4. Agjërimi
181. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e paraprini Ramazanin me agjërim një ose dy ditë, përveç nëse ndokush agjëron (në vazhdimësi) ditë të caktuara (vullnetare), le ta agjërojë atë ditë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 181
182. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kur ta shihni hënën (e Ramazanit), agjëroni, e kur ta shihni hënën (e shevalit), bëni Bajram. E, nëse është vranët (dhe nuk e shihni), plotësojeni muajin (tridhjetë ditë).”
Referenca: Umdetul Ahkam 182
183. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Hani syfyr, sepse në syfyr ka bereqet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 183
184. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Zejd ibn Thabiti ka thënë: “Hëngrëm syfyr me Pejgamberin ﷺ, pastaj ai u ngrit për namaz.” Unë e pyeta:
- Sa ka qenë koha mes ezanit dhe syfyrit?
- Sa t'i lexoje pesëdhjetë ajete, - tha Zejdi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 184
185. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Umu Seleme
Aishja dhe Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me to!) tregojnë se ndodhte që të Dërguarin e Allahut ﷺ ta zinte sabahu duke qenë xhunub për shkak të marrëdhënieve me gratë e tij, pastaj lahej dhe agjëronte.
Referenca: Umdetul Ahkam 185
186. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush harron se është agjërueshëm, pastaj ha ose pi, le ta plotësojë agjërimin, se Allahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 186
187. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa rrinim ulur te Pejgamberi ﷺ, erdhi një burrë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, jam shkatërruar."
- “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me gruan time, duke qenë agjërueshëm, - iu përgjigj ai.
- “A mund të gjesh një rob për ta liruar?”
- Jo.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
Kështu, ai qëndroi te Pejgamberi ﷺ për një kohë dhe, duke qenë në këtë gjendje, Pejgamberit ﷺ i sollën një shportë me hurma, e në atë rast tha:
- “Ku është pyetësi?”
- Ja ku jam, - tha ai.
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë.”
- Ndonjë më të varfri se unë, o i Dërguari i Allahut?! Betohem në Allahun se mes dy pllajave (të Medinës) nuk ka shtëpi më të varfër se familja ime, - tha ai.
Pejgamberi ﷺ qeshi, saqë iu dukën dhëmbët, pastaj tha: “Ushqeje familjen tënde me të.”
Referenca: Umdetul Ahkam 187
1. Nënkapitulli: Agjërimi në udhëtim
188. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Hamza ibn Amër Eslemiu e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për agjërimin në udhëtim, meqë agjëronte shumë. Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëse do, agjëro, e, nëse do, mos agjëro.”
Referenca: Umdetul Ahkam 188
189. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ishim në udhëtim me Pejgamberin ﷺ, as agjëruesi nuk e qortonte joagjëruesin e as joagjëruesi nuk e qortonte agjëruesin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 189
190. Nga: Ebu Derdai
Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U nisëm në udhëtim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, në një ditë të nxehtë, të muajit Ramazan, saqë ndonjëri nga ne detyrohej ta vendoste dorën mbi kokë, nga të nxehtët e madh. Askush prej nesh nuk ishte agjërueshëm, përveç të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe Abdullah ibn Revahës.”
Referenca: Umdetul Ahkam 190
191. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në një udhëtim i Dërguari i Allahut ﷺ pa një turmë njerëzish duke i bërë hije një burri, e në atë rast tha:
- “Ç'po ndodh?”
- Është agjërueshëm, - i thanë.
- “Nuk është mirësi agjërimi në udhëtim”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Në transmetimin e Muslimit: “Merreni lehtësimin e Allahut, të cilin jua ka bërë juve.”
Referenca: Umdetul Ahkam 191
192. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ishim me Pejgamberin ﷺ në një udhëtim, dikush agjëronte e dikush jo. U ndalëm në një vend dhe ishte ditë shumë e nxehtë. Hijen më të mirë e kishte ai që kishte rrobë, ndërsa të tjerët i bënin hije vetes me duar. Agjëruesit ranë për tokë, kurse joagjëruesit u ngritën, i rregulluan tendat dhe u dhanë ujë deveve. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Sot, joagjëruesit e morën shpërblimin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 192
193. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Më mbeteshin ditë Ramazani për t'i kompensuar, të cilat nuk mund t'i kompensoja vetëm se në shaban.”
Referenca: Umdetul Ahkam 193
194. Nga:
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për atë që vdes duke i mbetur agjërimi (pa kompensuar, mund të) agjërojë i afërmi i tij.”
E ka transmetuar Ebu Davudi, i cili ka thënë: “Kjo ka të bëjë me (agjërimin për) zotimin. Ky është njëkohësisht edhe mendimi i Ahmed ibn Hanbelit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 194
195. Nga:
Abdullah Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka vdekur, ndërkohë i ka mbetur një muaj pa agjëruar: a ta kompensoj për të (duke agjëruar)?”
- “Sikur nëna jote të kishte borxh, a do ta paguaje për të?”
- Po, - tha ai.
- “Kështu pra, borxhi ndaj Allahut është më meritor që të kompensohet”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Në transmetimin tjetër qëndron: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka vdekur, ndërkohë i ka mbetur agjërim i zotuar pa agjëruar: a ta kompensoj për të (duke agjëruar)?”
- “Sikur nëna jote të kishte borxh e ti ta paguaje për të, a do t'i pranohej asaj?”
- Po, - tha ajo.
- “Atëherë, agjëro për nënën tënde”, - tha Pejgamberi ﷺ."
Referenca: Umdetul Ahkam 195
196. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Njerëzit do të jenë në mirësi për sa kohë që e shpejtojnë iftarin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 196
197. Nga: Omer ibn Hatabi
Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të shihni se nata po vjen prej andej, ndërsa dita shkon prej këndej, ndërkohë Dielli ka perënduar, ka ardhur koha që agjëruesi të bëjë iftar.”
Referenca: Umdetul Ahkam 197
198. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar lidhjen e ditëve të agjërimit.” Sahabët i thanë: “Por ti po e lidh?” Ai tha: “Unë nuk jam sikurse ju. Allahu më ushqen me ushqim dhe pije.”
Njëjtë transmetojnë: Ebu Hurejra, Aishja dhe Enes ibn Maliku.
Referenca: Umdetul Ahkam 198
199. Nga:
Në transmetimin e Muslimit, nga Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndërkaq, ai që dëshiron ta lidhë (agjërimin), le ta lidhë deri në syfyr.”
Referenca: Umdetul Ahkam 199
2. Nënkapitulli: Agjërimi më i përlqyer
200. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u informua se unë kam thënë: “Betohem në Allahun se sa të jem gjallë do të agjëroj ditën dhe do të falem natën.” I Dërguari i Allahut ﷺ më pyeti: “A ti je ai që e thua këtë?”
- Po, unë kam thënë, o i Dërguari i Allahut, kurban t'u bëfsha me babë e nënë!
- “Nuk mund të vazhdosh kështu, por (herë) agjëro e (herë) ha dhe falu e fli. Agjëro tri ditë për çdo muaj, sepse e mira shpërblehet sa dhjetëfishi i saj, e kështu llogaritet sikurse agjërimi i tërë vitit”, - më tha.
- Unë mundem më shumë se kaq, - i thashë.
- “Një ditë agjëro e dy ditë ha.”
- Unë mundem më shumë se kaq.
- “Një ditë agjëro, një ditë ha. Ky është agjërimi i Davudit ﷺ dhe është agjërimi më i vlefshëm.”
- Unë mundem më shumë se kaq.
- “Nuk ka më mirë se kaq”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Në një transmetim tjetër qëndron: “Nuk ka agjërim më shumë se agjërimi i Davudit ﷺ: agjëronte gjysmën e kohës. Një ditë agjëro, një ditë ha.”
Referenca: Umdetul Ahkam 200
201. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Davudit ﷺ dhe namazi (vullnetar) më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit ﷺ. Ai flinte gjysmën e natës, pastaj falej një të tretën dhe flinte një të gjashtën, si dhe një ditë agjëronte, e një ditë jo.”
Referenca: Umdetul Ahkam 201
202. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I dashuri im ﷺ më ka porositur me tri gjëra:
1. Agjërimin e tri ditëve të çdo muaji,
2. Faljen e dy rekateve të duhasë, dhe
3. Faljen e vitrit para gjumit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 202
203. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Abad ibn Xhaferi tregon: “E kam pyetur Xhabirin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A e ka ndaluar Pejgamberi ﷺ agjërimin e ditës së premte?”
- Po, - m'u përgjigj ai.
Muslimi në transmetimin e tij shton: “... për Zotin e Qabesë!”
Referenca: Umdetul Ahkam 203
204. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos e veçoni ditën e premte me agjërim, përveç nëse ka agjëruar një ditë para dhe ka bërë nijet të agjërojë një ditë pas saj.”
Referenca: Umdetul Ahkam 204
205. Nga: Omer ibn Hatabi
Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Ibn Ez'herit, ka thënë: “Në namazin e Bajramit isha i pranishëm tek Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar agjërimin e këtyre dy ditëve: ditën kur e përfundoni agjërimin tuaj (dita e Bajramit të Fitrit) dhe ditën kur hani prej kurbaneve (dita e Bajramit të Kurbanit).”
Referenca: Umdetul Ahkam 205
206. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar të agjërohet dita e Bajramit të Fitrit dhe ajo e Bajramit të Kurbanit. Po ashtu, ka ndaluar që trupi të mbështillet me rrobë duke i bllokuar duart në të dhe ka ndaluar uljen duke i mbledhur gjunjët në gjoks me duar gjatë kohës sa është i mbështjellë vetëm me një rrobë, si dhe faljen e namazit (vullnetar) pas namazit të sabahut dhe të ikindisë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 206
207. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që agjëron një ditë në rrugën e Allahut, Allahu do t'ia largojë fytyrën nga Zjarri për shtatëdhjetë vjet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 207
3. Nënkapitulli: Nata e Kadrit
208. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdulla Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Disa shokë të Pejgamberit ﷺ panë në ëndërr se Nata e Kadrit është në shtatë netët e fundit. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Mendoj se ëndrrat tuaja janë përputhur te shtatëshja e fundit. Ai që dëshiron ta kërkojë atë, le ta kërkojë në shtatëshen e fundit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 208
209. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët tek të dhjetëshit të fundit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 209
210. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e mesme të Ramazanit. Një vit ndenji në itikaf derisa u bë nata e njëzetenjëtë, në mëngjesin e së cilës zakonisht dilte nga itikafi, e atëherë tha: “Ai që ka hyrë në itikaf me mua, le ta vazhdojë itikafin edhe në dhjetëshen e fundit. Në ëndërr më është shfaqur kjo natë (Nata e Kadrit), por pastaj m'u largua dituria rreth saj. Kam parë në ëndërr se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë në mëngjesin e saj, andaj kërkojeni atë në dhjetëshen e fundit gjatë netëve tek.”
Atë natë filloi të binte shi, ndërsa xhamia ishte e mbuluar me degë të palmës, kështu që uji rridhte brenda. I pashë me sytë e mi gjurmët e ujit dhe baltës në ballin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, mu në mëngjesin e natës së njëzetenjëtë."
Referenca: Umdetul Ahkam 210
4. Nënkapitulli: Itikafi
211. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, derisa vdiq. Pastaj gratë e tij vazhduan të hyjnë në itikaf.”
Në një tekst tjetër: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në çdo Ramazan dhe, pasi e falte sabahun, hynte në tendën ku bënte itikaf.”
Referenca: Umdetul Ahkam 211
212. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ ishte në itikaf në xhami, ajo ia krihte flokët, edhe pse ishte me menstruacione. Këtë e bënte nga dhoma e saj, ndërsa Pejgamberi ﷺ e afronte kokën.
Në tansmetimin tjetër: “Në shtëpi hynte vetëm për nevoja fiziologjike.”
Në një tansmetimin tjetër: “(Sa isha në itikaf) në shtëpi hyja vetëm për nevojë, e, nëse kishte ndonjë të sëmurë brenda, për gjendjen e tij pyesja vetëm kalimthi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 212
213. Nga: Omer ibn Hatabi
Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ duke i thënë: “Në kohën e injorancës jam zotuar se do të bëj itikaf një natë, - në një transmetim tjetër: një ditë, - në Xhaminë e Shenjtë (Qabenë).” Ai ia ktheu: “E po, përmbushe zotimin tënd.”
Disa transmetime nuk e përmendin: “një ditë" e as "një natë".
Referenca: Umdetul Ahkam 213
214. Nga: Safije bint Hujeji
Safije bint Hujeji (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në itikaf, shkova ta vizitoja gjatë natës. Bisedova pak me të, pastaj u ngrita për t'u kthyer, por ai u ngrit me mua për të më përcjellë, - ajo banonte në shtëpinë e Usame ibn Zejdit. - Aty pranë kaluan dy burra ensarë dhe, kur e panë Pejgamberin ﷺ, shpejtuan. Pejgamberi ﷺ u tha: “Mos u ngutni, kjo është Safije bint Hujeji.” Ata i thanë: “Subhanallah, o i Dërguari i Allahut!” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku, andaj u frikësova mos po fut ndonjë të keqe, - ose ka thënë: diçka, - në zemrat tuaja.”
Në transmetimin tjetër qëndron: “... që ta vizitonte në itikaf në xhami, në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Aty biseduan për një kohë, pastaj ajo u ngrit për të shkuar, e edhe Pejgamberi ﷺ u ngrit bashkë me të për ta përcjellë. Kur arritën te dera e xhamisë, që gjendej në afërsi të derës së Umu Selemes.” Pastaj përmendi tregimin ngjashëm.
Referenca: Umdetul Ahkam 214