15. Ushqimet
377. Nga: Numan ibn Beshiri
Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë, - dhe Numani i drejtoi dy gishtat nga veshët e vet: “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumica e njerëzve nuk i dinë. Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta, tashmë ka rënë në haram. Sikurse bariu që i kullot bagëtitë përbri zonave të ndaluara, e në çdo çast bagëtitë mund të hyjnë në të e të kullosin. Andaj, dijeni se çdo pronar ka zonën e vet të ndaluar, ndërsa zona e ndaluar e Allahut janë haramet. Dijeni se në trup ndodhet një copë mishi, e cila, nëse është e shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, e, nëse prishet, prishet tërë trupi. Vini re, ajo është zemra.”
Referenca: Umdetul Ahkam 377
378. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në vendin Merr Dhahran trembëm një lepur dhe iu vumë pas derisa e zumë. Unë e mora dhe ia dërgova Ebu Talhait, i cili (e theri dhe) ijën bashkë me dy kofshët e lepurit ia dërgoi Pejgamberit ﷺ e ai i pranoi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 378
379. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ therëm një kalë dhe e hëngrëm.”
Një transmetim tjetër qëndron: “... teksa ishim në Medinë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 379
380. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në Betejën e Hajberit, i Dërguari i Allahut ﷺ ndaloi mishin e gomarit, por e lejoi mishin e kalit.”
Muslimi transmeton më ndryshe: “Në kohën e Betejës së Hajberit kemi ngrënë mish kali dhe mish zebre, ndërsa Pejgamberi ﷺ na ndaloi mishin e gomarit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 380
381. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë netëve të Hajberit na kaploi një uri e madhe dhe, ditën e çlirimit të Hajberit, gjetëm disa gomarë, të cilët i therëm. Kur vorbat po vlonin (me mishin e tyre), lajmëtari i të Dërguarit të Allahut ﷺ thirri: “Derdhini vorbat dhe mos hani asgjë nga mishi i gomarëve.”
Referenca: Umdetul Ahkam 381
382. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Ebu Thalebe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka bërë të ndaluar mishin e gomarëve.”
Referenca: Umdetul Ahkam 382
383. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe Halid ibn Velidi, bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ, shkuam te shtëpia e Mejmunës. Ndërkohë, një dab i pjekur u soll përpara dhe i Dërguari i Allahut ﷺ zgjati dorën nga ai. Një grua, prej atyre që ishin të pranishme në shtëpinë e Mejmunes, në atë rast tha: “Tregojini të Dërguarit të Allahut ﷺ se çfarë është ajo që ka për ta ngrënë!” I Dërguari i Allahut ﷺ tërhoqi dorën mbrapa. Unë thashë: “A është haram, o i Dërguari i Allahut!?” Tha: “Jo, por nuk është prej ushqimeve të viseve tona, andaj neveritem prej tij.”
Halidi thotë: “Unë pastaj e copëtova dhe e hëngra, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ﷺ më shikonte.”
Referenca: Umdetul Ahkam 383
384. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kemi marrë pjesë në shtatë beteja me të Dërguarin e Allahut ﷺ, në të cilat hanim karkaleca.”
Referenca: Umdetul Ahkam 384
385. Nga: Ebu Musa Eshariu
Zehdem ibn Mudarib Xhermiu tregon: “Teksa po rrinim tek Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai e kërkoi sofrën e cila kishte mish pule. Aty erdhi një burrë nga fisi tejmullah, i racës së kuqe, që dukej të ishte joarab (me prejardhje romake). Ebu Musai i tha: “Afrohu!” Por, ai nuk u afrua. Ebu Musai sërish i tha: “Afrohu, sepse unë e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke ngrënë mish pule.”
Referenca: Umdetul Ahkam 385
386. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush ta ketë mbaruar ushqimin, të mos i fshijë duart para se t'i lëpijë vetë ose dikush tjetër (nga ata që nuk neveriten).”
Referenca: Umdetul Ahkam 386
1. Nënkapitulli: Gjuetia
387. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Ebu Thalebe Husheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, ne jetojmë në vendin e ithtarëve të Librit dhe hamë në enët e tyre. Gjithashtu, ai është vend gjuetie, ku gjuaj me hark dhe me qenin tim të stërvitur ose me qenin tjetër që nuk është i stërvitur. Andaj, më trego se çfarë na lejohet prej këtyre?” Pejgamberi ﷺ tha: “Sa i përket asaj që e përmende se jeni në tokën e ithtarëve të Librit dhe se hani prej enëve të tyre, atëherë nëse gjeni enë të tjera, mos hani në enët e tyre, e, nëse nuk gjeni të tjera, atëherë pastroni dhe hani në to. Ndërkaq, sa i përket asaj që përmende se ndodheni në vend gjuetie, atë që e ke gjuajtur me shigjetë duke thënë “bismilah”, haje! Atë që e ke gjuajtur me qenin e stërvitur duke thënë “bismilah”, haje. Ndërkaq, atë që e ke gjuajtur me qenin tënd të pastërvitur, nëse arrin ta therësh, haje.”
Referenca: Umdetul Ahkam 387
388. Nga: Adij ibn Hatimi
Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë pyeta: “O i Dërguari i Allahut, unë i ndërsej qentë e mi të stërvitur e ata gjuajnë për mua, dhe them “bismilah”?”
- “Kur ta ndërsesh qenin tënd të stërvitur dhe të thuash “bismilah", ha prej atij gjahu.” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Edhe nëse ai e ka mbytur gjahun? - pyeta unë.
- “Edhe nëse e ka mbytur, përderisa nuk i është bashkëngjitur ndonjë qen tjetër.”
- Po nëse gjuaj edhe me hu dhe e godas? - i thashë.
- “Nëse gjuan me hu, haje atë gjah që e ka shqyer, kurse atë që është goditur me pjesën anësore të saj, mos e ha!” - tha Pejgamberi ﷺ."
Referenca: Umdetul Ahkam 388
389. Nga: Adij ibn Hatimi
Shabiu transmeton hadith të njëjtë nga Adiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Përveç nëse qeni ka ngrënë nga preja, përveç nëse qeni ka filluar ngrënien e gjahut. Nëse ka ngrënë prej tij, mos e ha, sepse kam frikë se e ka gjuajtur për vete. E, nëse bashkë me të janë përzier edhe qen të tjerë, atëherë mos e ha (gjahun e tyre), sepse ti ke thënë “bismilah" vetëm për qenin tënd, e jo për të tjerët!”
Po ashtu qëndron: “Kur ta ndërsesh qenin tënd, thuaj “bismilah”, pastaj, nëse ai e ka kapur gjahun dhe ti e arrin të gjallë atë, there! Nëse e arrin gjahun pasi ta ketë mbytur qeni, ndërsa ai nuk ka ngrënë prej tij, haje atë, sepse gjuetia e qenit llogaritet therje (e gjahut).”
Gjithashtu qëndron: “Kur të gjuash me shigjetë, thuaj “bismilah.”
Po ashtu qëndron: "Kur të gjuash me shigjetë, thuaj “bismilah”, e, nëse kalon një apo dy ditë, - një transmetim tjeter: - dy apo tri ditë, - dhe nuk mund ta gjesh, e, kur ta kesh gjetur nuk sheh dot ndonjë gjurmë tjetër pos plagës së shkaktuar nga shigjeta jote, atëherë haje, nëse do. E, nëse e gjen të mbytur në ujë, mos e ha, sepse s'mund ta dish a e ka mbytur shigjeta jote apo uji!”
Referenca: Umdetul Ahkam 389
390. Nga: Abdullah ibn Omeri
Salimi transmeton nga Abdullah ibn Omeri, e ky nga babai i tij, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Atij që mban qen, me përjashtim të qenit të kopesë ose qenit të stërvitur (për gjueti), për çdo ditë i pakësohen dy kiratë nga veprat e tij.”
Salimi tha: “Ebu Hurejra thoshte: “... ose qenit për ruajtjen e të mbjellave”, (e solli këtë transmetim) sepse Ebu Hurejra kishte të mbjella.
Referenca: Umdetul Ahkam 390
391. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ishim në Dhul Hulejfe me Pejgamberin ﷺ, njerëzit i kaploi uria, por, me të fituar prenë e luftës, fituan shumë deve e dele. Kështu, ata u ngutën, i therën bagëtitë dhe i përgatitën kusitë (për t'i zier), ndërsa Pejgamberi ﷺ ishte nga fundi i karvanit. Kur arriti (dhe i pa), Pejgamberi ﷺ urdhëroi të derdheshin kusitë, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve.
Papritmas, një deve iku dhe njerëzit iu vunë pas, por nuk arrinin ta zinin dot. Atëkohë në mesin e njerëzve kishte pak kuaj, kështu që një burrë i hipi një kali dhe iu vërsul devesë, e gjuajti me një shtizë dhe e goditi.
Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. E, nëse ndodh që t'ju ikin kësisoj, atëherë veproni në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë).”
Rafiu i tha Pejgamberit ﷺ: “Kemi frikë, - ose ka thënë: shpresojmë, - se armiku do të na sulmojë nesër, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë). Vallë, a të therim me kallam?
- “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes, hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 391
2. Nënkapitulli: Kurbani
392. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ theri dy desh të larmë e me brirë. Që të dy i theri me dorën e vet, duke thënë "bismilah (me emrin e Allahut)" e duke bërë tekbir (duke thënë: “Allahu ekber") dhe duke ua vendosur këmbën në faqe.”
Referenca: Umdetul Ahkam 392