17. Sexhdet në Kuran
1. Nënkapitulli: Transmetimet rreth sexhdes së leximit dhe se ajo është sunet
1067. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky e ka dëgjuar Esvedin se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e lexoi suren Nexhm, në Mekë, dhe ra në sexhde (gjatë leximit). Bashkë me të ranë edhe gjithë të pranishmit, përveç një plaku, i cili (duke ironizuar sexhden) mori një grusht me guralecë ose dhé, e ngriti në ballë dhe tha: “Më mjafton kjo. Më pas, e kam parë atë të vrarë si jobesimtar.”
2. Nënkapitulli: Sexhdja në suren Sexhde
1068. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ditën e premte, në namazin e sabahut, Pejgamberi ﷺ e lexonte suren Sexhde dhe suren Insan.
3. Nënkapitulli: Sexhdja në suren Sad
1069. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi dhe Ebu Numani kanë thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Surja Sad nuk përmban sexhde të obliguar (të leximit). Mirëpo, e kam parë Pejgamberin ﷺ duke rënë në sexhde gjatë leximit të saj.”
4. Nënkapitulli: Sexhdja në suren Nexhm
Këtë e transmeton Ibn Abasi nga Pejgamberi ﷺ.
1070. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Esvedi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e lexoi suren Nexhm dhe ra në sexhde. Asnjë i pranishëm nuk mbeti pa rënë në sexhde, përveç një burri, i cili mori një grusht me guralecë ose dhé, e ngriti në ballë dhe (duke ironizuar sexhden) tha: “Më mjafton kjo.”
Më vonë, pashë se i njëjti u vra si jobesimtar.
5. Nënkapitulli: Ndodhia e rënies së muslimanëve në sexhde së bashku me idhujtarët, ndërsa idhujtarët janë të ndyrë dhe s'u kryen punë abdesi
Ibn Omeri e bënte sexhden e leximit edhe pa abdes.
1071. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ bëri sexhde (për shkak të leximit) të sures Nexhm, e në atë rast bënë sexhde edhe të gjithë muslimanët, idhujtarët, xhinët dhe njerëzit.
Këtë e transmeton edhe Ibn Tahmani nga Ejubi.
6. Nënkapitulli: Ai që e lexon ajetin e sexhdes, por nuk bën sexhde
1072. Nga: Zejd ibn Thabiti
Sulejman ibn Davud Ebu Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Jezid ibn Husajfe, e ky nga Ibn Kusajti, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jesari se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ia lexoi Pejgamberit ﷺ suren Nexhm, porse (Pejgamberi ﷺ) nuk bëri sexhde.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1072
Fjalë të panjohura?
1073. Nga: Zejd ibn Thabiti
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Jezid ibn Abdullah ibn Kusajti, e ky nga Ata ibn Jesari se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ia lexova Pejgamberit ﷺ suren Nexhm, por ai nuk bëri sexhde.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1073
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Sexhdja në suren Inshikak
1074. Nga: Ebu Hurejra
Muslimi dhe Muadh ibn Fedale na kanë thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Jahjai se Ebu Seleme tregon: “E pashë Ebu Hurejrën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke lexuar suren Inshikak e duke rënë në sexhde (gjatë leximit).” E pyeta:
- O Ebu Hurejre, a mos re në sexhde?
- Sikur të mos e kisha parë Pejgamberin ﷺ duke rënë, nuk do të kisha rënë as unë (në sexhde), - ma ktheu Ebu Hurejra.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1074
Fjalë të panjohura?
8. Nënkapitulli: Të bërit sexhde për shkak të leximit të tjetrit
Ibn Mesudi iu drejtua Temim ibn Hadhlemit, një shërbëtori, kur e lexoi ajetin e sexhdes: "Bjer në sexhde (që të bijmë në sexhde pas teje), se ti je imami ynë në të."
1075. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ na lexonte ndonjë sure që përmbante ajet të sexhdes, binte në sexhde, e në atë rast binim në sexhde edhe ne të gjithë, saqë (ndonjëherë) vështirë mund të gjeje vend për ta vendosur ballin.”
9. Nënkapitulli: Kur imami e lexon ajetin e sexhdes në mesin e një turme njerëzish
1076. Nga: Abdullah ibn Omeri
Bishr ibn Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ndërsa rrinim te Pejgamberi ﷺ, ndonjëherë e lexonte ajetin e sexhdes dhe binte në sexhde, e edhe ne të gjithë binim në sexhde pas tij. Dhe, për shkak të turmës së madhe, mezi gjenim vend për ta vendosur ballin.
10. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që thonë se Allahu nuk e ka bërë detyrim sexhden e leximit
Imran ibn Husajni është pyetur: "Ç'mendon për dikënd që e dëgjon ajetin e sexhdes kalimthi dhe pa i kushtuar vëmendjen e kujdesin e duhur, duke mos synuar dëgjimin e tij?" Ai u përgjigj: "E çka nëse e ka synuar dëgjimin e tij? duke aluduar në mos detyrimin e personit për të rënë në sexhde." Selmani ka thënë: "Nuk kam dalë për këtë qëllim (pra, nuk e kam synuar dëgjimin e Kuranit)." Othmani ka thënë: "Sexhdja e leximit është obligim për atë që e synon dëgjimin e tij." Zuhriu ka thënë: "Nuk bie në sexhde përveçse duke qenë me abdes. Kur të biesh në sexhde, duke qenë vendas, drejtoju kibles. E, nëse je i hipur (në mjet udhëtimi dhe merr udhë), nuk prish punë të bësh sexhde në çfarëdo drejtimi që është i kthyer mjeti i udhëtimit. Saib ibn Jezidi nuk binte në sexhde kur i dëgjonte rrëfyesit ta lexonin ajetin e sexhdes."
1077. Nga: Omer ibn Hatabi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Ebu Mulejke, e ky nga Othman ibn Abdurrahman Tejmiu, e ky nga Rebia ibn Abdullah Tejmiu, - Ebu Bekër (ibn Ebu Mulejke) ka thënë: Rebia ka qenë prej njerëzve më të mirë, - (Ibn Xhurejxhi ka thënë: Më ka rrëfyer Ebu Bekri e ky nga Othmani) se Rebia tregon se, ditën e xhuma, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lexoi në minber suren Nahl. Kur arriti tek ajeti i sexhdes, zbriti prej minberit dhe ra në sexhde, e bashkë me të edhe të pranishmit. Pastaj, në xhumanë vijuese, sërish e lexoi suren Nahl dhe, kur arriti tek ajeti i sexhdes, u tha njerëzve: “O ju njerëz! Kur lexohet ajeti i sexhdes, ai që bie në sexhde, ia ka qëlluar (së vërtetës), kurse ai që nuk bie, nuk ka bërë mëkat.”
Në këtë rast Omeri nuk e bëri sexhden.
(Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Më ka rrëfyer Ebu Bekri, e ky nga) Nafiu shton nga Ibn Omeri se: “Allahu nuk na ka detyruar ta bëjmë sexhden, përveç nëse dëshirojmë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1077
Fjalë të panjohura?
11. Nënkapitulli: Leximi i ajetit të sexhdes dhe bërja e sexhdes për të, gjatë namazit
1078. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Bekri se Ebu Rafiu tregon: “Një namaz të jacisë e fala me Ebu Hurejrën (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili, gjatë namazit, lexoi suren Inshikak dhe bëri sexhde. E pyeta:
- Ç'është kjo?
- Kam bërë sexhde në këtë sure duke qenë mbrapa Ebu Kasimit ﷺ. Andaj, do ta vazhdoj këtë praktikë derisa ta takoj sërish (të vdes).”
12. Nënkapitulli: Ç'duhet të bëjë ai që nuk gjen vend për të rënë në sexhde për shkak të kallaballëkut
1079. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sadaka na ka thënë: Na ka rrëfyer Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ na lexonte ndonjë sure që përmbante ajet të sexhdes, binte në sexhde, e në atë rast binim në sexhde edhe ne të gjithë, saqë (ndonjëherë) vështirë mund të gjeje vend për ta vendosur ballin.”