Sahihu i Buhariut — Hadithi 2105
40. Nënkapitulli: Tregtia me rrobat e ndaluara për meshkuj dhe femra
2105. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se kishte blerë një jastëk me vizatime. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e pa, u ndal te dera dhe nuk hyri. Ia vërejta pakënaqësinë në fytyrë, andaj i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, pendohem tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij ﷺ, çfarë mëkati kam bërë?
- “Ç'është puna e këtij jastëku?” - pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ.
- E kam blerë për ty, që të ulesh dhe të shtrihesh në të.
- “Ditën e Kiametit piktorët e këtyre pikturave (të frymorëve) do të dënohen dhe do t'u thuhet: “Jepuni jetë gjërave që i keni vizatuar.” Dhe tha: “Melekët nuk hyjnë në atë shtëpi ku ka piktura.”