Sahihu i Buhariut — Hadithi 198
45. Nënkapitulli: Marrja e guslit dhe abdesit në koritë, tas dhe (enë) prej druri a guri
198. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u rëndua dhe iu ashpërsua sëmundja, u kërkoi leje grave të tij që të mjekohej në shtëpinë time. Ato i dhanë leje. Një ditë, doli duke e mbajtur dy burra (për krahësh), ndërsa këmbët e tij i shkonin zvarrë. Qëndronte mes Abasit dhe një burri tjetër. Ubejdullahu thotë: “I tregova Abdullah ibn Abasit, e ai më tha: “A e di kush ka qenë burri tjetër?”
I thashë: “Jo.”
Ai tha: “Ka qenë Aliu.”
Aishja tregon se, pasi Pejgamberi ﷺ shkoi në shtëpinë e tij dhe iu shtua dhimbja, tha: “Më hidhni ujë nga shtatë enë të cilave nuk u është zgjidhur gryka, me shpresë që (të kthjellem e) t'i porosis njerëzit.”
Kështu, e ulën në një vaskë (bakri) të Hafsës, gruas së Pejgamberit ﷺ, dhe filluam t'i hedhim ujë prej enëve në fjalë, derisa (u këndell) dhe na bëri me shenjë se mbaruat punën tuaj, pastaj u doli njerëzve.”