8. Martesa
303. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ na ka thënë: “O ju rini, ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse agjërimi ia thyen epshin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 303
304. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa prej shokëve të Pejgamberit ﷺ i pyetën gratë e tij për adhurimin e tij në vetmi.” Dikush (prej shokëve) tha: “Nuk do të martohem.” Dikush tjetër tha: “Nuk do të ha mish.” Dhe një tjetër tha: “Nuk do të fle në shtrat.”
Pejgamberi ﷺ dëgjoi për këtë. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, pasi e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, tha: “E, më pas; çfarë është puna e disave që thanë kështu e ashtu? Ndërkohë, unë falem (natën) e fle, agjëroj e ha, e edhe martohem me gra. Ai që e kundërshton Sunetin tim, nuk është prej meje.”
Referenca: Umdetul Ahkam 304
305. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ia ndaloi Othman ibn Medhunit që të rrinte beqar. Sikur t'ia lejonte atij, ne do të tridheshim.”
Referenca: Umdetul Ahkam 305
306. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani
Umu Habibe bint Ebu Sufjani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, merre edhe motrën time për grua, të bijën e Ebu Sufjanit!”
- “Vërtet të pëlqen kjo gjë?” - më pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, sepse, sido që të jetë, unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj, ajo që më së shumti do të kisha dëshirë të më shoqëronte në mirësi është motra ime, - i thashë unë.
- “Kjo nuk më lejohet”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Ne po dëgjojmë se je duke dashur të martohesh me bijën e Ebu Selemes, - i thashë.
- “Të bijën e Umu Selemes?!” - pyeti.
- Po, - i thashë.
- “Ajo, edhe sikur të mos ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime), nuk do të më lejohej, sepse ajo është e bija e vëllait tim nga gjidhënia. Thuvejbja më ka dhënë gji mua dhe Ebu Selemes. Andaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Urve thotë: “Thuvejbja ishte robëreshë e Ebu Lehebit, të cilën e kishte liruar, që njëherazi i kishte dhënë gji Pejgamberit ﷺ. Kur vdiq Ebu Lehebi, një familjar i tij e pa në ëndërr në gjendje shumë të keqe dhe e pyeti: “Çka ke gjetur?”
- Asgjë (të mirë) nuk kam gjetur pas vdekjes, përpos se më është dhënë të pi prej këtij uji, për shkak se e kam liruar Thuvejben, - kishte thënë Ebu Lehebi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 306
307. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet që gruaja të bashkohet nën një kurorë me hallën a tezen e saj.”
Referenca: Umdetul Ahkam 307
308. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kushti që më së shumti meriton të përmbushet është ai përmes të cilit ju lejohet akti intim me gratë tuaja.”
Referenca: Umdetul Ahkam 308
309. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar martesën e llojit shigar.
Shigari: “Kur dikush e marton vajzën e tjetrit për të birin, me kusht që edhe ai t'ia marrë vajzën e këtij për martesë, pa u dhënë mehër nuseve. Ose, kur dikush martohet me motrën e tjetrit me kusht që ta martojë motrën e vet me të, pa u dhënë mehër nuseve.”
Referenca: Umdetul Ahkam 309
310. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hajberit, Pejgamberi ﷺ ndaloi martesën e llojit mut'a dhe ndaloi ngrënien e mishit të gomarit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 310
311. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk kurorëzohet e veja pa urdhrin e saj dhe nuk kurorëzohet beqarja pa lejen e saj.”
- O i Dërguari i Allahut, e si është leja e saj? - pyetën të pranishmit.
- “Kur ajo hesht”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 311
312. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Rifa Kuredhiut erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “Kam qenë e martuar me Rifain, por ai më shkurorëzoi dhe, pasi përfundoi koha e pritjes (e u përmbush shkurorëzimi i përhershëm), u martova me Abdurrahman ibn Zubejrin, por ai e ka (organin) si një cep rrobe.” Pejgamberi ﷺ buzëqeshi dhe i tha: “Dëshiron të kthehesh te Rifai? Jo, pa i shijuar marrëdhëniet intime me të (Abdurrahmanin) dhe ai me ty.” Ebu Bekri ishte i ulur te Pejgamberi ﷺ, ndërsa Halid ibn Seidi, i cili qëndronte te dera duke pritur t'i jepej leje për të hyrë, i tha Ebu Bekrit: “O Ebu Bekër, a nuk po e dëgjon çfarë fjalësh flet para Pejgamberit ﷺ?”
Referenca: Umdetul Ahkam 312
313. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Prej sunetit është që, kur burri martohet me një beqare, të qëndrojë tek ajo shtatë net (rresht), nëse ai ka nën kurorë edhe një grua tjetër, e, kur të mbarojë kjo periudhë, ua ndan netët secilës. Ndërkaq, kur martohet me të ve, të qëndrojë tek ajo tri net (rresht), nëse ai ka nën kurorë edhe një grua, e pastaj ua ndan netët.”
Ebu Kilabe thotë: “Sikur të doja, mund të thosha se Enesi e transmeton nga Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 313
314. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush prej jush i afrohet bashkëshortes së vet (për marrëdhënie seksuale) dhe thotë: “Bismilah, Allahume xhenibna shejtane ve xhenibi shejtane ma razaktena (Me emrin e Allahut. O Allah, largoje shejtanin prej nesh dhe largoje prej pasardhësit tonë)!”, nëse u është caktuar të begatohen me fëmijë, atëherë shejtani nuk do të mund ta dëmtojë atë asnjëherë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 314
315. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kujdes! Mos hyni te gratë.” Një ensar tha: “O i Dërguari i Allahut, e nëse është kunati?”
- “Kunati është sikurse vdekja”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Muslimi tregon: "Ebu Tahiri më ka thënë: “Na ka rrëfyer Ibn Vehbiu se Lejth ibn Sadi ka thënë: “Hamu (kunati) përfshin vëllanë e burrit dhe të ngjashmit me të, nga të afërmit e burrit, bie fjala, djali i xhaxhait të burrit, e të këtillët.”
Referenca: Umdetul Ahkam 315
1. Nënkapitulli: Dhurata (mehri)
316. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e liroi Safijen dhe u martua me të, ndërsa për mehër ia llogariti lirimin (nga robëria).”
Referenca: Umdetul Ahkam 316
317. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “Po të vetofrohem.” Ajo qëndroi gjatë aty, derisa njëri nga të pranishmit tha:
- Martoje me mua, nëse nuk ke nevojë për të!
- “Ke diçka për t'i ofruar për mehër?” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Nuk kam asgjë, përveç izarit tim! - tha ai.
- “Nëse izarin ia jep asaj, ti mbetesh pa izar. Gjej diçka tjetër.”
- Nuk po gjej gjë, - tha ai.
- “Shiko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Por, pasi nuk gjeti gjë, i tha:
- “Di ndonjë pjesë të Kuranit përmendsh?”
- Po. E di këtë sure dhe atë sure, - tha ai dhe i përmendi ato.
- “Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 317
318. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ vërejti gjurmë shafrani tek Abdurrahman ibn Avfi dhe e pyeti:
- “Ç'është kjo?”
- O i Dërguari i Allahut, jam martuar me një grua, - ia ktheu.
- “Çka i dhe për mehër?”
- Ar në sasi të bërthamës së hurmës, - tha ai.
- “Allahu të begatoftë! Bëj gosti, qoftë dhe me një dele!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 318