Sahihu i Buhariut — Hadithi 2269

9. Nënkapitulli: Punësimi deri në namaz të ikindisë

2269. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismail ibn Ebu Uvejsi na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari, i çrobëruari i Abdullah ibn Omerit se Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ju, hebrenjtë dhe të krishterët, i shëmbëlleni dikujt që merr argat ca punëtorë dhe thotë: “Kush punon për mua prej mëngjesit deri në mesditë për nga një kirat për secilin?” Kështu, u paraqitën hebrenjtë dhe punuan për nga një kirat. Pastaj punuan të krishterët për nga një kirat. Ndërkaq, ju punoni prej namazit të ikindisë deri në perëndimin e diellit për nga dy kiratë. Hebrenjtë dhe të krishterët u hidhëruan dhe thanë:
- Ne punuam më shumë e u shpërblyem më pak!
- A mos vallë ju kam lënë mangët diçka prej shpërblimit tuaj? - iu thotë Allahu Fuqiplotë.
- Jo, - thonë ata.
- E po, kjo është mirësia Ime, ia jap kujt të dua, - thotë Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2269

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?