14. Namazi i vitrit

1. Nënkapitulli: Transmetimet mbi namazin e vitrit

990. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu dhe Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth namazit të natës, e në atë rast ai iu përgjigj: “Namazi i natës falet dy nga dy. Nëse frikësohet se do të hyjë agimi, fal vetëm një rekat, që t'i bëjë tek të gjitha rekatet e falura.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 990

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

991. Nga: Abdullah ibn Omeri

Nafiu tregon se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në namazin e vitrit, jepte selam pas dy rekatesh, kërkonte ndonjë gjë (nëse i nevojitej), pastaj falte edhe një rekat.

Referenca: Sahihu i Buhariut 991

Fjalë të panjohura?

992. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se bujti te tezja e vet, Mejmunia, dhe tregon: “U shtriva në shtrat për së gjeri, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ dhe gruaja e tij u shtrinë për së gjati. Përafërsisht, i Dërguari i Allahut ﷺ fjeti deri në mesnatë, pastaj u zgjua dhe e fërkoi fytyrën me dorë, që t'i largohej gjumi. I këndoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, pastaj u ngrit, mori një ibrik të varur, nga i cili mori abdes në mënyrë të përkryer. Më pas, filloi të falej.

Unë veprova të njëjtën gjë dhe u ngrita e iu bashkëngjita për t'u falur pranë tij. Ai ma vuri dorën e djathtë mbi kokë dhe ma përdrodhi veshin (për të më zhvendosur në të djathtë të tij). I fali dy rekate, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, e, në fund, e fali vitrin dhe u shtri derisa muezini e thirri ezanin. Atëherë u ngrit, i fali edhe dy rekate dhe doli ta falte namazin e sabahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 992

Fjalë të panjohura?

993. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Amri, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Namazi i natës falet dy nga dy. Nëse vendos të ndalesh, fal vetëm edhe një rekat, që t'i bësh tek ato që ke falur.”

Kasimi ka thënë: “Kemi parë besimtarë (të gjeneratave të para) që e falnin vitrin tri rekate. Kjo është tematikë e gjerë, andaj shpresoj se nuk prish punë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 993

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

994. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i falte njëmbëdhjetë rekate dhe kështu ishte namazi i tij i natës. Kur e bënte sexhden, e zgjaste, pa e ngritur kokën, aq sa dikush do të mundte t'i lexonte pesëdhjetë ajete. I falte dy rekate para namazit të sabahut, pastaj shtrihej në anën e djathtë derisa muezini e thërriste për namaz.

Referenca: Sahihu i Buhariut 994

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Kohët e faljes së namazit të vitrit

Ebu Hurejra tregon: "Pejgamberi ﷺ më ka porositur që ta fal vitrin para gjumit."

995. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi se Enes ibn Sirini tregon: “E pyeta Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!):

- Çfarë mendon për leximin në dy rekatet para sabahut, a duhen zgjatur?

- Pejgamberi ﷺ e falte namazin e natës dy nga dy, pastaj e falte vitrin një rekat. I falte edhe dy rekate para namazit të sabahut, sikurse të ishte duke pritur që ikameti të thirrej nga çasti në çast, - tha Ibn Omeri.

Hamadi thotë: “Domethënë, (i falte) shpejt.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 995

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

996. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Muslimi, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, i Dërguari i Allahut ﷺ e falte vitrin në cilëndo pjesë të natës, por, në fund, ai e falte vitrin në pjesën e fundit të natës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 996

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ e zgjonte familjen e vet për namazin e vitrit

997. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ falej teksa unë isha e shtrirë në shtrat. Kur donte ta falte vitrin, më zgjonte dhe e falja vitrin edhe unë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 997

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Rekatet e namazit të fundit le të jenë me numër tek (vitër)

998. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Le të jetë vitri namazi i fundit i natës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 998

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Falja e namazit të vitrit hipur mbi mjet udhëtimi

999. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Bekër ibn Omer ibn Abdurrahman ibn Abdullah ibn Omer ibn Hatabi se Seid ibn Jesari tregon: “Teksa po shkoja në Mekë me Abdullah ibn Omerin (gjatë natës), u frikova mos po fillonte agimi, andaj zbrita dhe e fala vitrin, pastaj shpejtova dhe e zura atë. Abdullah ibn Omeri më tha:

- Ku ishe?

- U frikësova mos po hyn agimi, andaj zbrita dhe e fala vitrin, - i thashë.

- A nuk e konsideron të Dërguarin e Allahut ﷺ shembullin më të mirë? - më tha Abdullahu.

- Pa dyshim, për Allahun, - iu përgjigja.

- I Dërguari i Allahut ﷺ e falte vitrin edhe sipër devesë, - tha ai.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 999

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Falja e vitrit në udhëtim

1000. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri ibn Esma, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në udhëtim, Pejgamberi ﷺ falej duke qenë sipër devesë, pavarësisht nga drejtohej ajo. Namazin e natës e falte me gjeste, përveç namazeve farze. Edhe vitrin e falte sipër devesë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1000

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Praktika e kunutit para dhe pas rukusë

1001. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi se Muhamed ibn Sirini tregon: “Dikush e pyeti Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!):

- A bënte kunut Pejgamberi ﷺ në namazin e sabahut?

- Po, - tha ai.

- A e bënte kunutin para rukusë? - pyetën sërish.

- Kunutin pas rukusë e ka bërë në një periudhë të shkurtër kohore, - iu përgjigj Enesi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1001

Hadithe të ngjashme: Shiko (18)

Fjalë të panjohura?

1002. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi se Asimi tregon: “E kam pyetur Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth kunutit, i cili më ka thënë:

- Po, ka pasur kunut (në kohën e Pejgamberit ﷺ).

- Para apo pas rukusë? - e pyeta.

- Para saj, - iu përgjigj Enesi.

- Filani më ka treguar se ti ke thënë: “Pas rukusë,” - i thashë.

- Ka gënjyer. I Dërguari i Allahut ﷺ ka bërë kunut pas rukusë vetëm një muaj. Pati dërguar përafërsisht shtatëdhjetë burra, që quheshin hafëzët, te një fis idhujtarësh, të cilët kishin pasur marrëveshje paqeje me të Dërguarin e Allahut ﷺ (por idhujtarët tradhtuan dhe i vranë të gjithë delegatët). Andaj, i Dërguari i Allahut ﷺ pati bërë kunut një muaj rresht, duke u lutur kundër tyre (idhujtarëve), - tha Enesi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1002

Hadithe të ngjashme: Shiko (18)

Fjalë të panjohura?

1003. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Tejmiu, e ky nga Ebu Mixhlezi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ bëri kunut një muaj rresht kundër fiseve riël dhe dhekvan.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1003

Hadithe të ngjashme: Shiko (18)

Fjalë të panjohura?

1004. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e ky nga Halidi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kunuti bëhej në namazin e akshamit dhe atë të sabahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1004

Fjalë të panjohura?