Sahihu i Buhariut — Hadithi 2212

95. Nënkapitulli: Trajtimi i çështjeve të tregtisë dhe qiradhënies, si dhe mënyrave të matjes dhe peshimit, në bazë të traditës dhe medhhebit të njohur të vendit, në rast se sheriati nuk ka vendosur rregulla për çështjen në fjalë

Shurejhu u ka thënë tjerrësve: "Punoni sipas traditës suaj." Abdulvehabi transmeton nga Ejubi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se ka thënë: "Nuk prish punë nëse blihet dhjetë e shitet njëmbëdhjetë dhe pastaj nxirret fitim shtesë për shpenzimet e bëra. Pejgamberi ﷺ i ka thënë Hindës: “Merr aq sa të mjafton ty dhe fëmijëve të tu, pa e tepruar.” Allahu i Lartësuar ka thënë: “... në qoftë se është i varfër, le të harxhojë aq sa është e domosdoshme sipas zakonit...” (Nisa, 6) Haseni mori me qira një gomar prej Abdullah ibn Mirdasit dhe e pyeti: "Për sa?" Ai i tha: "Për dy danekë." Kështu, Haseni e mori dhe i hipi. Pastaj vajti sërish dhe ia kërkoi gomarin. Hipi në të pa u marrë vesh (me pronarin) dhe pastaj ia ktheu së bashku me gjysmë dërhemi.

2212. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Ibn Numejri, e këtij i ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka treguar Muhamedi, e ky e ka dëgjuar Othman ibn Ferkadin, e ky e ka dëgjuar Hisham ibn Urven, e këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar ajetin: “Kush është pasanik, le të përmbahet në marrjen e pasurisë së tyre e, në qoftë se është i varfër, le të harxhojë aq sa është e domosdoshme sipas zakonit...”, (Nisa, 6) ka thënë: “Ka zbritur për kujdestarin e jetimit, i cili kujdeset vazhdimisht për të dhe ia ruan pasurinë. Nëse është i varfër, le të harxhojë prej pasurisë së tij aq sa është e domosdoshme, pa e tepruar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2212

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?