Hadithet e ngjashme me hadithin 995

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

472. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufedali, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në minber, një njeri e pyeti: “Çfarë na thua për namazin e natës?” Ai iu përgjigj: “E fal dy nga dy. Nëse ke frikë se po hyn agimi, e fal vetëm një rekat, duke e përmbyllur me rekat tek.”

Ibn Omeri thoshte: “Përmbylleni namazin e natës me vitër (numër tek të rekateve), sepse kështu ka urdhëruar Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 472

Fjalë të panjohura?

1137. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një njeri pyeti:

- O i Dërguari i Allahut, si falet namazi i natës?

- “Dy nga dy. Nëse ke frikë se po hyn agimi, fale një rekat vitër”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1137

Fjalë të panjohura?

473. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, erdhi një burrë dhe e pyeti: “Si falet namazi i natës?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “E fal dy nga dy. Nëse frikësohesh se po hyn agimi, e fal vetëm një rekat, që ta përmbyllësh namazin e natës me vitër.”

Velid ibn Kethiri ka thënë: “Më ka treguar Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Omeri u ka treguar: “Një burrë e thirri Pejgamberin ﷺ teksa ishte në xhami.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 473

Fjalë të panjohura?

993. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Amri, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Namazi i natës falet dy nga dy. Nëse vendos të ndalesh, fal vetëm edhe një rekat, që t'i bësh tek ato që ke falur.”

Kasimi ka thënë: “Kemi parë besimtarë (të gjeneratave të para) që e falnin vitrin tri rekate. Kjo është tematikë e gjerë, andaj shpresoj se nuk prish punë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 993

Fjalë të panjohura?

990. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu dhe Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth namazit të natës, e në atë rast ai iu përgjigj: “Namazi i natës falet dy nga dy. Nëse frikësohet se do të hyjë agimi, fal vetëm një rekat, që t'i bëjë tek të gjitha rekatet e falura.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 990

Fjalë të panjohura?

995. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi se Enes ibn Sirini tregon: “E pyeta Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!):

- Çfarë mendon për leximin në dy rekatet para sabahut, a duhen zgjatur?

- Pejgamberi ﷺ e falte namazin e natës dy nga dy, pastaj e falte vitrin një rekat. I falte edhe dy rekate para namazit të sabahut, sikurse të ishte duke pritur që ikameti të thirrej nga çasti në çast, - tha Ibn Omeri.

Hamadi thotë: “Domethënë, (i falte) shpejt.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 995

Fjalë të panjohura?