Sahihu i Buhariut — Hadithi 166
30. Nënkapitulli: Kur jemi me nallane, këmbët duhet të lahen, dhe nuk mjafton vetëm mes'hu mbi nallane
166. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Seid Makburi se Ubejd ibn Xhurejxhi i tha Abdullah ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “O Ebu Abdurrahman, të kam parë duke i bërë katër veprime që asnjërin prej shokëve të tu nuk e kam parë duke i bërë.
- Cilat janë ato, o Ibn Xhurejxh? - i tha Ibn Omeri.
- Kam vënë re se:
1. Nuk prek asnjërin prej këndeve të Qabesë, përveç dy këndeve jemenase,
2. Mbath opinga prej lëkurës së lopës,
3. Lyen (flokët dhe mjekrën) me ngjyrë të verdhë dhe,
4. Të kam vënë re që, kur ke qenë në Mekë, teksa njerëzit hynin në ihram me të parë hënën e re, ti nuk hyje deri në ditën e tetë, - i tha Ibn Xhurejxhi.”
Abdullahu tha: “Sa u përket këndeve të Qabesë, nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ t'i prekë ato, me përjashtim të këtyre dy këndeve jemenase, kurse për opingat prej lëkurës së regjur të lopës, e kam parë Pejgamberin ﷺ duke mbathur opinga prej lëkurës pa qime dhe duke marrë abdes me to, andaj edhe mua më pëlqen t'i mbath. E përdor ngjyrën e verdhë për të ngjyrosur mjekrën e flokët sepse e kam parë Pejgamberin ﷺ duke përdorur këtë ngjyrë, andaj edhe mua më pëlqen ta bëj të njëjtën gjë. Ndërkaq, sa i përket hyrjes në ihram, nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ të hyjë në ihram, përveçse kur bëhej nisja për në haxh.”