Sahihu i Buhariut — Hadithi 1201

3. Nënkapitulli: Tesbihu dhe hamdi që u lejohen burrave brenda namazit

1201. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ shkoi te fisi i Benu Amër ibn Aufit për t'i pajtuar mes vete, e në atë rast hyri koha e namazit. Bilali vajti tek Ebu Bekri dhe i tha:

- Pejgamberi ﷺ është i zënë, a po u prin njerëzve në namaz?

- Po, meqë po e kërkoni këtë, - iu përgjigj Ebu Bekri.

Bilali e thirri ikametin, e në atë rast Ebu Bekri doli përpara dhe u fal. Pejgamberi ﷺ erdhi dhe, duke çarë safat përmes, arriti në të parin. Njerëzit filluan ta lajmërojnë Ebu Bekrin, duke u rënë shuplakave, por ai nuk shpërqendrohej prej namazit. Kur u ranë më tepër shuplakave, shikoi dhe e pa Pejgamberin ﷺ. Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë për të qëndruar aty ku ishte. Ebu Bekri i ngriti duart, e falënderoi Allahun dhe u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf. Pejgamberi ﷺ kaloi përpara dhe ua fali namazin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1201

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?