Sahihu i Buhariut — Hadithi 176
34. Nënkapitulli: Ai që mendon se abdesi prishet vetëm atëherë kur del diçka nga dy vrimat, organit gjenital dhe anusit
Allahu ﷻ thotë: “... ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës...” (Maide, 6) Atai thotë se ai të cilit i del krimbi nga zorra e trashë ose ndonjë insekt nga kanali urinar obligohet të ripërtrijë abdesin. Xhabir ibn Abdullahu ka thënë: "Kur dikush qesh në namaz, duhet ta përsërisë vetëm namazin, e jo abdesin." Haseni ka thënë: "Atij që i shkurton flokët ose thonjtë, ose i zhvesh mestet, nuk i obligohet abdesi." Ebu Hurejra ka thënë: "Abdesi duhet marrë vetëm nëse lirohet ndonjë gaz. Përmendet nga Xhabiri se Pejgamberi ﷺ ishte pjesëmarrës në Betejën Dhatu Rika, ku një person ishte plagosur me shigjetë, ndërkohë gjaku i rridhte (duke qenë në namaz), pastaj ra në ruku e në sexhde dhe e vazhdoi namazin." Haseni ka thënë: "Muslimanët faleshin edhe kur kishin plagë nëpër trup." Tavusi, Muhamed ibn Aliu, Atai dhe dijetarët e Hixhazit kanë thënë: "Nuk merret abdes për shkak të gjakut. Ibn Omeri shtrydhi një puçërr, prej së cilës i doli gjak, por nuk e ripërtriu abdesin. Ibn Ebu Eufai pështyu gjak dhe e vazhdoi namazin më tutje." Ibn Omeri dhe Haseni, për atë që bën hixhame, kanë thënë: "Nuk i obligohet asgjë tjetër përveçse ta lajë vendin e hixhames."
176. Nga: Ebu Hurejra
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi vazhdon të jetë në namaz derisa qëndron në xhami duke e pritur namazin tjetër, me kusht që të mos e prishë abdesin.”
Një burrë i huaj pyeti: “E si prishet abdesi, o Ebu Hurejra?” Ai tha: “Duke liruar gazra (me ose pa zë).”