Sahihu i Buhariut — Hadithi 2268
8. Nënkapitulli: Punësimi deri në mesditë
2268. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli juaj dhe popujve të tjerë para jush është sikurse shembulli i dikujt që merr argat një grup njerëzish dhe thotë: “Kush punon për mua prej mëngjesit deri në mesditë për një kirat?” U paraqitën hebrenjtë dhe punuan. Pastaj thotë: “Kush punon për mua prej mesditës deri në kohën e namazit të ikindisë për një kirat?” U paraqitën të krishterët dhe punuan. Pastaj thotë: “Kush punon për mua prej ikindisë deri në perëndimin e diellit për dy kiratë?” Ja pra, ju jeni këta. Hebrenjtë dhe të krishterët u hidhëruan dhe thanë:
- Si ka mundësi që ne të punojmë më shumë e të shpërblehemi më pak?
- A mos vallë ju kam lënë mangët diçka prej shpërblimit tuaj? - u thotë Allahu Fuqiplotë.
- Jo, - thonë ata.
- E po, kjo është mirësia Ime, ia jap kujt të dua, - u thotë Allahu.”