Sahihu i Buhariut — Hadithi 2191

83. Nënkapitulli: Shitja e hurmave të pavjela (duke i këmbyer) me ar apo argjend

2191. Nga: Sehël ibn Ebu Hathme

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky e ka dëgjuar Bushejrin se Sehël ibn Ebu Hathme tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar shitjen e hurmave të njoma (duke i këmbyer) me të thata, porse ka bërë lehtësime në shitjen e hurmave të pavjela, duke vlerësuar sasinë e tyre përafërsisht, me sy, në mënyrë që blerësi t'i konsumojë të njoma.
Njëherë tjetër Sufjani ka thënë: “... përveç hurmave të pavjela, për të cilat ka bërë lehtësim, që pronari t'i shesë duke e vlerësuar sasinë e tyre përafërsisht, me sy, në mënyrë që blerësi t'i konsumojë të njoma.”
Sufjani ka thënë: “Kur kam qenë fëmijë, i pata thënë Jahjait: “Banorët e Mekës po thonë se Pejgamberi ﷺ u ka bërë lehtësime në shitblerjen e hurmave të pavjela.”
- E çfarë dinë banorët e Mekës (në lidhje me këtë)? - më tha.
- Ata e transmetojnë këtë gjë prej Xhabirit, - i thashë dhe heshti.

Doja të thosha se Xhabiri është medinas.
E kanë pyetur Sufjanin: “A nuk përmendet në këtë transmetim se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shitjen e frutave pa iu paraqitur shenjat e pjekjes?” Sufjani tha: “Jo.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2191

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?