Sahihu i Buhariut — Hadithi 1198

1. Nënkapitulli: Shfrytëzimi i duarve për të kryer punë që i shërbejnë namazit

Ibn Abasi ka thënë: "Njeriu, brenda namazit, mund të shfrytëzojë cilëndo pjesë të trupit të vet për të kryer ndonjë nevojë (që i paraqitet gjatë namazit). Ebu Is’haku e vinte kapelën, duke qenë brenda namazit, si dhe e hiqte (duke qenë brenda namazit). Aliu e vendoste shuplakën e djathtë mbi nyjën e dorës (së majtë), përveç në rast se detyrohej ta kruante veten ose ta rregullonte rrobën."

1198. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se bujti te Mejmunia, nëna e besimtarëve, të cilën e kishte teze, dhe rrëfen: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, kurse Pejgamberi ﷺ dhe gruaja e tij u shtrinë për së gjati. Pejgamberi ﷺ fjeti përafërsisht deri në mesnatë, pastaj u zgjua, u ul dhe e fërkoi fytyrën me dorë (që ta largonte gjumin). I këndoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, pastaj u ngrit, mori një shakull të varur, nga i cili mori abdes në mënyrë të përkryer. Pastaj filloi të falej.

Unë veprova të njëjtën gjë dhe u ngrita e iu bashkëngjita për t'u falur pranë tij. Ai ma vendosi dorën e djathtë mbi kokë dhe më tërhoqi për veshi (për të më zhvendosur në të djathtë të tij). I fali dy rekate, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, e, në fund, e fali vitrin dhe u shtri, derisa i erdhi muezini (pas thirrrjes së ezanit të dytë, për të marrë leje që ta thërrasë ikametin). Atëherë u ngrit, i fali edhe dy rekate të shkurta dhe doli për ta falur namazin e sabahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1198

Hadithe të ngjashme: Shiko (18)

Fjalë të panjohura?