3. Zekati

173. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen, i tha: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit. Kur të arrish tek ata, thirri të dëshmojnë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze brenda ditës e natës. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim zekatin, që u merret të pasurve e u jepet të varfërve të tyre. E, nëse të binden, kujdes, mos ua merr pasurinë e çmuar! Ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!”

Referenca: Umdetul Ahkam 173

174. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka zekat në më pak se pesë evakë. Nuk ka zekat në më pak se pesë deve. Nuk ka zekat në më pak se pesë evsukë.

Referenca: Umdetul Ahkam 174

175. Nga:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muslimani nuk është i obliguar të japë zekat për robin e as për kalin e tij.”

Ndërkaq, në një tekst qëndron: "Përveç zekatit të fitrit për robin.”

Referenca: Umdetul Ahkam 175

176. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për atë që e mbyt kafsha, nuk ka shpagim, as për atë që vdes duke hapur bunarin, as për atë që vdes duke punuar në minierë. Për thesarin e lashtë jepet një e pesta.”

Referenca: Umdetul Ahkam 176

177. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e dërgoi Omerin për ta mbledhur zekatin. Kështu, dikush i tha: “Ibn Xhemili, Halid ibn Velidi dhe Abasi, xhaxhai i të Dërguarit të Allahut ﷺ, nuk e kanë dhënë." Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ibn Xhemili po urren një gjë të tillë vetëm për shkak se, pasi ka qenë i varfër, Allahu e ka pasuruar (porse kjo nuk e arsyeton mosdhënien). Sa i përket Halidit, po i bëni padrejtësi Halidit, sepse ai i ka vënë parzmoret dhe armët e tij në rrugën e Allahut. E, sa i përket Abasit, unë e jap për të, dhe një herë aq.” Pastaj tha: “O Omer, a nuk e di se xhaxhai i njeriut është vëllai i të atit.”

Referenca: Umdetul Ahkam 177

178. Nga: Abdullah ibn Zejd ibn Asim Ensariu

Abdullah ibn Zejd ibn Asim Maziniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi Allahu ia dha të Dërguarit të Tij ﷺ prenë e ditës së Hunejnit, ai e ndau mes njerëzve, kryesisht disave për t'ua përfituar zemrën. Ndërkaq, ensarëve nuk u dha asgjë. Ensarëve disi u mbeti hatri, sepse nuk morën siç morën të tjerët. Atëherë, Pejgamberi ﷺ u ligjëroi duke u thënë: “O ensarë, a nuk ju gjeta të humbur, e Allahu ju udhëzoi nëpërmjet meje? Ishit të përçarë, e Allahu ju bashkoi nëpërmjet meje? Ishit të varfër, e Allahu ju pasuroi nëpërmjet meje?” Sa herë që u thoshte diçka, ata ia kthenin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më meritorët.” Pastaj u tha: “Çka po ju pengon që t'i përgjigjeni të Dërguarit të Allahut ﷺ?” Sa herë që u thoshte diçka, ata ia kthenin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më meritorët.” Atëherë, ai u tha: “Sikur të donit, do të thoshit: “Na ke ardhur kështu e ashtu.” A nuk jeni të kënaqur që njerëzit të kthehen me dele e me deve, ndërsa ju të ktheheni me Pejgamberin ﷺ në shtëpitë tuaja? Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha njëri prej ensarëve. Sikur njerëzit të shkonin nga një luginë a një grykë, do të shkoja luginës dhe grykës së ensarëve. Ensarët janë shiar (rroba e brendshme), ndërsa njerëzit e tjerë janë dithar (rroba e sipërme). Pas meje do të hasni në anashkalim të të drejtave tuaja, por bëni durim, derisa të më takoni te Hauzi.”

Referenca: Umdetul Ahkam 178

1. Nënkapitulli: Zekati i Fitrit

179. Nga:

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ e ka obliguar sadakanë e (Bajramit të) Fitrit ose ka thënë: “... të Ramazanit për çdo mashkull dhe femër, për çdo të lirë dhe rob: një saë me hurma ose me elb." Ndërkaq, njerëzit këtë e bënë ekuivalent me gjysmë sai grurë për të voglin e për të madhin.

Ndërkaq, në një tekst qëndron: “Ka urdhëruar që të jepet para se njerëzit të dalin për namaz (të Bajramit).”

Referenca: Umdetul Ahkam 179

180. Nga:

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ sadakanë e fitrit e jepnim një saë ushqim, hurma, elb ose stafidhe. Kur erdhi Muaviu (si halife) dhe përdorej gruri (nga Shami), tha: “Mendoj se një grusht nga ky grurë është i barabartë me dy grushta (gjysmë saë i ushqimeve të tjera).”

Ebu Seidi tha: “Ndërsa unë do të vazhdoj ta jap ashtu siç e jepja sa ishte gjallë i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Umdetul Ahkam 180