22. Sehvi sexhdeja

1. Nënkapitulli: Tekstet në lidhje me sehvi sexhden në rastet e ngritjes pas dy rekateve farz (duke e harruar uljen e parë)

1224. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdurrahman Arexhi se Abdullah ibn Buhajne (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ njërin prej namazeve (me katër rekate) ua fali dy rekate, pastaj u ngrit në këmbë, pa kryer uljen (e parë). Njëjtë vepruan edhe njerëzit pas tij. Kur arriti në fund të namazit, ne prisnim të jepte selam, por ai bëri tekbirin para selamit, i bëri dy sexhde duke qenë ulur, pastaj dha selam.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1224

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

1225. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Abdurrahman Arexhi se Abdullah ibn Buhajne (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ është ngritur në këmbë pas dy rekateve të drekës, pa qëndruar në uljen e parë. Kur arriti në fund të namazit, i bëri dy sexhde, pastaj dha selam.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1225

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Në rast se dikush i falë pesë rekate (nga harresa)

1226. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ e fali drekën pesë rekate.

- Vallë, u shtua numri rekateve?! - pyeti dikush.

- “Përse, vallë?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.

- I fale pesë rekate, - i thanë.

Atëherë i bëri dy sexhde pas selamit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1226

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Nëse jep selam pas dy-tri rekatesh, i bën dy sexhde sikurse të namazit, ose edhe më të gjata

1227. Nga: Ebu Hurejra

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na e fali drekën ose ikindinë dhe dha selam.” Dhuljedejni i tha: “O i Dërguari i Allahut, mos u shkurtua namazi?”

- “A është e vërtetë kjo që ky po thotë (se i kam falur vetëm dy rekate)?” - i pyeti të pranishmit Pejgamberi ﷺ.

- Po, - i thanë.

Pastaj i fali edhe dy rekate të tjera dhe bëri dy sexhde.

Sad ibn Ibrahimi tregon: “E kam parë Urve ibn Zubejrin duke dhënë selam pas dy rekateve të akshamit (nga harresa), foli diçka, pastaj e fali pjesën e mbetur dhe i bëri dy sexhde.” Pas kësaj tha: “Kështu ka vepruar Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1227

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Mosleximi i teshehudit pas sehvi sexhdes

Enesi dhe Haseni kanë dhënë selam pa e lexuar teshehudin. Katadja ka thënë: "Teshehudi nuk lexohet (pas sehvi sexhdes)."

1228. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi, e ky nga Ejub ibn Ebu Temime Sehtijaniu, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ dha selam në rekatin e dytë, e në atë rast Dhuljedejni i tha:

- O i Dërguari i Allahut, a u shkurtua namazi apo harrove?

- “A po e thotë të vërtetën Dhuljedejni?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.

- Po, - iu përgjigjën njerëzit.

Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, i fali edhe dy rekate, dha selam, bëri tekbirin dhe ra në sexhde sikurse për sexhdet e namazit, ose edhe më gjatë, pastaj ngriti (kokën).

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: “Na ka treguar Hamadi se Seleme ibn Alkame tregon: “E pyeta Muhamed ibn Sirinin: “A bëhet teshehud pas sexhdes së harresës?” Ai më tha: “Në hadithin e Ebu Hurejrës nuk përmendet (një gjë e tillë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1228

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Thënia e tekbireve për sehvi sexhden

1229. Nga: Ebu Hurejra

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ibrahimi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po na falte njërin prej namazeve të pasdites, - Muhamedi (transmetuesi) thotë: “Ka të ngjarë të ketë qenë ikindia, - i fali dy rekate dhe dha selam. U ngrit dhe shkoi në pjesën e parme të xhamisë, te një cung, ku vendosi dorën e tij (dhe u mbështet).

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Ebu Bekri me Omerin, mirëpo druajtën ta pyesin (rreth asaj që ndodhi) nga respekti që kishin për të.

Ata që nguteshin, duke dalë (nga xhamia) thoshin: “Vallë, është shkurtuar namazi?”

Mirëpo, një burrë, të cilin Pejgamberi ﷺ e quante Dhuljedejn (Duargjati), pyeti:

- A harrove apo u shkurtua namazi?

- “As kam harruar, as është shkurtuar namazi”, - tha Pejgamberi ﷺ.

- Po, vërtet harrove, - ia ktheu ai.

Atëherë Pejgamberi ﷺ i fali dy rekate, dha selam, bëri tekbirin dhe ra në sexhde, sikurse në sexhden e namazit, ose më gjatë, e ngriti kokën duke bërë tekbirin, pastaj sërish ra në sexhde dhe u ngrit prej saj me tekbir.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1229

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

1230. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Arexhi se Abdullah ibn Buhajne Esediu, aleat i fisit Benu Abdulmutalib (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ në namazin e drekës u ngrit (pas rekatit të dytë), që realisht do të duhej të qëndronte ulur. Kur e plotësoi namazin, bëri dy sexhde, duke bërë tekbirin për çdo sexhde, derisa ishte ulur, para selamit. Po ashtu, njerëzit i bënë këto sexhde me të, në vend të uljes që kishte harruar.

Transmetimin e Lejthiut e ka fuqizuar Ibn Xhurejxhi nga Ibn Shihabi në çështjen e tekbirit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1230

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Nëse ka mëdyshje sa rekate ka falur, tri apo katër, i bën dy sexhde duke qenë ulur

1231. Nga: Ebu Hurejra

Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Ebu Abdullah Destevaiu, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të thirret ezani për namaz, shejtani largohet duke liruar gazra me zë, që të mos e dëgjojë ezanin. Pasi të kryhet ezani, kthehet (dhe qëndron) derisa të thirret ikameti, e në atë rast ikën sërish. Pas ikametit, vjen dhe e cyt njeriun duke i hedhur dyshime, (i pëshpërit) duke i thënë: “Kujtoje këtë e kujtoje atë”, gjëra këto që nuk i kujtoheshin më herët, derisa ta bëjë njeriun të harrojë sa rekate i ka falur. E, nëse dikush nga ju nuk di sa (rekate) ka falur, tri apo katër, le t'i bëjë dy sexhde duke qenë ulur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1231

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Dispozita e sehvi sexhdes për namazet farze dhe ato nafile

Ibn Abasi i ka bërë dy sexhde pas vitrit.

1232. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush ngrihet për t'u falur, shejtani i vete dhe ia pështjellon derisa të mos dijë sa ka falur. E, nëse i ndodh kjo, le t'i bëjë dy sexhde duke qenë ulur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1232

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Ç'ndodh nëse dikush i flet atij që është duke u falur e ky e dëgjon e pastaj ia bën me dorë?

1233. Nga: Kurejbi

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e ky nga Bukejri se Kurejbi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Ibn Abasi, Misver ibn Mahremi dhe Abdurrahman ibn Ez'heri e dërguan atë tek Aishja duke i thënë: “Dërgoja selamet tona dhe pyete për dy rekatet pas namazit të ikindisë dhe tregoji se kemi dëgjuar që ti i fal ato (dy rekatet), ndërkohë ne jemi informuar se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar këtë (namazin pas ikindisë).” Ibn Abasi tha: “Unë dhe Omer ibn Hatabi i ndëshkonim njerëzit për to.”

Kurejbi tregon: “Hyra tek Aishja dhe i tregova përse më kishin dërguar.”

- Pyete Umu Selemen, - më tha ajo.

U ktheva tek ata dhe u tregova çfarë më tha Aishja. Ata më dërguan tek Umu Seleme, siç më kishin dërguar tek Aishja.

Umu Seleme më tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke i ndaluar ato (namazet pas ikindisë). Pastaj (një ditë), pasi e fali ikindinë, i fali ato dhe hyri tek unë, ku ishin disa gra ensare të fisit benu haram. Dërgova një shërbëtore dhe i thashë: “Qëndro afër tij dhe thuaji se Umu Seleme po të pyet: “O i Dërguari i Allahut, të kam dëgjuar duke i ndaluar këto dy (rekate), ndërkohë po shoh se ti i fal ato. Nëse ta bën me shenjë, largohu.” Ashtu veproi, e ai i bëri me shenjë që të largohej pak, andaj ajo u largua. Kur e mbaroi namazin, tha: “Oj bija e Ebu Umejes, më pyete për dy rekatet pas ikindisë. Më patën ardhur disa njerëz prej fisit të Abdulkajsit e më patën penguar t'i fal dy rekatet pas drekës, andaj këto qenë ato (të pas drekës).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1233

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Të bërët me shenjë në namaz

Këtë e ka transmetuar Kurejbi, e ky nga Umu Seleme, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.

1234. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dëgjoi se në fisin e Amër ibn Aufit kishte mosmarrëveshje. Pejgamberi ﷺ shkoi me disa shokë që t'i pajtojë mes vete dhe u vonua derisa hyri koha e namazit. Kështu, Bilali shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha: “O Ebu Bekër, koha e namazit ka hyrë, ndërkohë Pejgamberi ﷺ u vonua, a po ua fal njerëzve namazin?”

- Po, nëse dëshiron, - tha Ebu Bekri.

Bilali e thirri ikametin, e në atë rast Ebu Bekri doli para njerëzve dhe mori tekbirin. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe kaloi nëpërmjet safave, derisa arriti në saf (të parë). Njerëzit filluan t'u binin shuplakave, por Ebu Bekri nuk shpërqendrohej nga namazi i tij. Kur e tepruan (së rëni shuplakave), ai shikoi dhe e pa Pejgamberin ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ i bëri me shenjë, duke e urdhëruar që të vazhdonte namazin. Por, Ebu Bekri i ngriti duart, e falënderoi Allahun dhe u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi përpara dhe ua fali njerëzve namazin. Pasi e kreu, u kthye nga njerëzit dhe tha: “O ju njerëz! Ç'është puna juaj që u rënkeni shuplakave kur ju shqetësuaka diçka në namaz? Rrahja e shuplakave është për gratë. E, nëse dikujt i ndodh diçka e rëndësishme në namaz, le të thotë “subhanallah”, sepse çdokush që dëgjon tek thuhet “subhanallah”, kthehet. O Ebu Bekër, çfarë të pengoi që të vazhdoje namazin pasi bëra me shenjë?”

- Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë të Dërguarit të Allahut ﷺ në namaz, - iu përgjigj ai.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1234

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

1235. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Thevriu, e ky nga Hishami, e ky nga Fatimja se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova tek Aishja, të cilën e gjeta duke u falur në këmbë, sikurse njerëzit e tjerë.” I thashë: “Çfarë kanë njerëzit?” Ajo ma bëri me kokë nga qielli (eklipsi i Diellit).

- Diçka e jashtëzakonshme? - e pyeta.

- Po, - pohoi me kokë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1235

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

1236. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut ﷺ, tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ ishte i sëmurë, u fal ulur në shtëpinë e vet. Mbrapa tij u falën një grup njerëzish të ngritur në këmbë. Ai ua bëri me shenjë për t'u ulur dhe, pasi e kreu (namazin), u tha: “Imami duhet pasuar: kur të bjerë në ruku, bini edhe ju, e, kur të ngrihet, ngrihuni edhe ju.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1236

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?