Sahihu i Buhariut — Hadithi 180
34. Nënkapitulli: Ai që mendon se abdesi prishet vetëm atëherë kur del diçka nga dy vrimat, organit gjenital dhe anusit
Allahu ﷻ thotë: “... ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës...” (Maide, 6) Atai thotë se ai të cilit i del krimbi nga zorra e trashë ose ndonjë insekt nga kanali urinar obligohet të ripërtrijë abdesin. Xhabir ibn Abdullahu ka thënë: "Kur dikush qesh në namaz, duhet ta përsërisë vetëm namazin, e jo abdesin." Haseni ka thënë: "Atij që i shkurton flokët ose thonjtë, ose i zhvesh mestet, nuk i obligohet abdesi." Ebu Hurejra ka thënë: "Abdesi duhet marrë vetëm nëse lirohet ndonjë gaz. Përmendet nga Xhabiri se Pejgamberi ﷺ ishte pjesëmarrës në Betejën Dhatu Rika, ku një person ishte plagosur me shigjetë, ndërkohë gjaku i rridhte (duke qenë në namaz), pastaj ra në ruku e në sexhde dhe e vazhdoi namazin." Haseni ka thënë: "Muslimanët faleshin edhe kur kishin plagë nëpër trup." Tavusi, Muhamed ibn Aliu, Atai dhe dijetarët e Hixhazit kanë thënë: "Nuk merret abdes për shkak të gjakut. Ibn Omeri shtrydhi një puçërr, prej së cilës i doli gjak, por nuk e ripërtriu abdesin. Ibn Ebu Eufai pështyu gjak dhe e vazhdoi namazin më tutje." Ibn Omeri dhe Haseni, për atë që bën hixhame, kanë thënë: "Nuk i obligohet asgjë tjetër përveçse ta lajë vendin e hixhames."
180. Nga: Ebu Seid Hudriu
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Dhekvan Ebu Salihu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dikë për të thirrur një ensar. Ai erdhi, ndërsa koka i pikonte ujë. Atëherë, Pejgamberi ﷺ e pyeti: “Ndoshta të ngutëm paksa?”
- Po, - i tha ensariu.
- “Në rast se ndokush të ngut, ose nuk ejakulon gjatë marrëdhënieve intime, atëherë të mjafton abdesi”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Transmetimin e Nadrit e forcon Vehbiu, i cili ka thënë: “Ma ka treguar Shuëbe.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Përpos që Gunderi dhe Jahjai nuk e kanë transmetuar nga Shuëbe “abdesin”.
Referenca: Sahihu i Buhariut 180
Fjalë të panjohura?