Sahihu i Buhariut — Hadithi 2127
51. Nënkapitulli: Matja (e produktit) është obligim i shitësit dhe dhuruesit
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “E, kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangët.” (Mutafifin, 3) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Matni derisa të jeni të sigurt për atë që keni marrë...” Othmani transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të shesësh, mate (produktin) dhe, kur të blesh, kërko të ta matin (produktin).”
2127. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Xheriri, e ky nga Mugire, e ky nga Shabiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur Abdullah ibn Amër ibn Harami vdiq, la një borxh. Kështu, shkova te Pejgamberi ﷺ që të ndërmjetësojë tek ata që i kishin dhënë borxh, në mënyrë që t'i falnin një pjesë të borxhit. Pejgamberi ﷺ ua kërkoi këtë, por ata refuzuan, kështu që Pejgamberi ﷺ më tha: “Shko dhe klasifikoji hurmat e tua: axhvet veçmas, idhk ibn zejdin veçmas, pastaj më trego.” Ashtu veprova. Pastaj dërgova dikë ta thërrasë Pejgamberin ﷺ. Kur erdhi, u ul në mes të hurmave dhe tha: “Matja secilit (atë që i takon)!” I mata për secilin aq sa i takonte, madje më mbetën hurma, sikur të mos ishin pakësuar fare.
Firasi transmeton nga Shabiu, e këtij i ka treguar Xhabiri se Pejgamberi ﷺ ua mati secilit aq sa i takonte, derisa ua ktheu të gjithëve borxhin.”
Hishami transmeton nga Vehbiu, e ky nga Xhabiri se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndaji edhe një deng, derisa t'ia kthesh atë që i takon.”