6. Shitblerja
256. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dy persona bëjnë tregti, secili prej tyre ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata e shitblerjes përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri, përveç nëse ndonjëri i jep të drejtë zgjedhjeje tjetrit për ta mbyllur kontratën dhe ai pranon, e në atë rast mbyllet kontrata. Nëse ndahen prej njëri-tjetrit pa ndodhur tërheqja e ndonjërit prej tyre, atëherë kontrata konsiderohet e mbyllur.”
Referenca: Umdetul Ahkam 256
257. Nga: Hakim ibn Hizami
Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dy palët tregtuese janë të lira të anulojnë kontratën shitblerëse përderisa nuk janë ndarë nga njëra-tjetra. Nëse tregohen të sinqertë dhe nuk fshehin asgjë nga njëri-tjetri, u begatohet tregtia. Por, nëse gënjejnë dhe i fshehin gjërat, u humbet begatia në tregtinë e tyre.”
Referenca: Umdetul Ahkam 257
1. Nënkapitulli: Shitblerjet e ndaluar
258. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar tregtinë e imponuar me hedhje: që shitësi ta shesë rrobën në momentin që atë ia hedh në dorë blerësit, pa pasur mundësi që blerësi ta shpalosë ose ta shikojë; si dhe tregtinë e imponuar me prekje: blerjen e rrobës së prekur nga ana e blerësit, pa pasur mundësi ta shikojë.
Referenca: Umdetul Ahkam 258
259. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos i blini mallrat prej karvanëve para se të arrijnë në treg, mos i ndërhyni njëri-tjetrit në tregti, mos i manipuloni çmimet e ankandeve, vendasi të mos shesë për jabanxhiun (duke iu bërë komisionar) dhe mos e akumuloni qëllimisht qumështin në gjinjtë e deleve. Ai që blen ndonjë të atillë, pasi ta mjelë, ka të drejtë të zgjedhë: nëse është i kënaqur, e mban, por, nëse nuk është i kënaqur, e kthen atë së bashku me një saë hurma.”
Në një tekst qëndron: "Ka të drejtë kthimi tri ditë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 259
260. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar shitblerjen e pjellës së pjellës. Këtë lloj tregtie e praktikonin njerëzit në periudhën paraislame, e në atë rast njeriu e blinte të voglin e devesë që ende s'ishte pjellë, por që pritej të pillej.
Referenca: Umdetul Ahkam 260
261. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shitjen e frutës pa iu shfaqur shenjat e pjekjes. Nga kjo e ka ndaluar edhe shitësin, edhe blerësin.
Referenca: Umdetul Ahkam 261
262. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar shitjen e hurmave pa u pjekur. E pyetën: “Cilat shenja tregojnë se janë pjekur?” Ai tha: "Skuqen.” I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Po nëse Allahu e pamundëson pjekjen e frutave? Me çfarë të drejte i merr dikush paratë e vëllait të tij?”
Referenca: Umdetul Ahkam 262
263. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar të blihen mallrat prej karvanëve para se të arrijnë në treg dhe që vendasi të shesë për jabanxhiun (i cili nuk e njeh tregun vendas).
Tavusi thotë: “E pyeta Ibn Abasin: “Ç'do të thotë: “Vendasi të mos shesë për jabanxhiun”? Ai tha: “Të mos i bëhet komisionar.”
Referenca: Umdetul Ahkam 263
264. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar shitblerjen muzabene: të shiten frutat e njoma, nëse janë hurma, me hurma të thata, në masë të caktuar; e, nëse janë rrush, me rrush stafidhe, në masë të caktuar; e, nëse janë të mbjella, t'i shesë me ushqim të gatshëm, në masë të caktuar. Pra, i ka ndaluar të gjitha këto.
Referenca: Umdetul Ahkam 264
265. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shitblerjet muhabere, muhakale, muzabene dhe shitjen e frutave pa iu shfaqur shenjat e pjekjes, si dhe shitjen me diçka tjetër pos me dinarë e dërhemë, përveç arajave.
Referenca: Umdetul Ahkam 265
266. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar tregtimin e qenit, pagesën e lavires dhe fitimin e falltarit.
Referenca: Umdetul Ahkam 266
267. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Tregtimi i qenit është i pistë, pagesa e lavires është e pistë dhe fitimi i hixhamebërësit është i pistë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 267
2. Nënkapitulli: Llojet e shitblerjës si araja dhe të tjera
268. Nga: Zejd ibn Thabiti
Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë lehtësime në shitjen e arajave duke e vlerësuar sasinë e frutave përafërsisht, me sy.
Ndërkaq, te Muslimi qëndron: “Duke e vlerësuar sasinë e hurmave të pavjela përafërsisht, me sy, ashtu që të hajë hurma të njoma.”
Referenca: Umdetul Ahkam 268
269. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregn se Pejgamberi ﷺ ka bërë lehtësime në lidhje me shitjen e arajave deri në pesë evsukë ose më pak.
Referenca: Umdetul Ahkam 269
270. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush shet palma hurmash të pllenuara, frutat e saj i takojnë shitësit, përveç nëse ia kushtëzon blerësi.”
Në transmetimin e Muslimit qënron: “Ai që blen një rob, pasuria e tij i takon shitësit, përveç nëse ia kushtëzon blerësi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 270
271. Nga: Abdullah ibn Omeri - Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që blen ushqim, të mos e shesë pa e marrë nën pronësi të plotë.”
Një tekst tjetër qëndron ”... pa e zotëruar.”
Ibn Abasi transmeton ngjashëm me këtë.
Referenca: Umdetul Ahkam 271
272. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, në Vitin e Çlirimit, e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ në Mekë duke thënë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, ngordhësirës, derrit dhe idhujve.”
- O i Dërguari i Allahut, po dhjami i ngordhësirës? Me të lyhen anijet, i lyejmë lëkurat dhe njerëzit e përdorin për ndriçim, - e pyetën disa.
- “Jo, ai është i ndaluar”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ dhe vazhdoi: - “Allahu i vraftë hebrenjtë! Kur Allahu ua ndaloi dhjamin e ngordhësirave, ata e shkrinë, e shitën dhe e shfrytëzuan fitimin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 272
3. Nënkapitulli: Parapagimi
273. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Medinë, njerëzit i parapaguanin frutat për dy-tre vjet. Kështu, Pejgamberi ﷺ u tha: “Ai që parapaguan diçka, le të parapaguajë për sasi dhe peshë të caktuar, për një afat të caktuar.”
Referenca: Umdetul Ahkam 273
4. Nënkapitulli: Kushtet në kontratën e shitblerjes
274. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Berira erdhi tek unë dhe më tha: “Kam lidhur marrëveshje me pronarët e mi të më lirojnë me pagesë, për nëntë okë, çdo vit nga një okë, andaj më ndihmo.”
- Nëse ata pranojnë që unë t'ua kryej pagesën, me kusht që merita e çrobërimit të më takojë mua, do ta bëj, - i thashë.
Berira shkoi te pronarët e vet dhe u tregoi, por ata refuzuan. Kur u kthye, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ulur, Berira më tha: “Ua propozova këtë gjë, por ata refuzuan, përveç nëse merita e çrobërimit u mbetet atyre.” Pejgamberi ﷺ e dëgjoi dhe Aishja ia tregoi rastin, e atëherë tha: “Blije dhe kushtëzojua atyre meritën e çrobërimit, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Aishja e bleu, e më pas i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit ndër njerëz, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Ç'është puna e disa njerëzve që kushtëzojnë gjëra që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Çdo kusht që nuk përkon me Librin e Allahut është i pavlefshëm, edhe në qofshin njëqind kushte. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe kushtet e Tij janë më parësore që të përmbushen. Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 274
275. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa po udhëtoja hipur mbi një deve të lodhur, të cilën desha ta lëshoja, Pejgamberi ﷺ kaloi pranë dhe bëri dua për mua, pastaj i mëshoi devesë. Pas kësaj, deveja filloi të ecë shpejt si kurrë më parë. Ndërkohë Pejgamberi ﷺ më tha: “Ma shit atë për një okë.”
- Jo, - ia ktheva.
- “Ma shit atë!” - më tha sërish Pejgamberi ﷺ.
Atëherë ia shita për një okë (ar) dhe ia kushtëzova shfrytëzimin e saj derisa të arrija në shtëpi. Kur arritëm në shtëpi, shkova dhe ia çova devenë, ndërsa ai m'i dha paratë. Pasi u largova, ai dërgoi dikë të më kërkonte dhe më tha: “Vallë, mendove se u shtyva në çmim për të ta marrë devenë?! Merre devenë dhe dërhemët. Ato janë të tuat.”
Referenca: Umdetul Ahkam 275
276. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar që vendasi të shesë për jabanxhiun (duke iu bërë komisionar), si dhe të mos manipulohet çmimi i ankandit. Njeriu nuk bën t'i ndërhyjë në tregti vëllait të vet e as të kërkojë dorën e një vajze që vëllai i vet është duke e kërkuar. Gruaja të mos e kushtëzojë shkurorëzimin e shemrës (gruas së parë) për t'u martuar.
Referenca: Umdetul Ahkam 276
5. Nënkapitulli: Kamata dhe këmbimi
277. Nga: Omer ibn Hatabi
Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Këmbimi i arit me ar konsiderohet kamatë, përveç nëse këmbehet dorë më dorë në sasi të barabartë; (këmbimi) i grurit me grurë konsiderohet kamatë, përveç dorë më dorë në sasi të barabartë; (këmbimi) i hurmave me hurma konsiderohet kamatë, përveç dorë më dorë në sasi të barabartë dhe (këmbimi) i tërshërës me tërshërë konsiderohet kamatë, përveç dorë më dorë në sasi të barabartë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 277
278. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e shitni arin me ar, përveç në sasi të njëjtë, dhe mos e vlerësoni njërin më shumë se tjetrin. Mos e shitni argjendin me argjend, përveç në sasi të njëjtë dhe mos e vlerësoni njërin më shumë se tjetrin. Atë që e posedoni mos e shitni me diçka të tillë veresie.”
Në një tekst qëndron: “... përveç nëse të dyja dorëzohen dorë me dorë.”
Në një tekst tjetër qëndron: “... përveç në peshë të njëjtë, në sasi të njëjtë dhe në masë të njëjtë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 278
279. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Bilali i solli Pejgamberit ﷺ disa hurma bernie.
- “Prej nga këto?!” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kisha disa hurma të dobëta, andaj i shita (duke i këmbyer) dy saë me një saë (të hurmave bernie), që t'ia ofrojmë Pejgamberit ﷺ për t'i ngrënë, - iu përgjigj Bilali.
- “Ou, ou, pikërisht kjo është kamata! Kjo është kamata! Mos vepro më kështu! Nëse dëshiron të blesh hurma të mira, fillimisht shiti hurmat (e dobëta) me diçka tjetër, pastaj me të bli hurma të mira”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 279
280. Nga: Bera ibn Azibi - Zejd ibn Erkami
Ebu Minhali rrëfen: “E pyeta Bera ibn Azibin dhe Zejd ibn Erkamin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rreth këmbimit. Të dy deklaruan (për njëri-tjetrin): “Ky është më i mirë se unë, njëherazi të dy më thanë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar shitjen veresie të arit (duke e këmbyer) me argjend.”
Referenca: Umdetul Ahkam 280
281. Nga: Ebu Bekrete
Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar shitjen e argjendit me argjend dhe të arit me ar, përveç nëse janë në sasi të njëjtë. Po ashtu, na ka urdhëruar që ta shesim argjendin me ar si të duam, si dhe arin me argjend si të duam (për nga sasia).
Abdurrahmani tha: “Një burrë e pyeti Ebu Bekreten: “(Nëse bëhet) dorë me dorë?”
- Kështu e kam dëgjuar, - tha Ebu Bekrete.
Referenca: Umdetul Ahkam 281
6. Nënkapitulli: Hipoteka
282. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ bleu ushqim veresie prej një hebreu dhe i la peng një parzmore hekuri të tijën.”
Referenca: Umdetul Ahkam 282
283. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpërfillja që i pasuri i bën kthimit të borxhit (në afat të caktuar) konsiderohet padrejtësi. E, nëse borxhliu kërkon transferimin e borxhit te ndonjë i pasur, pranojeni.”
Referenca: Umdetul Ahkam 283
284. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ai që e gjen gjësendin e vet te një burrë, - ose ka thënë: njeri, - që ka falimentuar, ka përparësi që ta marrë atë kundrejt dikujt tjetër.”
Referenca: Umdetul Ahkam 284
285. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka dhënë përparësi blerjeje ortakut në çdo pasuri të përbashkët të pandarë, porse, kur vendosen kufijtë dhe ndahen rrugët, për ortakun nuk ka përparësi blerjeje.
Referenca: Umdetul Ahkam 285
286. Nga: Omer ibn Hatabi
Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Omer ibn Hatabi kishte fituar një tokë në Hajber. Kështu, vajti te Pejgamberi ﷺ ta pyeste çfarë të bënte me të, duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut! Kam fituar një tokë në Hajber. Asnjëherë nuk kam poseduar ndonjë pasuri më të çmuar se kjo, andaj çfarë po më urdhëron të bëj me të.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëse do, tokën lëre vakëf, ndërsa produktet e saj i jep sadaka.”
Omeri veproi kështu: tokën e la vakëf, e cila as shitej, as dhurohej e as trashëgohej, ndërsa produktet e saj i jepte sadaka për fukarenjtë, të afërmit, lirimin e robërve, në rrugën e Allahut dhe për ndihmesë të udhëtarit dhe mysafirit. Nuk është mëkat për atë që e merr vakëfin nën përkujdesje ta shfrytëzojë për vete me mirësi dhe me të t'i ushqejë nevojtarët.
Në një tekst tjetër qëndron: “(Ta ushqejë) atë që s'ka ndonjë pasuri të deponuar.”
Referenca: Umdetul Ahkam 286
287. Nga: Omer ibn Hatabi
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dhashë një kalë në rrugën e Allahut, mirëpo, ai që e kishte marrë nuk përkujdesej për të, andaj doja ta blija, duke menduar se do ta shiste lirë. E pyeta Pejgamberin ﷺ, e në atë rast më tha: “Mos e bli, edhe nëse ta jep për një dërhem, sepse ai që e rimerr lëmoshën e vet është sikurse qeni që i kthehet vjelljes së vet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 287
288. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e rimerr dhuratën e dhënë është sikurse ai që vjell e pastaj i kthehet vjelljes së vet.”
Në një tekst tjetër qëndron: “Ai që rimerr sadakanë e dhënë është sikurse qeni që vjell e pastaj i kthehet vjelljes së vet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 288
289. Nga: Numan ibn Beshiri
Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Babai im më dhuroi diçka nga pasuria e vet, por nëna ime, Amra bint Revaha, tha: “Nuk pranoj kështu pa dëshmuar edhe i Dërguari i Allahut ﷺ.” Andaj, babai im shkoi te Pejgamberi ﷺ që ta bëjë atë dëshmitar për dhuratën time, por i Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
- “A ke vepruar njësoj edhe me fëmijët e tu të tjerë?”
- Jo, - tha ai.
- “Frikojuni Allahut dhe jini të drejtë ndaj fëmijëve tuaj!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Atëherë babai im u kthye dhe e rimori dhuratën që ma kishte dhënë.
Në tekstin tjetër qëndron: “Mos më kërko të dëshmoj, sepse unë nuk dëshmoj për padrejtësi.”
Në një tekstin tjetër qëndron: “Për këtë le të dëshmojë dikush tjetër!”
Referenca: Umdetul Ahkam 289
290. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ua dha hebrenjve tokat e Hajberit për mbjellje, ashtu që të mbjellat t'i ndanin përgjysmë, qofshin fruta, qofshin të lashta.”
Referenca: Umdetul Ahkam 290
291. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shumica prej nesh, ensarëve, posedonim ara, andaj i jepnim ato me qira me kusht që neve të na takonin të mbjellat e kësaj pjese të arës, kurse atyre të mbjellat e pjesës tjetër. Ndodhte që njëra pjesë e arës të nxirrte rendimente, kurse tjetra jo. Rrjedhimisht, na u ndalua kjo praktikë, por nuk na u ndalua lëshimi me qira me të holla.”
Muslimi trasmeton nga Handhale ibn Kajsi, e ky tregon: "E pyeta Rafi ibn Hadixhin rreth dhënies së arës me qira në këmbim të arit dhe të argjendit.”
- Nuk prish punë. Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ njerëzit i jepnin arat me qira në këmbim të një pjese nga të lashtat e mbjella në pjesët pjellore ose afër vijave të ujitjes, si dhe të pjesëve të caktuara nga ato të lashta. Por, ja që nganjëherë ndodhte që në njërën pjesë të tokës të shkatërroheshin të mbjellat, e në tjetrën të bëheshin; ose në njërën të bëheshin, e në tjetrën të shkatërroheshin. Kjo ishte e vetmja formë e qirasë që e praktikonin njerëzit, andaj, mu për këtë, e ndaloi Pejgamberi ﷺ. Ndërkaq me një çmim të caktuar e të sigurt, nuk prish punë, - më tha Rafiu.
Referenca: Umdetul Ahkam 291
292. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka gjykuar se umraja është legjitime (dhe se shtëpia e tillë) i takon atij që i është dhënë për shfrytëzim.”
Në një tekst tjetër qëndron: “Cilitdo njeri që i është dhënë diçka sa ka qenë gjallë (dhuruesi ose ai që i dhurohet) për ta shfrytëzuar ai dhe pasardhësit e tij, ajo i takon atij që i është dhuruar, e nuk kthehet te dhuruesi sepse ka dhënë një dhuratë e cila më pas është ndarë si trashëgimi.”
Xhabiri ka thënë: “Dhurimin e diçkaje për tërë jetën, të cilën e ka lejuar i Dërguari i Allahut ﷺ (pronësimin e saj), është ajo kur dhuruesi thotë: “Kjo është për ty dhe për pasardhësit e tu.” Ndërkaq, nëse thotë: “Kjo është për ty sa të jesh gjallë”, në këtë rast pasuria i kthehet dhuruesit.”
Në transmetimin e Muslimit qëndron: “Mbajini pasuritë tuaja e mos i prishni! Kushdo që jep një gjë për tërë jetën, ajo i takon atij që i është dhuruar, i gjallë e i vdekur, dhe pasardhësve të tij.”
Referenca: Umdetul Ahkam 292
293. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush të mos e ndalojë fqinjin e vet të vendosë ndonjë dru në murin e tij.”
Pastaj Ebu Hurejra u tha njerëzve: “Ç'është puna juaj që po i shmangeni këtij hadithi? Betohem në Allahun se këtë hadith do ta hedh në mesin tuaj (do ta tregoj kudo që shkoj).”
Referenca: Umdetul Ahkam 293
294. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që i bën padrejtësi dikujt, duke i zaptuar qoftë dhe një pëllëmbë tokë, (Ditën e Kiametit) do t'i ngarkohen shtatë të tilla.”
Referenca: Umdetul Ahkam 294
7. Nënkapitulli: Gjërat e humbura
295. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë kur i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet për monedhat e gjetura të arit ose të argjendit, u përgjigj: “Shikoje lidhësen dhe trastën e saj (që t'ia dish formën dhe përmbajtjen), pastaj shpalle të humbur për një vit të tërë. E, nëse nuk e gjen pronarin, mund t'i shfrytëzosh, por le të mbesin të deponuara te ti, ashtu që kurdo që të vijë pronari i tyre, ktheja atij.”
Pastaj e pyeti për devenë e humbur?
- “Ç'ke ti me të?! Lëre atë, derisa ta gjejë pronari i vet, sepse ajo e ka me vete ujin dhe mund të ecë e të shkojë të pijë e të kullotë nëpër pemë.”
Pastaj e pyeti për delen e humbur?
- “Merre, sepse ja e merr ti, ja vëllai yt, ja i mbetet ujkut", - i tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 295