Sahihu i Buhariut — Hadithi 183
36. Nënkapitulli: Këndimi i Kuranit apo bërja e diçkaje tjetër (sikurse shkrimi i Kuranit) pas prishjes së abdesit
Mensuri transmeton nga Ibrahimi se ka thënë: "Nuk prish punë leximi (i Kuranit) brenda vendit të hamamit ose shkrimii ndonjë shkrese pa abdes." Hamadi transmeton nga Ibrahimi (për atë që gjendet në banjë) se ka thënë: "Nëse është i veshur, atëherë përshëndete me selam, e, nëse jo, mos e përshëndet."
183. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se si një natë bujti te tezja e vet, Mejmunia, gruaja e Pejgamberit ﷺ: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ dhe gruaja e tij u shtrinë për së gjati. I Dërguari i Allahut ﷺ fjeti deri në mesnatë, ose diç më shumë a më pak, pastaj u zgjua dhe e fërkoi fytyrën me dorë, që t'i largohej gjumi. I këndoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, pastaj shkoi te një shakull i varur, nga i cili mori abdes në mënyrë të përkryer. Pastaj filloi të falej.”
Ibn Abasi vazhdon: “Unë u ngrita dhe veprova të njëjtën gjë, iu bashkëngjita duke u falur pranë tij (në anën e majtë). Ai ma vendosi dorën e djathtë mbi kokë (që të më bartte në anën e djathtë të tij) dhe ma përdrodhi veshin e djathtë. I fali dy rekate, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, e, në fund, e fali vitrin dhe u shtri derisa i erdhi muezini (për të kërkuar leje për ta thirrur ezanin). Atëherë u ngrit, i fali edhe dy rekate të shkurta dhe doli për ta falur namazin e sabahut.”