Sahihu i Buhariut — Hadithi 2047

1. Nënkapitulli: Ajetet: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni. Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë. Thuaj: "Ajo që është tek Allahu, është më e mirë nga argëtimi e nga tregtia." Allahu është Dhuruesi më bujar.”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm...” (Nisa, 29)

2047. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Po thoni se Ebu Hurejra e ka tepruar së transmetuari nga i Dërguari i Allahut ﷺ, dhe po thoni: “Ç'është puna e muhaxhirëve dhe ensarëve: që nuk po transmetojnë nga i Dërguari i Allahut ﷺ sikurse Ebu Hurejra?” Vëllezërit e mi muhaxhirë kanë qenë të zënë me tregti, ndërsa unë e shoqëroja të Dërguarin e Allahut ﷺ barkthatë. Isha i pranishëm kur ata mungonin, i mësoja gjërat përmendsh kur ata i harronin. Vëllezërit ensarë kanë qenë të zënë me punët e fushës, ndërkohë unë kam qenë një prej varfanjakëve të sufes, mësoja gjëra të cilat ata i harronin.”

Njëherë i Dërguari i Allahut ﷺ pati thënë: “Nëse dikush e shtrin rrobën e vet derisa unë ta përfundoj fjalën, pastaj e mbledh atë sërish, nuk do të harrojë asnjë fjalë timen.” Unë e shtriva këmishën time derisa i Dërguari i Allahut ﷺ e kreu fjalën e tij, pastaj e mlodha sërish në gjoksin tim dhe, prej asaj fjale deri tani, nuk kam harruar kurrë asnjë hadith të të Dërguarit të Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2047

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?