9. Shkurorëzimi

319. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ e shkurorëzova gruan sa ishte me menstruacione. Atëherë, Omer ibn Hatabi e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj, e në atë rast ai iu përgjigj: “Urdhëroje që ta kthejë gruan dhe le ta mbajë derisa të pastrohet, e pastaj t'i vijnë menstruacionet sërish, pastaj të pastrohet. Pas kësaj, nëse do, le ta mbajë, e, nëse jo, le ta lëshojë pa e prekur (pa bërë marrëdhënie). Pra, ky është afati i pritjes (ideti) në të cilin Allahu ka urdhëruar që të lëshohen gratë.”

Në një tekst qëndron: “Derisa t'i paraqitet menstruacioni tjetër, i ardhshëm, përveç menstruacionit në të cilin e ka shkurorëzuar gruan.

Në një tekst tjetër qëndron: “I cili i qe llogaritur një shkurorëzim. Abdullahu e pati kthyer gruan, ashtu siç e urdhëroi i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Umdetul Ahkam 319

320. Nga: Fatime bint Kajsi

Fatime bint Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ebu Amër ibn Hafsi e shkurorëzoi atë përfundimisht (tri herë), edhe pse nuk ishte i pranishëm. Ai dërgoi një person të autorizuar me ca elb, porse ajo u zemërua, e atëherë ai tha: “Për Allahun, nuk kam ndonjë hak ndaj teje.” Ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia përmendi këtë, e në atë rast Pejgamberi ﷺ i tha: “Ai nuk ka obligim që të shpenzojë më për ty.” Dhe e urdhëroi që kohën e pritjes (idetit) ta kalojë në shtëpinë e Umu Sherikut, e më pas tha: “Umu Sheriku është një grua që e vizitojnë shokët e mi, andaj shko në shtëpinë e Ibn Umu Mektumit, sepse ai është i verbër dhe mund t'i zhveshësh rrobat. E, kur ta mbarosh (kohën e pritjes), më trego.” Pasi e mbaroi, ajo i tregoi Pejgamberit ﷺ se Muavi ibn Ebu Sufjani dhe Ebu Xhehmi e kanë kërkuar për martesë, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Sa i përket Ebu Xhehmit, ai nuk e lëshon shkopin nga krahu, kurse Muaviu është shumë i varfër e nuk ka pasuri, por martohu me Usame ibn Zejdin.” Ajo tha: “E urreja Usamen, por ai sërish më tha: “Martohu me Usamen.” Kështu, u martova me të dhe Allahu më dha shumë të mira në të, madje ma kishin lakmi.”

Referenca: Umdetul Ahkam 320

1. Nënkapitulli: Kohë pritja (pas ndarjes nga burri)

321. Nga: Subeja bint Harithi

Subeje Eslemiu tregon se ka qenë e martuar me Sad ibn Havlen, një burrë nga fisi i Amir ibn Luejit dhe pjesëmarrës në Luftën e Bedrit. Ai vdiq në haxhin lamtumirës kur ajo ishte shtatzënë. Nuk kaloi shumë nga vdekja e tij dhe ajo lindi. Pas mbarimit të lehonisë, u zbukurua për të interesuarit për fejesë.

Subeja thotë: “Pasi ma tha këtë, kur u bë mbrëmja, unë u vesha me rrobat e mia dhe shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeta për këtë. Ai m'u përgjigj se unë jam liruar nga ideti pasi kam lindur dhe më lejoi të martohem nëse kam dëshirë.”

Ibn Shihabi tha: “Mendoj se nuk ka problem që të martohet, pasi të lindë, edhe nëse është në kohën e lehonisë, porse burri i saj nuk ka të drejtë të bëjë marrëdhënie me të, derisa të pastrohet.”

Referenca: Umdetul Ahkam 321

322. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani

Zejnebe bint Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Umu Habibes i vdiq një i afërm, e më pas kërkoi një parfum me të cilin i parfumoi parakrahët dhe tha: “Unë veprova kështu, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Një gruaje që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, nuk i lejohet të mbajë zi për të vdekurin më shumë se tri ditë, përveç për bashkëshortin e saj, për të cilin mban zi katër muaj e dhjetë ditë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 322

323. Nga: Umu Atija Ensarja

Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Gruas nuk i lejohet të mbajë zi për të vdekurin më shumë se tri ditë, përveç për bashkëshortin, që në atë rast mban zi katër muaj e dhjetë ditë. Nuk i lejohet të veshë rroba me ngjyra, përveç një rrobe jemenase, as ta përdorë kuhlin e as të parfumohet, përveç kur të pastrohet (pas menstruacionit), atëherë i lejohet të përdorë pak parfum të kustit ose edhfarit (për ta mënjanuar erën e keqe).”

Referenca: Umdetul Ahkam 323

324. Nga: Umu Seleme

Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, bijës sime i ka vdekur burri, ndërkaq syrin e ka të sëmurë. A mund ta lyej me antimon?” I Dërguari i Allahut i tha dy-tri herë: “Jo.” Çdoherë i thoshte: “Jo.” Pastaj tha: “Kjo pritje është vetëm katër muaj e dhjetë ditë. Ndërkaq, në kohën paraislame, ndonjëra prej jush e hidhte bajgën pas një viti (si shenjë përfundimi të mbajtjes zi).”

Zejnebja tha: “(Në kohën paraislame) nëse gruas i vdiste burri, ajo hynte në një kasolle, vishte rrobat më të këqija dhe nuk parfumohej e as zbukurohej pa kaluar një vit. Pastaj asaj i sillnin një kafshë, - gomar, dele a pëllumb, - me të cilën e fërkonte lëkurën e saj dhe, në të shumtën e rasteve, kafsha ngordhte. Pastaj ajo dilte e i jepnin një bajgë, të cilën e gjuante, e pas kësaj ajo u kthehej gjërave që dëshironte, përkatësisht parfumit ose diçkaje tjetër.”

Referenca: Umdetul Ahkam 324