Sahihu i Buhariut — Hadithi 164
28. Nënkapitulli: Shpëlarja e gojës gjatë abdesit
Këtë e ka transmetuar Ibn Abasi dhe Abdullah ibn Zejdi, nga Pejgamberi ﷺ.
164. Nga: Othman ibn Afani
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jezidi se Humrani, i çrobëruari i Othman ibn Afanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se një ditë Othman ibn Afani kërkoi një enë me ujë (për të marrë abdes). Kështu, fillimisht derdhi (ujin nga ena) në duart e tij dhe i lau duart tri herë, pastaj futi dorën e djathtë në ujë dhe shpëlau gojën dhe hundën, pastaj lau fytyrën dhe duart deri në bërryla nga tri herë, i dha mes'h kokës dhe, në fund, lau këmbët nga tri herë. Pastaj tha: “E kam parë Pejgamberin ﷺ duke marrë abdes në këtë formë pastaj tha: “Atij që merr abdes sikurse ky abdesi im dhe i fal dy rekate, pa u shpërqendruar, Allahu do t'ia falë mëkatet e së kaluarës.”