1. Fillimi i shpalljes
1. Nënkapitulli: Si i filloi shpallja të Dërguarit të Allahut ﷺ? Ajeti: “Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe të dërguarit pas tij...”
1. Nga: Omer ibn Hatabi
Abdullah ibn Zubejr Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seid Ensariu, e ky thotë: Më ka rrëfyer Muhamed ibn Ibrahim Tejmiu se e ka dëgjuar Alkame ibn Vekas Lejthiun duke thënë: Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke ligjëruar në minber, tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Me të vërtetë, veprat vlerësohen sipas nijeteve dhe secili do të shpërblehet sipas asaj që ka bërë nijet. Andaj, nëse dikush ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.”
2. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Harith ibn Hishami e pyeti Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, si të vjen shpallja?” I Dërguari i Allahut ﷺ iu përgjigj: “Ndonjëherë më vjen si tingëllima e ziles, gjë që për mua është më e vështira, e, kur meleku largohet, unë tanimë e kam nxënë atë që më është shpallur; nganjëherë meleku më paraqitet në formë të ndonjë burri dhe më flet, sakaq unë e mësoj atë që më thotë.” Më pas, Aishja shtoi: “E kam parë Pejgamberin ﷺ duke i zbritur shpallja në ditë shumë të ftohta dhe, pasi i mbaronte shpallja, balli i pikonte së djersituri.”
3. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Fillimisht, të Dërguarit të Allahut ﷺ shpallja i vinte në formë të ëndrrave të mira në gjumë. Nuk ndodhte që të shihte ndonjë ëndërr e pastaj të mos i realizohej sikurse drita e agimit. Pas kësaj, iu bë e dashur vetmia. Vetmohej në shpellën Hira, ku bënte adhurim me net të tëra, derisa përmallej për familjen e vet dhe rikthehej tek ata. Furnizohej me ushqimet e nevojshme dhe shkonte e vetmohej prapë. Pastaj kthehej te Hadixhja dhe furnizohej për net të tjera vetmie. Kështu vazhdoi, derisa i erdhi e vërteta, ndërkohë që ishte në shpellën Hira. Aty i vajti meleku dhe i tha: “Lexo!”
- “Nuk di të lexoj”, - ia ktheu ai.
Pejgamberi ﷺ rrëfen: “Më kapi dhe më shtrëngoi aq fort, saqë nuk mund të mbaja më, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!”
- Nuk di të lexoj! - i thashë.
Sërish më kapi dhe më shtrëngoi aq fort, saqë nuk mund të mbaja më, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!”
- Nuk di të lexoj! - i thashë.
Më kapi për së treti e më shtrëngoi dhe, pasi më lëshoi, tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun prej një droçke gjaku. Lexo, se Zoti yt është më Bujari.” (Alak, 1-3)
Duke i rrahur zemra pareshtur, i Dërguari i Allahut ﷺ me këto ajete u kthye te Hadixhe bint Huvejlidi dhe i tha: “Më mbuloni, më mbuloni!” Sakaq, ajo e mbuloi derisa iu largua frika. Pastaj, ai zuri t'i tregonte Hadixhes për ndodhinë dhe i tha: “U frikësova për veten time!” Hadixhja i tha: “Assesi! Betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty, sepse ti i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, u jep nevojtarëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që e ka goditur fatkeqësia. Pas kësaj, Hadixhja e shoqëroi për te Veraka ibn Neufel ibn Esed ibn Abduluzai, djali i axhës së Hadixhes, i cili ishte bërë i krishterë në periudhën paraislame dhe njihte mirë shkrimin e hebraishtes. Ai mund të shkruante pjesë të Inxhilit në hebraishte, aq sa ia kishte mundësuar Allahu. Ishte i shtyrë në moshë dhe i verbër. Hadixhja i tha:
- O djali i axhës tim, dëgjoje nipin tënd.
- Fol, o nip, çfarë ke parë? - i tha Veraka Pejgamberit ﷺ.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tregoi çfarë kishte parë dhe Veraka, me të dëgjuar këtë, i tha: “Atë që ke parë është Namusi që Allahu e kishte dërguar më parë te Musai ﷺ. Ah, sikur të isha i ri e të isha gjallë kur populli yt të të dëbojë!” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
- “Vërtet do të më dëbojnë?!”
- Posi, nuk ka ndodhur që dikush të jetë paraqitur me atë që ke ardhur ti e të mos e kenë armiqësuar njerëzit, e, nëse ajo ditë më gjen të gjallë, do të të ndihmoj sa të kem fuqi, - ia ktheu Veraka.
Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë e Veraka vdiq, kurse shpallja u ndal për një kohë.
4. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ibn Shihabi ka thënë: Më ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Xhabir ibn Abdullah Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po tregonte rreth periudhës së ndërprerjes së shpalljes, tha: “Ndërsa ecja, dëgjova një zë nga qielli. Kur ngrita shikimin, pashë të njëjtin melek që më pati ardhur në shpellën Hira, ulur në një karrige ndërmjet qiellit dhe tokës. Më kaploi frika nga kjo pamje, andaj sërish u ktheva e thashë: “Më mbuloni!, Më mbuloni!” Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli: “O ti i mbështjellë! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje! Petkat e tua pastroji! Dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!” (Mudethir, 1-5) Që atëherë, shpallja vazhdoi të zbriste pa u ndërprerë.
(Transmetimin e Jahja ibn Bukejrit) e ka fuqizuar transmetimi i Abdullah ibn Jusufit dhe Ebu Salihut. (Ndërkaq, transmetimin e Ukajlit) e ka fuqizuar (transmetimi i) Hilal ibn Redadit nga Zuhriu. Junusi dhe Mameri kanë thënë (në trasnmetimin e tyre nga Zuhriu): “I hyri dridhma.”
5. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka treguar se Ebu Avane ka thënë: Na ka treguar Musa ibn Ebu Aishe nga Seid ibn Xhubejri se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), duke komentuar fjalën e Allahut: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!”, (Kijame, 16) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e përjetonte rëndë shpalljen, andaj lëvizte gjuhën shpejt duke përsëritur atë që i shpallej.” Me të thënë këtë, Ibn Abasi i lëvizi buzët dhe tha: “Po i lëviz buzët para jush mu ashtu siç i lëvizte i Dërguari i Allahut ﷺ. Edhe Seidi, gjatë transmetimit të këtij hadithi nga Ibn Abasi, i lëvizi buzët dhe tha: “Po i lëviz buzët mu ashtu siç e kam parë Ibn Abasin duke i lëvizur.” Pastaj Ibn Abasi shtoi: “Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde. Ne, do t'i tubojmë pjesët e tij (Kuranit), për ta lexuar atë (si është).” (Kijame, 16-17) Ibn Abasi thotë se kuptimi i këtij ajeti është: ta tubojmë atë në gjoksin tënd, që ti ta lexosh. Pastaj, për ajetin: “Dhe, kur ta lexojmë atë, ti vetëm përcille leximin e tij!” (Kijame, 18) thotë: “Dëgjoje me vëmendje dhe hesht! Ndërkaq, për ajetin: “Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë.” (Kijame, 19) thotë: “Pra, neve na përket të kujdesemi, që ti ta lexosh më pas.”
Që atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ, kurdo që i vente Xhibrili, e dëgjonte me vëmendje dhe, kur Xhibrili largohej, Pejgamberi ﷺ e recitonte pjesën e shpallur ashtu siç ia kishte recituar Xhibrili.
6. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdani ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu. [t]: Bishr ibn Muhamedi ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi dhe Mameri, nga Zuhriu, i cili ka thënë: Na ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ishte njeriu më bujar, e bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit, kur e takonte Xhibrili. E takonte atë çdo natë Ramazani dhe e mësonte Kuranin me të. I Dërguari i Allahut ﷺ, në vepra të mira, ka qenë më bujar sesa era që fryn (plot mirësi).”
7. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jeman Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e ky thotë: Më ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Ebu Sufjan ibn Harbin duke thënë se, teksa ishte në Sham me një karvan tregtarësh, kjo ishte gjatë periudhës kur Pejgamberi ﷺ kishte marrëveshje armëpushimi me Ebu Sufjanin dhe jobesimtarët kurejshë, Herakliu, që ndodhej në Bejtul Makdis, i kishte bërë ftesë për t'u takuar. Kështu, Ebu Sufjani dhe shoqëruesit e tij i ishin përgjigjur ftesës. Herakliu i kishte ftuar në oborrin mbretëror, ku të pranishëm ishin dinjitarët më të lartë bizantinë. I thirri afër, njëherazi kërkoi t'i sillnin një përkthyes. Pastaj i pyeti: “Cili prej jush është më i afërt në farefisni me këtë burrë, i cili thënka se është pejgamber?”
Ebu Sufjani tha: “I tregova se unë isha më i afërt me të.”
Herakliu tha: “Afromani këtë njeri, kurse shokët lërjani përmbrapa.” Pastaj i tha përkthyesit: “Thuaju shokëve të tij se këtij njeriu do t'ia bëj disa pyetje lidhur me të ashtuquajturin pejgamber dhe, nëse thotë të pavërteta, le ta përgënjeshtrojnë.”
Këtu Ebu Sufjani shtoi: “Betohem në Allahun se, sikur të mos ishte turpi se do të më përgënjeshtronin sheshazi, do të gënjeja për të (Pejgamberin ﷺ). Gjëja e parë për të cilën më pyeti qe: “Çfarë pozite ka familja e tij në mesin tuaj?”
I thashë se i përkiste një familjeje fisnike.
- A ka pretenduar dikush para tij këtë gjë (pejgamberinë)? - tha Herakliu.
- Jo, - i thashë.
- A ka qenë mbret ndonjë paraardhës i tij? - tha ai.
- Jo, - i thashë:
- A e pasojnë fisnikët apo të dobëtit? - pyeti ai.
- Të dobëtit, - i thashë.
- Pasuesit e tij vijnë duke iu shtuar a duke iu pakësuar? - tha ai.
- Përkundrazi, sa vijnë e i shtohen, - i thashë.
- A ka ndodhur që dikush ta lërë fenë e tij i zhgënjyer, pasi të ketë hyrë në të? - pyeti ai.
- Jo, - i thashë.
- A e keni akuzuar ndonjëherë për gënjeshtër para se të pretendonte pejgamberinë? - tha ai.
- Jo, - i thashë.
- A tradhton? - pyeti ai.
- Jo, megjithëse tani kemi armëpushim dhe nuk e dimë se çfarë do të veprojë më tutje, - thashë unë.
Ebu Sufjani thotë: “Përveç këtij shansi, nuk pata rast tjetër që të fusja ndonjë fjalë kundër tij.”
Herakliu tha: “A e keni luftuar?”
- Po, - i thashë.
- Si kanë qenë këto beteja? - pyeti ai.
- Nuk ka pasur triumfues absolut: herë ai na ka mundur ne, herë ne atë, - i thashë unë.
- E çfarë ju urdhëron? - tha ai.
- Na urdhëron ta adhurojmë vetëm Allahun, të mos i bëjmë Atij ortak asgjë dhe t'i braktisim gjërat që kanë thënë paraardhësit tanë. Na urdhëron të falim namazin, të jemi të sinqertë, të ndershëm dhe t'i ruajmë lidhjet farefisnore, - i thashë.
Atëherë Herakliu iu drejtua përkthyesit dhe i kërkoi të më thoshte këto fjalë: “Pak më parë të pyeta rreth statusit të familjes së tij dhe më tregove se është prej një familjeje fisnike. Kështu janë të gjithë të dërguarit, zgjidhen nga familjet më fisnike të popujve të tyre. Pastaj të pyeta se a ka pretenduar pejgamberinë dikush prej jush më parë, e ti më the jo. Sikur të më thoshe po, do të kujtoja se ky burrë thjesht pasuaka dikë prej paraardhësve të tij. Të pyeta në mos dikush prej baballarëve të tij ka qenë mbret, e ti e mohove. Po qe se do të thoshe po, do të kisha thënë se ky burrë kërkuaka ta rikthejë mbretërinë e baballarëve të vet. Të pyeta nëse e keni akuzuar më herët për gënjeshtër, e ti the që jo. Unë e di mirë se ai që nuk gënjen për njerëzit, asnjëherë nuk ndodh që të gënjejë për Allahun. Pastaj të pyeta se a pasohet nga fisnikët e shoqërisë apo nga të dobëtit, e më the se nga të dobëtit, ndërkaq dihet mirëfilli se pikërisht ata janë pasuesit e të dërguarve. Të pyeta se a po shtohen apo po pakësohen pasuesit e tij, e më tregove se dita-ditës sa vijnë e shtohen, e kështu qëndron çështja e imanit, derisa të plotësohet. Të pyeta nëse dikush prej tyre dezerton nga feja e tij për shkak të zhgënjimit, më the që nuk ndodh, e kështu është natyra e imanit, kur (drita e tij) futet në zemra. Të pyeta se a tradhton ndonjëherë, e ti m'u përgjigje negativisht. Kështu, janë të dërguarit, kurrë nuk tradhtojnë. Të pyeta se çfarë ju urdhëron, e më the se ju urdhëron ta adhuroni Allahun pa i bërë ortak, ju ndalon nga adhurimi i idhujve, ju porosit namazin, sinqeritetin dhe ndershmërinë. E, nëse gjithë këto që m'i the janë të vërteta, atëherë dije se ai do të sundojë, madje edhe tokën që është nën këmbët e mia. E dija se do të paraqitej, por nuk prisja të ishte nga mesi juaj. Sikur ta dija me siguri se do të mund të arrija tek ai, do të nisesha për ta takuar. E sikur të isha pranë tij, pa dyshim se do t'ia laja edhe këmbët.
Pas kësaj, e kërkoi letrën e dërguar prej Pejgamberit ﷺ nëpërmjet Dihjes te mbreti i Busrasë, i cili pastaj e përcolli te Herakliu. Në letër shkruante:
"Në emër të Allahut, Mëshirëplotit, Mëshirëbërësit! Nga Muhamedi, rob dhe i Dërguari i Allahut, drejtuar Herakliut, dinjitarit të Bizantit. Paqja qoftë mbi pasuesit e udhëzimit. E, më pas: të thërras me thirrjen islame, nënshtrohu (pranoje Islamin), në mënyrë që të shpëtosh dhe Allahu të ta japë shpërblimin të dyfishtë. E, nëse kundërshton, atëherë mëkatet e popullit ariusian (pasuesve të tu) do të jenë barrë jotja: “Thuaj: O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t'i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se njëri-tjetrin nuk do ta mbajmë për zot, në vend të Allahut! Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Ali Imran, 64)
Ebu Sufjani thotë: “Kur Herakliu mbaroi së thëni ato që kishte dhe kur e kreu leximin e letrës, shpërtheu një zhurmë e madhe në oborrin mbretëror dhe filluan të ngriheshin zërat, kurse ne na nxorën prej aty. Pastaj u thashë shokëve të mi: “Çështja e Ibn Ebu Kebshes (Muhamedit) qenka bërë kaq e madhe, saqë atij i frikësohet edhe mbreti i bizantinëve. Që atëherë u binda në vete se ai (Muhamedi) do të fitonte, pastaj Allahu më udhëzoi në Islam (ku dhe e shfaqa atë bindje).
Ndërkaq, Ibn Naturi ishte udhëheqësi i Jerusalemit dhe miku i Herakliut ishte peshkop (ipeshkëv) i të krishterëve në Sham. Ibn Naturi tregon se njëherë Herakliu, teksa ndodhej në Jerusalem, një mëngjes u zgjua i angështuar, ku disa nga patrikët e tij i thanë se nuk dukej mirë. Herakliu, që ishte astrolog dhe i vëzhgonte yjet, iu përgjigj: “Mbrëmë, ndërsa shikoja yjet, pashë se kish triumfuar mbreti i atyre që praktikojnë synetinë. Më thoni, cili popull e praktikon atë?” I thanë: “Përveç hebrenjve, nuk ka të tjerë që praktikojnë synetinë, kështu që mos u brengos për ta, thjesht jep urdhër që nëpër të gjitha qytetet e mbretërisë t'i vrasin të gjithë hebrenjtë. Teksa po merreshin me këtë çështje, Herakliut i vajti një person i dërguar prej mbretit Gasan, i cili po e lajmëronte për Pejgamberin ﷺ. Pasi e mori vesh lajmin, Herakliu tha: “Shkoni dhe mësoni se a është i bërë synet ky person apo jo?” Me ta konfirmuar këtë, i treguan se me të vërtetë lajmëtari ishte i bërë synet. Kështu, Herakliu e pyeti se a gjendej kjo praktikë tek arabët, e lajmëtari pohoi. Herakliu pastaj tha: “Ky është sunduesi i këtij populli, tashmë qenka paraqitur.” Pastaj Herakliu i shkroi letër një shoku të vet në Romë, i cili kishte po aq dituri sa ai. Herakliu shkoi në Homs, ku qëndroi derisa iu dërgua një letër prej shokut të tij, që i miratonte mendimin për paraqitjen e Pejgamberit ﷺ dhe faktin se ai ishte pejgamber. Pastaj i thirri të gjithë personalitetet e bizantinëve në pallatin e tij në Homs, urdhëroi të mbylleshin dyert dhe doli e u tha: “O bizantinë, a jeni të interesuar për shpëtim, udhëzim dhe përforcim të sundimit tuaj duke iu besatuar këtij Pejgamberi?” Ata nisën të tërhiqeshin sikurse turma e gomarëve të egër drejt portës, të cilën e gjetën të mbyllur. Kur Herakliu pa refuzimin dhe urrejtjen e tyre dhe se si i humbën shpresat se ata do të besonin, tha: “Kthejini tek unë.” Pastaj u tha: “Unë thashë ato që thashë për të aprovuar qëndrueshmërinë në besimin tuaj, gjë që sapo e dëshmuat. Pastaj, të gjithë i ranë në sexhde dhe u kënaqën me veprimin e tij. Kështu përfundoi çështja e Herakliut.”
Po ashtu e transmetojnë Salih ibn Kejsani, Junusi dhe Muameri, nga Zuhriu.