnë gjërat sikurse lidhjet nga gjaku. Ajo është e bija e vëllait tim nga qumështi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 333
334. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Lidhjet nëpërmjet gjidhënies i ndalojnë gjërat sikurse lidhjet nga gjaku.”
Referenca: Umdetul Ahkam 334
335. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Eflehu, vëllai i Ebu Kuajsit, kërkoi leje për të hyrë tek unë, pasi hixhabi ishte bërë obligim, andaj thashë: “Për Allahun, nuk do t'i jap leje para se t'i marrë leje të Dërguarit të Allahut ﷺ, sepse vëllai i Ebu Kuajsit s'më ka ushqyer me gji, por më ka ushqyer gruaja e Ebu Kuajsit.”
Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë, i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Mua më ka dhënë qumësht gruaja e jo burri!”
Më tha: “Jepi leje, sepse ai është xhaxhai yt, t'u pluhurosshin duart!”
Urve thotë: “Për këtë arsye Aishja thoshte: “Me gjidhënie ndalohet ajo që ndalohet me gjak.”
Në një tekst tjetër qëndron: “Eflehu kërkoi leje për të hyrë tek unë, por nuk e lejova.” Ai më tha: “Po mbulohesh nga unë, ndërkohë unë jam xhaxhai yt?”
- Si ashtu? - i thashë.
- Të ka dhënë gji gruaja e vëllait tim, - më tha.
Më pas e pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, i cili më tha: “Eflehu e ka thënë të vërtetën, jepi leje (të hyjë).”
Referenca: Umdetul Ahkam 335
336. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hyri tek unë, ku gjeti një burrë, andaj më pyeti: “Kush është ky, oj Aishe?”
- Vëllai im nga qumështi, - i thashë.
- “Oj Aishe, shikoni mirë kë keni vëllezër (nga gjiri), sepse gjidhënie konsiderohet vetëm ajo që e ngop fëmijën nga uria”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 336
337. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se u martua me Umu Jahjain, të bijën e Ebu Ihabit. Por, një robëreshë zezake erdhi dhe tha: “Unë ju kam dhënë gji juve të dyve.” Kur ia përmenda Pejgamberit ﷺ, ai më anashkaloi. Pastaj sërish iu afrova dhe ia përmenda, e në atë rast ai më tha: “E si pra, ndërkohë që ajo po pretendon se ju ka dhënë gji?”
Kështu, e ndaloi prej bashkëshortes së vet.
Referenca: Umdetul Ahkam 337
338. Nga: Bera ibn Azibi
Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur doli Pejgamberi ﷺ, e bija e Hamzait iu vu prapa duke i thënë: “O xhaxha! O xhaxha!” Aliu shkoi dhe e mori për dore e i tha Fatimes: “Ja, bija e xhaxhait tënd. Merre me vete.”
Aliu, Zejdi dhe Xhaferi u grindën për të. Aliu tha: “Unë jam më meritori për ta marrë, sepse është bija e xhaxhait tim.” Xhaferi i tha: “Ajo është bija e xhaxhait tim dhe tezja e saj është gruaja ime.” Zejdi tha: “Ajo është bija e vëllait tim.” Kështu, Pejgamberi ﷺ vendosi që ta marrë tezja e vet dhe tha: “Tezja është në pozitën e nënës.” Aliut i tha: “Ti je pjesë imja dhe unë jam pjesë jotja.” Xhaferit iu drejtua: “Më ke ngjarë në tipare dhe moral.” Ndërkaq, Zejdit i tha: “Ti je vëllai ynë dhe i çrobëruari ynë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 338