Sahihu i Buhariut — Hadithi 2053

3. Nënkapitulli: Shpjegimi i gjërave të dyshimta

Hasan ibn Ebu Sinani ka thënë: "Nuk kam parë diçka më të lehtë sesa devocioni: braktisi gjërat e dyshimta dhe merru me të padyshimtat."

2053. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Kezea na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Utbe ibn Ebu Vekasi e porositi vëllanë e vet, Sad ibn Ebu Vekasin: “Djali i robëreshës së Zemës është imi, andaj merre.”

Vitin e Çlirimit (të Mekës) Sadi shkoi e mori dhe tha: “Ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.” Por, Abd ibn Zema tha: “Ky është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij (babait tim).”

Kështu, shkuan te Pejgamberi ﷺ, e në atë rast Sadi tha:

- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.

- Është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij, - tha Abd ibn Zema.

- “Është yti, o Abd ibn Zema, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ, - fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë.”

Pastaj Sevdë bint Zemës, gruas së vet, i tha: “Mbulohu prej tij, oj Sevdë”, - për shkak se shihte te fëmija ngjashmëri me Utben. Së këndejmi, ky fëmijë kurrë nuk e ka parë Sevdën, deri në vdekje.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2053

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?