13. Ndëshkimet e përcaktuara
348. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa njerëz erdhën nga Ukli, - ose ka thënë: nga Urejna, - në Medinë, por nuk iu përshtat klima, kështu që u sëmurën. Pejgamberi ﷺ i urdhëroi të shkonin te devetë (e sadakasë) e të pinin urinën dhe qumështin e tyre. Ata shkuan dhe, pasi u shëruan, e vranë bariun e Pejgamberit ﷺ, i morën kopenë me deve (dhe ia mbathën). Lajmi për ta erdhi gjatë paradites. Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë në kërkim të tyre dhe, në mesditë, i sollën para Pejgamberit ﷺ. Ai urdhëroi t'ua prisnin duart dhe këmbët, t'ua damkosnin sytë, pastaj i hodhën në Pllajën (e Medinës). Kërkonin ujë, por nuk u jepej.”
Ebu Kilabe thotë: “Këta vodhën, vranë, bënë kufër pas imanit dhe e luftuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 348
349. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi rrëfen nga Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se këta tregojnë: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, po të përbej në Allahun që për mua të gjykosh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij, i cili kishte dituri më shumë se i pari, u ngrit dhe tha: “Po, mes nesh gjyko sipas Librit të Allahut dhe më lejo të të tregoj!”
- “Fol!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim. Andaj, e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një robëreshë. Pastaj i pyeta dijetarët, të cilët më thanë se biri im duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet për një vit, ndërsa gruaja e këtij duhet të gurëzohet, - tha beduini.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes jush do të gjykoj sipas Librit të Allahut. Sa i përket robëreshës dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa yt bir duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet një vit. O Unejs, shko te gruaja e këtij dhe, nëse pranon (se ka bërë zina), dënoje me gurëzim.”
Unejsi shkoi dhe ajo pranoi. Kështu, pas urdhrit të të Dërguarit të Allahut ﷺ, ajo u gurëzua.”
Referenca: Umdetul Ahkam 349
350. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se Pejgamberi ﷺ u pyet rreth robëreshës së pamartuar që bën zina, e në atë rast tha: “Nëse bën zina, zbatojani dënimin. Nëse bën sërish, zbatojani dënimin. E, nëse bën zina sërish, shiteni, qoftë dhe për një litar.”
Ibn Shihabi thotë: “Nuk e di a pas herës së tretë apo pas së katërtës (ka thënë që ajo të shitet).”
Referenca: Umdetul Ahkam 350
351. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në xhami, i erdhi një burrë musliman dhe e thirri: “O i Dërguari i Allahut, kam bërë zina.” Atëherë Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër, por ai i doli para tij dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, kam bërë zina.” Sërish Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër, derisa ai veproi njëjtë katër herë. E, kur dëshmoi kundër vetes katër herë (për zina), i Dërguari i Allahut ﷺ e ftoi dhe i tha: “Mos ke ndonjë sëmundje mendore?”
- Jo, - i tha ai.
- “A je i martuar?”
- Po, - tha.
Në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Merreni këtë dhe gurëzojeni!”
Ibn Shihabi tha: “Më ka treguar dikush që e ka dëgjuar Xhabir ibn Abdullahun të ketë thënë: “Unë isha në mesin e atyre që e gurëzuan. E gurëzuam në namazgjah. Kur e goditën gurët, ai iku, por ne e zumë te Pllaja dhe e gurëzuam.”
Referenca: Umdetul Ahkam 351
352. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se hebrenjtë erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i treguan se një burrë nga mesi i tyre kishte bërë zina me një grua. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë keni në Tevrat rreth çështjes së gurëzimit?” Ata iu përgjigjën: “T'i poshtërojmë dhe t'i ndëshkojmë me kamxhik.” Abdullah ibn Selami u tha: “Po gënjeni! Aty përmendet gurëzimi.” Kështu, ata e morën Tevratin dhe e hapën. Njëri e vendosi dorën mbi citatin e gurëzimit dhe i lexoi ajetet para dhe pas tij. Abdullah ibn Selami i tha: “Largoje dorën.” Kur ai e largoi, doli citati i gurëzimit. Andaj, i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të gurëzohen. Abdullahu thotë: “E pashë burrin (që gurëzohej) duke u shtrirë mbi femrën për ta mbrojtur nga gurët.”
Referenca: Umdetul Ahkam 352
353. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse dikush shikon fshehurazi në shtëpinë tënde, pa i dhënë leje, dhe ti e gjuan me guralecë e ia qorron syrin, nuk ke mëkat.”
Referenca: Umdetul Ahkam 353
1. Nënkapitulli: Ndeshkimi i përcaktuar për vjedhje
354. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka zbatuar prerjen e dorës së hajdutit të një mburoje, e cila kishte vlerën e tre dërhemëve (të argjendtë).
Referenca: Umdetul Ahkam 354
355. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dora pritet për një çerek dinari e sipër.”
Referenca: Umdetul Ahkam 355
356. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kurejshët i brente çështja e gruas së fisit mahzum, e cila kishte vjedhur, andaj thanë: “Kush merr guximin të ndërmjetësojë tek i Dërguari i Allahut ﷺ për këtë?” Thanë: “E kush tjetër, përveç Usame ibn Zejdit, të cilin Pejgamberi ﷺ e do shumë.” Kështu, Usame shkoi dhe foli me të, por i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Po ndërmjetëson në një prej dispozitave të Allahut?!” Pastaj u ngrit dhe u ligjëroi njerëzve e tha: “Ata që ishin para jush janë shkatërruar se, kur vidhte i privilegjuari, e falnin, e, kur vidhte i dobëti, e dënonin. Betohem në Allahun se, sikur Fatimja, e bija e Muhamedit, të vidhte, do t'ia prisja dorën.”
Në një tekst tjetër Aishja thotë: "Ishte një grua nga fisi mahzum që huazonte gjëra, por mohonte se i kishte marrë, kështu që Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i pritej dora."
Referenca: Umdetul Ahkam 356
2. Nënkapitulli: Ndeshkimi i përcaktuar për alkoolin
357. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberit ﷺ i sollën një njeri që kishte pirë alkool, gjë për të cilën e ndëshkoi me rreth dyzet goditje me një degë palme.
Enesi tha: “Edhe Ebu Bekri veproi ashtu, por, kur erdhi Omeri, u konsultua me njerëzit dhe në atë rast Abdurrahmani i tha: “Ndëshkimi më i vogël i përcaktuar (nga Allahu) është tetëdhjetë (kamxhikë)." Në këtë mënyrë Omeri urdhëroi (që dënimi për pirje të alkoolit) të bëhet tetëdhjetë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 357
358. Nga: Ebu Burde ibn Ebu Musa
Ebu Burde Hani ibn Nejar Beleviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Askush të mos ndëshkohet me më shumë se dhjetë goditje me kamxhik, përveç kur kemi të bëjmë me ndonjë prej ndëshkimeve të përcaktuara nga Allahu.”
Referenca: Umdetul Ahkam 358