Sahihu i Buhariut — Hadithi 2048
1. Nënkapitulli: Ajetet: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni. Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë. Thuaj: "Ajo që është tek Allahu, është më e mirë nga argëtimi e nga tregtia." Allahu është Dhuruesi më bujar.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm...” (Nisa, 29)
2048. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga gjyshi i tij se Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur erdhëm në Medine, i Dërguari i Allahut ﷺ më vëllazëroi me Sad ibn Rabiun.” Sad ibn Rabiu tha:
- Unë jam më i pasuri i ensarëve, andaj po ta jap gjysmën e pasurisë, si dhe shiko cila prej grave të mia të pëlqen, unë do ta lëshoj e, pasi të lirohet (nga koha e pritjes), martohu me të.
Abdurrahmani i tha: “Nuk kam nevojë për këto, a ka ndonjë treg ku zhvillohet tregtia?”
- Tregu Kajnuka, - iu përgjigj Sadi.
Abdurrahmani shkoi atje e u kthye me ca djathë e gjalpë dhe vazhdoi së frekuentuari tregun, me t'u kthyer, Abdurrahmanit i vëreheshin gjurmë të verdha të parfumit, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ e pyeti:
- “Vallë, je martuar?”
- Po, - tha Abdurrahmani.
- “Me kë?”
- Me një ensare.
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa bërthama e hurmës - ose ka thënë: sa sasia e një bërthame të hurmës -.
- “Bëj një gosti, qoftë dhe me një dele.”